RELIKJA E DON BOSKOS NË PRISHTINË

May 14 • Kisha në Kosovë

 “Da mihi animas, caetera tolle”

“Më jep shpirtrat, tjerat merri” – Don Bosko

E marta, 12 Maj 2015, nuk ishte ditë si çdo e martë tjetër. Kjo për shkak se Don Bosko erdhi në Kosovë. Jo me vepra dhe me përshpirtërinë e tij saleziane – sepse si i tillë ka qenë i pranishëm këtu me vite – mirëpo tani edhe “fizikisht”.

Me nismën e Rektorit Madhor të kaluar,  Don Pascual Chávez Villanueva, dhe me rastin e 200 vjetorit të lindjes së shenjtit që në Kishën Katolike njihet si shenjti i të rinjve, Relikja e Don Boskos (eshtrat e tij të vendosura në një trupore të krijuar në imazhin e tij) u sollën edhe në Kosovë. Gjatë dy viteve të fundit kjo Relikë kishte shkuar në çdo cep të botës ku janë të pranishëm salezianët.

Të martën, Katedralja “Nënë Tereza” në Prishtinë, u mbush plotë me të rinj; kori ishte përgatitur për të kënduar bukur; fytyrat ishin të qeshura dhe të hareshme. S’kishte si të pritej ndryshe shenjti i cili njihet për shprehjen e tij drejtuar të rinjve: “Mjafton që ju të jeni të gëzuar që unë të ju dua shumë“. Mesha, e cila u kremtua në praninë e shumë besimtarëve, u kryesua nga Imzot Zef Gashi, argjipeshkëv i Tivarit, në bashkëkremtim me Imzot Dodë Gjergji, ipeshkëv i Kosovës, Inspektori i Salezianëve Don Pasquale Cristiani dhe shumë meshtarë të tjerë salezianë dhe të dioqezat tonë.

Në këtë Meshë, familja saleziane në Kosovë u shtua me Bashkëvepruesit e saj të parë Salezian. Nëntë laikë të krishterë: Anton Gashi, Arianit Gegaj, Artan Marniku, Elvanda Gojani, Filoreta Shiroka, Mimoza Gojani, Pëllumbesha Marniku, Sonja Bekaj dhe Tomë Kryeziu bënë premtimin si Bashkëveprues Salezianë në duart e Inspektorit dhe para Relikës së Don Boskos, premtim ky që në emër të familjes saleziane u pranua nga Inspektori Don Pasquale Cristiani.

Salezianët, apo më mirë të themi Don Bosko ishte aq vizionar saqë themeloi Shoqatën Bashkëvepruesit Salezian krahas Kongregatës Salezianëte Don Boskos dhe Bijave të Marisë Ndihmëtare. Ai me të drejtë besoi se laikët luajnë rol të rëndësishëm në edukimin e të rinjve, e sidomos atyre më në nevojë. Bashkëvepruesit Salezianë jenë të krishterë të prapavijave, profesioneve, e moshave të ndryshme. Mjafton që të kenë vëmendje të veçantë për të rinjtë, dhe ta vënë në vepër Sistemin Parandalues të Don Boskos, që t’i ndihmojnë të rinjve që të bëhen “Qytetarë të ndershëm dhe të krishterë të mirë”.    

Të shtyrë nga karizma saleziane që ata kishin njohur në momente të ndryshme të jetës së tyre – disa nga vegjëlia kur ishin në famullinë saleziane të Prishtinës, e disa të tjerë me vonë si rezultat i punës së tyre në QSE “Don Bosko” në Prishtinë, nëntë Bashkëvepruesit e parë Salezian nga Kosova kishin filluar ecjen e tyre përgatitore në vitin 2013 me Don Matteo di Fiore, e më pas e vazhduan me Don Tomë Mihaj.

Premtimi i shprehur publikisht nga nëntë Bashkëpunëtorët e rinj dhe dëshmia e lexuar nga njërandër Bashkëpunëtorët emocionuan gjithë të pranishmit. Mesha vazhdoj me ripërtëritjen e kushteve edhe nga ana e tetë rregulltarëve Salezianë të Don Boskos që ishin të pranishëm. Në të qeshur, Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, tha “se kjo ishte ceremoni më e gjatë se sa ceremonia e shugurimit të tij si Ipeshkëv”. Me të vërtetë mund të ketë qenë Meshë e gjatë, mirëpo për të gjithë të pranishmit e marta ishte edhe një ditë e paharruar, moment i bukur, dhe një kremtim që tejçoi mesazh dhe emocion të veçantë.   

Relikja e Don Bosko, para se të kthehej në Itali, bëri edhe një ndalesë në qendrën “Don Bosko” në Prishtinë, për tu përshëndetur nga nxënësit e shkollës. (Mimoza Gojani)

IMG_6036 IMG_6030 IMG_6028 IMG_5973 IMG_5921 IMG_5776 IMG_5765 IMG_5750 IMG_5730 IMG_5724 IMG_5714 IMG_5707 IMG_5704 IMG_5699 IMG_6091 

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »