VEPRA E PJETËR BOGDANIT NGA ASPEKTI I TRADITËS KULTURORE KOSOVARE

May 19 • Letërsi

Shkruan: Prof. dr. Engjëll Sedaj[1]

   Duke lexuar me vëmendje veprën “Çeta e Profetëve”[2], sidomos parathëniet dhe përkushtimet, që i prijnë asaj[3], pastaj disa relacione dhe letra[4], kujtojmë se në jetën e tij të shkurtër, por shumë të vuajtur, pothuajse prej vitit 1630, deri më 1689, që është edhe viti i vdekjes së tij, Pjetër Bogdani, pjesën dërrmuese e kalon në Shkup (1677 – 1689) dhe në Kosovë, ku e ka arritur formimin atdhedashës, gjuhësor dhe konfesional, që përbëjnë një njësi të pandarë dhe bazament të fuqishëm për një aktivitet të gjithanshëm, si në punët e përditshme, ashtu edhe në punën politike, kulturore, shkencore dhe artistike – letrare.

     Në këto treva të vendlindjes dhe të veprimtarisë ekleziastike, ai e ka arritur vetëdijen e lartë të bashkëjetesës dhe botëkuptimin e bashkëveprimit, për ideale të përbashkëta me popujt e tjerë, siç janë: serbët, kroatët, bullgarët dhe të tjerët. Të gjithë këta popuj, sidomos në qëndresën antiturke të tyre, ai sheh një platformë të shëndoshë për të zgjeruar veprimtarinë e tij atdhedashëse. Në Çiprovec të Bullgarisë, kishte mësuar shkollën fillore[5], me kroatë kishte studiuar në Loreto, kurse patrikun e Pejës Maksimin e viziton, duke shfaqur gatishmërinë për bashkëpunim për një kryengritje gjithëballkanike.  

      Në fakt. P. Bogdani edhe veprën e vet “Çeta e profetëve” në një mënyrë, ia kushton një kroati, Andrea Zmajeviqit, dashamirit të popullit shqiptar, për të cilin këndon:

                  Ban – Baroni prej Tivari,

                  Zmajeviq, o drita e jonë;

                  Ruen Arbenin i pari

                  Posi Krishti mal Synonë

   Edhe nga këto katër vargje, nga këto evokime të emrave të historisë karizmatike shqiptare dhe krishtere, të organizuara mirë në kuptimin rimor dhe ritmik, kujtojmë jo vetëm gjerësinë e mendimeve dhe aftësinë e poetit të talentuar për të kënduar poezi, por edhe kombinimin e harmonishëm të idealeve të tij më të larta, që ishin Krishti, Arbëni dhe bashkëjetesa, në kuptimin e paqes dhe atdhedashurisë.

    Raporti e mira, që i kishte ai me klerikët e dioqezave të veta, ku shërbente, në Shkodër dhe në Shkup, me udhëheqësit e dioqezave të tjera, siç janë: Shjefen Gaspari, Gjergj Vladanji, Grigor Barbadiku, me kolegët dhe miqtë e tjerë, që në mënyrë dinjitoze e në formë të ndryshme e përshndesin botimin e veprës së tij, mandej aktiviteti i dendur politiko – shoqëror, sidomos në lidhjet që kishte me Vjenën, Venecien, Romën dhe Dubrovnikun, të cilin aktivitetet ekujtojmë edhe nga relacionet dhe letrat e tij, tregojnë pjekurinë e P. Bogdanit, për t’i shtruar problemet e kohës dhe për t’i zgjidhur ato mbi baza të shëndosha, duke pas gjithëherë parasysh mjerimin e madh të Arbënit dhe Serbisë. Në një relacion të tij, ndërmjet tjerash, lexojmë: “ Unë këtu shfaqa gjithë dijen dhe kujdesin tim për të gjetur mënyrën më të përshtatshme si ta çlirojmë Serbinë dhe Shqipërinë nga robëria turke[6].

    Këto dy koncepte Shqipëria dhe Serbia, që ishin në lidhje me territorin e tij administrativ – kishtar dhe gjuhësor, ai i ka mishëruar edhe në librin e tij, duke i krahasuar madje edhe “nëna në dhuen e Arbënit e të Serbisë, ku bëjnë ato britme të mëdha, të rrahura, të gërvishura fytyrash me thua deri në rrjedhë të gjakut” (II, III, 1,18) me mundimet dhe vuajtjet e nënës Mari, para t’birit të gozhduar të saj. Në fakt, veprën e punoi me kujdes të madh dhe dashuri i frymëzuar nga dëshira e flakët “për të ndritunë atë të vobek dhe t’Arbënit dhe të Serbisë, silli e madhe pjesë flet arbënisht”[7].

1. Bogdani, me mallëngjim evokon vendlindjen, Gurin “ndë Hast, Ssangjakijet e se Dukagjinit, dioqesit…së Preserendit, dhe shumë vende të tjera, siç janë: Prishtina, Trepça, Janjeva, Shëngjeçi, Novobërda, Shkupi etj, si dhe Duvani, drini e Vardari.

    Prejardhjen e vet e thekson posaçërisht, për të treguar se “me djerës të madhe” iu kishte dashur t’i përmirësonte shumë fjalë në Shkodër. Më sa duket, pikërisht P. Bogdani, për të parën herë në gjithë letërsinë e vjetër shqiptare e zë në ngojë emrin Kosovë (… e si Vardari ndëpër Scupt, e ndë për Kossovet’).[8]

   Duke paraqitur “pastërtinë e zemrës dhe të shpirtit” të shën Marisë virgjër, P. Bogdani e bën krahasimin, duke evokuar vendet gjeografike nga treva kosovare kësisoj: Zogu i egër, në të shumtën e herës, është më i bukur se ai, që rritet në duar të njerëzve e në pluhurin e shtëpisë ngjit vatrës. Kështu edhe pemët, që preken nuk piqen mirë, por më të shumtën e herës kalben. Drini dhe Buna, kur dalin jashtë brigjeve të tyre dhe rrjedhin nëpër balten e Hasit e të Zadrimës, apo Sitnica e si Vardari, nëpër Shkup e nëpër Kosovë gjithnjë ecin dhe janë më të turbullta, duke bartur me vete pleh e baltë, se kur ecin rrugës së vet.[9]

  Siç dihet, NË Prizren, kishte marrë pjesë aktivisht në luftë, kundër turqve dhe pikërisht këtu sëmuhet rëndë nga murtaja, kurse në Prishtinë vdes, në prezencën e Pjetër Karagiqit, famullitarit të Trepçës dhe pasardhësit të tij, në fronin e arqipeshkvisë së Shkupi.

   Megjithatë, P. Karagiqi, sikundër edhe Gjon Nikollë Kazazi më vonë, lajmërohen edhe nga Zymi, në aftësinë e të cilit do të ketë qenë Guri I Hasit. Emri i këtij katundi malor, del i shënuar në vitin 1330, në kristobulën e Deçanit (Goraj), si dhe në një tefter turk të fundit të shek. XVI.[10] Këtij fshati disi i humbin gjurmët pas Bogdanëve, mbase nga pasojat e luftërave të shpeshta dhe rrënimeve të shumta nga ana e turqve. Mirëpo, ky lokalitet zgjon interesim, jo vetëm për të konstatuar saktësisht vendlindjen e P. Bogdanit, por edhe për të ndriçuar një traditë më të largët, në historinë tonë kulturore dhe letrare.

  A ishte vallë Guri pikërisht në lokalitetin e tanishëm, të quajtur Kishëzat e Shegjeçit afër Mazrekut, ku ndodhet edhe një tumë e madhe, apo aty diku afër Zymit, mbetet të konstatohet saktësisht. Sidoqoftë, Shegjeçi dhe Guri, bashkë me tri katunde të tjerë, përbënin famullinë e Shën Marisë, që atë botë e udhëhiqte famullitari Andrea Bogdani (1600 – 1683). Gjatë vizitës ipeshkvnore më 23 nëntor 1641, thotë Gjergj Bardhi, “prej Suha Rekës kaluam në Gurin (e Hasit), ku, qëndruam dymbëdhjetë ditë” dhe pastaj, duke kuptuar “se e gjithë Serbia ishte infektuar nga murtaja, u strehova në Prizren”. Nga ky relacion i Gj. Bardhit, kuptojmë se në katundin Guri ishte qendra famullitare, në të cilën jetonin nja “550 frymë të krishtene”, në përbërjen e së cilës kishte edhe pesë fshatra të tjerë.

   Kjo famulli dhe sidomos Kisha e Shën Marisë, do të lënë mbresa të pashlyeshme në P. Bogdanin dhe do të ndikojë edhe në punën letrare të tij. Fytyra e Shën Marisë, e paraqitur nga ai, është mbase proza më e bukur agiografike në gjithë letërsinë e vjetër shqiptare.

  Tregojnë shenjtërit, qe e kishin parë sa ishte gjallë të lumen virgjër Mari, se qe më e bukura krijesë, që kurdoherë kishte qenë e mundur të dalë nga dora e Zotit, mjeshtërit të të gjithë rruzullit. As e madhe, ae e vogël, por e lartë sa duhet, e zeshkët, po shumë e bukur, fytyra e saj ishte si e gjatë, sytë e mëdhenj si më të verdhë, vetullat e zezë si ark, hundën e kishte të gjatë, por fort të bukur, me shtat të njëmendët të zbukuruar prej Tenëzonë me të gjitha bukuritë; goja e vogël, buzët e kuqe, dhëmbët e vegjël e të bardhë si bora, flokët e vizëllueshme si ari.[11]

   Këtë frymëzim mbi gruan më të bukur dhe nënën më të dashur. Që kurdoherë ka krijuar gjeniu evropian në të gjitha artet e bukura, P. Bogdani e ka pranuar kryesisht këtu, në trevën kombëtare. Vetëdija e tij patriotike, thellohet edhe më tepër nga rrethanat e vështirësuara të luftës dhe të presioneve të vazhdueshme nga armiku aziatik. Këto rrethana e vëjnë në lëvizje fuqinë e madhe të qarkullimit të jetës dhe ndjenjat e tij, për ruajtjen e gjuhës dhe të identitetit kombëtar.

    Nga një letër e tij, drejtuar Kongregacionit të Romës nga Loreto, në vitin 1647, kuptojmë se I kishte vdekur nëna dhe se, meqë po zhvillohej lufta në Kosovë, i lutet të nderuarit epror që ta dërgonte jashtë kolegjit, për të studiuar moralinë dhe mjekësinë. (Pietro Bogdani albanese, havendo ricevuto lettere della patria nelle quali oltre la morte della sua madre…, si ancor per li continui runiori della guerra che in qualle parti, suplica l’E. V. Vogli compoartirli la sua gratia che possi dimoror fuori del collegio per studiar la morale et un po di medicina, avvengnade la sudetta sua patria per mancamento di medici)[12].

     Nga këto të dhëna kuptojmë, se edukimi i tij ishte i motivuar, që të vehej në shërbim të popullit të vet në çfarëdo mënyre që ta kërkonte ai dhe se qysh si nxënës tetëmbëdhjetë vjeqar, ishte më se emocional, që interesat personale t’ia nënshtronte kërkesave të popullit, që barte barrën e rëndë të pushtuesit mizor.

    Siç dihet, vendveprimi i tij ishte misionarik dhe në të gjitha mënyrët vëhej në mbrojtjen  e qytetërimit evropian nga sulmet barbare. Kjo veprimtari, nuk lidhet vetëm me konceptin e vetëqenies së kombit shqiptar, me idenë e qëndresës etnogjuhësore e kulturore e të çlirimit nga pushtuesit e huaj, por edhe me idenë e madhe të përparimit. Ja se si e paraqet martirizimin e të krishterëve:

   Tue vum roe gjithe ato të këqia e pësime e martirizime qi kershtenimi i vobek i regjenisë Arbenit e Serbisë peson prej Turkut për nder të Zotit tinë Jezu Krishtit, me dijtun gjithë mej ndërequnë si duhet për shpirt, nukë kishinë me pasë gja mangu për nji të vërtete shenjteni, posi nukë mëngon, e pa udhe Turqit mej munduem perse janë të kërshtenë.[13]

     Megjithatë, ky pushtues kishte hasur në rezistencën më të madhe në vendet malore, ku ruheshin më mirë gjuha dhe tradita popullore. Shikuar nga aspekti kosovar, këto treva ishin në Malësinë e Hasit të Thatë, ku ishin ardhur Bogdanët. Këta malësorë, të cilët, “pesonjenë shumë e nuk druene për hu ( = uri) e etje e janë më zemërorë se të tjerët”, shkruan P. Bogdani, “kurrë nuk përvihenë ( = nënshtrohen) ndjerë nd’anet Sangiakevet, Chieffalij te nji kaq t’madhi Mizuar ( = tiran)  që ban ne djersunë gjithë shekullinë”[14]. Biri më i madh i këtyre malësorëve zemërorë, ishte padyshim P. Bogdani.

  Ç’është e vërteta, për prindërit[15] dhe farefisin e gjërë të tij, nuk kemi mjaft të dhëna. Mirëpo, disa momente nga formimi i tij atdhedashës, gjuhësor dhe konfesional, mund t’i kuptojmë më mirë, duka pasur parasysh rolin e madh të ungjit të tij, Anreut, pastaj një traditë më të gjatë e më të pasur të jetës kulturore kosovare, si dhe disa rrethane ekleziatike dhe mjaft karakteristike në trevat e Hasit të Thatë apo të Hasit të Gurit, ku, sipas të gjitha gjasave, do të ketë qenë vendlindja edhe e Andre Bogdanit.[16]

   Kush ishte ky njeri i devotshëm, që krijoi një plejadë njerëzish të shkolluar dhe patriotë, të cilët, do t’i njohë Evropa?

    Në një relacion të tij, dërguar më 1670 në Romë, thotë se në shkollën e tij të Janjevëskishte tubuar 25 nxënës.[17]

    Ndonëse kjo është një temë më vete dhe zgjon interesim edhe nga aspekti i ntraditës kulturore kosovare, këtu duhet thënë se Andrea Bogdani, ishte më i merituari për edukim, shkollimin dhe në përgjithësi për formimin e Pjetrit, si dhe të disa Bogdanëve të tjerë dhe e një plejade të tërë intelektualësh kosovarë, siç ishin: Pjetër Mazreku (missionario e maestro di scuola…), Gërgur Mazreku (1650) dhe Vinçenc Matoviqi, të cilët, ishin edhe mësues në shkollën e Janjevës[18], të cilën e kishte themeluar pikërisht Andrea Bogdani.

   Ç’është e vërteta, në vitet e dyzeta të shekullit XVII, shkolla kishte edhe në Prizren, Suharekë dhe gjetiu. Në një relacion të Shtjefen Gasparit, të dërguar më 1671, ndërmjet tjerash, lexojmë: “Ho trovato, che lui (sc. Gregorio Masarek E.S.) esercita con ogni puntualita l’officio di parocho, tiene scuola a favore di quella gioventu instruando la nella lettere e buoni costumi” (kam takuar se ai (sc. Geg Mazreku) ushtron me çdo përpikëri detyrën e famullitarit, mban shkollën në dobi të kësaj rinie duke i mësuar në letërsi dhe në zakone të mira[19].

  Se ishte i devotshëm dhe shumë i përshpirtshëm A. Bogdani, tregon fort mirë dhe inisiativa, që u ndërmor, për beatifikimin e tij, qysh në kohën e P. Bogdanit. Kërkesa është bërë në emër të popullit, kurse të nënshkruarit ishin: P. Karagiq, misionar i Trepçës, N. Baciq, misionar i Malit Zi, Giovanni Jankoviq, misionar i Shkupit, Mark Mazreku, misionar i Novëbërdës, Vinçenc Vlashiq, misionar i Kratovës, Giovanni Bogdani, misionar i përgjithshëm (mis Commune), T. Rospasani, misionar i Prizrenit dhe Pjetër Toliq[20].

    Sipas gjasave, po të kishte jetuar më gjatë Pjetri, puna e beatifikimit të tij do të kishte përfunduar me sukses. Ky beatifikim, që deri më sot ka mbetur vetëm dëshirë e zjarrët, tregon se

fytyra e Andreut, arqipeshkvit të Ohrit dhe më vonë të Shkupit, në popull ishte shenjtërore, sepse  edhe në kërkesën e cituar më lart thuhet: “Posvetio se stari gospodar i biche mir po svemu svetu”[21].

     S’ka dyshim, se kjo ishte një vlerë historike e madhe në edukimin dhe formimin e drejtë të të tjerëve, sidomos të P. Bogdanit. Të përmendim këtu një moment karakteristik për shkollimin e Pjetrit se e kishte “përcjellur personalisht në Kolegjin Ilirik të Loretës” dhe se ai (Andreu) në romë, kishte hequr dorë nga subsidi i zakonshëm, që i takonte dhe rregullisht I vinte nga Roma, në dobi të nipit të tij, për të specializuar dhe për t’u doktoruar nga filozofia dhe teologjia, që do të jenë bazë përgatitore, për të shkruar “Çetën e Profetëve”.

     Për një ndihmë të konsiderueshme edhe në hartimin e kësaj vepre nga ana e Andreut shkruan edhe Pjetri, duke thënë: “Ky zotëri fort i urtë më dha fort zemër për të vazhduar në këtë vepër edhe duke më ndihmuar pas masë në shumë fjalë shqipe, të cilat me lehtësi i dinte dhe i përdorte, pasi që kishte bërë edhe ai një gramatikë fort të mirë latinisht – shqip”[22].

   Pikërisht duke përkujtuar, në treqind vjetorin e vdekjes, fytyrën e P. Bogdanit, dëshiroj të vëj në dukje këtë moment mjaft të rënëdësishëm të traditës sonë , të shëmbëlltyrës së ndritshme e me përmasa evropiane të tij, për t’i zënë ngojë edhe disa emra të tjerë të traditës letrare kosovare jo vetëm të kohës së tij, siç na paraqiten, bie fjala, si poet të shkolluar Luk Bogdani dhe Lek Suma, por edhe për të kaluar madje drejtëpërdrejti në kohën Rilindjes Evropiane, kur edhe trevat tona paraqiten, si të thuash, të integruara me idetë më përparimtare të humanizmit dhe të renesansës.  

   Duke bërë përpjekje, se në punën kërkimore, kemi arritur të kuptojmë edhe një emër të ri dhe të panjohur në mjedisin tonë shkencor dhe letrar, emnër dhe vepra të tij të shkruara, që sipas të dhënave me të cilat disponojmë, na shpijnë në një periudhë parabarletiane. Në fakt, në këtë traditë të largët kosovare, na udhëzon vepra e P. Bogdanit, humanistit të madh shqiptar të shekullit XVII, e cila vepër tregon për një traditë mjaftë të gjatë të shkrimit shqip. Pikërisht në viset veripërendimore shqiptare, siç është konstatuar edhe më parë, kemi të bëjmë pra me një traditë nga më të hershmet në letërsinë shqiptare, jo vetëm me autorë të shumtë, por edhe me më të rëndësishmit[23].

   Në kohën e fundit e kemi pranuar lajmin gazmor, për një traditë letrare edhe më të largët, të kohës së Skënderbeut, kur një kosovar, i quajtur Martin Segoni, nga Novobërda, i bashkohet panteonit të madh të Rilindjes Evropiane. Ky klerik i shkolluar në Padovë, doktor i së drejtës civile dhe kishtare, në kohën e fundit të jetës së tij kishte shërbyer ipeshkv në Ulqin, ku edhe kishte vdekur në vitin 1485. duke qenë bashkëkohanik i Skënderbeut dhe i epokës së bujshme historike të tij, nuk është çudi, që ky humanist, i cili, për vete thotë se është natione chatarensis (me kombësi kotoras), shkruan për shqipatrët dhe luftrat e tyre kundër osmanëve. Siç ishte e zakonshme në atë kohë, ai shqiptarët i quan epiriot (Epirotice gentes); te ai kemi të dhëna edhe për qytetin Arbana, të cilin e lidh rruga me Apoloninë: Haec regio vulgo Albanus nuncupatur, diu sub Arbanitorum domino habita.

      Në këtë rast, duhet thënë, se mbi jetën dhe veprat e M. Segonit, mund të flasim në bazë të të dhënave të publikuara të Agostino Pertusit, i cili, edhe i ka zbuluar dorëshkrimet e tij në Bibliotekën Amboziane të Milanos, kurse shkollimi i M. Segonit në Padovë[24], ku, do të botojë librin e tij P. Bogdani nja 20 vjet më vonë, tregon për lidhjet, që kishin trevat tona me qendrat më të mëdha të humanizmit evropian.

      Në historinë e letërsisë shqiptare, tradita kosovare, apo thënë në mënyrë më precize, tradite hasjane, pra nuk fillon me P. Bogdanin, por shumë më herët, diku përpara frat Palit të Hasit, për të cilin, Dh. S. Shuteriqi, thotë se “mund të jetë prej Hasit të Malësisë së Madhe ose prej Hasit të Thatë, prej nga ishte edhe P. Bogdani[25], dhe se do të ketë shkruar edhe poezi të tjera të përshpirtshme. Po të kishte qenë rregulltar, ndoshta edhe P. Bogdani, do ta kishin njohur vetëm si të Hasit, siç nuk ia dimë mbiemrin as frat Palit, autorit të Ditës së gjyqit, për të cilin, na tregon P.Budi.

    Në parathënien e Doktrinës së kershtenes (1618), ai nuk e apostrofon vetëm emrin, por edhe titullin e veprës së Palit të Hasit. Këtu duhet theksuar, në mënyrëp të veçantë, se P. Budi, punën e vet edhe në këndin e poezive të Doktrinës e paraqet si përkthim, kurse të frat Palit si origjinale, duke thënë: “Shkrova mbë gjuhu tanë ma parë do kapituj të ditës Gjyqit, qi i gjeta shkruom Atit shumë ncë ndershmit ncë devotshmit frat, Palit prej Hasit; të cijt ende me do të tjera të nshtuome, disaherë tue i shkruom (…), hina për tjera gjuhush tue i nkthyem mbë gjuhu tonë”. Pali, jetoi përpara vitit 1596 dhe mund të ketë përdorur alfabetin e Buzukut, që trashëgoi Budi.

     Në fakt, pikërisht në vitin 1617, kur edhe i kishte përgatitur këto shkrime, P. Budi shërben në Prokupje, kurse më parë (1599 – 1616) në Shkup, si vikar gjeneral i gjithë Serbisë. Edhe për P. Budin e dimë pra se ka shërbyer në Kosovë, por nuk dihet saktësisht, se ku ishin takuar këta dy burra bujarë dhe cilit kuvend i takonte frat Pali, pararendësi i Budit dhe i Bogdanit.

    A ka qenë ky autori i dytë, që njohim nga shekulli XVI i trevës kosovare dhe ky poet i parë i letërsisë shqiptare nga familja e Bogdanëve apo jo mbetet të hulumtohet dhe të konstatohet. Sidoqoftë, tradita katolike hasjane, ishte atëbotë  mjaft e fuqishme dhe kishte arritur një shkallë më të lartë, pikërisht në kohën e Andreut dhe të Pjetër Bogdanit.

     Duke ndjekur këtë traditë kosovare të shkrimit, apo si të thuash, traditë të tyre, ne shohim një hallkë lidhëse ndërmjet frat Palit dhe mjedisit, ku, shërbente ai, apo të atij mjedisi rregulltarësh, që përbënin shoqërinë e tij të françeskanëve. Në mungesë të të dhënave, këtu mbesim në supozimin se frat Pali, do t’i ketë takuar ndonjë kuvendi në Hasin e Thatë. Mirëpo s’ka dyshim, se ai ishte rregulltar dhe se i takonte pikërisht urdhërit të françeskanëve, të cilët tek ne gjithherë janë quajtur fretër.

    Mbase ky moment, pra rregulltarësia e tij, do të ketë ndikuar që ai nuk mund t’i botonte veprat e veta të shkruaranë gjuhën shqipe. Këtë punë mund ta bënin më leht vetëm prelatët e lartë, të cilët, jo vetëm që kisihin autorizime të jepnin lejen e botimit (imprimatur), por edhe ishin të njohur dhe pranuar te autoritet e Romës dhe gjetiu.

    Duke u mbështetur në këtë logjikshmëri, ne kemi shfaqur mendime, se Gjon Buzuku nuk ka qenë rregulltar, jo vetëm pse kishte autorizime për ta botuar librin, por edhe pse ai veten e quan don (dominus), pra zotëri, siç janë quajtur gjithmonë prelatët e lartë dhe shekulltarët e tjerë shqiptarë të ritit latin.

    Meqë jemi te P. Bogdani nga aspekti i traditës kosovare, duhet thënë, se tanimë është pranuar mendimi, se ky Hasjan e kishte njohur veprën e Buzukut dhe kishte propozuar që të (ri)botohet ajo. Në një relacion “mbi gjendjen shpirtërore dhe kohore të ipeshkvisë së Shkodrës dhe të Tivarit në Shqipëri për vitin 1665”, që është mbase më i gjati prej të gjithëve, që kishte dërguar ai në Romë, ndërmjet tjerash, shkruan:

    “- Duke pasur parasysh, se ata na mohojnë dhe se mi i madhi rrezik, është shkatërrimi i shpirtit në këto vende, një punë shumë e nevojshme dhe e dobishme, për mirëqenien e popullit, do të ishte dija dhe edukimi kishtar; aq më tepër turqit do të jenë të huaj, sa më shumë që ne të krishterët, të bëhemi studiozë dhe të vyeshëm.

      Prandaj, duhet të kujdesemi, që me çdo kusht të sigurojmë ndonjë libër, më të cilin misionarët dhe priftërinjtë në këto vende, do të ngadhnjenin mbi errësirën e injorancën …

    Nga këto libra janë: “Ungjilli në gjuhën shqipe, Pasqyra e të rrëfyemit, Rituali romak në gjuhën shqipe, dhe Doktrina e vogël në gjuhën shqipe”.

    Për “Ungjijtë në gjuhën shqipe”, të propozuar për botim në plan të parë, është thënë edhe më parë nga M. Shambra dhe Dh. S. Shuteriqi, se mund ta ketë quajtur kësisoji P. Bogdani “Mesharin” e Buzukut, përkatësisht se titulli i këtij libri të parë të botuar në shqip ishte kësisoji, ngase meshtarin edhe sot e quan ungjill.

    Sidoqoftë, P. Bogdani, kishte libra, madje një bibliotekë të tërë, për të cilin ai vetë në parathënien e “Çetës së Profetëve”[26], por me rëndësi është se ai kishte interes të shtuar për librin në gjuhën shqipe: mësimin e këtyre librave kishte edhe gramatikën latinisht – shqip.

   Edhe nga kjo vepër e humbur, por e dëshmuar, kuptojmë se tradita e hartimit të veprave, për t’i botuar ato, ekzistonte. Tashti kishte ardhur koha, për të krijuar një vepër kapitale, siç ishte “Çeta e Profetëve”, që do t’i përmbushte kërkesat e mëdha në literaturën homilike, si dhe për ta begatuar gjuhën shqipe me shprehje koncepte të reja të kulturës evropiane që, siç thotë ai, “ai mirëfilli qish po flasene italianisht, bukurë të kumbon e të kallëzon arbënisht”.

    Në fakt, një lidhje të ngushtë midis poezisë së P. Bogdanit dhe pararendësve të tij, sidomos në tetërrokshin popullor të poezive popullore kishtare të P. Budit, si dhe midis prozës agiografike dhe letërsisë popullore shqiptare, mund të hetojë edhe lexuesi i rëndomtë.

   Nga një analizë e drejtë dhe në krahasim me letërsinë popullore, edhe fytyra e Krishtit, që është personazhi kryesor i këtij romani të parë në historinë e letërsisë shqiptare (mendojmë në pjesën e dytë të “Çetës së Profetëve”), mund të konstatohen shumë tipare të kreshnikëve dhe të atyre burrave të urtë që të flasin me parabola, sikur edhe fytyra e Shën Jozefit “landetaar”, e paraqitur sipas modelit të fshatarëve të trevës së tij dhe personazhe të tjera, me një porosi të atij parimi filozofik e “të së vërtetës ungjillore”, si “një krue i gjallë”, siç thotë I. Rugova, “ku mendja dhe shpirti ynë do të gjejë kënaqësi dhe shqetësim intelektual, ku shumëkush mund të marrë ujë, e s’do të shterret leht”[27]

    Në fakt, duke u nisur nga një koncept i arsyeshëm dhe real i vetëdijes kolektive të popullit mbi përkatësinë dhe orientimin e tij kah vlerat evropiane, P. Bogdani e ka vënë theksin në idetë patriotiko – fetare të qëndresës dhe të lëvizjes masovike revolucionare ballkanike me përmasa të pasqyrimit të vuajtjeve shpirtërore, të dramave, të përjetimeve me popullin dhe kulturën e tij që po dëmtohej rëndë.

E madhe dobij, e frujt ashtë pra ma ndrequnë këtë shkallë t’urtisë, e me të shkruem bukurë me shkyretuem,e me dijtun, se si duhete nierit temelitunë meu percielle saa ashtë mbe ketë jetë, me fyjtitë shpirtit vet, ende të popullit, të mos lane dijen, egjuhen’ e dheut meu duarune…[28] .

 Po deshëm të jemi më konkret, duhet thënë se, duke lexuar veprën e P. Bogdnait, pastaj relacionet dhe letrat e tij, kuptojmë se frymëzimi i jetës dhe shumë simbole të artit letrar janë nga trevat kosovare. Pashtriku, “Mal Prisrend mai nalti”, i tij në aspektin letrar. Me të drejtë është krahasuar me Olipmin e amshuar, ku i kanë njomë buzët Homeri dhe Virgjili, Ndre Mjedja dhe Asdreni me shokë, kurse Sibila Delfica, kryesorja dhe më e madhja prej të gjithave në gravurën e librit, e cila sibilë në një mënyrë, e bashkon kunturën e lindjes me të perëndimit, në veprën e P. Bogdanit, quhet edhe Hasjana. Afër saj gjindet Prizrensja, (Cumea), Shkupjanja, (Frigia), Shkodranja (Libica), etj. Mirëpo, vetëm Hasjana e mban librin në dorë, në të cilin shkruan:

Këndoj Birr’e madh mbi Qiellt të Lumit Atë.

Në fakt, kjo është poezia dhe njëra prej më të gjatave, që ia kushton këtyre profeteshave misterioze, duke zgjeruar kështu teologjinë e tij, biblike në përfshirjen e një pjese të veprave të ashtuquajtura apokrife mbi sibilat, të cilat, përmes Shën Augustinit, hyjnë edhe në atë sekuencën liturgjike:

            Dies irae, dies illa teste David cum Sibylla[29].

  Ç’është e vërteta, asnjë element nuk e ngrit e vlerën letrare të veprës së P. Bogdanit më lart se poezitë mbi sibilat, të cilave edhe piktori ia kushton më të bukurën gravurë.

  Në një letër, të dërguar nga Padova, më 16 nëntor 1685, që është edhe viti i botimit të veprës së tij, P. Bogdani, ndërmjet tjerash. Shkruan: “Le sibile ho volute farle far vestite alla albanese e serviane per dare in humore povera gente e consolare al maglio che ho potuto”. (Sibilat, kam dashur t’i punoj të veshura, sipas veshjes shqiptare dhe serbe, për t’iu dhënë një ngjyrë të atij populli të varfër dhe për ta ngushëlluar aq sa kam pasur mundësi). Kjo gravurë e librit të tij “Çeta e Profetëve”, bashkë me tri gravurat e tjera, që është një cilësi e pamohueshme e veprës, tregon për gërshetimin artistik të idealeve të mëdha, që gjërat e panjohura të vendit të tij t’i paraqesë para botës  mirë, pothuajse në të gjitha artet e lira (artes liberales), duke i kaluar kufijtë e botës shqiptare, me shtrirje të hapët tematike e me tehun e vet përparimtar.

    Thirrjen e ngrohët, që u bën bashkëkombësve “të mos lanë dijeninë e gjuhënë e dheut me dvarunë”, siç thotë A. Kostallari[30], nuk e sheh të veçuar, por e vendos në një kuadër të gjërë evropian e universal “posi lefton gjithë dheu e shekulli për te vet[31]” dhe këtë realizon në rrafshin e teologjisë biblike, duke mishëruar në artuin e letërsisë personazhet më të njohura, siç ishin shën Maria, Krishti, Mojsiu, Davidi, Sibilat, etj.

   Pikërisht, këtu qëndron ajo notum in novum (e njohura në të renë), të cilën aq shumë e preferon Horaci dhe proprie dicere (shprehje e posaçme), si element kryesor i gjithë kësaj vepre letrare, e cila edhe në mjedisin e tij kosovae kishte një traditë. Ndryshe s’mund ta kuptojmë paraqitjen fenomenale të P. Bogdanit, formimin e tij operues si shkrimtar e dijetar, mjetet komunikuese gjuhësore dhe artistike – letrare të vendit të tij, në ndërlidhje harmonike me traditën evropiane, e as nivelin e lartë artistik të kësaj vepre letrare, të shkruar në prozë dhe në poezi.

   Duke pasur parasysh ato 133 vargje në gjuhën shqipe mbi Sibilat, si dhe disa dhjetra vargje origjinale dhe të përkthyera të tjera, kuptojmë se P. Bogdani, nuk ishte vetëm, siç thuhej në mesjetë clericus et litteratus, por edhe poeta, i frymëzuar me motive kosovare.

Referati i lexuar në Seminarin për 300 vjetorin e vdekjes së imzot Pjetër Bogdanit.

Fordham University, 7 tetor 1989, New York

___________________________________

[1] Meqenëse letërsia e vjetër shqiptare paraqitet e ndërthurur në fushat e tjera të kulturës dhe e padiferencuar sa duhet prej tyre, këtu po e shtrojmë temën në vështrimin të veprës së Bogdanit, nga aspekti i traditës kulturore, e jo “letrare”.

[2] Për shkaqe praktike tanimë ky titull i shkurtuar është bërë i rëndomtë në literaturën bogdaniane. Mirëpo,duke pasur parasysh edhe titullin e pjesës së dytë (De vita Jesu Christi Salvatoris mundi et eius evangelica veritate…), në fakt, momenti më i rëndësishëm përmbajtësor i titullit nuk është “Cuneus prophetarum” (Çeta e profetëve), por De Christo Salvatore mundi et eius evangelica varitate…Kështu kjo vepër homilike, me përmbajtje të theksuar teologjike biblike, i kushtohet Jezu Krishtit edhe si fenomen kulturor evropian.  

[3] Khs. E. Sedaj, Parathëniet dhe përkushtimet e “Çetës së profetëve” të P. Bogdanit te: Jeta e re, 1/1984, pp.53-79.

[4] Khs. Relacione të P. Bogdani. (Përkth. E. Sedaj). Te Gjurmime albanologjike, Seria Historike, XIV – 1984. Prishtinë, 1985; I kemi pasur parasysh edhe disa relacione dhe letra të konsultuara de visu në Arkivin Historik të Propagande Fide në Romë.

[5] Kjo dhënë nga biografia e P. Bogdanit, të cilën e shënon J. Rexhepagiq, duhet verifikuar edhe në dokumentet arkivore, sepse sipas gjasave, Bogdanët kishin lidhje me françeskanët e këtij vendi në Bullgari, ku më vonë P. Bogdani “tërhiqet dhe jeton aty” (Khs. Jasar Redzpagic, Zivot i rad pedagoski pogledi Andrea i Pjetra Bogdanija, te Gjurmime albanologjike 3/1966, Prishtinë, 1966, f. 157.

[6] E. Sedaj, Relacione të P. Bogdanit, f. 240.

[7] Nga parathënia: Te primite perpara letterarit.

[8] I, I, 5, 17.

[9] II, I, 3, 5.

[10] II, I, 3, 5

[11] II, I, 2, 8. Përshtatja e jonë.

[12] Orig. sign. Ex tabulario S.C. de Propag. Fide. Lettere antiche. Vol. 413. Memoriale del 1647, fol 282.

[13] I, II, 2, 2.

[14] II, I, 8.10.

[15] Disa “Të dhëna të reja nga jeta e Pjetër Bogdanit” i kuptojmë nga letra e Gjon Bogdanit, nipit të Pjetrit, dërguar në Romë, më 6 dhjetor 1689, të cilën, të përkthyer,e boton Odet Marke te: “Fjala”, më 15 shtator 1989, f. 2.

[16] J. Rexhepagiq, mendon se A. Bogdani ka lindur në Janjevë dhe se aty ka kaluar 24 vitet e para të jetës. (J. Rexhepagiq, op.cit,.f. 152).

[17] Jovan Radonic, Rimska kurija i juznoslovenske zemlje, SANU, Beograd, 1950, f. 347.

[18] J. Redzpeagic, op.citatum, f. 132.

[19] Cituar sipas: J. Redzpeagic, op.cit., f. 154.

[20] Arkivi historik i Propagande Fide, Romë, Scritture rif. Nei Congressi, 1684, servia, v.I, fol.134 (Khs. Gaspër Gjini, Skopsko – Prizrenska biskupija kroz stoljeca, K.S., Zagreb, 1986, f. 169.).

[21] Gaspër Gjini, op.cit., f. 166.

[22] Nga parathënia: Te primite. (Përshtatja e jonë.)

[23] Khs. Historia e letërsisë shqiptare, Akademia e SHRPSH, Tiranë, 1983, f. 31.

[24] Agostini Pertusi, Martino Segono di Novo Brdo vescovo di Dulcigno, un umanistaserbo-dalmata dal tardo quattrocento, Vita e opere. Instituto Storico Italiano per il MedioEvo. Studi storici. Fasc. 128-130. Roma, 1981, f. 456; Khs. edhe Engjëll Sedaj, Martin Segoni, nga Novobërda – autor parabarletian, te “Rilindja”, dt. 5. VIII. 1989, Prishtinë, 1989.

[25] Dhimitër Shuteriqi, Shkrimet shqipe në vitet 1332 – 1850, “Rilindja”, Prishtinë, 1975, f. 59.

[26] Te primate perpara letterarit.

[27] Ibrahim Rugova, Vepra e Bogdanit (1675 – 1685), “Rilindja”, Prishtinë, 1982, f. 225.

[28] Nga parathënia: Te primite perpara letterarit.

[29] Khs. Celestin Tomic, Pristup Bibliji, Zagreb, 1986, f. 194

[30] Androkli Kostallari, Pjetër Bogdani dhe gjuha letrare shqiptare. Te “Fjala2, XXII, më 15 shtator 1989, Prishtinë, 1989, f.1.

[31] Nga parathënia: Te primite perpara letterarit.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »