Bekimi i Qendrës Baritore “Shën Gjon Pali II” – Gramsh

May 18 • Kisha ndër Shqiptarë

Shkruan: Violeta MARASHI

Bashkësia e famullisë Shën Nikollit Grams, pasditen e 12 majit 2015, gëzoi në Bekimin e Qendrës Baritore kushtuar “Shën Gjon Pali II” dhe në 8 vjetorin e kushtimit të Kishës. Një ditë feste kjo, ku përveç zbukurimeve të shumta që kishin mbushur oborrin e Kishës dhe të qendrës, gjetëm dhe fjalët e përzemërta duke ju uruar mirëseardhjen të gjithëve. Në emër të të gjithë bashkësisë famullitare, famullitari Dom Artur Kola i uroi mirëseardhje të përzemërt Imzot Lucjan Avgustinit, ku kjo famulli tha ai, ndjehet e nderuar me prezencën e tij që na ka dëshmuar gjithmonë dashuri dhe kujdes ndaj bashkësive tona. Në meshën e kryesuar nga ipeshkvi, bashkëmeshuan edhe meshtarë të tjerë të dioqezës sonë në prani të shumë besimtarëve të famullisë, të cilët ishin tejet të gëzuar për realizimin e një qendreje të tillë, e cila do të shërbejë për veprimtarinë baritore, për edukimin dhe formimin e brezave të kësaj famullie.

“Sot është dita që na e dhuroi Zoti, të gëzojmë e të galdojmë”! Me këto fjalë të psalmistit, Imzot Lucjani dëshiroj të shprehte gëzimin dhe falenderimin ndaj Zotit si dhe bamirësve për këtë dhuratë që i bëhet kësaj bashkësie, këtij komuniteti. Kjo famulli vazhdoi më tej ipeshkvi, gëzon në këtë ditë, ditë që na nxitë të kujtojmë në lutjet tona të gjitha ata që kanë punuar ndër vite për ndërtimin shpirtëror dhe ndërtimin si ndërtesë të kishës; veçanërisht lutemi dhe kujtojmë famullitarët që kanë shërbyer e tani janë në amshim, Dom Injac Dema dhe Dom Genc Tuku.

Duke e vlerësuar këtë ndërtesë që është pikë frymëzimi shpirtëror për të gjithë, Imzot Lucjani ftoi banorët e kësaj famullie që të ndërtojnë në vendin e tyre një shoqëri të mbështetur në vlerat e jetës së fesë. Nëse feja e jonë është e çmueshme për ne, atëherë asgjë nuk mund të na pengojë në udhën tonë me Hyjin, sepse Ai është siguria e fitores sonë mbi të keqen.

Me urimin “e gëzofshi qendrën” përfundoi dhe fjala e rastit për t’i lënë vend ritit të kremtimit të meshës. Pas meshës u bë bekimi i qendrës, ku të gjithë iu lutën Zotit që si bariu i shpirtrave tanë, të ndihmojë  të gjithë ata që do të frekuentojnë këtë qendër që të rriten në pjekurinë njerëzore e të krishterë, që të mund të bëhen drita e botës dhe kripa e tokës. Duke bekuar këto hapësira të reja në shërbim të popullit të Gramshit u lutën që kjo qendër të jetë vendi ku promovohet e jetohet dashuria e Zotit dhe shërbimi vëllazëror.

Gëzimin e kësaj feste e shtoi edhe programi artistik i të rinjëve të famullisë ku përcollën momente argëtuese dhe humori. Më pas u shtrua edhe një koktejl i vogël për të gjithë.

Qendra “Shën Gjon Pali II” u ndërtua falë bamirësve, posaçe organizatës së njohur të kishës së Konferencës Ipeshkvore Gjermane “Renovabis”, dhe Konferencës Ipeshkvore të Amerikës, të cilët e mundësuan këtë vepër me dëshirë që të jetë vend burimi dhe edukimi i një dashurie për Zotin dhe për njëri-tjetrin, të jetë vend i edukimit dhe formimit shpirtëror për të gjithë brezat që do të frekuentojne këtë qendër që dëshiron Bashkësinë, nxitë Lutjen, Edukimin dhe Argëtimin.

  2

3

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »