NDARJA E SAKRAMENTIT TË KREZMIMIT NË SIRNACH TË ZVICRËS

May 12 • Kisha ndër Shqiptarë

Koha pas Pashkëve në Zvicër është koha kur në të gjitha famullitë zviceran e fëmijët e marrin kungimin e parë, ndërsa të rinjtë, krezmimin.

Kështu edhe Misioni ynë në Sirnach (TG) , të dielën më 10 maj 2015 kishim krezmimin.

Me ftesën e meshtarit tonë misionar, don Albert Demaj, për ndarjen e sakramentit të krezmimit enkas nga Kosova erdhi ipeshkvi ynë Mons. Dodë Gjergji. Koha e bukur me diell dhe  veshja e bukur e kandidatëve për krezmim, atmosfera festive që mbretëronte në kishën e Shën Kollit në Wil, të mbushur përplot besimtarë vetëm e shtonin gëzimin e kësaj dite.

Mesha filloi me procesionin solemn në ora 13:30, kandidatët për krezmim mbanin në dorë nga një trëndafil të kuq dhe një letër që kishin mbështjell në të, kishin shkruar edhe dëshirat e tyre.

Pastaj, meshtari ynë don Alberti, Monsinjorit në emër të të gjithë të pranishmëve, i dëshiroi mirëseardhje  ndërsa dy fëmijë me veshje kombëtare ia dhuruan një buqetë lulesh.

2

Gjatë predikimit ipeshkvi, ndër të tjera, tha:

Besimtarë dashur, sa bukur është sot të jam në mesin tuaj, sepse, ashtu siç na thotë leximi parë, ju jeni bashkuar në lutje. Dhe unë si bari i juaj, gjithmonë gëzohem kur ju shoh juve të bashkuar në lutje. Para se të filloja meshën, unë sot pata dy momente gëzimi. Para dite në kapelën e Misionit e krezmova një të ri me emër Kristian, i cili është ngarkuar me një kryq të rëndë të sëmundjes. Ai edhe pse i ri, nuk mund të jetë i pranishëm me ju. Por në besimin e prindërve të tyre, unë e krezmova Kristianin. Dhe erdha këtu në këtë kishë për të celebruar meshën. Dhe në oborr me pritën të rinjtë dhe të rejat, të veshur bukur, e të gëzuar që do të krezmohen.

Të dashur, prindër, këta janë fryti dashurisë suaj, dhurata e Zotit për ju. Dhe ju jeni munduar m`i rritë e m`i edukua në fenë e Krishtit. Faleminderit që keni bërë një gjë të tillë. Faleminderit të dashura nëna, ju them nga zemra sot, në festën tuaj, Ditën e Nënës. Zoti e bekoftë mundin, sakrificën dhe dashurinë tuaj që keni për familjen dhe për Kishën, Zotin.

Të dashur të rinj e të reja, falënderojeni Zotin që jeni të shëndosh, të mençur, të bukur: është kjo dhuratë e Zotit për ju dhe familjet tuaja. Dhe mos i keqpërdorni këto dhurata të Zotit. Mos i bëni vetëm ato gjëra që ju sjellin kënaqësi, por ato që janë të dobishme dhe të domosdoshme për rritjen tuaj në fe dhe në jetë. Mos harroni: Sot Krishti na thërret të duam njëri-tjetrin. Kjo është dhe porosia ime: Mos lejoni që asgjë dhe askush të ju ndajë nga dashuria e prindërve dhe e Zotit. Nuk ka dashuri pa sakrificë. Vetëm duke i mbetur besnik Krishtit, do t`mbeteni besnik edhe familjes edhe njëri-tjetrit.

Unë e falënderoj meshtarin tuaj dhe motrat për angazhimin dhe punën që bëjnë me juve dhe për juve, por ju falënderoj edhe juve për respektin dhe dashurinë që keni për ta dhe për ne në Kosovë. Ju mirëpresim me 1 gusht në katedrale, që e kemi ndërtuar edhe me kontributin tuaj. Mirë se na vini!

Pas predikimit ishte ndarja e sakramentit të krezmimit, ku të rinjtë u gjunjëzuan para ipeshkvit dhe në përvujtëri, e në heshtje dëgjonin lutjet e ipeshkvit që thërriste Shpirtin Shenjt të zbriste mbi ta.

3

Pas krezmimit vazhdoj paraqitja e dhuratave me simbole të ndryshme. Ra në sy një zemër e madhe e punuar me lule të kuqe, për Ditën e Nënës, që kremtuam në Zvicër.

Në përfundim të meshës, meshtari ynë don Alberti, si zakonisht falënderojë edhe një herë ipeshkvin, pastaj motrat për punën që kanë bërë rreth përgatitjes së të krezmuarve, vet të krezmuari që kanë vendosur të krezmohen në Misionin tonë, korin për këndim të bukur, ministrantat. Dhe në fund duke uruar nënat për festën e tyre tha: Nëna është një lule që duhet të ujitet me kujdesin, falënderimin dhe dashurinë tonë.

Falënderojmë Zotin për çdo gjë të mirë që për jetuam gjatë këtyre ditëve sa kishim ipeshkvin në Misionin tonë. Të krezmuarve ju dëshirojmë suksese në jetë të forcuar nga Shpirti Shenjt.  

(Luigj – Luz Sopi)

4

Shpërndaje

Comments are closed.

« »