OSCAR ROMERO: MARTIR I LIRISË DHE DEMOKRACISË

May 23 • Kisha në botë

Shkruan: Don Lush Gjergji 

“Të lumët ju kur t’ju shajnë e t’ju salvojnë dhe kur, për shkakun tim, t’i thonë të gjitha të zezat kundër jush, por në rrenë! Gëzohuni e galdoni, sepse i madh do të jetë shpërblimi juaj në qiell! Jo po, kështu i salvuan edhe profetët para jush!”

                                                                                                                                                                                    (Mt 5, 11-12) 

“Nuk është e përndjekur Kisha, por populli. Meqë është Kisha në anën e popullit, edhe populli në anën e Kishës, ajo është pjesë e përndjekur me popull… Unë e di se lufta e popullit tonë është puna e së vërtetës dhe drejtësisë, edhe pse më urrejnë shumë në vendin tim për shkak se i mbroj të varfëritë dhe nëpërkëmburit… Pozita ime baritore më detyron të jem solidar me të gjithë ata që vuajnë, të mbështes çdo përpjekje drejt lirisë dhe dinjitetit njerëzor… Asgjë nuk është më e rëndësishme se sa jeta njerëzor… Pashkët janë thirrje e fitores. Askush nuk do të mund të shuajë atë jetë të cilën e ringjalli Krishti, dhe se askurrë nuk do të mund të ngadhënjejnë vdekja dhe urrejtja: Krishti është ngadhënjimtar!”

                                                                                                                                                                                          Oscar Romero

            Oscar Arnulfo Romero u lind më 15 gusht 1917 në Ciudad Barrios, vend i vogël në Salvador, afër kufirit me Hondurasin. Familja e tij ishte e varfër dhe jetonte nga puna modeste e të atit; pranë shtëpisë së tyre të vogël kishin pakë tokë dhe bagëti. Me siguri se edhe Oscar do të vazhdonte traditën familjare, mirëpo ishte me shëndet të lig, i paralizuar qysh kur kishte vetëm shtatë muaj. I ati ishte telegrafist, kurse e ëma amvise. Osckari i vogël gati se në gjithçka trashëgoi të atin e vet në punë, mësoi të shkrim-leximin, të luante me flaut, ishte i mahnitur pas teknologjisë telefonike.

         Nuk dihet pse dhe si hyri në seminar. Disa thonë se për këtë vendosën bashkëvendësit e tij, për të pasur mundësi ai të bëhet meshtar i tyre vendor. Të tjerët thonë se pranë dëshirës së prindërve dhe vendasve, edhe ai vet dëshironte të bëhej meshtar, gjithsesi i shtyrë edhe nga rrethanat e jetës dhe sëmundja… Një gjë është e sigurt: Zoti është shërbye me këto apo rrethana të ngjashme dhe e solli që t’i shërbejë. Shpenzimet e seminarit ishin të mëdha, kurse i ati nuk ishte në gjendje këto t’i paguajë. Për këtë Oscar ishte i detyruar të braktisë seminarin pas një kohe të caktuar, e të punoj si minator, me këtë t’i ndihmojë familjes, por edhe vetvetes. Puna e minatorit ishte shumë e rëndë dhe mjaft e rrezikshme. I riu Oscar, mendonte gjithnjë dhe e ëndërronte seminarin, mësimin, lutjen, meditimin dhe pikërisht shkaku i kësaj ishte mjaft i lënduar, pak edhe i dëshpëruar në jetë. Koha kalonte dalngadal dhe në monotoni…

         Edhe kjo gjendje fatbardhësisht përfundoi mirë. Rektori i seminarit San Migueli kishte mirëkuptim dhe mëshirë ndaj familjes Romero, kështu që lejoi kthimin e Oscarit në seminar edhe atë pa pagesë. I riu ishte i lumtur me këtë shenjë të mirësisë, dashurisë dhe bamirësisë. Që të kthente disi këtë dashamirësi, ishte i angazhuar thellësisht në jetën e përshpirtërisë, në lutje, në mësim dhe ndryshim të sjelljes, në gjithçka. Ishte i gjithanshëm: luante në piano, shkruante poezi, lexonte, mësonte, organizonte jetën kulturore, ishte shumë i gjallë dhe i lumtur. Më në fund gjeti veten dhe thirrjen e tij të vërtetë!

         Pikërisht kjo gjallëri intelektuale, sjellja e mirë shpirtërore dhe materiale në seminar, ishin “vizë” për studime në Romë. Banoi në institutin Latino-amerikan të cilin e drejtonin etërit jezuitë, kurse studionte në Gregorian. Roma do t’ia hapë edhe më tepër mendjen dhe zemrën dhe do t’i ofrojë përvojën e jetesës së përditshme të katolicizmit. Studenti i ri i teologjisë Oscar ishte tejet i lumtur, i dhënë pas studimeve dhe jetës shpirtërore, me plot  përgjegjësi, thuajse gati edhe më tepër se moshatarët e tij. Në veçanti ishte i mahnitur me studimin e historisë së Kishës së San Salvadorit dhe i dashuruar në një mënyrë në thirrjen meshtarake.

         “UNË JAM MESHTAR PËR VUAJTJE DHE

           PARAQITJE”

         Lufta e Dytë Botërore nuk e kurseu as Romën. Gjatë Luftës më 4 gusht 1942 Oscar Romero realizon ëndrrën jetësore, bëhet meshtar i Kishës së Krishtit. Ja si e mendoi meshtarinë i riu, Don Oscar Romero: “Të jesh meshtar do të thotë para të gjithave të ndash kryqin e Krishtit dhe vuajtjen me popullin e Zotit… Vuajtja është sikur hija e duarve të Zotit e cila bekon dhe falë. Për këtë dhembja bashkon, i bënë njerëzit mes veti solidarë dhe i afron te Zoti… Unë jam meshtar për vuajtje dhe paraqitjen e jetës sime Zotit, Kishës, popullit, të gjithëve, edhe atë me dashuri…”

         Me plotë zell apostolike, me njohurive dhe përgatitje të mirë filozofiko-teologjike, por edhe më tepër i pasuruar shpirtërisht, Don Oscar Romero kthehet në atdheun e vet. Gjendja në Salvador ishte shumë e ndërlikuar dhe tendosur me regjimin diktatorial të Fulgencie Batisste-s. Në vend të mirëseardhjes,  Don Romero dhe një mik i tij po ashtu meshtar me të cilin udhëtoi, qenë të burgosur si kinse spiunë, dhe vetëm pas shumë mundimeve, nënçmimeve dhe ndërmjetësive qenë liruar. Ndeshja e parë me realitetin e atdheut ishte shumë e mundimshme dhe e rëndë. Kryqi nuk do t’i mungojë asnjëherë.

         Don Romero u emërua shpirtëror ndihmës dhe sekretar personal i ipeshkvit, derisa miku i tij u emërua vikar gjeneral i ipeshkvisë. Me jetën dhe fjalët e tij publike, zemrën e tij të madhe dhe bujare, shumë shpejt fiton besimin e ipeshkvit, të klerit, të popullit, në një mënyrë bëhet apostull i të përvuajturve, të varfërve, mik dhe vëlla i të vuajturve.

         Gjatë Koncilit të Dytë  të Vatikanit, Don Oscar Romero është emëruar monsinjor dhe sekretar i Konferencës Ipeshkvore të Salvadorit. Kjo emërim e detyroi ta braktiste San Miguelin, ipeshkvin e tij, punën pastorale, në veçanti me rini dhe me familje. Më nuk ishte i ri, kishte 50 vjet, me plotë përvoja, por shëndet jo të mirë, megjithatë duke mos u kursyer asnjëherë. Në rrethin dhe detyrën e re erdhi në shprehje saktësia e tij në punë, këmbëngulësia në ndërmarrje katekistiko-pastorale, idetë e thella në mësimdhënie, përzemërsia dhe sinqeriteti i komunikimit me të gjithë.

         Pas tre vjet pune (1970) është emëruar edhe Sekretar Gjeneral i Konferencës Ipeshkvore të Amerikës së Mesme, një obligim dhe detyrë e rëndësishme dhe e lartë. Mirëpo, ai edhe me këtë emërim nuk e “humbë kokën”, porse edhe më tutje mbeti krejt i thjeshtë, përvuajtur, i bindur se është i ftuar të shërbente në dashuri dhe nga dashuria në kërkim të së mirës së përgjithshme.

         LUFTËRAT SHOQËRORE 

         Kush është në të vërtetë Oscar Arnulfo Romero? Çfarë në të vërtet do të thoshte për te të jesh ipeshkëv dhe bari i Kishës Katolike në Salvador, pas Koncilit  të Dytë të  Vatikanit, atje ku mbretëronte varfëria, padrejtësia, diskriminimi, diktatura, vrasjet dhe shfrytëzimi i popullatës. Përse dhe kush e vrau në altar? Çfarë na mbetet sot nga jeta, mësimi dhe martirizimi i tij? Pse fliste, besoi dhe mësoi: “Vuajtja e skamnorëve është vuajtja e vet Krishtit”? Përse ishte në anën e të vegjëlve, të shtypurve,  të shkelurve, edhe pse e dinte se kjo është shumë e rrezikshme?

         Përzgjedhja dhe përcaktimi i tij ishin të pashmangshme, çështje ndërgjegjeje, edhe më tepër pyetje e fesë, bindjes, jetës, dëshmisë së krishterë. Ky përcaktimi i guximshëm do e sjell deri te martirizimi, do e bëjë bashkëpjesëmarrës të vdekjes dhe ngjalljes së Jezu Krishtit.

         Selia e Shenjt njeh në mons. Oscar Romero-n njeriun e vlefshëm të Kishës dhe për këtë e emëron ipeshkëv ndihmës të San Salvadorit. Rrethanat shoqëroro-politike janë tepër të komplikuara dhe rrezikshme, ato kishtare të pasigurta, të ndara në dy rryma apo drejtime: njëra pro-shtetërore, tjetra popullore, me këtë anti-shtetërore.

         Ipeshkvi i ri, është ende i pavendosur, mendon, mediton, lutet, do të dëshironte të këshillohej me të gjithë, të njohë sa më mirë realitetin, për të pasur mundësi që më mirë dhe lehtë të përcaktohet për qëndrim të drejtë dhe ungjillor. Disa shohin rrezik vetëm nga e majta, nga komunizmi, kurse të tjerët vetëm nga e djathta – diktatura e pasanikëve, të cilët e konsideronin veten të krishterë, mirëpo, fatkeqësisht nuk ishin të tillë edhe me jetë.

         Në vitin 1974 Mons. Romero është emëruar ipeshkëv rezidencial në Santiago de Maria, qytet dhe ipeshkvi në periferi. Menjëherë filloi me vizita baritore, që për së afërmi dhe për së drejti të njihet me nevojat e popullit, me botën e varfër, me mungesën e lirisë dhe dinjitetit njerëzor, drejtësisë, shkollimit, kulturës, me të gjitha. Shpeshherë thoshte: “Kjo qeveri nuk ka asgjë  të mirë, përpos vuajtjes dhe durimit, besimit për një të ardhme më të mirë.”

         Kleri në pjesën më të madhe është me popullin dhe për këtë përjeton përndjekje të rënda diktatoriale. Përndjekjet dhe vrasjet janë gjithnjë e më të shpeshta. Pesë besimtarë janë të prerë nga grupet ushtarako-policore kombëtare në njërën nga famullitë e tij. Mons. Romero proteston ashpër kundër kësaj vepre të tmerrshme, kërkon drejtësi për të gjithë; ai nuk u ndal me kaq, por bëri edhe një hap më tutje, sulmoi dhe fajësoi regjimin totalitar i cili ngufatë lirinë e popullit. Edhe më shpesh vizitonte famullitë e tija, kremtonte me popull eukaristinë, predikonte fjalën e Hyjit, kërkonte dhe lutej vazhdimisht për liri, trimëronte popullin…

         ARQIPESHKËV I MADH PËR SAN SALVADORIN 

         Në vitin 1977 Vatikani e emëron arqipeshkëv të kryeqytetit San Salvador, në befasi të të gjithëve, e në veçanti të pushtetit. Përgjegjësia ishte e madhe, shkaku i gjendjes politike e cila u krijua me vite të tëra. Dora e fortë dhe e rëndë diktaturiale nuk e kursente më askënd, po as njerëzit kishtarë e institucionet. Arqipeshkvi tashmë ishte në anën e popullit, me ta ndanë fatin.

         Policia së shpejti reagoi dhe  e  “demaskoi vetveten” me vrasjen e atë Rutili Grande, mikun dhe bashkëpunëtorin shumëvjeçar të mons. Romero-s. Atë Rutili ishte njëri ndër meshtarët më aktiv dhe i dhënë në pastoralin e të rinjve dhe në mbrojtje të lirive të të varfërve. Ishte përcaktuar për parimet ungjillore: të jesh me Krishtin dhe popullin e Zotit deri në vdekje!

         Mons. Romero, ishte i goditur thellë, i pikëlluar, i shqetësuar, ndjehej i provokuar të ndërmerrte diçka. Menjëherë protestoi kundër kësaj vepre të keqe dhe kriminale, kërkoi vendosmërisht zbardhjen deri në fund të këtij rasti, i përjashtoi nga Kisha Katolike vrastarët, caktoi tri ditë pikëllimi  dhe urate për argijpeshkvinë e tij, udhëhoqi  personalisht ceremonitë e varrimit, vendosi për ndërprerje të të gjitha marrëdhënieve me pushtetin deri sa mos të zbulohet dhe dënohet vrastari dhe vrastarët!

         Mirëpo, edhe qeveria zyrtare kishte marrë qëndrim të fortë, edhe më tepër përndjekje Kishën, kërcënonte dhe paralajmëronte hakmarrje të reja…

         Mons. Oscar Romero udhëton për në Romë dhe paraqet në hollësi gjendjen e rëndë të Kishës në San Salvador. Papa Pali VI e inkurajoi që të vazhdojë rrugën e nisur në mbrojtje të lirisë, derisa institucionet tjera vatikanase ishin pakë më të rezervuara, të shqetësuara për jetën e arqipeshkvit, si dhe për shkak të qëndrimit të ngarkuar dhe të “egër” mes Kishës dhe shteti, kështu që e këshillonin për kujdes më të madh dhe maturi.

         Pas një kohe të shkurtër vritet edhe një meshtar dioqezian, Don Alfonso Navaro, në moshë 35 vjeçare, mik dhe mbrojtës i të varfërve. Vdiq si martir i madh i krishterimit, duke iu falur dhe lutur për vrastarët e tij.

         Në homilinë e varrimit Mons. Romero ndër të tjera tha: “Ne këtu jemi Kishë e gjallë e cila sjell shpëtimin e njeriut jo vetëm pas vdekjes, por edhe këtu në këtë tokë… Duhet të luftojmë për një shoqëri më humane, kundër dhunës, kundër të këqijave…”

         Në angazhimet baritore ai ishte gjithnjë e më i guximshëm, ungjillor, i themeluar në të vërtetën dhe dashurinë, në shërbim. Ja dëshmia e tij mbi Kishën: “Kisha nuk është e lidhur për ndonjë parti apo organizata tjera politike… Pikërisht për atë se është e  interesuar për të mira e përgjithshme e njeriut, publikon vlerësimin e gjendjes së vendit, dhe për këtë kërkon mbrojtjen e të drejtave të njeriut… Kisha është renditur në anën e atyre që vuajnë, sepse dëshiron t’ju shërbejë të gjithëve, kështu që nga historia e tyre të arrijnë te historia e shëlbimi… Kjo nuk është marrja me politikë, por ndërtimi i Kishës, përmbushja e detyrave kishtare me fuqinë e identitetit saj… Kisha lufton kundër mëkatit dhe kjo shoqëri duhet dëgjuar mësimin e saj dhe të kthehet për të pasur mundësi të jetë e atillë çfarë kërkon Hyji. Kisha  në Salvador është e përkushtuar në mbrojtje të varfërve dhe krenohet me atë që ‘përziu’ gjakun e meshtarëve, katehistëve dhe bashkësive të saj me gjakun e popullit të masakruar, dhe krenohet që ishte gjithmonë e përndjekur: dhe pikërisht për këtë ajo pengon dhe atë e diskreditojnë, nuk dëgjohet zëri i saj i cili qorton kundër padrejtësive…”

         ME POPULLIN DREJT LIRISË 

        Mons. Oscar Romero gjithë e më shumë bashkohet dhe identifikohet me popullin, apo siç kishte dëshirë të thoshte, “me njerëzit e mi”, që t’i udhëhiqte drejt lirisë së vërtetë. E keqja, pushteti, pasuria, dhuna ishin shumë mirë të organizuara dhe të institucionalizuara sikur pushtet apo shtet, një grusht njerëzish që doemos dëshironin për çdo çmim të zotërojnë mbi të gjithë. Ai së bashku me Mons. Rivera Damas-in botërisht e kundërshton pushtetin dhe mundohet të shpëtonte atë që ende mund të shpëtohet. Në vitin 1978 në gjashtë pikë prezanton politikën e cila do të ishte më tepër në shërbim të qytetarëve: pluralizmi politik, pjesëmarrja e qytetarëve në zgjedhjet e përgjithshme dhe të lira, nderimi i të gjitha të drejtave dhe lirive të njeriut, ndërprerja e urrejtjes dhe persekutimin nga ana e diktaturës, amnistinë për të gjithë të burgosurit politik.

         Në ndërkohë, pas vdekjes së befasishme të papës Gjon Palit I ishte zgjedhur papa i ri Gjon Pali II, kardinal nga Polonia komuniste.

         Mons. Romero pak ishte i shqetësuar, por prapë pati besim në zgjidhjen e Shpirtit Shenjt. Salvadori, dhe gati se e gjithë Amerika Jugore, atëherë jetonin në kushte mjaft specifike, në frikë nga diktaturat e majta, kumunizmi, derisa në të vërtetë ishin nën diktaturat e rrepta të djathtistëve, të cilat me fjalë paraqiteshin si të krishtera, por me jetë dhe qëndrime ishin  tërësisht tjetër. Papa Sllav  i njehte shumë mirë dhe  personalisht rreziqet nga komunizmi dhe ateizmi shtetëror, mirëpo do duhej të  kishte njohuri edhe  për varfërinë dhe shfrytëzimin e popullit nga ana e djathtistëve. Pas disa ditëve Mons. Romero i shkroi një letër të gjatë dhe konfidenciale Papës Gjon Palit II mbi gjendjen e Kishës dhe popullit në Salvador.

         Papa Gjon Pali II i jep mbështetje të plotë pranisë së Kishës në Amerikën Latine. Në Pueblo më 27 janar 1979 kryeson Konferencën Gjenerale Ipeshkvore të Amerikës Latine, si vazhdimësi e Medellinë-s, por edhe si risi dhe angazhim i Kishës rreth pyetjeve shoqërore.

         Martirizimi i Kishës dhe popullit në Salvador vazhdonte. Mons. Romero në paraqitjen publike para Papës dhe ipeshkvijve të Amerikës Latine, para gjithë botës, ashpër dënoi diktaturën ushtarake dhe veprat e këqijat të saja.

         Në një rast tha: “Kush e di pse, mirëpo fatkeqësisht është ashtu: fati im është të mbledh ‘frytet’ e dhunës, trupat e vdekur. Fat i tmershëm, të bartësh në supe barrën e tërë popullit, për çdo ditë të shikosh-jetosh-dëgjosh vetëm rrëfime mbi dhunën, vrasjet,  vetëm të ngushëllosh,  në pamundësi që të ndërrosh e përmirësosh asgjë!”

Ja dëshmia e çmuar e Mons. Romeros: “Krishterimi është Person i cili më do aq shumë dhe kërkon edhe dashurinë time. Krishterimi është Krishti… Dashuria është përmbledhja e të gjitha ligjeve. Dashuria plotëson të gjitha detyrimet e njeriut…unë e di që ka shumë njerëz që në momentin e tundimit janë frikacakë dhe ikin. Edhe unë frikohem, por jo prej vdekjes, persekutimit, por kam frikë mos ta tradhtojë fenë time, dërgimin tim, Kishën time, popullin tim, mos të dështoj fundi i fundit Zotin dhe dashurinë e tij të madhe… Çdo meshtar që është vrarë, i cili ka vdekur me vdekje martire, gjithmonë është i pranishëm në mendjen, në zemrën time, e në veçanti gjatë kremtimit të Eukaristisë. Ata  janë inkurajim, sepse ditën të vdesin pa patur frikë… Ajo e cila nuk kalon askurrë, është dashuria… Në fund të jetës sate do të gjykohesh në saje të dashurisë…”

         “TË GJITHA I LËSHOJ NË DUAR TË ZOTIT” 

         Arqipeshkvi Oscar Romero gjithë e më shumë ishte i vetmuar dhe braktisur nga të tjerët, mirëpo ka qenë në “shoqëri të mirë” me Jezusin i cili vuan dhe vdes në kryq. Në këto kushte udhëton për në Romë, në Louvain, pastaj  në Bruksel, në Paris…Dëshironte të fliste edhe njëherë, t’ju dëshmonte të gjithëve vuajtjen e Krishtit në popullin e tij. Gjithkund ishte i pranuar me nderime dhe popullaritet. Kjo vetëm  sa ia shtonte dhembjen e tij që “gati askush nuk po bënë asgjë për 5 milionë salvadorianë, që të kenë mundësi disi të dalin nga ky ferr i padrejtësisë…”.

         Në një predikim  disa ditë para vdekjes ai ndër të tjera tha: “I krishteri gjithmonë duhet të besojë, e të besosh në të vërtetë do të thotë të shpresosh. Ne kemi bërë disa përpjekje që të përmirësohet shoqëria, që të largohen padrejtësisë… Me siguri se Zoti do të shpërblen çdo përpjekje në këtë drejtimi. Ka ende shumë punë. Të gjitha i lëshoj në duar të Zotit!”

         Në prag të festës së Lajmërimit, më  24 mars 1980 arqipeshkvi Oscar Romero u përgatiste për kremtimin eukaristike në kapelën e spitalit. Ishte lutja e Mbrëmsorjes dhe mesha private, ku vijnë aty këtu ndonjë besimtar nga populli. Arqipeshkvi mbajti një predikim të shkurtër, ku ndër të tjera tha edhe këtë: “Askush nuk është përjetësisht i fuqishëm… Sipas besimit katolik e dimë se këtë moment buka do të shndërrohet në Trupin e Zotit tonë, i cili paraqitet për shëlbimin e botës, dhe vera në këtë kelk në Gjakune Tij, i cili qe çmim i shpëtimit tonë…”

           Me flijen e Krishtit ka bashkuar edhe ai jetën dhe vdekjen e tij. Nga dora armiqësore arriti plumbi i cili e goditi dhe rrëzoi për toke, të mbuluar në gjak, pranë altarit, gjatë meshës. Ishte ky akti i fundit i dashurisë për Martirin e Amshuar – Jezusin, për Kishën e tij, për popullin e Zotit, për shërbim në dashuri, për falje dhe drejtësi.

         U ndal së rrahuri zemra e tij, mbylli sytë, gojën, veshët, u ftoh dhe iu ngurtësuan duart, këmbët… Mirëpo, gjaku i derdhur, jeta e flijuar gjithnjë flasin dhe dëshmojnë edhe më fortë, paralajmërojnë , thërrasin, inkurajojnë dhe presin përgjigjen tonë…

         Mons. Romero thoshte kështu: “Unë nuk dëshiroj të jam as ‘për’ e as ‘kundër’: thjeshtë dëshiroj të jam ndërtues i kësaj të vërtete të madhe, të vërtetës se Zoti na do dhe dëshiron të na shpëtojë… Nuk mund të ketë dashuri aty ku sundo rrena. Mesit tonë i mungon e vërteta, e kur të thuhet e vërteta, njerëzit ofendohen… Zërat të cilët flasin të vërtetën, heshtin… Sa njerëz do të ishte më mirë të mos thoshin se janë të krishterë, sepse nuk kanë fe. Më tepër i besojnë parave të tyre pasurisë, se sa në Zotin i cili ka krijuar edhe paranë edhe pasurinë… Detyra e jonë primare, thelbësore, është të ndezim dritën e Ungjillit në bashkësinë tonë…”

Zoti “vonon”, por nuk harron… Pas viteve të tëra të hulumtimeve, dëshmive, dokumentimeve, së fundi Kisha Katolike në krye me Papën Françesku, nga Amerika Latine, si edhe i Lumi Oscar Romero, më 23 maj 2015, natën e Rrëshajëve, shpallet i Lum, për t’u lutur dhe nderuar në Kishë dhe në botë. Ai ishte dhe mbetet Martiri i lirisë dhe demokracisë, shembull i qartë flijimi dhe dhurimi, guximi, që i vinte nga feja – Jezu Krishti, dhe dashuri – frymëzimi, që e merrte nga prania e Shpirtit Shenjt.                                  

Shpërndaje

Comments are closed.

« »