KUSHTET E PARA TË MOTRAVE TË MËSHIRSHME TË SHËN KRYQIT NË GJAKOVË

May 13 • Kisha në Kosovë

Kongregata e Motrave të mëshirshme të shën Kryqit u themelua në Zvicër në vitin 1856 nga kapucini, Atëc Teodos Florentini në bashkëpunim me motrën Maria Tereza Scherer, në kohën e krizave të mëdha sociale të asaj kohe.

Motrat e shën Kryqit, siç i njohim ne në Kosovë, janë pjesë e Provincës Kroate, të cilat prej vitit 2004 kanë themeluar Regjionin e Kosovës, me qendër në Prishtinë, në mënyrë që vajzave të reja shqiptare t`u jepet rasti që në gjuhën amtare të mësojnë e të formohen për motra të nderit në Kongregatën tonë.

Të dielen, me 10 maj 2015 në Gjakovë, në kishën e shën Pjetrit e shën Palit, i bënë Kushtet e para rregulltare dy motra të Mëshirshme të shën Kryqit. Motër Niketa (Lume) Krasniqi, nga famullia e Gllaviqicës dhe m. Gjoana (Sabina) Bisaku, nga famullia e Gjakovës.

Ishte ky një rast i jashtëzakonshëm dhe shumë i veçantë, jo vetëm për dy motrat e reja, por edhe për të gjitha ne, mbasi që në këtë solemnitet ishte e pranishme edhe eprorja gjenerale nga Zvicra (Ingenbohli), m. Marija Brizar, pikërisht në Vitin jubilar të 150 vjetorit të vdekjes së Atë Teodosit, dhe në vitin të cilin papa Françesku ia ka dedikuar jetës së kushtuar.

Meshën e ka kremtuar mons. Zef Gashi, argjipeshkëv i Tivarit, në bashkëmeshim me vëllezërit françeskanë. Në meshë morën pjesë edhe eproret nga Kroacia, m. Amalija Kupčerić, eprore provinciale me dy këshilltaret e saja, si edhe të gjitha motrat të cilat veprojnë në Kosovë e Mal të Zi, në krye me eproren regjionale, m. Franciska Molnar.

Kisha ishte e mbushur plot me besimtarë prej Gjakovës e rrethinës, me familjarë e miq.

Në predikim mons. Zefi theksoi vlerën e jetës rregulltare në botën e sotme të kapluar nga hedonizmi, e cila shumë vështirë i njeh vlerat shpirtërore, dhe faktin se përkundër rënies së numrit të thirrjeve rregulltare në Europë, ekzistojnë vendet në botë ku ato janë në lulëzim. Ai tha se me kushtimin e këtyre dy motrave pasurohet jeta shpirtërore e Kishës, e Kongregatës dhe familjeve. Ai i thirri të rinjtë që të lejojnë të nxiten prej shembullit të këtyre dy motrave të reja, të cilat e kanë vënë jetën e tyre zemërgjerësisht në shërbim të Mbretërisë Hyjnore.

Pas predikimit vijoi Riti i kushtimit gjatë të cilit motrat e gjunjëzuara i thanë fjalët e kushtimit, e ndezën qiriun e vet në qiriun e Pashkëve dhe fituan kryqin dhe Kushtetutën e Kongregatës si shenjë e përkatësisë Motrave të mëshirshme të shën Kryqit.

Në fund të meshës, dy motrave dhe gjithë të pranishmëve ua uroi famullitari dhe guardian i Gjakovës, p. Ndue Kajtazi.

Dreka e përbashkët, urimet dhe programi i përgatitur nga fëmijët dhe të rinjtë e famullisë, vazhduan në sallën jo larg kuvendit françeskan.

Kjo ngjarje e bukur e Kushteve të para rregulltare është një nderë dhe krenari për të gjitha motrat, familjarët dhe famullinë e Gjakovës, e cila i ka përkrahur në jetën e tyre shpirtërore dhe ku ato janë të ftuara të veprojnë në Emër të Zotit dhe në të mirën e njerëzimit.

Përgatiti: m. Teuta Augustini

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16 17 18 19

Shpërndaje

Comments are closed.

« »