“LAHUTA E MALCIS” E GJERGJ FISHTËS

May 20 • Letërsi

Shkruan: Ndue UKAJ

At Gjergj Fishta, e shkroi librin, “Lahuta e Malcis” (1937) atëbotë kur në Shqipëri ishin dukur shkëndijat e para të lirisë. Autori, këtë tekst monumental të kulturës letrare shqipe, e krijoi përgjatë katër decenieve të para të shekullit XX, mu në kohën kur Shqipëria përjetoi transformimet më esenciale; po shkundte pluhurin e robërisë së gjatë, dhe po bënte përçapje me hapa të vegjël drejt lirisë së njëmend. Vendi ishte i plagosur, pas sundimit të gjatë; motit të madh të Gjergj Kastriotit.  

Teksti narrativ epik, i përket modusit të lartë tematik, me statusin kategorial, mimetikë e lartë, në të cilën formë shkrimi, kemi rrëfime për heronj të jashtëzakonshëm, me përmasa mbitokësore, dhe të rrëfyera me stil të lartë. Ky tonalitet, është në përkim me parimet e krijimit të epit. Fishta në të vërtet donte të krijonte epin shqiptar, ku pikëtakoheshin heronj të përmasave mitike, ngjarje e figura historike. Në këtë mënyrë, ky tekst epik, ndërton relacione të ndërvarshme me audiencën; i drejtohet spektatorit dhe dëgjuesit, dhe kërkon të influencojë drejtpërdrejt. Këto tipare letrare, “Lahuta e Malëcis” i ka të mishëruara funksionalisht, dhe shfaqen kudo, me efekte të theksuara poetike e intertekstuale, ngase teksti narrativ ka fuqi të shpalosë kujtesën letrare, nga ku strukturat narrative, koha narrative, tipat e heronjve, formulimet poetike, tingëllojnë të njohura; por këto autori i rifunksionalizon, gjithnjë nga prizmi rrëfimit fiksional. Këto elemente poetike, autori i asimilon deri në atë shkallë, sa receptuesit i lë mundësi të kujtojë arkitekstin dhe të mishërohet lehtësisht me tekstin e shkruar.

S’do mend, autori “Lahutën e Malcis”  e shkroi me idenë e një libri të madh, me intencën e një libri të shenjtë nacional, i cili plotësonte të gjitha kushtet: të shërbente për vetidentifikim e identifikim të plotë nacional. Libri si shënjues të parë esencial ka nënvizimin ketagorial zhanror si tekst epik, së këndejmi, në esencë ka si substancë diskursin epik, me të gjitha karakteristikat dhe përmasat e modelit poetik në fjalë.

“Lahuta e Malcis”, si epik narrative, është e konstruktuar nga 30 këngë dhe me rreth 17.000 vargje. Nga studiues të ndryshëm, shqiptarë e të huaj, është cilësuar me të drejtë si “Iliada” shqiptare. Në të vërtetë, ky tekst letrar, si vepër e fundit e romantizmit europian, nga studiuesi Maximilian Labertz është vlerësuar si  vepra  më e rëndësishme e letërsisë shqiptare, për të shtuar se në këtë tekst narrativ, autori paraqet qenësinë dhe zhvillimin e popullit shqiptar. Vepra nuk ka ndonjë hero që e përshkon gjithë narracionin. Mirëpo, mungesa e heroit/protagonistit themelor, s’e dëmton në asnjë nivel veprën, përkundrazi, i jep dimension origjinal dhe mëvetësi poetike. Autori këtu bën një strategji mjeshtërore poetike, ngase në substancën e veprës e ka protagonist popullin shqiptar, i cili tipizohet nëpërmjet disa formave poetike, këndej pari, natyrisht edhe përmes disa llojeve të heronjve, që kanë dallimet e tyre, por që i bashkon një ideal- ai i lirisë dhe i rikthimit të dinjitetit historik. Në të vërtetë, ky segment është esencialiteti, dhe e mban koherente gjithë narrativitetin, dhe i ndërlidhë të tridhjetë këngët epike, brenda një substance letrare të realizuar mjeshtërisht. Megjithëse “Lahuta e Malcis” s’ka një subjekt të mirëfilltë qendror, (ashtu siç kemi në epet e mëdha, Iliada dhe Odisea, të Homerit apo Eneida e Virgjilit), rreth të cilit zhvillohen ngjarjet, prapëseprapë rrethanat, personazhet dhe narracioni e bëjnë atë tekst unik, ngase në substratin e veprës, funksionalizohen sekuenca dhe ngjarje, të cilat lëvizin në drejtimin e duhur, përplotësojnë një intencë, e cila del nga kolektiviteti dhe përplotëson qëllimet e tij.  Sipas Sabri Hamitit teksti epik “Lahuta e Malcis” është  një  vepër me një  ndërtim të  brendshëm dramatik, ku spikasin veprimet, dialogu, përshkrimi i shkurtër, dhe gjuha folur e kthyer në  gjuhë të shkruar që ka shenjat e emocionalitetit të folësit, të  afrueshme me karakterin e personazheve. Kjo është lufta që kishin bërë dhe bënin shqiptarët për krijimin e shtetit shqiptar. Në këtë aspekt, autori rrëfen fatet shqiptare nëpër zikzaket e kohës, në rrugët e ngritjes së idealitetit kombëtar, duke përfunduar epi me një epilog të atillë- Shqipëria triumfalisht del e zoja në vete, edhe pse e copëtuar. Në një rrugëtim të gjatë, Fishta ndërfuti shumë heronj, mirëpo asnjëri nga ta nuk endet në gjithë veprën për të qenë tipologjikisht protagonist i veprës. Përmes kësaj forme të krijimit, autori vë në spikamë aspekte të shumta të qenies shqiptare, ngase tiparet e shqiptarit i hasim te Marash Uci, Oso Kuka e Dede Gjo Luli, Abdyl Frashëri e Ali Pashë Gucia, nga Patër Gjoni e Trigna. Në këtë formë, Fishta nuk dëshiron të portretizonte vetëm një tip të heroit shqiptar. Qëllimi i tekstit epik korrespondon thellë me kontekstin shqiptar të kohës, bëhet shënjues i tij dhe komunikon estetikisht  me atë kohë, prandaj, edhe heronjtë e tekstit, kanë tipare dhe karakteristika të veçanta, te të cilët mishërohen ideale të njëjta. Me gjithë transformimet që bën autori në procedimin letrar, Lahuta e Malcis, esencialisht ruan elementet qenësore të epit, sikundër janë kumti, përshkrimi, dialogu, veprimi, ngarkesa dramatike, elementet mitike, si sekuenca që formësojnë epin si zhanër letrar.

Duke folur për “Lahutën e Malcis” të Fishtës, profesori i shquar i Universitetit të Bolonjës, Giono Bottiglioni (Xhino Botilioni) vë në spikamë se vepra është një poemë heroike, që duke gërshetuar historinë dhe legjendën, njerëzoren dhe hyjnoren, radhitet denjësisht midis kryeveprave të epopeve të mëdha njerëzore, që nuk ka përkufizim hapësire dhe kohe. Në fakt, Fishta e dinte se poemat epike duhet të sintetizojnë sa më shumë aspekte të qenësisë së botës shqiptare, totalietin e jetës së kësaj bote, për të prodhuar pastaj bukurinë e mendimeve dhe stilit, si tipare të nevojshme karakterizuese të zhanrit në fjalë, që të mund të përplotësonte qëllimin e shkrimit, ngase Shqipnia e Lahutës ishte për t’u ba e për t’u ndërtue në themel e jo për t’u stolisë e zbukurue. Ndërkaq, është me rëndësi të potencohet se teksti epik në tërësinë e tij, pa e fragmentuar në cikle këngësh, ka si premisë të shtie në funksion të artit letrar historinë dhe kohën narrative të autorit, e Fishta asnjëherë nuk tregon se çka ka ndodhur, në kuptimin historik, e as çfarë do të mund të ndodhte, por i jep tekstit dimension e karakter të plot fiksona, me thirrje e horizont letrar.

Tekstet epike, nga modelet klasike të shpjegimit të zhanreve, dimë se shkruhen rreth heronjve, apo protagonistit si boshti i subjektit të rrëfimit, nga ku zënë fill dhe zhvillohen sekuenca të ndryshme dhe entitete narrative. Edhe në këtë rrafsh, te tekstit Fishtës, kemi një dallim, ta zëmë, nga epi Iliada. Nëse te e para kemi hero qendror Akilin, rreth së cilit zhvillohet ngjarja dhe rrëfimi, me gjitha episodet, te “Lahuta e Malcis” nuk gjejmë një personazh, i cili endet në tërë tekstin dhe kohën narrative, si figurë qendrore, për të ndërlidhur semantikisht  fabulën. Në Lahutë, shumica e personazheve dalin real, nga jeta shqiptare e historia e saj; ata kanë bërë jetë në kohë e rrethana të caktuara, madje ngjet të jenë të njohur nga autori. Mirëpo, teksti ka në substratin e veprës një hero të paidentifkueshëm, që është hero qendror i veprës, dhe ai mund të konceptohej, në kuptimin letrar, populli shqiptar, si si element konstatues e përbashkues në tekst.

 Epi “Lahuta e Malcis” sipas Ernest Koliqit, i parket Shkollës letrare françeskane, shkollë kjo që për tipar karakteristik ka statusin idiomatik dhe sipas këtij studiuesi Fishta me Lahutën e Malicis dhe me satyrat Anzavet të Parnazit, i a hapë dyert popullit shqiptar i cili hyn në letërsi reflekse me të gjitha virtytet e me te gjitha gjymtymet e veta të veçanta.

“Lahuta e Malcis” e Fishtës shpërfaqë një kontrast të fuqishëm tematik, sepse hiperbolizon dhe kritikon shqiptarët, duke vënë në pah të metat dhe cilësitë, përmes diskursit glorifikues e grotesk. Narrativen e veprës- në mungesë të personazhit protagonist, e përcakton një rrjet tekstesh që sillen rreth personazheve të ndryshëm, por që ndërlidhen me idealitetin e autorit, për triumfin e shtetit shqiptar, pra shenjës së motivueshme estetikisht se Shqipëria del e Zoja në vete. Uniteti letrar i epit, në të vërtetë, ruhet përmes personazhit të pashpallur, i cili endet në “Lahutën e Malcis” nga fillimi në fund, por në mënyrë të pashpallur dhe si i tillë është esencial-paradigmë udhërrëfyese për veprën. Në kontekst nënkuptohet lehtësisht se ky protagonist është i ndërlidhur me fatin e Shqipërisë, ai është pra shqiptari i çdokohëshëm.

Për ta sforcuar substancën e brendshme të narratives së veprës dhe për të ruajtur karakterin e diskursit heroik të “Lahutës së Malcis”, sikundër edhe për të ruajtur unitetin e veprës, Fishta fuqizon qeniet mitike, Zanat, të cilat kanë një rol të fuqishëm, jo vetëm në unitetin kompozicional të veprës, por edhe në mbarështimin e diskursit dhe idesë intencionle të autorit, për të shkruar epin kombëtare. Në ep, Zana shqiptare, ka funksionin e tillë çfarë ka në Iliadën e Homerit, Muza, figurë që e nisë tekstin homerian. Në këtë areal figurash mitologjike, rol funksional luan edhe Ora e Shqipërisë. Ndërkohë, që këtyre qenieve mitologjike, iu bashkëngjiten në rrëfim edhe një mori figurash, të cilat Fishta i pikasë mjeshtërisht: kuçedrat, dragonjtë, lugetërit. Këto qenie mitologjike, sipas Tonin Çobanit, në  kohën kur jetonte Fishta, ishin një  realitet fantastik shqiptar. Prandaj, në  tekstin epik fati i Shqipërisë qëndron prapa dimensionit mitologjik, që ndërlidhet me formulimin: “Ora e Shqipërisë”, e cila shenjë poetike është e motivueshme dhe komunikon me kontekstin e veprës si produkt i një kohë specifike.

Koha narrative e  epit, apo narrativja e tekstit ka shtrirje të gjerë, ku  koha relevante e rrëfimit, empirikisht fillon më 1858, kur Mali i Zi, i nxitur nga Cari i Rusisë, synonte të pushtonte tokat shqiptare, respektivisht ato të Malësisë së Shkodrës, në të cilën hapësirë gjeografike edhe zhvillohet fabula epike. Ndërkaq, autori tekstin e përfundon me aktin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe Konferencën e Londrës, në të cilën qe vendosur copëtimi i trojeve shqiptare, mirëpo idealiteti dhe projekti i autorit shpërthen triumfalisht, ngase misioni përmbushet dhe përfundon veprën: Si premtue kisht’ Perëndia/ prap e zojë m’veti duel Shqipnia (Kënga e tridhjetët, fq. 518).

Në tekstin epik “Lahuta e Malicis” , kemi edhe një rrjet këngësh, të cilat e shkëpusin receptuesin nga terreni historik real, dhe e çojnë në sfera fantastike, ku tanimë imagjinata e autorit shfaqet me tërë fuqinë krijuese, dhe ku tipar karakterizues mbetet diskursi personal. 
Në këtë dimension, një funksion poetik në vete e luajnë figurat mitologjike, të cilat autori i transformon dhe i adapton në rrethanat e atëbotëshme. Kësisoj, Ora e Shqipnisë krijon marrëdhënie krejt njerëzore me Ali Pashën e Gucisë, atëherë kur po luhej me fatin e kombit. Ndërkaq, në variantin tjetër, Zana e madhe është alteregoja, vetja e dytë e poetit, e cila, e motivon në shqiptimin e ideve të autorit. Në këtë aspekt, kënga Zana e Vizitorit ngërthen në vete shenja të veçanta artistike, ku  kemi një implikim të fuqishëm të qenieve mitologjike, si identifikim me subjektin. Ky identifikim i mundëson autorit të  krijoj relacion të ndërmjetshëm me objektin. Për t’i dhënë dramacitet dhe dinamikë rrëfimit, autori ndërton figura të fuqishme të mbështetura mbi kontrastin. Në kë të kontekst, Zana e Vizitorit, e identifikueshme si shqiptare natyrshëm ndodhet në konflikt me Zanën e Durmitorit, e cila është malazeze, nxitëse e Mark Milanit në luftë kundër shqiptarëve.

(Fusnotat i hoqi redaksia)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »