DOMETHËNIA E FJALËS LAIK

May 15 • Teologji

 

Rubrika “Çelësi i fjalëve të Kishës” të Radio Vatikanit në gjuhën shqipe, sjell im për lexuesit e “Dritës” domethënien e fjalës “laik”. Në përgjithësi, “laikë” janë të gjithë ata që nuk i përkasin klerit, pra të gjithë të pagëzuarit, që nuk kanë asnjë gradë hierarkike kishtare.

         Për Kishën Katolike, laikët përbëjnë një nga përmasat më të rëndësishme të Popullit të Zotit, që njihet e mbrohet nga e drejta kanonike. Laikët impenjohen në ungjillëzimin e botës me anë të Sakramentit të Martesës, duke krijuar kështu familje të krishtera, që dëshmojnë Krishtin, ose me rrugë të tjera. Laikët mund të kryejnë edhe detyra kishtare e të bashkëpunojnë gjerësisht me hierarkinë. Një nga shprehjet e këtij bashkëpunimi është, për shembull, Veprimi Katolik e shoqata e organizata të tjera të krishtera. Konceptimi i rolit të laikëve në Kishë ka ndryshuar me kohën, sidomos pas Koncilit II të Vatikanit, i cili miratoi një dekret të veçantë mbi apostullimin e laikëve, që quhet “Apostolicam actuositatem” (1965). Më pas, Papa Pali VI, me motu proprio “Catholicam Christi Ecclesiam” (1967) ngriti Këshillin e Laikëve, edhe sot, organ i Kuries Romake.

         Nga koncepti i laikut rrjedh laicizmi, që përmbledh qëndrimin e atyre, të cilët mendojnë se është e nevojshme të përjashtohen doktrinat dhe institucionet fetare nga funksionimi i gjithçkaje publike. Në gjuhën politike bashkëkohore, laicizmi është i kundërt me konfesionalizmin dhe fundamentalizmin, sipas të cilëve institucionet politike, besimtarët e jo besimtarët, duhet t’u nënshtrohen ligjeve të fesë dominuese në një vend. Ndarja ndërmjet sferës publike të politikës dhe sferës private të fesë është element thelbësor i laicizmit, që e konsideron këtë si kusht të nevojshëm për mirëqenien e njeriut, për respektimin e dinjitetit të tij dhe për zhvillimin e lirë të aftësive të tij. Laicizmi priret kah individualizmi dhe racionaliteti, prandaj identifikohet me një botëkuptim më të gjerë e më gjithëpërfshirës të kulturës e të jetës civile, bazuar mbi tolerancën ndaj besimeve të tjera, mbi refuzimin e dogmatizmit, larg ndikimit të institucionit dominues fetar.

Mbi këtë këndvështrim bazohet parimi i laicitetit të shtetit, sipas të cilit pushteti politik është i ndarë nga feja. Ky parim shprehet zakonisht në dy mënyra. E para, karakteristike për Francën e SHBA-të, parashikon një ndarje të rreptë ndërmjet dy sferave, gjë që i vë të gjitha fetë e pranishme në vend nën të drejtën e përbashkët, para së cilës përgjigjen të gjithë qytetarët. E dyta, karakteristike për Italinë, parashikon njohjen e fesë dominuese, pa diskriminuar të tjerat. Ligjërisht, zgjedhja e modelit të dytë çon në konventa, ose pakte, siç janë Paktet Lateranense për Italinë, që disiplinojnë marrëdhëniet ndërmjet shtetit dhe feve të pranishme në vend.

         Vitet e fundit, termi “laik” përdoret jo në kuptimin e vërtetë të tij, por për të treguar një person “agnostik”, ose “ateist”. Nga pikëpamja semantike, ky përdorim është i gabuar, pasi “laik” tregon thjesht njeriun, që s’është klerik, por kjo nuk do të thotë se ai është edhe “jo besimtar”. Abuzimi me këtë term i ka dhënë atij funksionin e sinonimit me termin “antiklerikal”, ose “ateist”, duke sjellë kështu përdorimin e termit “laicist”, që përmban ngjyrime negative si kundërshtar i fesë, apo i institucioneve fetare, në përgjithësi. Në të vërtetë, “laicist” është edhe ai që e quan veten “laik”, pa qenë kundërshtar i fesë.

Burimi: www.radiovaticana.va

Shpërndaje

Comments are closed.

« »