FESTË E TREFISHTË NË KATEDRALEN “ZOJA NDIHMTARE” NË PRIZREN

May 25 • Kisha në Kosovë

 

Teksti: Motër Amanda Shkoza

Fotografitë: Besim Ndau

  

Prizren, 24 maj 2015: Katedralja e vjetër e Zojës Ndihmëtare në Prizren sot pati festë të trefishtë: Rrëshajët, Zoja Ndihmtare, pajtorja e famullisë dhe ndarja e sakramentit të krezmimit 27 të rinjve.

Në oborrin e Katedrales ishin bashkuar numër i madh i besimtarëve nga Dekanati i Prizrenit, për të marrë pjesë në këto të kremte; vëreheshin fytyrat e gëzuara të besimtarëve e, në veçanti, të rinjtë e të rejat të veshura me të bardha, kandidatët për krezmim, dalloheshin për emocionin e shenjtë që e bartnin në zemrat e tyre. Gëzimi i kremtes i mbushte edhe moshat tjera, e fëmijët më të dallueshmit që e përjetonin krejt në mënyrë engjëllore këtë takim të shenjtë eukaristik, të përcjellë me zërin e korit të bukur të famullisë.

Meshës solemne i priu, bariu i Kosovës, imzot Dodë Gjergji, në bashkëmeshim me vikarin ipeshkvor të rajonit të Prizrenit, Don Shan Zefin, që njëherësh udhëheqës i famullisë, dhe me meshtarët e dekanatit të Prizrenit.

Ipeshkvi në homili theksoj rolin e Shpirtit Shenjt në Kishë, pa të cilin ajo nuk mund të jetojë, sepse është Ai që i jep jetë kësaj Kishe, e udhëheqë dhe e drejton në misionin e saj për shpëtimin e njeriut. Ky Shpirt i Zotit bën që anëtarët e Kishës, të krishterët, të ndjejnë gëzimin e fesë, dashurinë për Zotin dhe për njëri-tjetërin: Ai që na bën bij e bija të Zotit. Prandaj, të krishterët nuk mund të jenë kurrë njerëz të dëshpëruar, përkundër të gjitha vështirësive që ndeshim në botë, theksoj Ipeshkvi, dhe vazhdoj duke ju drejtuar të rinjve, kandidatëve për krezmim, se ju do të merrni dhuratat e Shpirtit Shenjt që të mund të forcoheni në fe, të dëshmoni bukurinë e kësaj feje me jetët e juaja. E të gjithë besimtarët i porositi që të jenë shembull i këtyre të rinjve, përkrahësit e tyre në pjekurinë dhe rritjen e fesë të tyre. Duke e kujtuar Nënën Qiellore, Ndihmën e të krishterëve, ajo që paprà, si nënë e mirë, është përkrah të bijve të vet, ashtu si ishte në Cenaculum – në dhomën e pritjes, me apostujt ditën e Rrëshajve, theksoj që të mos e harrojnë lutjen drejtuar asaj, sepse ajo na ndihmon të jemi ndjekës të denjë të Birit të Saj të Ringjallur, në zbatimin e dhuratave të Shpirtit të Zotit në bashkësinë tonë, që është siguria më e madhe drejt qëllimit tonë përfundimtar – Shëlbimi.  

Katedralja e Prizrenit, që momentalisht po restaurohet për ta marrë shkëlqimin e vet origjinal, me oborrin e saj, ishte sot një arenë e shenjtë, e bukur e të kremtes së trefishtë, ku tradita e vjetër e këtyre besimtarëve vazhdon të jap edhe sot shpresë për një të ardhme gjithnjë më të pasur me vlera ungjillore, që nën udhëheqjen e Shpirti Shenjt dhe me ndërmjetësin e  Zojës Ndihmtare, bëhet jetë e prekshme dhe manifestim feje.

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 15 16 17

Shpërndaje

Comments are closed.

« »