JUL VARIBOBA DHE GJELLA E SHËN MËRISË VIRGJËR E TIJ (III)

May 21 • Letërsi

Shkruan: Italo  K.  FORTINO

Vepra poetike

Jul Variboba e dha në shtyp me 1762 në Romë veprën poetike Gjella e Shën Mërisë Virgjër (Jeta e Shën Mërisë Virgjër), një poemë lirike, e shkruar kryekëput në të folurën e Shën Gjergjit Arbëresh për nder të Shën Mërisë dhe për kënaqësinë shpirtërore të besimtarëve.

            Vepra e parë e madhe poetike e frymëzuar dhe e krijuar në gjuhën arbëreshe, e thurur për nder të Virgjërës. I ndërgjegjshëm për atë që autori shfaq mahnitje pikërisht për atë, se asnjëherë më parë nuk kishte krijuar poezi në këtë gjuhë, i përfshirë i tëri për mrekullinë e këtij misioni të lartë.

            Në dy prozat hyrëse të veprës: Oj e ndërurja Rrexhin (Oj Mbretëresha e nderuar) dhe Oj ti çë dhjavasën (Ori ti që mëson), gjejmë shumë elemente që e kthjellojnë zanafillën, zhvillimin dhe qëllimin e poemës.[1]

            Nga Variboba nuk kanë ardhur te ne vepra të tjera, edhe pse në rini kishte provuar kompozicione poetike laike, siç i kujtohene dhe atij[2] jo vetëm në veprat e prozës, por gjithmonë me argument religjioz, siç dëshmon edhe Alfonso Kinigo.[3]

            Përvoja e tij e mëparme letrare largoi çdo mundësi të fshehjes së improvizimeve poetike dhe forcoi gjykimin e De Radës që, megjithëse ndërmjet kritikave të ashpra, nuk dukej se mbahej nga përkufizimi “poet i lindur”.[4] Fryti që ai i ofroi  Virgjërës është sigurisht “i ashpër, dimëror dhe shtazor”,[5] nuk mund të mbahet në krahasim më tjerët të rritur dhe të shijshëm, por si vepër e parë me frymëzim të madh, e shfrytëzon një gjuhë të cilën nuk e përdor në trajtimin e temave shpirtërore dhe doktrinore, e që mund të gjejë kuptim të gjerë.

            Në theksimin e së resë dhe të unitetit të veprës në sferën arbëreshe, me bindje që kjo gjuhë është ende “e lënë, e varfër dhe e ashpër”[6] hynë për së pari herë në qiellin e përhapjes së këngës së vet, të shtyturit në besimin që injoron ose që nënçmon[7] përkthimet dhe veprat e shkurta poetike të arbëreshëve nga Sicilia dhe se një numër i shkrimtarëve akoma i mundur në Shqipëri veç kishte provuar përvojën letrare dhe i kishte në të pranishme vështirësitë e problemit të gjuhës.[8]

            Mirëpo është dashur gati pothuaj një shekull, sepse fushën letrare arbëreshe e prishte izolimi dhe nisja e këtij procesi të guximshëm si mungesë në të kaluarën.[9] Nga ana tjetër e tëra është e kuptueshme shqetësimi gjuhësor që e mundonte Varibobën, i vetëdijshëm se duhej t’i shfrytëzonte për tema komplekse dhe t’i përmirësonte, një instrument të mbetur në nivel të zhargonit të përditshëm. Nuk duhej, pra, ai të injoronte pasurinë tradicionale të këngëve popullore qofshin ato laike – këngë lirike njëstrofëshe dhe rapsodi – qofshin ato religjioze, të cilat para së gjithash të ashtuquajturat kalimere (poezi tregimtare me temë religjioze), në të cilat përmenden të njëjtat hyrje, por që kishin shfaqur një bazë shumë të kufizuar për dhënien e frymës së mjaftueshme në një vepër më organike; dhe në çdo rast ishte në rrjedhë të përpjekjeve për transkriptimin e disa fonemave tipike të arbërishtës.[10]

            Shfrytëzoi të folurën e vendit të vet sepse mund të ishte e kuptuar prej njerëzve, por, duke mbajtur pak llogari për purizmin e gjuhës, tejkaloi në italianizma për nevojat e terminologjisë teologjike, dhe gjithashtu për nevojat metrike.[11]

            Ai përgjigjet me një imperativ hyjnor se dëshiron lëvdërimin e Marisë në të gjitha gjuhët e Tokës, me një nevojë të besimtarëve që duan këngën shpirtërore[12] dhe në mundësimin e sublimimit të lëvizjeve të veta shpirtërore në momentet e zymta të mërgimit në Romë.[13] Në Kryeqytet kah fundi i vitit 1761, kur u nis në mërgim, në maj të viti 1762, data e letrës së parë nga aprovimi i veprës, nga ana e Tomaso Masarakit,[14] e kompozoi sipas gjasës nga struktura tregimtare e veprës, duke interpretuar një numër të mirë të këngëve të krijuara më përpara në Shën Gjergj.[15]

            Puna e tij ishte e shpërblyer me bollëk – thoshte ai – nëse duhej të ishte e pranuar ose jo te arbëreshët, ekspertët në artin e ironisë, të paktën në Shën Marisë, në konsiderim të vështirësisë objektive të kompozimit me shkathtësi në një gjuhë qe për herë të parë paraqitet në ndjenjat e poezisë dhe sepse në atë janë të përmbajtura principet e besimit të krishterë.[16] Skepticizmi i tij për suksesin e veprës në mesin e popullit, shumë herë i shfaqur me ton sa humoristik, sa ironik, do të jetë i përgënjeshtruar nga historia: vepra do të jetë e mirëpritur nga komuniteti arbëresh i Kalabrisë dhe këngët e tij, hyjnë në funksion paraliturgjikë, do të jenë me gjelozi të ruajtura nga kujtesa e përbashkët.[17] Ai ka mbledhur pyetjet që vinin prej njerëzve dhe e pasqyron realitetin kulturor popullor, do të afrojë një mjet të përshtatshëm të lutjes dhe do të formojë prejardhjen e trashëgimisë poetike tradicionale italo-arbëreshe këngën, kalimerën, këngën lirike njëstrofëshe[18] dhe shumë lloje të vargjeve italiane.[19]

            Dy prozat janë të lehta dhe të këndshme për lexim, i japin dritë personalitetit të autorit dhe brendisë së veprës, sqarojnë shkaqet dhe qëllimet, inkuadrojnë një realitet që ka ndihmuar në kujtimin e qëndrimeve dhe të zgjedhjeve në këtë vepër.

            Një shenjë e humorit të këndshëm e ngërthen në brendi shkrimin në të cilin theksohet personaliteti i fuqishëm i autorit, se pa diçka të një veçorie të karakterit, nëse jo të fanatizmit; i cili nëpër mundimet e veta të përvojës misionarike, e pasur me konflikte, nuk ka lëshuar t’ia zvogëloj fuqinë e brendshme, as shumë i prekur nga pasionet dhe mllefi. Kurse shumica shpresonin se do të neutralizohej në mërgim për ta shtyer në heshtje, por ai vazhdoi i patundur në emërimin e tij të apostulatit, i mbërthyer në faktet humane në sytë e Providencës dhe në vend se të mallkoj kundër kundërshtarëve, siç është zakon i njerëzve, do të ngris lartë një përvojë të hidhur njerëzore në këngën shpirtërore, edhe pse nuk mundte të fshihte të tërën prej mendjes sjelljet ndonjëherë të liga të shumtë bashkëvendësve të vet.

            Elementi shpirtëror, veç në këto dy proza hyrëse, i thurur në vazhdimësi me elementin njerëzor, është paralajmërim i tiparit zotërues në poezinë e tij. I pandryshueshëm në parimet e besimit të zjarrtë, autori do të arrij në popull, e shfrytëzon një mjet komunikues të afrueshmërisë së lehtë dhe pasuri të drejtimit teologjik te njerëzit, përndryshe abstrakte dhe largim i dobët. Realiteti vendor është i pranishëm vazhdimisht në gjuhë dhe në ngjyrimet folklorike që shpesh paraqiten në vepër.

Përktheu nga italishtja: Oliver SEDAJ

___________________________________

[1] Një shtjellim analitik i këtyre dy prozave është bërë nga Gjuzepe Gradilone, Dy prozat hyrëse të Varibobës në veprën e tij në “Studimet tjera të letërsisë arbëreshe”, Roma, 1974, ff. 273-281.

[2] Në prozën e parë Oj e ndëruaja Rrexhin (f. 62) ai thekson: “U mba mend se kur isha djalë dhjavose rrima gjith shartëshit, e bëra para llatin por vjershe, o për të qeshër o për të qëlltër dhun “kujtim që në rini krijoi vargje nga të gjitha llojet dhe kompozimet edhe në italisht të vargjeve ose për qeshje ose për shaka”.

[3] Deri tani e dimë që Variboba është vetëm këngëtar i “Jetës së Zojës”, por nga viti i kaluar më është shfaqur një dorëshkrim me përmbajtje të panegjirikëve, të shkruar në italisht për nderë të Shën Gjergjit, të Marisë dhe të Shenjëtërve të tjerë të kënduar në “Jetën”. Dorëshkrimi nuk mban emër të autorit, por Variboba është i konsideruar si ai; nga ky dorëshkrim mundemi të besojmë se komentin e ka shfaqur shkrimtari i lindur nga Mbusati dhe libri është i shkruar më 1746, besoj  kur akoma poeti ynë gjindej në vendlindjen e vet. Nëse në “Jetën” do të dallojmë këngëtarin popullor, në këtë tjetrën vepër do të tregohet si i ditur dhe orator i aftë, dhe megjithatë shumë i përshpirtshëm të Varibobës, (A. Kingo, Shtojca te “Arbri i rii), Palermo, 1887, ff. IV-V.

[4] Jeronim De Rada, Antologjia Arbëreshe, Napoli, 1896, f. 59, nr.1.

[5] Krh. prozën:  Oj e ndërmja Rrexhin, f. 61.

[6] Ibidem, f. 61.

[7] Do të referohemi te shkrimtarët Lukë Matranga (1567-1619), Nikolla Filja (1691-1769) dhe Nikolla Brankati (1675-1741). Për këtë krh. Gjuzepe Skiro, Historia e letërsisë arbëreshe, Milano, 1959, ff. 76-78, 101-102.

[8] Kujtojmë vetëm Gjon Buzukun (1555), Pjetër Budin (1566- 1623), Pjetër Bogdanin ( -1689), Frang Bardhin (1606-1643). Për këto khs. Historia e letërsisë shqiptare, Tiranë, 1983, ff. 30-41.

[9] Në lidhje me shekujt e mëparmë (XVI-XVIII) Koliqi thekson: “Vepra e shkrimtarëve të këtyre qendrave, u zhvillua me dekada e që asnjëri nuk i njihte shkrimet e tjetrit. Cilido fillonte për llogarinë e vet një copëzim të historisë letrare, duke injoruar në të gjithat përpjekjet e mëparshme analoge, shpesh edhe ato të ardhura nga e njëjta qendër letrare dhe në të njëjtën epokë”, Ernest Koliqi, Rrymat e reja të letërsisë arbëreshe, në “ Sagën e Letërsisë Shqiptare”, Firencë, 1972, f. 216.

[10] Në prozën Oj ti çë dhjavasën (p.64) Variboba shkruan: “Se të mos lidhesh ndë të dhjavasurit bën të dish, se stambaturi nëng kish, gramatin arbërisht (8) e vu an shtrëmbër; mëngu kish (6) e vu e fen shtërëmbër si e sheh” = “ për të mos rënë në vështirësi të leximit, të paralajmëroj se shtypshkruesi nuk e kishte shkronjën shqip (8) dhe e kam përshtatur a e përmbysur; nuk kishte as (o) dhe kam përdorur effe të përmbysur sa të mundet të shënohet”.

[11] Mbi këtë argument khs. Italo Konstante Fortino, Huazimet italiane  në Jul Varibobën, nxjerrë nga “Lidhja – Unione”, Kozencë, 1983, nr. 9.

[12] Autori në ballinë të veprës (p. 58) thotë se shkruan “ për ndër t’asaj Rrexhin e për spas të atire dhivotrave, çë së duam të këndonjën kënk namurije, ma duan të thën kënk spirituall  “për nderë të asaj Mbretëreshe dhe për kënaqësin e këtyre të përshpirtërve, që nuk duan të këndojnë këngët e dashurisë, por duan të recitojnë këngë shpirtërore”.

[13] Në prozën Oj ti çë dhjavasën (f.64) shkruan: Atje In’Zot më bëri e njoha se ish’vullandata e tij jo të llamëndonesh dhistinit, si këngën grat, o t’e kesh’ me ata çë qen ‘kauz’, pëse dish prapju Zotin ashtu për të mirët tim, me t’i këndonj të Shën Mëris, çë atje më se gjatk më pat kur e pruni – dhe nxje” = “Po aty (në Romë) Zotriu Ynë më ka bërë të njoh se isha bërë vullneti i tij e jo të kthehem kundër fatit, siç bëjnë gratë, as të ndihem kundër atyre që ishin nga shkaku ; sepse këta ishin shënuar prej Zotëriut Tonë për të mirën time, por me ngritjen e një kënge Shën Marisë, që më shumë se kudo më ka bërë çmos kujdesin dhe provaninë”.

[14] Khs. Imprimatur, f. 67.

[15] Khs. shënimin nr. 18.

[16] Në prozën Oj ti çë dhjavasën (f.64) autori shkruan: “Bëra penxier se këto rrima kan’ t’i pëlqenjën në mos t’Arbëreshet, çë së din jatër art më mir mose të qellnjën dhun, allminu Sh. Mëris për di mative: pse ësht një kënk ndë një gjuh’ çë për sa di u nëng ka stambortur edhe ndonj’ rrim’ spirituall e para pse, mbrënda ndë ktë kart, ësht edhe dhotrina e Krishtit = kam menduar se këto vargje nuk do t’iu pëlqejnë arbëreshëve, që tjetër nuk dinë pos të tallen, e dinë së paku Shën Marinë për dy qëllime: sepse është një këngë në një gjuhë në të cilën – për sa e di – nuk është shkruar ndonjë varg i argumentit religjioz dhe pse në këtë kompozicion është përmbajtja e doktrinës së Krishtit“.

[17] Antonio Belushi, Këngët e shenjta, Shën Konstantini Arbëresh 1971; revista Risveglio – Zgjimi, Kozenca, 1963, n. 1, f. 3-7; 1964, n. 1-2, f. 20; 1965, n 1-3, fq. 12-13; Katandi ynë, Çivita, 1974, n. 14 f. 4,6.

[18] Gjuzepe Gradilone, Kënga lirike njëstrofshe në komunitetin arbëresh të Kalabrisë, në “Studimet e letërsisë arbëreshe“ . Roma 1960, fq. 233-247.

[19] Gjithnjë në Oj ti çë dhjavasën (f. 64) lexojmë: „Disha pëstaj të këndoja jo mbe një short vjershi, ma mbë gjith ata vjershi çë u gjegja se këndonen Rrom ndë Dhotrinët, se ata çë duan të këndonjën, të kën vjershin e kangjelit, të kalimerës, të vjershevet çë shtien natën, e shum’ vjershe para lëtisht“ = „Nuk kam dashur, pastaj, të bëj vetëm një metër poetik, por të gjithë këto rima që kam degjuar të këndohen në Romë në doktrinë, sepse kush dëshiron të këndojë mund të përshtat ritmin e këngës, të odës, të këngëve të cilat këndohen në nota dhe të shumë motiveve të tjera edhe italiane“.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »