NGRITJA E ZOTËRISË NË QIELL

May 13 • LEXIMET E SË DIELËS

E kremte 

Leximi parë: Vap 1,1-11

Lexim prej Veprave të apostujve

Në librin e parë, o Teofil, fola për gjithçka Jezusi bëri dhe mësoi qysh prej fillimit e deri në ditën kur u ngrit në qiell, pasi që u dha porositë apostujve, të cilët i pati zgjedhur nëpërmjet të Shpirtit Shenjt. Ai, pas mundimit të vet, më shumë prova ua vërtetoi apostujve se ishte i gjallë duke u shfaqur për dyzet ditë para tyre dhe duke u folur për Mbretërinë e Hyjit.

Dhe, njëherë, ndërsa po hante bukë bashkë me ta, u urdhëroi të mos e lëshojnë Jerusalemin, por ta presin Premtimin e Atit: “Atë që dëgjuat prej meje: Gjoni ka pagëzuar me ujë, ndërsa ju, pas pak ditësh, do të pagëzoheni ,e Shpirt Shenjt.” Tani ata që ndodhën bashkë me të e pyetën: “Zotëri, a thua do ta ripërtërish në këtë kohë mbretërinë  e Izraelit?” Ai u përgjigj: “Nuk është puna juaj ta njihni kohën dhe momentin që Ati ia ka përcaktuar pushtetit të vet. Por ju do të merrni fuqinë e Shpirtit Shenjt, i cili do të zbres në ju dhe ju do të bëheni dëshmitarët e mi në Jerusalem, në mbarë Judenë, në samari, madje dhe gjer në skajin e botës.” Dhe, kur i tha këto fjalë, ndër sy të tyre, u ngjit në qiell dhe një re menjëherë ua zuri para syve të tyre. Dhe, ndërsa ata me ngulm shikonin sesi ai ngjitej në qiell, ia bëhen dy njerëz të veshur me petka të bardha, zunë vend para tyre dhe u thanë: “ O burra galileas, përse rrini kështu duke shikuar kah qielli?

Ky Jezusi,që prej jush u ngjit në qiell, do të kthehet pikërisht kështu, si e patë se shkoi në qiell!

Fjala e Zotit

 

Psalmi 47 

Ref. Ngritet Zoti me këngë të hareshme.

Duartrokitni, o popuj të gjithë

brohoritni Hyjit me zë gëzimi!

Sepse Hyji është i tejetlartë,

i tmerrshëm, Mbreti i madh mbi tokën mbarë.

——————————————————-

Ngritët Hyji me brohori

Zoti me zë trumbete

Këndoni Hyjit, këndoni,

këndoni mbretit tonë, këndoni!

———————————————————————————-

Sepse Hyji është mbreti i mbarë tokës: këndoni këngë me mjeshtëri!

Hyji mbretëron mbi mbarë popujt,

Hyji rri mbi fronin e vet të shenjtë.

 

Leximi dytë: Ef 4,1-13 

Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Efesianëve

Vëllezër, ju përbej unë, i burgosuri në Zotin: jetoni denjësisht si i ka hije thirrjes që keni marrë: me plot përvujtëri, butësi e duresë; duroni njëri-tjetrin me dashuri! Bëni çmosin ta ruani njësinë e Shpirti me anë të paqes që ju bashkon. S’ka por një Trup të vetëm dhe një Shpirt të vetëm – sikurse edhe jeni të grishur në një shpresë të vetme të thirrjes suaj. Nuk ka por një Zot, një fe, një pagëzim; një Hyj të vetëm, Atin e gjithëve, i cili sundon mbi të gjithë, vepron nëpër të gjithë e banon në të gjithë. Edhe secilit prej nesh i që dhënë hiri me atë masë me të cilën Krishti deshi të na e dhurojë. Këndej edhe thuhet: ’Kur u ngrit në lartësi i mori dhe u dha dhurata njerëzve’. E ajo ‘U ngrit’, çka do të thotë tjetër por së më parë ‘zbriti’ këtu poshtë, përmbi tokë; Ai që ‘zbriti’, është po Ai që u ‘ngrit’ mbi të gjithë qiejt për ta mbushur gjithësinë. E Ai i ‘dha’ disa apostuj, disa tjerë profetë, disa prapë ungjilltarë, do të tjerë barinj dhe mësues, që shenjtërit t’ i bëjë të aftë për veprën e shërbesës, për ndërtimin e trupit të Krishtit, deri që të gjithë t’ ia arrijnë njësisë së fesë me njohjes së Birit të Hyjit deri në gjendjen e njeriut të përsosur, deri në masën që i përket pjekurisë së plotë të Krishtit.

Fjala e Zotit

Aleluja!

Shkoni e bëni nxënës të mi të gjithë popujt, thotë Zoti.

Dhe, ja unë jam me ju gjithmonë, deri në të sosur të botës.

Aleluja!

 

Ungjilli Mk 16,15-20

 

+ Lexim i Ungjillit të shenjtë sipas Markut

Në atë kohë, Jezusi iu duk të Njëmbëdhjetëve dhe u tha: “Dilni në mbarë botën e predikoni Ungjillin të gjithë njerëzve. Kush do të besojë e do të pagëzohen, do të shëlbohet, ndërsa kush s’ do të besojë, do të dënohet. Shenjat që do t’ i përcjellin ata që do të besojnë, janë këto: në emër tim do t’ i dëbojnë djajtë, do të flasin gjuhë të reja, në duar do t’ i marrin gjarpërinjtë e, nëse do të pinë ndonjë send që sjell vdekjen, nuk do t’ u bëjë keq. Do t’ i vënë duart mbi të sëmurë, e këta do të shërohen.”

Zotëria Jezus, pasi u tha kështu, u ngjit në qiell dhe rri në të djathtë të Hyjit.

Kurse ata dolën e predikuan gjithkund. Zoti bashkëpunonte me ta dhe e përforconte fjalën me mrekulli që e përcillnin.

Fjala e Zotit 

 

Porosia

Jezusi, para se të ngrihej në qiell, i bashkon apostujt dhe i përgatitë për misionin që duhet vazhduar në emër të tij.

Krejt ky mision që do të ndodhë nuk do të jetë me fuqinë e tyre- e aq më pak, me dijen e tyre, por me fuqinë e Shpirtit shenjt.

Një re e dendur që paraqet gjithmonë në BV praninë e Hyjit, në mesin e njerëzve, është e pranishme edhe në momentin e Krishtit kur ngritët në qiell. Dhe dy burra që tregojnë, mund të jenë po të njëjtit; Elia dhe Moisiu që ishin edhe në taborr paraqesin krejt Besëlidhjen e Vjetër dhe historinë e saj si një lidhje të asaj të vjetrës dhe të Resë, që do të bëhet me Jezusin.

Kështu, Jezusi në praninë e tyre kthehet në lavdinë para se të vijë në botë.

Jezusi, me ngitje në qiell, nuk largohet prej nesh, por është i pranishëm në Fjalën që do të predikohet, në jetën sakramentale- e mbi të gjitha, është i pranishëm në Shpirtin shenjtë, i cili e ripërtëritë boten.

Me ngritjen e Jezusit në qiell, ne nuk mbetemi bonjak, prania e Hyjit mbetet gjithmonë me ne në jetën sakramentale.

Qielli, nuk është një vend i kufizuar, por qielli është aty ku është Zoti. E Zoti është gjithkund. Me Zotin gjithmonë jemi n lumturi, në gëzim dhe paqe.

Prandaj kjo ditë na përkujton edhe ne që ecim dhe jetojmë, punojmë dhe veprojmë në tokë që mos të kalojmë kohen kot, por gjithnjë duke u bazuar në Ligjet e Zotit, të punojmë dhe veprojmë që Krishti, i cili është Rruga e Vërteta dhe Jeta të na pranojë në jetën e plotë jetën me Hyjin, jetën e amshuar.

Ngjarje

Në Luftën e Dytë Botërore, ishte zënë rob nga gjermanet një ushtar i ri francez, me emrin Marcell Galiot.

Gjermanet e kishin torturuar, rrahur e munduar shumë, duke dashur ta frikësonin dhe ta tmerronin. Por, ai ishte shumë i qetë dhe nuk bënte zë, duronte të gjitha vuajtjet me duresë, nuk frikësohej, ishte një besimtar i devotshëm.

Pas shumë torturave dhe rrahjeve që ia bënë duke menduar që ishte patriot i madh për vendin e vet Francën, ia sollën një hartë të Francës, e cila ishte krejt me vija të bëra nga fashistet duke treguar se Franca në përgjithësi ishte e okupuar nga gjermanet.

I thanë shihe këtë hartë, ku është atdheu yt tani?

Ku është Franca jote? Duke  e prekë me gisht kraharorin Ia kthej me butësi francezi: atdheu im është në zemrën time.

Vëllezër dhe motra nëse duam të jemi pjesëtar të të mirave qiellore dhe të marrim shpërblimin nga Hyji edhe ne duhet të themi sikurse ky ushtar i zënë rob atdheu im është në zemrën time, sepse aty ku është Zoti është shëlbimi, është gëzimi, është paqja, është dashuria, është e ardhmja e sigurt.

Prandaj, a është Zoti në zemrat tona; a është Zoti në familje tona? Sa dhe si bekojmë në Zotin?

Ta falënderojmë Jezusin, për dashurinë që pati ndaj neve, dhe të mundohemi që këtë dashuri, t’ ia kthejmë me dashuri.

Lutjet e besimtarëve 

Të bashkuar në Shpirtin shenjtë t’ ia drejtojmë lutjet tona Atit qiellor, i cili e lavdëroi Jezusin dhe e vendosi në të djathtën e vet, t’ i lutemi së bashku:

O Hyj, na tërheq kah lavdia jote!

– O Atë, ndihmojë Kishës sate në përpjekje që me jetë të shpallë praninë tënde në katër anët e botës, të lutemi.

– Mbaje të gjallë shpresën tek të gjithë ata që quhen të krishterë për takimin me ty në amshim, të lutemi.

– Bekoj o Hyj përpjekjet e të gjithë atyre që kanë përgjegjësi që të gjithë njerëzit të jetojnë në paqe, të lutemi.

– Zgjo, o Hyj në zemrat e njerëzve ndjenjën për të vërteten dhe afërsinë në mes vete, të lutemi.

– Bëj, o Hyj që kjo bashkësi e jotja këtu e bashkuar në emrin tënd të jetojë në dashurinë tënde dhe këtë dashuri ta shpall në botë, të lutemi.

– Mëshira jote, o Hyj le t’ ju hap derën e parajsës të gjithë atyre që kaluan nga kjo jetë duke besuar dhe shpresuar në ty, të lutemi.

O Hyj i gjithëpushtetshëm, ti e lavdërove Birin tënd duke e ngritur në qiell ndërsa neve na dhurove Shpirtin tënd që nëpër të të jesh i pranishëm në botë. Na mëso që të jetojmë prej dhuratave që na jep ky Shpirt dhe një ditë të gëzojmë në amshim, Ti që jeton e mbretëron në shekuj të shekujve. Amen.

Përgatiti: Don Marjan Demaj

Shpërndaje

Comments are closed.

« »