MISIONET KATOLIKE SHQIPTARE NË LOURDES – MAJ 2015

May 19 • Kisha ndër Shqiptarë

Kujdesi dhe ndërmjetësia e Zojës Bekuar për njerëzit gjatë historisë, është dëshmuar në shumë mënyra. Në Ungjillin e Shën Gjonit, hasim këto fjalë: “Grua, qe yt bir! Mandej i tha nxënësit: Qe, nëna jote!” (Gjn 19,27). Këto janë fjalët e Jezu Krishtit, të cilat na dëshmojnë, se, Zoja e Bekuar, është edhe Nëna jonë qiellore, e cila na tregon rrugën për të arritur te Biri i Saj. Këtë, ajo e bën në forma të shumta, e njëra ndër to është edhe lajmërimi i Saj në Lurd.

Tashmë është bërë traditë e bukur e Misioneve Katolike Shqiptare në Europë që një herë në vit, të shtegtojnë drejt Shejntënores së Zojës në Lurd, edhe atë me rastin e festës së Shëlbuemit. Kështu, edhe këtë vit, me 13-17 maj, me mbi 600 besimtarë nga Misionet tona shtegtuam për të takuar Nënën Qiellore, Zojën e Papërlyer.

Prej vitit 2001, çdo vit, shtegtojmë në Lurd- vendin në të cilin, në personin e Zojës Bekuar, qielli takohet me tokën, dhe më për së afërmi përjetohet dashuria amënore e saj. Në këtë vend të shenjtë, kanë shtegtuar meshtarët tanë bashkë me besimtarë edhe më herët. Sivjet, bashkë me besimtarët e misioneve tona, ishin edhe Don Anton Kqira, Don Prekë Lazri, Don Kristë Gjergji, disa motra të nderit dhe besimtarë nga Kosova.

2

Në Lurd, që nga lajmërimi i parë (11 shkurt 1858) i Zojës Bekuar Shën Bernadetdës, shtegtojnë njerëz të shumtë nga të gjitha kontinentet. Disa javë pas lajmërimit të parë për këtë vend flitet si për “vendin e mrekullive”. Numri i shtegtarëve viteve të fundit arrin deri në 6 milion në vit. Prej tyre rreth 70.000 të sëmurë.

Porositë kryesore të Zojës Bekuar të Lurdit, drejtuar njerëzimit janë: “Më shumë uratë e përshpirtëri, pendesë dhe kthim kah Zoti”. Deri në korrik të vitit 1858, Zoja i lajmërohet Bernadetës 18 herë.

3

Nisja nga Zvicra dhe Gjermania bëhet nga pikat përkatëse të caktuara në Misione. Gjatë udhëtimit rreth 14 orësh, me autobus, na shoqëron lutja, kënga, gëzimi i të qenurit bashkë. Në Lurd arrijmë rreth mesditës, në festën e të Ngriturit të Krishtit në Qiell. Pastaj, disa pushojnë nga udhëtimi, shumë të tjerë e shfrytëzojnë kohën për të shkuar tek shpella e Zojës e për ta përshëndetur atë. Në mbrëmje, të gjithë shtegtarët  e Misioneve Luzern, Sirnach, Aarau, Stuttgart- e shtegtarë të tjerë që kishin ardhur me makina private, morën pjesë në Meshën e Shenjtë e kremtuar nga Don Pren Kola, misionar Aarau-t.  Pas meshe dhe darke në hotelet e caktuara ku ishin të sistemuar shtegtarët, patën mundësinë që ta njihnin Lurdin, dhe veçanërisht frymën e lutjes që ai të ofron. Shumica e shtegtarëve ndoqën në mënyre personale procesionin tradicional, i cili çdo mbrëmje mbahet para bazilikës. Të tjerë shkuan të luteshin tek shpella e Zojës. Më pas, një numër i madh besimtarësh pavarësisht shiut që nuk ndalej, u gjetën para shpellës në Adhurimin e të Shejntërueshmit Sakrament në orën 23.

4

Të nesërmen, pas fotogramit të përbashkët para Bazilikës së Zojës Rruzare, vizitojmë vendin ku ka lindur e jetuar Shën Bernadeta dhe familja e saj. Kemi vizituar edhe kishën ne të cilën ajo ka qenë pagëzuar, e me atë rast, edhe ne kemi bërë përtëritjen e premtimeve të pagëzimit, duke e mbyllur këtë varg vizitash me lutje dhe këngë të Zojës. Pas dreke, u takuam së bashku në Bazilikën e Zojës së Papërlyer për t’u bashkuar në tryezën e Zotit, në kremtimin Eukaristik. Meshën e udhëhoqi Don Agim Qerkini misionar i Luzernit. Pas Meshe, së bashku kemi rikujtuar mundimet e Jezusit gjatë përshkimit të Udhës së Kryqit. Edhe kjo traditë është  domethënëse për të gjithë ata qe shtegtojnë në këtë vend. Pas darke, të gjithë së bashku, kemi marrë pjesë në procesionin e mbrëmjes.

5

Meshtarët shqiptarë nga Kosova, gjatë kremtimit të meshës së shenjtë në Lurd

Në këtë procesion marrin pjesë mijëra besimtarë nga e gjithë bota, dhe me qirinj në dorë i luten Nënës qiellore, jo vetëm për atë që kanë në zemër por edhe për nevojat e Kishës dhe botës mbarë. Grupet tona, u përfaqësuan me grupin e këndimit, duke bërë që ne shesh të këndohej, por edhe të lutej: ‘Të falemi Mari…’  në gjuhën shqipe.

6

Shpella e Zojës së Lurdit

Duhet thënë se, përveç besimtarëve që shtegtojnë nga e gjithë bota, aty  shtegtojnë edhe ushtarë nga shumë vende të ndryshme. Pikërisht këtë vit, patëm fatin që në të njëjtën kohë të shtegtojmë në Lurd, dhe aty pamë aq shumë ushtarë të bashkuar në shtegtim te Zoja. Ishin rreth 12 mijë ushtarë nga 36 shtete të botës. Aty kanë meshë e procesione, pagëzime e krezmime të ushtarëve, sidomos luteshin për ushtarët e sëmurë, të plagosur e të rënë në luftëra.

Ditën e shtunë, para përmbylljes së shtegtimit, secili Mision, në emër të shtegtarëve, e kushton nga një qiri të madh (këtë vit 24 kg). Pas bekimit të qirinjve dhe lutjes së rruzares, në procesion i qojmë dhe vendosim në vendet e caktuara. Ne e lëmë Lurdin por qirinjtë do vazhdonin të digjen, si shenjë e njeteve të cilat ne i paraqesim. Këtë herë, shtegtimin e përmbyllëm me meshën e shenjtë, të cilën e kremtuam po ashtu në Bazilikën e Zojës. Meshën e udhëhoqi Don Prekë Lazraj, drejtor i Radio Marisë në Shqipëri. Edhe gjatë kthimit, klima familjare dhe hareja nuk mungon, mbi të gjitha diskutimet mbi përshtypjet për të cilat të gjithë e thonë se janë të pa harruara.

Lurdi

Lurdi – qytet i vogël në jugperëndim të Francës, vazhdon të jetë një ndër shenjtëroret më të njohura të Zojës në botë. Para 157 viteve, ishte një vendbanim i vogël dhe pa ndonjë domethënie të veçantë. Por, data e 11 shkurtit 1858, kur për të parën herë Zoja e Bekuar iu shfaqur një vajze të vogël me emrin Bernadetë Soubirous, e me këtë e ndryshoi historinë e këtij vendi, duke e shndërruar në një vend të shenjtë për gjithë njerëzimin.

7

Një fotografi ku mund të shihet Beradette Soubirous gjatë lajmërimit të Zojës dhe disa besimtarë që kishin asistuar në ngjarje.

Që atëherë, me ndërmjetësinë e Zojës, aty ndodhin shumë mrekulli. Mbi 6000 raste të shërimeve janë evidencuar nga ekipet e mjekëve të shumtë. Në Lurd dhe në Paris, janë themeluar dy zyre të mjekëve, të cilët analizojnë rastet në aspektin medicinal. Nga ana e Kishës, 64 raste janë të pranuara si mrekulli. Mirëpo, përpos shërimeve fizike, duhet theksuar faktin e shërimeve shpirtërore të mijëra njerëzve, të cilët në Lurd e gjejnë forcën e kthimit në jetën e hirit. Aty, mund të shohësh njerëz të të gjitha moshave. Disa shkojnë sepse aty e shohin shpresën e vet të fundit, të tjerët shkojnë si vullnetarë për t’u vënë në disponim të të sëmurëve- pastaj- në kohën e fundit, është rritur numri i atyre që dëshirojnë t’i kalojnë pushimet në Lurd, sepse siç thonë ata: aty përjetojnë qetësinë; pushimin shpirtëror…

6

Meqë ky vend është një strehë, ngushëllim dhe forcë sidomos për të sëmurët, Papa Gjon Pali II, me Letrën Apostolike të datës 13 maj 1992, Festën e Zojës së Lurdit (11 shkurt) e shpalli Ditë Botërore të të Sëmurëve.

Kush ishte Bernadeta Soubirous?

9

Portret i Bernadette Soubirous

E lindur më 7 janar 1844 nga prindërit François Soubirous dhe Louise l. Casterot. Ishte një familje e varfër, ndërsa Bernadeta qysh e vogël me shëndet të lig. Më 1860 sëmuret rëndë nga astma dhe shtrohet në spital deri më 1866, kur vendos të bëhet motër rregulltare në Nevers. Më 1867, i pranoi kushtet e përjetshme. Më 1878 M. Bernadeta përsëri sëmuret rëndë. Më 16 prill 1879, ajo vdes në një karrige ku ishte ulur për ta lehtësuar frymëmarrjen.

Më 1933, në festën e Zojës e Zënë pa Mëkat (Zoja e Papërlyer), Papa Piu XI e shpall Bernadetën shenjtëreshë. Gjatë procesit dhe hulumtimeve për shenjtërim, trupi i saj është gjetur i paprishur edhe pse kishin kaluar 30 vite nga vdekja. Edhe sot, mund të shihet trupi i saj në një sarkofag prej Bronzi dhe Kristali në Nevers.

10

Trupi i Bernadette Soubirous i paprishur që ruhet edhe sot në sarkofagun prej bronzi dhe kristali

 Kronologjia e lajmërimit të Zojës dhe porositë e Saja

E enjte, 11 shkurt 1858 – Bernadeta dëshmon: “Pashë një Zonjë të veshur në të bardhë. Ajo kishte një petk të bardhë, një shami të bardhë, një rrip të kaltër dhe në të dy këmbët e saja nga një trëndafil të verdhë”.

E diel, 14 shkurt – Bernadeta ndien një forcë të brendshme që e shtynë të kthehet te shpella, edhe pse e kishte të ndaluar nga prindërit. Pas dhjetëshes së parë të rruzarës, ajo e sheh Zojën. Ajo i buzëqesh dhe e përshëndet duke përkulë kokën. Pas lutjes së rruzarës, Zoja largohet.

E enjte, 18 shkurt – Për herë të parë Zoja i flet Bernadetës. Ajo i jep Zojës një copë letër dhe një laps duke i kërkuar që t’ia shkruaj emrin por Zoja i thotë: “Nuk ka nevojë”, dhe shton: “Nuk të premtoj të të bëj të lumtur në këtë botë, por në tjetrën. A do të kishe mirësi të vije këtu gjatë 15 ditëve?”

E premte, 19 shkurt – Shfaqje e shkurtë e Zojës. Bernadeta me një qiri të bekuar dhe të ndezur shkon dhe lutet te shpella.

E shtunë, 20 shkurt – Zoja i mëson Bernadetës një uratë personale.

E diel, 21 shkurt – Zoja i shfaqet herët në mëngjes. Dhe kur komisari i policisë kërkon prej Bernadetës t’i shpjegojë se çka sheh, ajo i përgjigjet vetëm “Aquero” (Ajo).

E martë, 23 shkurt – Gjatë kësaj shfaqje, Zoja i zbulon Bernadetës një fshehësi që duhet ta dijë vetëm ajo.

E mërkurë, 24 shkurt – Porosia e Zojës: “Pendesë, pendesë, pendesë. Lutuni për kthimin e mëkatarëve”.

E enjte, 25 shkurt – Bernadeta thotë: “Ajo më tha të shkoj të pi ujë te burimi. Gjeta vetëm pak ujë me baltë. Nuk arrita të pi sepse uji ishte i ndotur. Të katërtën herë, arrita të pi. Që nga ky moment e deri më sot, në atë vend buron uji.

E shtunë, 27 shkurt – Shumë njerëz shkojnë te shpella por shfaqja e Zojës është e heshtur.

E diel, 28 shkurt – Bernadeta e përcjellur nga më shumë se 1 mijë vetë, në shenjë pendese,  e puthë tokën, dhe ecë në gjunjë, duke u lutur te shpella.

E hënë, 1 mars – Për herë të parë masës së njerëzve i bashkëngjitet një meshtar. Ndodh mrekullia e parë, kur një vajzë pi ujë nga burimi.

E martë, 2 mars – Porosia drejtuar meshtarëve. Zoja i thotë Bernadetës: “Thuaju meshtarëve që të vijnë këtu në procesion dhe ta ndërtojnë një kapelë.

E mërkurë, 3 mars – Sipas porosisë së famullitarit, Bernadeta e pyet Zojën: si e ka emrin? Ajo i përgjigjet vetëm me një buzëqeshje.

E enjte, 4 mars – Rreth 8 mijë vetë bashkohen te shpella dhe presin një mrekulli. Zoja është e heshtur, dhe për 20 ditët e ardhshme Bernadeta nuk do të shkojë te shpella.

E enjte, 25 mars – Zoja i zbulon Bernadetës emrin. Kështu e përshkruan Bernadeta ngjarjen: “Ajo i drejtoi sytë kah qielli, në shenjë urate, duart e saja ishin të shtrira dhe të hapura drejt tokës, atëherë më tha: “Unë jam e zëna pa mëkat”.

E mërkurë, 7 prill – Bernadeta kishte një qiri të ndezur në dorë. E përqendruar në uratë, nuk e kishte vërejtur se flaka ia kishte përfshi duart por nuk e digjte. Këtë fakt e kishte konstatuar edhe mjeku aty për aty.

E enjte, 16 korrik – Bernadeta dëshmon: “Isha në anën tjetër të lumit Gave, dhe më dukej se jam para shpellës, në një largësi si herëve tjera- shihja vetëm Virgjërën. Nuk e kam parë asnjëherë më të bukur”.

O Zojë, e zënë pa mëkat,

lutu për ne që po të thërrasim në ndihmë!

Përgatiti: Don Agim Qerkini

11 12 13 14 15 16 lourdes

Shpërndaje

Comments are closed.

« »