PËRGJIGJET BIBLIKE KARSHI DEPRESIONIT

May 18 • Opinion

Shkruan: Dom Anton Ukaj

 

Meqë kemi parë, se, antropologjia biblike njihte fenomenin e depresionit, autori Martins, niset pikërisht nga ky fakt për të nxjerrë nga tekstet e shenjta biblike, përgjigjet që ato i japin këtij shqetësimi. Në Shkrimet e Shenjta të Biblës, gjejmë përgjigje të kënaqshme, të cilat sigurisht do të inkurajonin- e në një farë mënyre edhe do ta shëronin- individin,  në gjendje të lehtë apo të rëndë depresioni: bindja se njeriu është gjithmonë i dashur dhe i çmueshëm nga Zoti; besimi se Zoti është gjithmonë pranë njeriut; bindja se bota dhe gjithçka tjetër që jeton në të nuk është domosdoshmërish armiqësore, e keqe dhe në kundërshtim me të. Përkundrazi, ajo është e mirë, shprehë madhërinë dhe gjithëpushtetësinë e Zotit, prandaj ajo ka domethënie, meqë në të është i pranishëm Krijuesi i sajë. Të gjitha këto, sipas Martins, janë përgjigje biblike, mjaftë të fuqishme për t’iu bërë ballë, në një farë mënyre, problemeve të ndryshme depresive.

Autori, rendit disa nga bindjet e sipërpërmendura, të cilat i gjejmë të pranishme në disa psalme biblike.

a. Vlerësimi dhe dashuria e pakushtëzuar nga ana e Hyjit. Në psalmin e dhjetë, feja biblike ofron një pikë referimi të padiskutueshëm, pikërisht për vlerën që ajo mbanë brenda vetës: «Ngrihu, o Zot, lartësoje dorën tënde, o Hyj, mos i qit në harresë të mjerët! Përse i patenzoni ta përbuzë Hyjin? Sepse ai tha në zemrën e vet: “Nuk do të ndëshkosh”. E pra, ti sheh, ti shikon mjerimin e vështirësinë, me dorën tënde i peshon: në ty mbështetet i mjeri, ti ia jep bonjakut sigurinë» (Ps 10, 12-14).

b. Bindja se bota nuk është armiqësore, por e mirë si dhe shprehë madhërinë e Zotit. Duke marrë në shqyrtim psalmin e tetë, e hasim psalmistin i cili kundron madhërinë e Zotit: «O Zot, Zoti ynë, sa i mrekullueshëm është Emri yt mbi mbarë dheun! Me madhëri e tejkalon edhe qiellin! Prej gojës së ferishteve e të foshnjave lavdinë e bëre gati kundër armiqve që t’i bësh të heshtin armiq e kryengritës. Kur e sodis qiellin ‑ veprën e gishtave të tu, hënën e yjet që ti i vendose, çka është atëherë njeriu që ta kujtosh, biri i Adamit që të përkujdesesh për të?» (Ps 8, 2-5).

c. Bindja se bota ka një domethënie, sepse në të është i pranishëm vetë Zoti. Psalmi njëzet e tre, shpreh bindjen e vet të fuqishme të pranisë së Zotit, edhe në momente të errëta të jetës së njeriut: «Po, edhe në kalofsha nëpër luginën e hijes së vdekjes, s’trembem nga e keqja sepse ti je me mua: thupra jote dhe kërraba për mua janë ngushëllim» (Ps 23, 4).

d. Bindja se është krejt normale të shprehen ndjenjat e brendshme. Disa psalme shprehin fuqimisht ndjenjat e dëshpërimit, zemërimit, vuajtjes. Si shembull konkret kemi psalmin e gjashtë, i cili duket një përshkrim i simptomave më të njohura të depresionit, si p.sh., ankimi, pagjumësia, plogështia fizike, etj., «Ki mëshirë për mua, o Zot, se më shkatërroi sëmundja, më shëro, o Zot, se u thërrmuan eshtrat e mi. Shpirti im është tejet i shqetësuar, e ti, o Zot ‑ e deri kur… ? […] Plasa duke gjëmuar, natë për natë e laj shtratin tim, me lotët e mi e laj shtrojën time. Sytë e mi po shqimen nga vajtimi, u plaka mes armiqve të mi» (Ps 6, 3-8).

Të gjitha këto tekste biblike- e shumë të tjera, të propozuara nga antropologjia biblike, janë të vlefshme edhe sot. Vlera terapeutike e këtyre bindjeve mbetet e paprekur. Feja e krishterë dhuron perspektiva të mëtejshme në ngjarjet e jetës njerëzore e kjo vlen edhe për depresionin, thotë Martins.

Depresioni dhe feja e krishterë

Studimet e shumta tregojnë për ndikimin pozitiv të burimeve shpirtërore dhe fetare të një personi mbi shëndetin e tij mendor, duke përfshirë këtu edhe depresionin. Mes përfitimeve të tjera, është konstatuar se burimet shpirtërore kanë përshpejtuar procesin e shërimit. Duhet të theksohet, se, ky funksion i përshpirtrisë, iu referohet vetëm proceseve psikike dhe jo atyre biologjike, siç mundë të jetë humbja e peshës, pagjumësia, zvogëlimi i përqendrimit etj.

1. Depresioni dhe hidhërimi

Njëri ndër kontributet e mëdha të përshpirtërisë së krishterë, është ndarja mes depresionit dhe hidhërimit, që mundë të ketë shkaqe shpirtërore. Analiza e hidhërimit, është njëra ndër visaret e librit të Ushtrimeve Shpirtërore të Shën Injacit të Lojolës, i cili që në nr. 317, ofron këtë definicion: «Rregulla e katërt mbi hidhërimin shpirtëror. Quaj hidhërim […] errësirën e shpirtit, turbullimin e brendshëm, lëvizjen drejtë gjërave të ulëta e tokësore, shqetësimin prej trazimeve dhe tundimeve të ndryshme, duke e lëvizur në pabesi, pa shpresë, pa dashuri, duke u gjendur krejt përtac, i plogët, i trishtuar e sikur i ndarë prej Krijuesit dhe Zotit të tij».

Definicioni i tillë – thotë autori – vë në dritë krahasimin dhe dallimin që qëndron mes hidhërimit shpirtëror dhe depresionit.

Si për njërën, ashtu edhe për tjetrën gjendje, ekzistojnë gjëra të përbashkëta dhe gjëra dalluese. Si e përbashkët e depresionit dhe e hidhërimit është se ankimi i referohet përvojës së kaluar; përvojat e tanishme janë të paraqitura si emocionalisht të pakënaqshme, të bezdisshme, të pakëndshme; fuqia e vullnetit paraqitet e dobësuar dhe ato të intelektit funksionojnë në mënyrë të papërshtatshme; krejt dinamika e jetës dhe e interesimeve për botën e jashtme rezulton e zbrazur. Ndërsa, si  dalluese e depresionit dhe e hidhërimit është se në hidhërimin shpirtëror, ankimet iu referohen ma tepër lidhjes së personit me Hyjin; problemi kryesor qëndron në preokupimin për humbjen e efekteve të ngushëllimit; fuqitë shpirtërore funksionojnë në mënyrë të shtrembëruar. Ndërsa, në depresion, ankimet përqendrohen rreth imazhit që personi ka krijuar për vetveten apo për imazhin që të tjerët mendon se kanë krijuar për të; personi nuk ja del ta individualizojë problemin e vërtetë, dhe as një shpjegim nuk e bind atë, kështu që fuqitë shpirtërore janë të frenuara apo të penguara- thotë Martins.

Autori vazhdon, duke thënë se që të dallohet origjina e përtejshme e përvojës së tillë, mund të shërbejnë këto kritere:

1. Personi vazhdon të shtrihet apo të zgjatet me sinqeritet drejtë përsosmërisë.

2. Ndonëse të gjitha vështirësitë në meditim, personi bënë progres në jetën morale: është i përvujtë, i dashur dhe i kujdesshëm ndajë të tjerëve. Nga pikëpamja psikologjike, do të mund të thuhej se është e qartë se si vullneti është i paprekur, përkundrazi, është i prirë drejtë një bashkëpunimi gjithnjë e më të madh.

3. Në kujtesë predominojnë kujtimet e hireve të përparshme, domethënë në shpirt mbizotëron nostalgjia për Hyjin.

4. Edhe pse meditimi dhe lutja nuk sjellin ndonjë fryt, aktivitete e brendshme, kundrimi dhe auto-analiza mbesin të paprekura; shpirti jeto në praninë e Hyjit.

2. Funksioni preventiv i jetës shpirtërore

Martins, thotë se një jetë e rregullt shpirtërore, mund ta parandalojë neurozën, duke përfshirë këtu edhe depresionin reaktiv. Thelbi i çdo neuroze, është i përbërë nga ankthi si dhe simptomat nevrotik, janë kryesisht forma manifestuese të këtij ankthi dhe të mbrojtjes kundër sajë.

Për ta parë dhe për ta kuptuar më mirë funksionin preventiv të jetës shpirtërore mbi depresionin, autori renditë disa pika themelore në të cilat shihet qartë se sa jeta shpirtërore dhe besimi në Zotin favorizojnë dukshëm në kapërcimin e këtyre situatave depresive apo gati depresive:

a. Jeta shpirtërore, para se gjithash, favorizon një vetëdije më të madhe, për dhe mbi vetveten. Janë të pakta ato aktivitete kulturore dhe artistike, që thërrasin një kujdes mbi vetveten sa religjioni. Krishterimi, është një thirrje e vazhdueshme në kthim, në pastrim dhe në ndryshim. Lutja dhe rrëfimi, janë dhe do të mbesin gjithmonë- për vetë natyrën që kanë, aktivitete qendrore të personit. Efekti i parë pozitiv i një jete shpirtërore të qëndrueshme- është krijimi i një vetëdije më të madhe mbi vetveten. Për çka duhet të thuhet se edhe psikoterapia ka si qëllim vetë njohjen e personit si rrugë dhe mjet që shpie drejt shërimit. Ky rikthim, në thelbin personal, në praktikën shpirtërore – thotë Martins – ndodhë në tre momente: i pari konsiston në pastrimin e mendjes nga e tëra ajo që Shën Injaci i Lojolës i quante «prirje të çrregulluara»; i dyti është orientimi pozitiv drejtë vlerave të përtejshme; i treti është i paraqitur nga një liri e brendshme e vërtetë. Literatura mistike quante këto tre momente «tre rrugët»: pastrimi, ndriçimi dhe bashkimi me Hyjin.

b. Jeta shpirtërore e vë besimtarin në një situatë të vazhdueshme të empatisë hyjnore. Si shembull, mundë të marrim Krishtlindjen që bëhet pjesë e faktit teologjik, se mishërimi, në fakt është një «proces terapeutik» i Zotit, domethënë pranimi ontologjik i pranimit të njeriut nga ana e Zotit. Pika e takimit mes teologjisë dhe psikologjisë, është kjo: supozimi se njeriu në fund të fundit është i «pranueshëm». Teologjia e quan këtë gjendje «justifikim», nëse personi bëhet i vetëdijshëm dhe e pranon atë, pra, thuhet se gjendet në «gjendje hiri».

c. Feja në Zotin krijues, paraqet faktorin që garanton domethënien e jetës, në sa e pëlqyer dhe e dashur nga vetë Zoti. E tëra kjo, i ofron besimtarit një klimë të thellë sigurie psikike.

d. Besimi në Krishtin e ringjallur, e hapë njeriun ndaj shpresës, ndaj gëzimit pashkvor; në optimizmin që prodhon në njeriun një gjendje shpirtërore diametralisht të kundërt me depresionin.

Krejt në fund, Martins jep mesazhin inkurajues, duke thënë se njeriu i vuajtur e ka një vend të privilegjuar në antropologjinë biblike dhe në porosinë e krishterë. I sëmuri, nuk është i harruar nga Zoti, përkundrazi është në qendër të dashurisë së Tij të mëshirshme. Në Bibël, Hyji zbulon identitetin e tij duke i thënë Mojsiut: «Unë jam Hyji i Abrahamit, Hyji i Izakut dhe Hyji i Jakobit». Këto fjalë, mund t’i përkthejmë edhe kështu: «Unë jam Hyji i të sëmurëve, i të varfërve, i të dëshpëruarve». Në fakt, Jezusi shpallë pikërisht kështu fillimin e misionit të tij mesianik: «Unë kam ardhur për të sëmurët…». E këtu janë të përfshirë të gjithë; edhe të dëshpëruarit.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »