E DIELA VII E PASHKËVE (B)

May 15 • LEXIMET E SË DIELËS

Leximi parë (Vap 1,15-17,20-26)

Lexim prej Veprave të apostujve

Po në ato ditë, pasi Jezusi u ngjit në qiell, u ngritë Pjetri në mes të vëllezërve-ishin bashkuar afërsisht njëqind e njëzet vetë-dhe u tha: “Vëllezër, është dashur të plotësohet Shkrimi shenjt të cilin me gojë të Davidit e parafoli Shpirti Shenjt për Judën, i cili u bë prijës i atyre që e kapën Jezusin. Ai ishte vërtet nga numri ynë dhe kishte pjesë në këtë shërbesë.

Dhe njëmend, në librin e Psalmeve shkruan: ‘Shtëpia e tij mbettë e shkretë. Askush në të mos banoftë!’ dhe: ‘Parësinë e tij tjetërkush e trashëgoftë!’

Duhet, pra, që njëri prej këtyre njerëzve, të cilët qenë me ne gjatë tërë kohës që Zotëria Jezus jetoi në mesin tonë, – duke filluar prej pagëzimit të Gjonit e deri në atë ditë kur prej nesh u ngjit në qiell – të bëhet bashkë me ne dëshmitari i ngjalljes së tij.”

Dhe i paraqitën dy: Jozefin që quhet Barsabë me mbiemër Just dhe Matinë. Atëherë u lutën: “Ti, o Zot, që njeh zemrat e të gjithë njerëzve, trego cilin prej këtyre të dyve e ke zgjedhur për të marrë vendin e kësaj shërbese apostolike, prej të cilës u tërhoq Juda për të shkuar në vendin e vet.” Atëherë qitën short e shorti i ra Matisë, e kështu u radhit në numrin e të Njëmbëdhjetë apostujve.

Fjala e Zotit

Psalmi 103

Ref. Qoftë bekuar Zoti në lartësitë qiellore.

——————————————————–

Bekoje, shpirti im Zotin,

dhe krejt qenia ime Emrin e tij të shenjtë.

Bekoje, shpirti ime Zotin,

e mos i harro bamirësitë e tija.

—————————————————————–

Sepse sa është lartësia e qiellit mbi tokë,

aq e madhe është mëshira e tij ndaj atyre që e druajnë.

Sa është lindja larg perëndimit

aq larg i tret prej nesh fajet tona.

——————————————————————

Zoti e forcoi fronin e vet mbi qiell,

mbretëria e tij mbizotëron të gjitha.

Bekojeni Zotin, të gjithë engjëjt e tij,

 ju të fortët nga fuqia, që kryeni urdhrat e tij.

——————————————————————

 

Leximi dytë (1 Gjn 4,11-16)

Lexim prej Letrës së parë të shën Gjonit apostull

Të dashur, në qoftë se Hyji na ka dashur ashtu, edhe neve na duhet ta duam njëri-tjetrin. Hyjin askurrë askush nuk e pa. Nëse duam njëri- tjetrin, Hyji mbetet në ne dhe dashuria e tij në ne është e përkryer. Me këtë gjë e dimë se mbetemi në Të edhe Ai në ne: na e ka dhuruar Shpirtin e vet. Ne pamë dhe e dëshmojmë se Ati e dërgoi Birin për Shëlbues të botës.

Kush dëshmon se Jezusi është Biri i Hyjit, Hyji mbetet në të edhe ai në Hyjin. Ne e njohëm dashurinë që Hyji ka kundrejt nesh dhe i besuam asaj. Hyji është Dashuri, dhe kush mbetet në dashuri, mbetet në Hyjin dhe Hyji mbetet në të.

Fjala e Zotit

 

Aleluja!

Nuk do t’ ju lë bonjak, thotë Zoti:

do të kthehem tek ju e zemra juaj do të gëzohet.

Aleluja!

Ungjilli  (Gjn 17,11-19)

Leximi i Ungjillit i shenjtë sipas Gjoni

Në atë kohë, Jezusi i çoi sytë kah qielli dhe u lut: “Unë nuk rri më në botë e ata janë në botë, e unë po vij te ti. O Atë i shenjtë! Ruaj në Emër tënd ata që ti m’i dhe që të jenë një sikurse ne! Derisa unë isha me ta, i ruajta në Emër tënd ata që m’ i dhe, dhe vërtet i ruajta-asnjë nuk u bor pos birit të bjerrjes – në mënyrë që u plotësua Shkrimi shenjt.

Tani po vij tek Ti e këto po i them ndërsa ende jam në botë, që ata ta kenë në vetvete gëzimin tim të plotë. Unë ua dorëzova fjalën tënde dhe bota i urreu, pse nuk janë të kësaj bote sikurse as unë nuk i përkas kësaj bote. Nuk po të lutem t’ i marrësh prej botës, por t’ i ruash nga i Keqi. Ata nuk i përkasin botës, sikurse as unë nuk i përkas botës.

Shenjtëroji në të vërtetën: fjala jote është e vërteta. Sikurse ti më dërgove në botë, po ashtu edh unë i dërgova në botë. Për ta unë e kushtoj vetveten, që edhe ata të jenë të shenjtëruar në të vërtetën.

Fjala e Zotit

 

POROSI

Kur nxënësit e Jezusit, pas ringjalljes së tij, u forcuan në fe, e kuptuan se Jezusi ishte ringjallë dhe besuan në këtë të vërtetë; në urdhrin e Tij për të predikuar Ungjillin në mbarë botën, menjëherë e kuptuan që duhet të plotësohet numri i apostujve në numrin dymbëdhjetë, pasi që Juda e kishte bjerr veten. Numri dymbëdhjetë, paraqiste dymbëdhjetë fiset e Izraelit. Dy kandidatët që ishin të mirë dhe të përshpirtshëm, u paraqiten nga apostujt dhe me lutje, shorti i ra që i dymbëdhjeti të jetë Mateu. Kështu, numri u plotësua, dhe secili filloi punën dhe obligimin e vete.

Apostuj ishin të zellshëm e me shumë dashuri dhe përkushtim predikonin e mësonin, e Fjala e Hyjit përhapje dhe përparonte.

Kushtet në të cilat jetonin dhe vepronin, nuk ishin të mira, por që Hyji ishte me ta për t’ i ngushëlluar dhe për t’ u ndihmuar në veprimtarinë e tyre për shëlbimin e botës.

Në leximin e dytë që dëgjojmë apo e lexojmë, shohim që Gjoni, i cili jetoi gjatë- nga letrat që i shkroi, si duket nuk ishte në gjendje të predikonte për shkak të moshës, dhe shpeshherë në shkrimet e veta e përsërit: “Vëllezër duani njëri tjetrin”. Nxënësit e tij kërkonin që t’ iu japë edhe ndonjë këshill tjetër, por ky përgjigjej: nëse këtë urdhër e mbani , do t’ i mbani edhe urdhërimet tjera dhe do t’ i  pëlqeni Hyjit.

Tri të diela radhazi, Gjoni na flet mbi dashurinë, e sot i jep edhe më shumë aksent, dashurisë ndërnjerëzore, dashurisë ndaj të afërmit, ndaj vëllait njeri.

Dhe sot, vërtetë, është shumë e nevojshme dashuria ndërnjerëzore, e cila në mungesë të saj shfaqet në shumë fenomene negative dhe shkatërrime të shumta ndërvëllazërore.

Të pyesim : Sa ka dashuri në zemra tona, në familje tona?

Sipas Ungjillit, dëgjojmë lutjen e mrekullueshme që Jezusi ia drejton Atit të vet për apostuj, për ne, për të gjithë të pagëzuarit. Kjo lutje, është e gjatë, por shumë domethënëse, duke dashur të tregoj dashurinë që Jezusi ka për ne. Lutja e Krishtit,  u bë në darken e fundit lamtumirës që e kishte me apostuj. Kjo lutje, është lutje për bashkim dhe ruajtje nga i keqi dhe e keqja. Jezusi e dinë që jemi njerëz dhe karakteri ynë është i dobët, për këtë pra nevojat dhe jetën tonë ia paraqet Atit që të na ketë në kujdes.

Ndërsa ne duhet të jemi të vetëdijshëm, me tërë qenien tonë të jemi dhe të mbetemi dëshmitarë dhe besnikë Zotit në premtimet që kemi bërë në pagëzim dhe bëjmë rregullisht në jetën sakramentale.

Ne, pra, jemi në botë dhe duhet kuptuar që pa Hyjin dhe ndihmën e tij e kemi vështirë të jetojmë. Si të krishterë si bijë dhe bija të Zotit nuk guxojmë të jetojmë do si do por duhet të jetojmë në urti, përvujtëri, dashuri dhe shërbim të plot të jetës dhe shërbim të plot në familje.

Jezusi për ne ishte dhe mbeti Qengj i Hyjit që u flijua për ne. Flijimi i tij për ne duhet të nxjerr rezultat pozitiv në jetën tonë. T’ ia besojmë jetën dhe familjen Krishtit, i cili na prinë, na ndihmon dhe forcon në fe dhe dashuri.

Tregohet një shembull se si një fëmijë dëshironte dhe tentonte ta rrokulliste një guri, por edhe pse provoi disa herë, nuk mundi ta lëvizë fare e lëre më ta rrotullonte.

E pa babai dhe i tha: Bir, a je i sigurt që  ke përdorë tërë përdorë tërë forcën për ta rrokullisur gurin? Po, tha babi, e përdora por nuk munda.

Jo, tha biri im, nuk e ke përdorë tërë forcën, sepse nuk me thirre mua që të të  ndihmojë!

Ne, po ashtu, kemi nevojë ta thërrasim në ndihmë Hyjin Atin tonë, të në ndihmojë që asgjë të mos jetë e rënd, kur është në pyetje jeta që i pëlqen Hyjit, ndri, familja, bashkimi dhe bashkëpunimi në dashurinë e Tij.

Gjatë kësaj jave të lutemi dhe të përgatitemi që festën e Rrëshajve ta kuptojmë si një bashkësi e gjallë dhe në lutje e pret Shpirtin e Hyjit, e pranon dhe forcohet që edhe unë, edhe ti dhe të gjithë ne të jemi dëshmitar të Krishtit me fjalë dhe vepra. Amen.

 

LUTJET E BESIMTARËVE

 Të shndritur me fjalën e Zotit t’ ia drejtojmë lutjet tona Atit qiellor që të na jep hire për ta dëshmuar praninë e Krishtit në mes nesh dhe në botë. Të themi së bashku:

 Na përtërij me hiret tua, o Zot!

– Për Kishën që ti e themelove që në të gjitha kohërat t’ i mbetet besnike fjalës së Krishtit dhe Shpirtit të tij, të lutemi:

– Për Papën, ipeshkvijtë, rregulltarë e rregulltare, dhe të gjithë ata që janë në shërbim të Ungjillit, që me gëzim të shpallin dhe dëshmojnë ungjillin tënde, të lutemi:

– Për njerëzimin mbarë, që dëshirën për drejtësi, dashuri dhe paqe, ta tregojnë duke u angazhuar për një të ardhme me të mirë, të lutemi:

– Për të gjithë të krishterët që të jenë bashkuar në shpirt dhe zemër, për të cilët t’ u lut Biri yt Jezu Krishti para se të ngrihej në qiell, të lutemi:

– Për bashkësinë tonë, këtu të rrethuar pranë altarit të Zotit tonë Jezu Krishtit, që të përtërirë me hiret tua të rritet gjithnjë në shenjtëri dhe përsosmëri, të lutemi:

Atë i shenjtë, dëgjoj lutjet e bashkësisë sate të cilat t’i drejtuam nëpër Birin tënd Jezu Krishtin. Le të na nxitë fuqia e Shpirtit Shenjt që në të gjitha vështirësitë e jetës të jemi dëshmitar të ringjalljes së Tij, që me ty jeton dhe mbretëron në shekuj të shekujve. Amen.

Përgatiti: Don Marjan Demaj

Shpërndaje

Comments are closed.

« »