JUL VARIBOBA DHE GJELLA E SHËN MËRIS VIRGJËR E TIJ (I)

May 14 • Letërsi

Revista Drita do të botojë studimin të Italo Fortinos, arbëresh, për shkrimtarin e njohur Jul Variboba në disa vazhdime. Është ndër studimet më kredibile deri më tash që është bërë për këtë shkrimtar. Në pjesën e parë jepen të dhënat biografike të shkrimtarët, kurse në pjesën e dytë që do të botohet në vazhdim, paraqitet personaliteti i Jul Varibobës.

Shkruan: Italo  K.  FORTINO[1]                       

1. Të dhënat biografike

Studimet mbi figurën dhe veprën e poetit italo-arbëresh Jul Variboba (Giulio Varibobba)[2] deri tash janë mjaft të kufizuara, mirëpo, në deceniet e fundit janë bërë përpjekje që të posedohet një dokumentacion krejt i panjohur, edhe pse botimi i veprës së tij i vitit 1762[3] është praktikisht i pagjindshëm, kurse ky që ofrohet, tani sipas dy botimeve të Vinçenco Librandit[4], është pak i besueshëm. Duke mos i njohur aspak të dhënat biografike, shpesh  shumë studiues kanë shfaqur mendime jo të sakta dhe pa mbështetje në dokumentet e duhura, deri nga fundi i vitit 1960, kur qenë publikuar rezultatet e një kërkimi arkivor pranë Propaganda Fide të Romës[5], kurse më 1977,  u rigjet  ky material në Vikariatin e Romës, në aktin e vdekjes së këtij autori.[6] Tani e dimë saktësisht datën e vdekjes, dëshminë e 31 dhjetorit 1788, nga ky dokument i zbuluar së fundi në një shkrim të qëllimshëm për figurën e tij, i cili gjendet në kishën e Famullisë së Sh. Gjergjit Arbëresh (S. Giorgio Albanese).[7] Pa pasur mundësi të përcaktohet data e lindjes, sepse dy burimet e lartpërmendura në këtë pikë ndryshojnë, duhet thënë se dokumenti i aktit të vdekjes thotë se Variboba ka vdekur në moshën 63 -vjeç, që është në kundërshtim me shkrimin e Sh. Gjergjit (S. Giorgio), i cili e paraqet vdekjen “në moshën  64 vjeçare.”[8]

            Kjo divergjencë mbetet edhe më tutje, me shpresë se do të mund të sqarohet përmes kërkimeve të vazhdueshme edhe më shpresëdhënëse arkivore[9].

            Variboba ka lindur në Shën Gjergjin Arbëresh,[10] fshat me origjinë arbëreshe, në provincën e Kosentinës, më 1724 (ose 1725), nga babai Gjovani (Giovanni), që atëbotë ishte prift i ritit greko-bizantin në Famullinë e Sh. Gjergjit Arbëresh. J. Variboba studimet kishtare i mori në kolegjin Korsini në Sh. Benedeto Ulano deri në institucionin[11] e fundit; ai kishte hyrë në këtë kolegj në moshën 12 vjeç[12] për të mbetur deri në përfundim të studimeve të mesme (të ulëta e të larta), sikundër edhe të atyre universitare, duke pranuar shugurimin priftëror më 1749 dhe duke mos e preferuar martesën, që megjithatë është e lejueshme te priftërinjtë e ritit grek.

            Kolegji Korsini, i themeluar më 1732 nga Papa Klementi XII, kishte për qëllim edukimin dhe arsimimin e kandidatëve për priftërinj të ritit bizantin, ai jepte përgatitje bazë për materiet klasike në mësimin e  latinishtes dhe të greqishtes, në ciklin e parë të studimeve të disiplinave filozofike e teologjike, kurse në ciklin e dytë duhej gjithashtu të kujdesej për formacionin liturgjik të ritit bizantin.[13]

            Këtu Variboba ishte një prej nxënësve të parë të këtij kolegji, ku rektor ka qenë D. Feliçe Samuele Rodota, i emëruar më 1737 ipeshkëv dhe kryetar i të njëjtit[14] kolegj, ku mbaroi ciklin e studimeve nën udhëheqjen e D. Nikolla de Markis, i cili qëndroi në kolegj nga v. 1742 deri më 1757.

            Drejtimet në studimet e kolegjit, sipas qëllimit të themeluesit, duhej të ishin ngritja dhe formimi i priftit të ri me një kulturë të mirë bazë dhe me një njohje të saktë të praktikës liturgjike e me karakter shpirtëror greko-bizantin për dhënien e një ndihme për vendin me gjithë varfërimin kulturor e shpirtëror, në të cilin vargënuan një pjesë e madhe e priftërinjve të ritit grek në komunitetet arbëreshe. Realizimi i parimeve të shenjta drejtpërdrejt nga bula pontifikale (shkresa e papës), por, me mjaft vështirësi duke pasur parasysh, nga njëra anë, edhe shkaqet objektive të krijuara në fazën e parë nga shkëputja e institucionit, dhe nga ana tjetër, prej mospërfilljes e ndoshta nga qartësia e paktë e ideve të drejtuesve të të njëjtit kolegj dhe, në fund, nga influenca e ushtruar nga ipeshkvijtë lokalë latinë, të cilët, me qëllim të latinizimit të komuniteteve arbëreshe, nuk ndërprenë veprimet për të penguar zhvillimin e kulturës[15] së tyre.

            Variboba, i pajisur me “kujtesë të mrekullueshme, me talent të madh dhe me një fond të madh të shpirtmadhësisë”,[16] në studimet e tij arriti një kulturë solide, të cilën do ta zbatojë në aktivitetin e vet të ardhshëm. Sigurisht ky është një fakt i kuptueshëm, i cili ka filluar më 1751 nga ipeshkvi – kryetar, monsinjor Nikolla de Markis, që e kishte emëruar pikërisht Varibobën, priftin e ri, rektor të kolegjit. Mirëpo, është edhe një fakt i çuditshëm që Variboba kishte filluar me aktivitetin e vet publik me anë të polemikës dhe të kundërshtimit, të nxitura nga kundërshtari i tij Don Françesko Avati, i cili donte të merrte po atë titull nga Komuna e Sh. Benedeto Ulanos.[17]

            Në maj të vitit 1751, pas pak muajve të rektoratit, Variboba hoqi dorë nga kjo detyrë, ngase babai i tij, Gjovani, famullitar në Shën Gjergj, ishte plakur dhe i sëmurë, u kthye në vendin e vet për t’u zgjedhur në funksionin e ekonomit, si ndihmës i babait dhe në përkujdesje të famullisë.[18]    

            Së shpejti ai zëvendësoi mirë gjithë aktivitetin pastoral të babait, një punë që e bëri me mirëbesim në praktikë me shumë përgjegjësi dhe me përkushtim të shpirtit. I pajisur me aftësi kulturore dhe organizative, ai mendonte të programonte punën katekistike në ngritjen e ndjenjës religjioze te njerëzit. Formoi një kongregacion të vogël për të devotshmit, me qëllim të arsimimit në doktrinën e krishterë, që të ngjallte tek ata ndjenjën e mëshirës, me një kult shumë të dëgjuar për Krishtin e mëshirshëm. Në të vërtetë, më 25 të çdo muaji, në kujtim të lindjes së Jezusit, këta njerëz të devotshëm mblidheshin për një meditacion të përmuajshëm, kurse pasdreke këndonin këngë në gjuhën arbëreshe, të mbledhura nga vetë Variboba.[19]

            Kështu ai gjeti në këtë lloj të kongregatës edhe këngë të gjuhës arbëreshe – në gjuhën e folur nga njerëzit e komunitetit të vet, që ishte mjeti më i përshtatshëm për të arritur në popull një formë të thjeshtë e të kuptueshme. Padyshim  pikërisht në ato momente duket se ta ketë nxjerrë gjenezën e veprës së vet Gjella e Shën Mëris Virgjër, të kompletuar në formën përfundimtare në Romë,  në të cilën paraqet në brendinë e vet ndërshtënie (interpolacione) të ndryshme në këngët e kushtuara Marisë, Jezusit dhe shenjtorëve, por edhe elemente kryesore të doktrinës së krishterë.

            Ndërkaq, aktiviteti i tij pastoral shpirtëror nuk ishte i qetë. Një mendim i qëndrueshëm që ngatërron ekzistencën, vorbullën ose pikën e njohjes së kthimit gati në përballim të ndonjë luftimi për të qetësuar shqetësimin e shpirtit të tij, ishte kalimi nga riti grek në ritin latin në komunitetin e vet, sepse në këtë të fundit kishte mundësinë për një veprim më të madh e më të dobishëm për të mirën e vet dhe të besimtarëve të vet. Dhe Variboba në rrëfimin e tij, duke i shkruar Kardinal Spinellit, prefektit të Propagande Fides, thotë: “Kalimi im në ritin më të mirë, disa herë të mirëpritur nga hirësia juaj, është i vetmi që më qetëson  ndërgjegjen e vetëdijes sime për ngatërrimin, në të cilin gjendet tani riti grek. Ngatërrim i çuditshëm ky, i cili nuk gjendet tashmë te dy priftërinjtë, edhe pse janë në të njëjtën shtëpi, në uniformat e shërbimit dhe në meshë, nuk e pengojnë askënd për një kalim, nëse mund ta shpien popullin e përkulur më shumë se unë në ritin latin, që vazhdimisht e lë meshën për të dëgjuar latinët; pa inovacion tjetër kundër bulës së të ndjerit Papë, duke mbajtur këtë Famulli, ku çdo funksion është latin”.[20]

            Lufta e Varibobës për kalimin në ritin latin i karakterizon gati të gjitha vitet e apostulatit si ekonom nga v. 1751 deri në v. 1761.

            Çështja e interesimit të komunitetit të Shën Gjergjit, me  kryetarin Basilio Kinigň në krye të dioqezës së Rossanos,  nën jurisdiksionin e të cilit gjendej Shën Gjergji Arbëresh[21] dhe të Kongregatës së Propagande Fide së Romës.[22]

            Qarkullimin e letrave që shkonin në Shën Gjergj, Rossano dhe Roma i merrte me qëllim të pandryshueshëm don Juli, duke marrë trasferimin e dëshiruar, kurse luhatja e Kuries së Rossanos, që e diskutonte çështjen në mes të lejes për të vepruar Variboba dhe të mospëlqimit sipas urdhrave të ardhura nga Roma, dhe në fund qëndrimi i papërkulur i Propaganda Fides, që mbronte ritin grek dhe ndalonte veprimin e ndërmarrë të Varibobës. Ndër të tjera, nga këto dokumente mund të nxjerrim jo pak informata të sakta për të shpjeguar qëndrimin e njëjtë të don Julit dhe sigurinë e tij në përmbajtje dhe arsyen e drejtë, edhe pse me disa pamaturi, të cilat rrallohen nga zmadhimet e pashmangshme të polemikave, mund të kontribuojnë për të hedhur dritë mbi veprimtarinë e tij, për një gjykim historik objektiv.

            Bula Etsi Pastoralis e Papës Benedikti XIV, e publikuar më 1742, e cila kishte ndërmend të rimerrte legjislacionin për italo-grekët, në fakt, kishte një efekt jo të sigurt e të parëndësishëm në kulturën religjioze të Varibobës,  mbi të gjitha, ngase ajo u pranua me parim të “Praestantia Latini ritus” (Epërsia e ritit latin), ku Variboba bëri të ngrihej dhe të ndihej për autorizimin moral që të vazhdonte në praktikën religjioze të Famullisë së vet, në festimet dhe shërbimet në mënyrën tipike latine.[23]    

            Në mbështetje të kësaj dhe sipas parimeve  të mira të bulës e të qëndrimit të përmbajtur të favorshëm të Kuries së Rossanos, ai vazhdoi të mbante me forcën e vet bindjen, përballë kohëve që të mos sillte disa risi në rit.[24]

            Çështja bëhet shumë aktuale më 1759, kur don Juli i drejtohet përsëri drejtpërdrejt Papës për të kërkuar kalimin në ritin latin dhe kur Kuria e Rossanos, e pyetur nga Propaganda Fide, i jep pamje të favorshme, duke dalluar të mirat, me qëllimet më të sinqerta të Varibobës, sepse ai qe i shtyrë “nga animi madhshtor” për ritin latin.[25]

            Ky gjykim i favorshëm e liroi nga protesta e kryetarit Kinigo, i cili e akuzoi egërsisht Varibobën, duke dyshuar edhe në sjelljen e tij morale dhe në qëllimet e kongregatës së devotshme, të cilën ai e kishte formuar, duke shkaktuar një gjendje të tensionuar ndërmjet ithtarëve dhe kundërshtarëve të tij. Dy herë e kishin pezulluar nga funksioni i ekonomit me ndalesën e Rosanos për disa muaj, me shpresë se situata mund të normalizohej. Por nuk doli ashtu, sepse, më vonë, me kthimin e tij në vend, vazhdojnë ta vërshojnë  polemikat dhe akuzat reciproke. Në këtë pikë, në fund të rikthimit të paqes në Shën Gjergj, Oborri i Napolit parashikonte ta largonte nga vendi don Julin dhe don Nikolla Mashin, edhe pse këta priftërinj të ritit grek kishin vendosur të përpiqeshin për ritin latin.[26]

            Variboba duhej të merrte mërgimin në “Tokën e Kampanjës”, ku kaloi në Napoli me shpresë se do të fitonte revokimin nga masa paraprake, por ende jo edhe ridaljen, deri në fund të vitit 1761, me  ftesën e  Romës,[27] ku vazhdonte të qëndronte  deri në fund të jetës, më 1788.

            Në kryeqytet më 1764 ai zgjodhi funksionin e rrëfyesit pranë kishës së Shën Mërisë të Paskolit në dhënien e mënjëhershme të gjendjes së re, sepse lidhja me tokën e vendlindjes, nuk ia shoi  dëshirën e kthimit. Kështu ai s’heq dorë nga kërkesa për t’u kthyer përsëri te Papa dhe te Kongregata e Propaganda Fides, por pa sukses.[28] Në Shën Gjergj nuk u kthye më, ndoshta për shkak të celebrimit sipas ritit latin[29] dhe kjo do të vazhdojë të “qetësojë ndërgjegjet”[30] me vazhdimin  në një jetë më të qetë.

            Me gjithë shqetësimin konstant, të shkaktuar nga problemi i ritit grek dhe nga polemikat pasuese, Variboba gjeti momente të qeta dhe të përshatshme për të hartuar një himn të frymëzuar poetikisht e të pastër, kushtuar Shën Mërisë. Pas pak muajsh nga arritja e tij në Romë, ai  e dha në shtyp poemën Gjella e Shën Mëris Virgjër, të cilën  kishte filluar ta hartonte në Shën Gjergj dhe ta kompletonte për pak kohë në Romë, sigurisht para 24 majit 1762, kur Tomaso Nikolla Masaraki, prifti italo-arbëresh nga Sicilia, i dha së pari mendimin favorizues se vepra mund të botohej.

Nga italishtja përktheu: Oliver SEDAJ

____________________________

[1] Punimi është botuar më parë si Hyrje (Prolegomeni) te: Giulio Varibobba,  La vita di Maria, (Prolegomeni, trascrizione, traduzione, glossario e note di Italo Constante Fortino), Edizioni Brenner, Cosenza, 1984, pp. 13-55. (Shënim i përkthyesit)

[2] Preferojmë të shkruajmë “Varibobba”, me b-në e dyfishtë në fund, sepse kjo korrespondon me autografin.

[3] Gjella e Shën Mëris Virgjër, Roma, 1762

[4] Vincenzo Librandi, Grammatica con le poesie rare di Variboba,  U. Hoepli, Milano, 1897 (Botimi I pa përkthim në italishten); 1928 (Botimi II me përkthim). Për variante të ndryshme fonetike dhe leksikore, të dhëna në tekstin burimor të Gjella e Shën Mëris Virgjër  nga V. Librandi në dy botimet e tij, krh. Shaban Demiraj,  Gjella e Shën Mëriis Virgjër e Jul Varibobës rreth botimit të parë të 1762 dhe transkriptimit të saj prej V. Librandit,  te: ”Buletin për shkencat shoqërore”, Nr. 3, Tiranë, 1956, pp. 262 -270.

[5] P. Vasa dhe E. L. Mbuzati,  Documenti su Varibobba nell’ archivio di Propaganda Fide  (estratto dalla rivista Shejzat – Le Pleiadi),  Roma, 1960, pp. 48. Dokumentet shqyrtojnë kryesisht çështjen kontestuese në Shën Gjergjin Arbëresh ndërmjet Varibobës, i cili kërkon kalimin në ritin latin, dhe  opozitarëve, të udhëhequr nga  kryetari Basilio Chinigo. Do t’u referohemi shpesh atyre, sepse vazhdimisht kanë mbetur burime më të pasura dhe më të sigurta mbi çështjen.

[6] Cosmo Laudone (nga përkujdesja e të cilit),  L’Atto di morte di Giulio Varibobba,  estratto dal  Bollettino della Badia Greca di Grottaferrata, Nuova Serie, vol. XXXI, 1977

[7] Cosmo Laudone, vep. e cit., p.1.

[8] Ibidem p. 1.

[9] Në arkivin parokien të Shën Gjergjit Arbëresh në Regjistrin e të Lindurve nuk rezulton faqja ku duhet të referohej te Variboba.

[10] Sh. Gjergji Arbëresh është quajtur Mbuzat  nga italo-arbëreshët. Mbi këtë dokumentacion krh. Domenico Zangari, Le Colonie italo-albanesi di Calabria – Storia e demografia secoli XV-XIX, Napoli, 1940, p. 110.

[11] Angelo Zavarroni, Historia erectionis Pontificii Collegii Corsini italo-graeci et deputationeis episcopi titularis  ritus graeci.  Napoli, 1750; Pietro Pompilio Rodota,  Dell’ origine progresso e stato del rito greco in Italia,  Libro III, Roma, 1763, pp. 73-78.

[12] P. Vasa e E. L. Mbuzati, op. cit., p. 46. Kërkesa e Pietro Cortese dhe Basilio Chinigo te kardinali i Propaganda Fide, më datë 22 prill 1762 nga  Sh. Gjergji.

[13] Krh. Letrën e themelimit Inter multiplices të Klementit XII, datë 5 tetor 1732 dhe Ex iniuncto Nobis nga i njëjti Papë nga data 19 prill 1735 mbi rregullat e Kolegjit.

[14] Me Letrën Provida Pastoralis  nga prilli 1737 i besohet drejtimi i Kolegjit një ipeshkvi grek, bartës i jurisdiksionit të ipeshkvit të Bisinjanos, nën dioqezën e të cilit gjendej Sh. Benedeto Ulano.

[15] P. P. Rodota, op. cit., 59.; Në relacionin e monsinjor Cardamone, argjipeshkvit të Rossanos… Përgjigjja e Filalete, Napoli, 1796, pp. 36-38.; Vittorio Peri, Chiesa romana e “rito” greco,  Brescia, 1975, pp. 191-205.

[16] Nga relacioni i  monsinjor Cardamone … op. cit., p. 63.

[17] P. Vasa e E. L. Mbuzati, op. cit. pp. 4-5.; Mbi Francesco Avatin krh. Dhimitër  Shuteriqi, Françesk Avati,  te: ”Studime filologjike”, 3/1975, Tiranë, 1975, pp. 115-126. P.P. Rodota, op. cit., p. 77.

[18]  P. Vasa e E.L. Mbuzati, op. cit., p. 19.

[19] Po citojmë atë që referon kryetari i Bashkisë së Sh. Gjergjit Arbëresh, Basilio Kinigo (Chinigo), në letrën drejtuar kard. G. Spinelli në dhjetor 1759: ”Pas detyrave në drekë fillonin të këndonin disa këngë në gjuhën arbëreshe, të cilat janë krijuar prej të njëjtit (Variboba) me emërtimin e emrave të secilit nga citatet hyjnore për çdo strofë, dhe fjalët kanë më shumë përmbajtje profane sesa shpirtërore, dhe i njëjti i shoqëruar nga ata, këndonte me çapare dhe shumë herë në kohë të papritur bashkoheshin në kishë dhe e shoqëronin këndimin e përmendur me organo”. P. Vasa dhe E.L Mbuzati, op. cit., p. 25. Me të njëjtin ton është  Memoriali i D. Mikelangjelo Kiodit, arkipret i Shën Gjergjit, më 1762: “ Kur celebrohej ndonjë festë, tuboheshin për çdo muaj të pamartuarit, me gra të tjera pendestare, duke u përzier me njerëzit e shtëpisë së Don Julit, ku gostiteshin me tinguj dhe këngë greqisht.” P. Vasa dhe E. L. Mbuzati, op. cit., p.43.

[20] P. Vasa e E. L. Mbuzati, op. cit. p. 23.

[21]Sh. Gjergji Arbëersh juridikisht i takonte Dioqezës së Rossanos, në kohën e mons. Camaldarit, kurse administrativisht Abacisë del Patire, e njohur si abaci italo-greke, pra tanimë e latinizuar.

[22]Kongregata e Shenjtë “De Propaganda Fide” qe themeluar në v. 1622 nga Papa Gregori XV, me qëllim të pajtimit në një bashkim të kishave ortodokse dhe protestane, për të promovuar dhe organizuar shërbimin pastoral të katolikëve që jetojnë bashkë me protestantët e ortodoksët dhe të misioneve ndërmjet paganëve. Krh. AAVV., Compendio di storia della Congregazione per l’evangelizzazione dei popoli o “Propaganda fide” (1622-1972), Roma, 1974

[23]Kjo vërtetohet nga dokumente të ndryshme, veçanërisht po citojmë një pjesë nga Kujtesa e don Michelangelo Chiodi: “ Në  vite të kaluara dhe pikërisht rreth v. 1752, nga don Jul Variboba, prift italo-grek, ngrihet në këtë kishë riti latin, me dhënien e lirisë në këtë popull të prapambetur, që po humbte gjënë e mirë, kreshmet dhe festat greke dhe që të përqafonte latinët dhe të mund të bënte në frymën e bulës  Etsi Pastoralis… udhëzon përdorimin nga zyra e vogël e së Lumës Virgjër, si të të vdekurit në të njëjtën kishë të Shën Gjergjit.“  P. Vasa dhe E.L. Mbuzati, op. cit., p. 43.

[24]  P.  Vasa dhe E. L. Mbuzati, op. cit. pp. 30,33-34, 43.

[25] Idem, pp. 10,22.

[26] Te relacioni i mons. Kardame, op. cit., p. 66.

[27] Në vazhdim d. Nikola varet nga pjesëmarrja e tokës së Kropalatit, ku qëndroi shumë muaj. Nga d. Juli ishte i caktuar vendi i tij i mërgimit krahina e Kampanjës, i durueshëm nuk deshti të bindej që të shkonte në Napoli, ku duhej të tentonte për lirimin e vet, pastaj fshehurazi e solli atë në Alma Citta. Kujtime të D. Michelangelo Chiodi të 7 prill 1762, P. Vasa dhe E. L. Mbuzati, op. cit. p. 44. Krh gjithashtu edhe Alla Relazione di Monsignor Cardamone, op. cit., p. 64.

[28] P. Vasa dhe E. L. Mbuzati, op. cit. pp. 47-48.

[29]  Nga Relacioni i mons. Cardamone, op. cit. p. 86.

[30] Krh. shënimin nr. 20.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »