FESTA E RRËSHAJËVE – ZBRITJA E SHPIRTIT SHENJT MBI APOSTUJ (B)

May 22 • LEXIMET E SË DIELËS

Leximi i parë   (Vap 2, 1-11)

Lexim prej Veprave të Apostujve

Kur erdhi dita e Rrëshajëve, të gjithë ishin së bashku në të njëjtin vend. Dhe, ja, papritmas, u ndie një ushtimë nga qielli si shungullimë e erës së fortë dhe e mbushi të gjithë shtëpinë, ku ata ishin. Atyre atëherë ju dukën gjuhë, si të ishin zjarri. Këto u ndanë e zunë vend nga një mbi secilin prej tyre. Të gjithë u mbushën me Shpirtin Shenjt dhe filluan të flasin në gjuhë të ndryshme, ashtu si Shpirti Shenjt i shndriste të shpreheshin.  Dhe aso herë në Jerusalem banonin judenj, njerëz të përshpirtshëm, të ardhur prej të gjitha kombeve të botës. Dhe, kur u dëgjua ajo ushtimë, ngarendi një shumicë e madhe dhe mbetën të habitur, sepse secili i dëgjonte duke folur në gjuhën e vet.  Të gjithë çuditeshin e u mrekullonin dhe thoshin: “Këta njerëz që po flasin, a thua vallë nuk janë të gjithë galileas? Po si atëherë secili prej nesh i dëgjon duke folur në gjuhën e vet amtare? Partë, medë, elamitë, banorë të Mesopotamisë, të Judesë, të Kapadokisë, të Pontit e të Azisë, të Frigjisë e të Pamfilisë, të Egjiptit, të krahinave të Libisë rreth Cirenës, njerëz të ardhur nga Roma, judenjt e proselitë, kretas e arabë – të gjithë ne po i dëgjojmë duke shpallur veprat e madhërueshme të Hyjit në gjuhët tona amtare.”

Fjala e Zotit.

 

Psalmi 104

Ref. Plot është toka me shpirtin tënd, o Zot.

——————————————————-

Bekoje shpirti im Zotin!

O Zot, Hyji im, sa i madh je!

Sa të shumta janë, o Zot, veprat e tua!

Plot është toka me krijesat e tua.

———————————————————

Po e fshehe ti fytyrën, ato trazohen,

dhe kthehen në pluhur përsëri.

Po e dërgove frymën tënde,

përsëri përtërihen,

dhe e rinon fytyrën e dheut.

———————————————————

E amshueshme qoftë lavdia e Zotit,

u gëzoftë Zoti në veprat e veta!

I pëlqeftë Zotit kënga ime,

kënaqjen time e kam vënë në Zotin!

———————————————————-

 

Leximi dytë (Rom 8,8-17)

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve

Vëllezër, ata që jetojnë nën ndikimin e trupit, nuk mund t’i pëlqejnë Hyjit. Ju nuk jeni nën ndikimin e mishit, por nën atë të Shpirtit Shenjt, në qoftë se Shpirti i Hyjit banon në ju. Nëse ndokush nuk e ka Shpirtin e Krishtit, ai nuk i përket Atij. E nëse Krishti është në ju, trupi është patjetër i vdekur për shkak të mëkatit e Shpirti është jetë për shkak të drejtësisë. Nëse Shpirti i Atij që e ngjalli nga të vdekurit Jezusin banon në ju, atëherë Ai që ngjalli Krishtin prej të vdekurve, do t’i japë jetë edhe trupit tuaj të vdekshëm me anë të Shpirtit të vet që banon në ju.

Këndej, o vëllezër, ne kemi detyrim, por jo kundrejt mishit, që të jetojmë nën ndikimin e mishit: sepse, në qoftë se jetoni sipas ndikimit të mishit, do të vdisni, por, përkundrazi, po qe se i bëni të vdesin veprat e mishit nën ndikimin e Shpirtit, atëherë do të jetoni.  Sepse bijtë e Hyjit janë ata, të cilët i udhëheq Shpirti i Hyjit. Ju veç nuk e keni marrë shpirtin që bën robër në mënyrë që përsëri të trembeni, por keni marrë Shpirtin që ju bën bij të adoptimit, në saje të cilit ne thërrasim: Abba! O Atë! Vetë Shpirti Shenjt dëshmon bashkë me shpirtin tonë se jemi fëmijët e Hyjit. E nëse jemi fëmijë, atëherë jemi edhe trashëgimtarë, trashëgimtarë të Hyjit e bashkëtrashëgimtarë me Krishtin, sikurse në të vërtetë vuajmë bashkë me Të, që edhe të lavdërohemi bashkë me Të.

Fjala e Zotit.

 

NDJEKËSORJA

O Shpirt Shenjt, deh zbrit mbi ne,                                             Ku s’je ti, gjithçka dështon

e prej qiellit derdh mbi ne                                                          n’natyrë t’njerit gjë s’qëndron

rrezet tua plot me dritë.                                                             që t’jetë shenjte, si ti don.

 

Eja, o Atë,  për nevojtarë,                                                          Njollat hiq, dangat pastro,

eja, ti n’dhanti bujar,                                                                  n’shpritëra tanë hiret rigo,

eja, ti që mendjet shndrit.                                                          varrët e mëkatit na i shero.

 

Ti n’ngushtica ngush’llim bjen,                                                 Çka ësht’ t’brishtë, këndshëm lako,

ti ndër zemra si mik vjen,                                                          çka ësht’ t’ftohtë, me flakë rretho,

t’lodhunt n’jetë rishtas forcon.                                                  çka ësht’ t’shtrembët, ëmbël drejto.

 

N’mund e djersë ti je pushim,                                                   Jepna ne që n’ty besojmë,  

n’vapë e luftë ti je freskim,                                                        jepna ne që n’ty shresojmë,

lot ti terë,  zemrat ngushllon.                                                    shtatë dhantitë që aq dëshirojmë.

 

Dritë Hyjnore, plot shejtni,                                                        Mundin tonë ti na e shpërble,

shndritnai mendjet e n’dashuri                                                 n’mëkat me vdekë ti mos na le,

kalle flakë kënd n’ty shpreson.                                                 bën me ty n’amshim t’lumnojmë.

 

Aleluja!

Eja, o Shpirt Shenjt, mbushi zemrat e besimtarëve të tu, dhe ndeze në ta zjarrin e dashurisë sate.

Aleluja!

 

Ungjilli (Gjn 14, 15-16.23-26) 

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Nëse më doni, do t’i mbani urdhërimet e mia. Edhe unë do t’i lutem Atit dhe Ai do t’ju japë një Mbrojtës tjetër, që të jetë me ju përgjithmonë.  Nëse ndokush më do, ai do të ma mbajë fjalën, Ati im do ta duaj, tek ai do të vijmë dhe tek ai do të banojmë. Kush nuk më do, nuk i mban fjalët e mia. E fjala që po dëgjoni, nuk është imja, por është e Atij, që më dërgoi, e Atit. Këto fjalë jua thashë ndërsa banova me ju. E Shpirti Shenjt, Mbrojtës, të cilin do t’jua dërgojë Ati në Emër tim, Ai do t’jua mësojë të gjitha dhe do t’ju përkujtojë gjithçka unë ju thashë.”

Fjala e Zotit.

 

Porosia

Rrëshajët, për ne të krishterët, janë ditëlindja e Kishës; me ardhjen e Shpirtit Shenjt mbi apostujt. Dihet, apostujt ishin në frikë dhe pikëllim, për atë që i ndodhi Krishtit, ndaj edhe nuk e kishin të qartë se çka duhej bërë, dhe si do të duhej të veprojnë tutje.

Ne e dimë se si dy nxënësit u ndanë, dhe filluan rrugën e tyre- u nisën për Emaus, ndërsa Pjetri me shokë, për një çast, iu kthye zanatit të vjetër peshkimit.

Edhe në atë rast, edhe në tjetrin,  i dëftohet Jezusi, duke i inkurajuar dhe trimëruar që duhet vazhduar veprën e shëlbimit.

Për apostuj kjo nuk ishte lehtë, ishte një mister dhe nuk kishin ide.

Për këtë, pra, Shpirti i Zotit, në ditën e sotme, ju zbulon dhe i aftëson për të predikuar dhe për të përhapur atë mësim që morën nga Jezusi.

Me Shpirtin Shenjt, apostujt vepruan dhe dëshmuan krejt atë mësim që kishin marrë nga Jezusi.

Shpirti Shenjt, e shenjtëron Kishën, e pastron dhe udhëheq.

Gjatë këtyre 2000 viteve, pa Shpirtin Shenjt, Kisha nuk do mund të ekzistonte. Andaj, Kisha nuk është në duar të njerëzve, meshtarëve, por të vet Zotit, i cili, nëpërmes personave të kushtuar, e udhëheq.

Edhe ne si besimtar, jemi të shuguruarit e Hyjit, me pagëzim dhe nëpërmes jetës sakramentale, që të dëshmojmë-me jetë dhe vepra fenë tonë.

Lusim edhe ne Hyjin që të na dërgojë Shpirtin e vet, dhe shtatë dhuntitë që të jemi të aftë për ta dëgjuar, dëshmuar dhe kumtuar tutje Ungjillin në vepra, dhe jetë të mirë me Zotin.

 

Lutjet e besimtarëve

Vëllezër dhe motra, t’ ia drejtojmë lutjet tona Atit qiellor, duke e lutur që të na mbush me Shpirtin Shenjt, për të qenë bashkëpunëtorë në ripërtëritje të tokës:

O Atë, na përtëritë me Shpirtin shenjtë.

1. Për Kishën tënde katolike, dhuroja hirin e Shpirtit Shenjt, që t’ ua shpallë të gjithë popujve Lajmin e gëzueshëm, të lutemi:

2. Për Papën tonë Françeskun, ipeshkvin tonë Dodën, meshtarët, rregulltarët, rregulltaret, dhe të gjithë ata që janë në shërbim të Kishës, forcoji me fuqinë e Shpirtit Shenjt që me përgjegjësi dhe dashuri të punojnë- dhe të sjellin frytë për shëlbim të të gjithëve, të lutemi:

3. Për të gjithë të krishterët, ndihmoju që të zbulojnë rrënjët e fesë, dhe dhuroju Shpirtin e bashkimit që të mbizotëroj paqja dhe dashuria me të cilën na deshe, Ti, të lutemi:

4. Për qeveritarë dhe ata që kanë ndikim në botë, të nxitur nga Shpirti Shenjt, le të punojnë dhe veprojnë për të mirën e të gjithëve, të lutemi:

5. Për të gjithë ata që jetojnë nën ndikimin e mëkatit dhe të keqes, liroj nga robëria dhe frika, shndriti me Shpirtin tënd të Shenjt dhe sjelli në të vërtetën tënde, të lutemi:

6. Për këtë bashkësi këtu të pranishme që ta ndihmosh dhe përkrahesh të jetojë në vlera shpirtërore, e nxitur prej Shpirtit Shenjt, të jetë dëshmitare e dashurisë sate, të lutemi:

7. Për të gjithë të dashurit tanë që kaluan nga kjo botë, bëhu gjykatës i mëshirshëm dhe pranoj  në jetën e pasosur, të lutemi:

O Hyj, Atë i gjithëpushtetshëm, pranoj lutjet e bashkësisë sate, të cilat t’ i drejtuam dhe sipas hireve tua, na jep dhuratat e Shpirti tënd që me besnikëri të jetojmë dhe veprojmë sikurse na mëson Ti; që jeton e mbretëron me Birin tënd dhe Shpirtin Shenjt, Zot në shekujve të shekujve. Amen.

 

Përgatiti: Don Marjan Demaj


Shpërndaje

Comments are closed.

« »