VETËPËRKUFIZIMI APO IDENTITETI NË PSIKOLOGJI

May 19 • Opinion

Shkruan: Zef AHMETI

Platoni në veprën e tij „Symposion“ i jep fjalën Sokratit i cili thotë pak a shumë kështu: „…po ashtu secila gjallesë, përderisa jeton, emërohet dhe shikohet si e njëjtë: p.sh. një njeri që nga fëmijëria e deri në pleqëri. Mirëpo edhe pse mban emrin e njëjtë, ai nuk mbetet i njëtë, pasi në njërën anë ai përherë rigjenerohet, e në anën tjetër ai humbet: flokët, mishin, eshtrat, gjakun dhe gjithë organizmin e tij fizik. Dhe kjo nuk vlen vetëm për trupin por edhe për shpirtin: elementët e karakterit, zakonet, mendimet, kënaqësin, vuajtjen, frikën: tëgjitha këto nuk mbesin kurrë të njëjta, porse njëra lind e tjetra ikën.“ (Platoni 1958: f. 127 v.). Dhe në këtë çasje, temë filozofike, psikologjia, kur flet për identitetin, e ka „përvetësuar“ këtë. Identiteti kuptohet si përgjigje në pyetjen se kush jam unë apo dikush tjetër. Kështu që identiteti në kuptimin psikologjik i përgjigjet pyetjes së kushteve (rrethanave) të cilat e bëjnë të mundshme një histori jete, në përceptimin e vetes (unitetin e brendshëm pavarësisht ndryshimeve të jashtme). Psikologjia përmes identitetit bënë rikonstruktimin e subjektit. Identiteti është i lidhur mirë edhe me procese sociale. Kur kemi balancimin e identitetit personal me atë social, atëherë flitet për një integrim të suksesshëm, por aty ku kjo mungon shpërthejnë krizat identitare.(Identität, Heiner Keupp, në: Spektrum, Heidelberg 2000).

Duke u nisur nga vlerësimet e ndryshme që jepen na del se, identiteti (apo identitetet) e individit është(janë) vetëperkufuzim(e) apo, marrë në kuptimin e ngushtë, si e kuptojmë përkatësisht si e përceptojmë vetveten.Identiteti a identitetet (pra si e shohim ne vetveten) japin përgjigje në shumë pyetje të jetës duke filluar në atë se cili është roli im në familje, cila është detyra ime apo kush jam unë e çfaraë jam unë apo kush e çfarë dua të jem apo kush e çfaë nuk dua të jem. (Khs. Lexikon der Psychologie, ed.,  Markus Antonius Wirtz, 2014, f. 2060).

Këto vetëpërkufizime kanë aspekte pozitive, përforcuese ose ato janë negative dhe nënçmuese, ato (identiteti apo identitetet) mund të jenë të shëndosha ose jo të shëndosha. Ato janë tejet ndikuese si impulse modeluese dhe organizative për jetën personale dhe përjetimet. Ato realizohen sipas ligjit të kausalitetit të qëllimit (cakut). Dhe nëse dikush ka përjetuar në fëmijërinë e tij inferioritetin, kjo do ta përcjellë edhe në moshën e pjekurisë. Pra identietet janë sa nxitëse po aq edhe kufizuese dhe frenuese. Nganjëherë identitet janë ashtu thellë të fshehura në njeriun sa që sjelljet dhe përjetimet që pasojnë nga ato mbahen për normale dhe reale. Kështu një shembull kemi veprën e Kafkës “Transformimi” (1916) ku tregon për transformimin e personazhit kryesor të veprës Gregor Samsa në një insekt. Për derisa personazhi i veprës mban veten për insekt, ai e kufizon veten nga pjesëmarrja në jetën ndër njerëzit. Identietet kufizuese mund ta errësojnë gjithë jetën sa i prekuri mendon që nuk ka kurrëfarë shansi për të realizuar jetë cilësore.

Në identitetet gjejmë përkufizimet „unë jam njeri i cili (që)…“ apo „ne jemi popull i cili (që)…“. Kjo është një përzierje e vendimeve, interpretimeve, qëndrimeve, energjive, pozicionimeve dhe zakoneve. Këto identitete, përkatësisht ndikimi i këtyre identiteteve nuk duhet të nënvlerësohen sepse ato ndikojnë në kuptimin e kausalitetit të qëllimit (nëse ka ndonjë cak). Një identitet i caktuar e krijon ndikimin e vet. (Dietmar Friedmann, ILP – Psychoterapie und Coaching, Darmstadt 2013, f. 130 v.). Këtu bëhet fjalë për ambiciet, realizimin e qëllimeve personale. Nëse i vëjmë vetes një qëllim dhe elementet e identitetit personal janë negative, kufizuese, atëherë realizimi i qëllimit është i paarritshëm. Si shembullnëse një studiues shqiptar, a ndonjë tjetër, mendon dhe i është ngulitur thellë kredoja se, “Evropa kurvë” eshte fajtore për situatën ku gjenden sot shqiptarët, atëherë çfarë pengese mund të kanë këta në realizimin e qëllimit të këtij populli për t`u bërë pjesë e BE-së? Ose nëse marrim shembullin më të mirë gjatë historisë së re, pra motot kufizuese që përcillnin botën e Shqipërisë komuniste, ku e gjithë bota gjykohej armike e vendit!

Identitetet nuk janë vetë pamje dhe mendime, por edhe fuqi tërheqëse për energjinë dhe organizimin jetësor. Zakonisht, p.sh., një person akuzohet se ka dështuar pse ai është përtac dhe ka bërë gabime. Zgjidhja këtu do të ishte që personi personi të këshillohet se ai duhet të bëhet punëtor i kujdesshëm e duke u bërë  i tillë do të dalë fitues.  Mirëpo kjo nuk ndikon nëse edhe mëtutje personi në fjalë thotë „unë jam humbës…“ kështu që me gjithë përpjekjet ai përherë do ta bëjë gabime e do të jetë i pavullnet.

Po cilat janë kredot, pritjet dhe identitetet që ndikojnë në përceptimin e vetvetes, vetëdefinimin dhe jetën e shqiptarit sot? Këtu pa dashur të japim shembuj, mendojmë se ato janë të shumta e që lidhen me paragjykimet që kemi si individë dhe si popull ndaj jetës dhe raporteve ndërpesonale në përgjithësi. Dy shembuj i cekëm më lart sa për ilustrim. Njohja e tyre është vendimtare edhe për atë se si e shohim jetën, veprimet tona, sjelljet, punën, si mund t`i ndryshojmë ato, dhe a mundemi t`i ndryshojmë ato, nëse po, çfarë duhet të ndryshojmë… Përderisa dikush mendon dhe thotë „unë nuk jam atraktiv…“ ai mbetet i tillë sepse identiteti i fiksuar si i tillë ka ndikimin e vet dhe për të kaluar nga identiteti i kufizuar e negativ në atë pozitiv duhet vepruar në riorganizimin dhe riprogramimin neurologjik.

Në fakt për të nxitur medjen për t`u kujtuar se cilat janë kredot që e përecjellin botën e shqiptarit për pyetjet e ndryshme jetësore, duhet shtruar pyetja se cilat janë ato kredo në raport me vetveten, unit personal, ndaj botës që e rrethon, jetës që e zhvillon?

Më tej cilat janë aspektet identitare të homo albanicus-it?Sa luajnë rol këto në pritjet që i ka ai si subjekt dhe pjesë e shoqërisë por edhe në arritjen e qëllimeve sa personale po aq edhe kolektive? A ka nevojëhomo albanicus për një riorganizim dhe riprogramim neurologjik në aspekte të caktuara jetësore në raport me identitetin e tij si person por edhe si pjesë e shoqërisë?

Dhe në fund nëse homo albanicus nuk është i hareshëm në jetën që jeton (si individ dhe shoqëri) a nuk duhet që i të bëjë hapin për të ndryshuar diçka për vetërealizim dhe mirëqenien shoqërore? Si arrihet kjo? Ku duhet të fillohet?  Cili është caku? Hareja? Mirëqenia sociale? Paqa, liria… si të arrihen këto? Duhet t`i bëjmë vetë apo duhet të presim këto të na dhurohen?

Cilat kredo po e pengojnë homo albanicus-in në zhvillimin e identitetit të tij personal dhe kolektiv?

Shpërndaje

Comments are closed.

« »