TË RINJTË NË BOTËN E TË RRITURVE

May 25 • Bota e të rinjve

Shkruan: Mihály Szentmártoni*

Thuajse është e pamundshme që të rriturit të shkruajnë apo të flasin objektivisht për të rinjtë. Gjithmonë do të ekzistojë rreziku që s’do të flasim mbi të rinjtë, por mbi parafytyrimin tonë që e kemi për ta. Arsyen për këtë duhet kërkuar për faktin se të rinjtë me pranin e tyre nxisin tek të rriturit shqetësimin e kujtimeve dhe përvojave të shtypura, të harruara, për çka shumica e të rinjve ikën në sjellje mbrojtëse. Është e njohur se mbrojtja më e mirë është kundërsulmi; kritika, nënvleftësimi ose sulmi i drejtpërdrejtë.

Nga ajo që them, nuk na befason aspak pohimi se bota e të rriturve, me ndjenjat e tyre ndaj të rinjve – pra, edhe me qëndrimet dhe të bëmat e tyre – është jo e njëjtësuar. Është shumë interesante të shihet qëndrimi i të rriturve ndaj të rinjve: në fillim janë të mahnitur, e ndonëse shumë shpejt i kritikojnë; ndonjëherë kemi përshtypjen se jetojmë me një shoqëri, e cila është e dhënë pas të rinjve, aq sa gati edhe i admiron, por hetojmë më vonë, për habi, se e njëjta kjo shoqëri i kritikon ashpër të rinjtë, për më tepër, gati i mënjanon e i urren. E nëse duam të flasim sadopak objektivisht për të rinjtë, atëherë do të duhej para së gjithash t’i pastrojmë këto ndjenja të ndara karshi tyre. Nuk e them se secili prej nesh do të duhej të shkonte në psikoterapi, por do të ishte e mjaftueshme nëse vetëdijesohemi për këto ndjenja dhe mbajmë qëndrim kritik ndaj qëndrimeve dhe (para)gjykimeve tona. Këto ndjenja nuk janë përherë manifestim i një qëndrimi të vërtetë në ne, po shpeshherë prodhim i botës sonë të brendshme. Prandaj, në vijim, do të mundohemi t’i bëjmë të dukshme disa paragjykime dhe ndjenja të shpeshta mbi të rinjtë, të cilat shfaqen tek ne kur gjendemi në praninë e tyre.

Rinia e admiruar

Nuk duhet symprehtësi e madhe për të hetuar se qytetërimi ynë e ngritë rininë në piedestalin e idhullit. Kjo dukuri shfaqet në variante të ndryshme.[1]

E para, të rriturit do të bënin të pamundurat për të mbetur sa më gjatë të rinj. Çfarë do të thotë tjetër nëse jo admirim për rininë, një konstatim i lartë si vlerë më e madhe dhe frikësim ndaj moshës së pleqërisë. Industria kozmetike e ka hetuar shkëlqyeshëm këtë tendencë të fuqishme njerëzore për rininë e përhershme, kështu që ajo arrin të fitojë para me shuma përrallor duke premtuar rini të përjetshme me ndihmën e preparateve të llojllojshëm kozmetik, revilizatorëve, operacioneve plastike etj.

E dyta, prindërit i sakrifikojnë vitet më të bukura e më të frytshme për fëmijët e vet. Jo shumë kohë më parë fëmijët, përkatësisht të rinjtë prej 10 e deri 15 vjet, kanë fituar vetë bukën e gojës, kështu ata edhe në kuptimin material ishin anëtarë të dobishëm të familjes. Sot mosha e autonomisë është zgjatur aq shumë sa që disa prindër duhet të kujdesen për fëmijët e tyre deri në pension e më vonë. Megjithatë, përveç kësaj dukurie sociologjike, ekziston edhe ajo psikologjike: jetojmë në epokën kur fëmija është në qendër të kujdesit të gjithkujt. “Gjithçka për fëmijë” – është motoja. E kjo “fëmijëri” zgjat prej 20 deri 25 vjet! Ky mbisundim i fëmijës ka gjetur jehon edhe në Kishë: nganjëherë ndoshta e teprojmë në fjalimet e tona kur theksojmë dhe përsërisim se si familja dhe martesa e fitojnë kuptimin e vet nga fëmija. Natyrisht, kjo mund të kuptohet pozitivisht, porse ndonjëherë ka edhe raste patologjike kur prindërit braktisin kultivimin e personalitetit të tyre, sepse jetojnë vetëm në funksion, në shërbim të fëmijës. Mos justifikimi i kësaj “varësie” prej fëmijës tregohet kur një ditë fëmijët rriten dhe dalin nga shtëpia: prindërit e humbin identitetin dhe kuptimin e jetës së tyre. Për këtë arsye baraspeshimi i shëndoshë mes kujdesit për fëmijë dhe kujdesit për vetveten është i nevojshëm, që prindërit të edukojnë në rend të parë me personin e tyre e jo me atë çfarë flasin apo punojnë.

E treta, sot shumica e prindërve i konsiderojnë të rinjtë e sotëm “fëmijë të mirë”. Sipas hulumtimeve të institutit të Galupit, 95% të prindërve janë të kënaqur në relacion me adoleshentët. Përkundrazi, vetëm 4% ankohen se nuk dinë çfarë të bëjnë me fëmijët e tyre.

Së fundi, është fakt se të rinjtë e sotëm nuk janë më ashtu luftëtar siç ishtin viteve të gjashtëdhjeta, ndonëse nuk mungojnë as sot idealizmat. Të rinjtë e sotëm më tepër janë të interesuar për probleme sociale (paqja, barazia, drejtësia) se sa për ndryshime të strukturave shoqërore. Gjithnjë e më shumë e braktisin materializmin dhe kërkojnë shoqëri ku do të mund të realizoheshin vlerat, siç janë dashuria dhe humaniteti. Janë të karakterizuar më me shumë thjeshtësi dhe për kërkimin e kuptimit të jetës. Të themi shkurt: në vetëdijen e të rriturve përfytyrimi për të rinjtë është pozitiv. Por jo i plotë! Sepse në çdo të rritur ekziston edhe përfytyrimi negativ për të rinjtë.

Rinia e zhvleftësuar

Tek çdo i rritur ekzistojnë paragjykime të shumta dhe ndjenja negative për të rinjtë. Thënë me fjalë të buta, shumë të rritur do të thonin se si janë të dëshpëruar me rinin e sotshme. Në realitet ka këtu më tepër se një pohim. Është xhelozia, e ndonjëherë edhe urrejtja. Në përfytyrimin e përgjithshëm të rinjtë janë të pasqyruar si rebelë, imoralë, të ndyrë, të papërgjegjshëm, si ata që ju intereson vetëm kënaqësia, dëfrimet e vetme i kanë seksin, koncertet rok, tymosjen e duhanit dhe muzikën e zëshme. Në bazë të këtyre përfytyrimeve të rriturit sot i mbajnë të rinjtë si “fëmijë problematik” dhe ndjenjë dhimbje për ta si një “gjeneratë e pasuksesshme”. T’i përsiasim për së afërmi këto paragjykime.

Të rinjtë e sotshëm janë të llastuar (përkëdhelur) dhe të pavullnetshëm – ky është paragjykimi i parë. Kjo i ka rrënjët në faktin e thjeshtë se sot të rinjtë jetojnë më mirë se sa në periudhën kur të rriturit ishin të rinj. Asgjë më e logjikshme për ta vërtetuar këtë s’ka se kur të rinjtë sot jetojnë në komfor më të lartë, në kushte me të mira se sa gjenerata e kaluar. Tek të rriturit nxit xhelozi pse e gjithë kjo nuk ishte në kohën e rinisë së tyre. Porse nga ky fakt ende s’do të mund të kalonte argumenti se të rinjtë sot jetojnë të llastuar dhe të pavullnetshëm. E nëse ndodh të jenë të llastuar, atëherë, aq më tepër, ky është “mëkati” i prindërve, sepse askush nuk mund të llastohet prej vetvetes, por duhet dikush ta llaston. Me këtë nuk e mohojmë se ka rini të llastuar. Në anën tjerë, gjithashtu është e vërtetë se sot përqindja e madhe e të rinjve ju mungojnë kushtet për një rini të kthjellët, e ka shumë prej tyre prindërit e të cilëve nuk kanë kushedi sa sens për problemet e tyre specifike. Për këtë arsye “llastimi dhe mos vullneti” janë kategori stereotipa, të cilat nuk mund t’i aplikojmë për të gjithë të rinjtë e sotshëm.

Të rinjtë e sotshëm janë të papërgjegjshëm – po ashtu është njëra nga kategoritë stereotip me të cilën e përshkruajmë rinin e sotshme. Nuk mësojnë, nuk punojnë, nuk angazhohen, nuk dinë të vlerësojnë paratë etj. etj. Në vendet perëndimore pedagogët dhe psikologët këtë dukuri të mosangazhimit dhe pakujdesit të të rinjve për fitim e konsiderojnë refuzim të etikës protestante, e cila e absolutizon punën dhe mundin, ndonëse papunësinë dhe mosangazhimin e konsideron mëkat.[2] Kjo etikë e ka krijuar shoqërinë kapitaliste me pasurinë dhe mentalitetin konsumues. Jo rrallë takojmë të rinj që ankohen: prindërve të mi ju interesojnë vetëm paratë, ato për janë ta krejt jeta.” Për këtë arsye duket e qartë se prindërit, që kuptimin e jetës së tyre e shohin në krijimin e themeleve solide materiale, në veçanti nëse këtë e kanë racionalizuar duke punuar për “fëmijët e tyre”, janë të hidhëruar pse fëmijët e tyre nuk e vlerësojnë dhe e braktisin këtë etikë. Prandaj akuzimi i prindërve për ta është se janë dembelë, të papërgjegjshëm dhe nuk kanë dëshirë të punojnë. Është e vërtetë se të rinjtë sot nuk e mohojnë vlerën e punës. Sipas një statistike, 82 % e të rinjve e vlerësojnë pozitivisht punën. Shumë të rinj nuk punojnë, sepse nuk mund të gjejnë punë të përshtatshme, e shumë prej tyre nuk regjistrohen në fakultete, sepse kanë frikë nga ato momente të rënda kur do të duhej të fillojnë të kërkojnë punë. Është e qartë se studentët me motive të këtilla vështirë se kryejnë studimet e filluara në afat të caktuar, e disa prej tyre nuk i kryejnë fare.

Të rinjtë e sotëm janë hedonistë – kërkojnë vetëm dëfrim. Ja si e përshkruan një baba të birin e vet: “Vetëm dëfrimi i intereson: vajza, kërcim, disko. Nuk di a do të ketë në të ardhmen diçka prej tij?” Ndoshta prej kësaj ka diçka të vërtetë. Porse nuk guxojmë të harrojmë se të rriturit përherë i kanë akuzuar të rinjtë, çdo gjeneratë të të rinjve, për hedonizëm, e kjo është arsyeja kryesore për të menduar se, a mos është edhe kjo për shkak të paragjykimeve. Fjalën “pamoralitet”, e përdorin të rriturit duke menduar në moralin seksual, konkretisht në lirinë më të madhe në këtë lami. Një djalosh ankohej kështu: “Kur shpreh interesim për një vajzë, prindërit e mi menjëherë frikësohen se ajo do të mbetet shtatzënë”. E përditshmja katolike franceze La Croix  para disa vitesh ka bërë një anketë me të rinjtë. Njëra prej pyetjeve ishte edhe kjo: “A mund të vijë deri te dashuria në moshën 15 vjeçare, d.m.th. a mund të mendohet miqësia mes djaloshit dhe vajzës?” Gjashtëmbëdhjetë vjeçarja  Jasmin ishte përgjigjur në atë mënyrë që do të mund ta merrnim si përgjigje e ngjashme e shumë të rinjve: “Prindërit e mi mendojnë se nëse një djalë e një vajzë shkojnë diku bashkë, përherë do të përfundojë me katastrofë. E di se me 14 – 15 vjet nuk mund të jemi çift, por mund të dashurohemi, apo jo? Prindërit e mi nuk më kuptojnë, dhe mua më nevojitet dikush kush më kupton dhe më përkrah.” A janë dhe sa janë të rinjtë sot “më të lirë” në moralin seksual se sa prindërit e tyre, është vështirë të dallojmë pa të dhëna pozitive. I kemi të dhënat për sa i përket qëndrimit të të rinjve për martesën. Dy të tretat e të rinjve marrëdhëniet paramartesore i konsiderojnë të pamoralshme, kurse 90% prej tyre mendojnë se dashuria dhe përgjegjësia ndaj të tjerëve janë vlera shumë të larta (anketa Yankelovich, sipas vep. së RICE-it).

Të rinjtë janë rebelues – është paragjykimi i radhës. Nuk i dëgjojnë prindërit dhe më të vjetrit, nuk i pranojnë vlerat e afruara, nuk donë të njëjtësohen me botën që të tjerët e kanë krijuar. S’ka dyshim se tek të rinjtë ka rebelim, porse sot ata nuk janë as për së afërmi të pamëshirshëm siç ishin viteve të gjashtëdhjeta. Aq më pak protestojnë në forma të organizuara. Pse ata i kritikojnë vlerat që ua kanë dhuruar prindërit dhe përgjithësisht të rriturit, ende nuk mund të thuhet se kjo përbën një rebelim a një protestë, por është ndër ato lëvizje që tentojnë ndryshim dhe prosperitet shoqëror.

Ndjenjat shqetësuese të të rriturve

Po të duhej të përgjigjemi në shpejtësi, pa menduar fare gjatë, në pyetje se çfarë ndjenja krijohen në takimin tonë me të rinjtë, sigurisht se përgjigja do të shoqërohej me mëdyshje. E ndoshta do të thonim: zhgënjim. Por nëse e analizojmë më thellë atë ndjenë, atëherë do të shohim se kemi të bëjmë me një ndjejë të ndërligjshme me shumë komponentë. Të rinjtë nxisin tek të rriturit një sërë ndjenjash: frikë, xhelozi, lakmi, zemërim etj.

Së pari, të rinjtë me praninë e tyre zgjojnë tek të rriturit, në veçanti tek prindërit, kujtime dhe përvoja, të cilat, më me qejf, do t’i fshinin nga kujtesa e tyre. Babai, që në rini ka qenë frikacak dhe i ligsht, djali i tij flokëgjatë, vetëbindës dhe trim deri në pakujdesi, ia përkujton pikërisht atë dobësinë e tij dhe për atë ndjen turp. Nëna, e cila kishte mbetur shtatzënë para martese, e kujton rinin e saj kur e sheh të bijën në kontaktet e para hetero-seksuale dhe jo rrallë reagon ashpër. Apo, nëse dikush në rini e ka menduar vetën si gjenì, këtë do të tentojë ta kompensojë tek fëmijët: babai i pasuksesshëm do të donte ta bënte djalin e vet njeri të madh, e të njëjtën gjë edhe nëna me të bijën. Shkurtimisht: kur të rinjtë me sjelljet ose qëndrimet e veta i kujtojnë prindërit e tyre për dështimet, ligshtit dhe mossukseset e tyre, tek ta lind ankthi dhe ndjeja e turpit, prej së cilës mundohen të mbrohen në çdo mënyrë, për shkak se ato ndjeja janë të pakëndshme dhe e shuajnë vetëdijen personale. Është e njohur dukuria se të rinjtë “e llastuar” bëhen prindër shumë të rreptë dhe moralistë.

Së dyti, të rinjtë ndjellin rrezikshmëri për ndjenjën e sigurisë për personat e rritur: ndjehen të rrezikuar pikërisht në rolin e personit të rritur/moshuar. Asnjë i rritur nuk do të pajtohet lehtë që një “kuqalosh” të tregohet më i bukur, më i suksesshëm, më i mençur se sa ai “i pjekur”. Punëtoret e moshuar nuk i kanë në qejf punëtorët e ri dhe do të mundohen gjithqysh të tregohen se edhe ata mund të bëjnë aq sa edhe të rinjtë e sotëm, nëse jo edhe më tepër. E mes sekretareve dhe shërbëtoreve të vjetra e të rejave ndodh të zhvillohet luftë e vërtetë. Të rriturit nuk kanë dëshirë që të rinjtë të konkurrojnë me ta. Kjo ju përkujton rinin e tyre dhe ndjehen të pasigurt. Për ta ruajtur e mbrojtur figurën për vete, nderin, ikin në veprime vetëmbrojtjeje, e para së gjithash në sulm.

E treta, xhelozia dhe lakmia janë arsye të mjaftueshëm për armiqësi. Megjithatë, pa marrë parasysh se sa një i rritur është i suksesshëm dhe i aftë, një përparësi të rinisë nuk do të mund ta rifitojë: pikërisht rininë. Frika prej pleqërisë aq shumë i ngushton sot njerëzit, që thjeshtë të rriturit ua kanë lakmi të rinjve. Kjo më së tepërmi, ndoshta, tregohet në modë. Është e njohur se modën e diktojnë të rinjtë. Nëse ndonjë modë e re, p.sh. stil i flokëve, veshjet etj. është tepër tërheqëse, atëherë reagimi i parë i të rriturve do të jetë kritika dhe refuzimi. Të rinjtë për këtë, normalisht, gëzohen dhe gjithnjë e më të qëndrueshëm e shtyjnë stilin e modës së vet, për të treguar në këtë mënyrë pavarësinë e tyre. Porse edhe të rriturit e marrin modën e re, i imitojnë të rinjtë duke menduar se ashtu do të bëhen edhe vetë të rinj, apo të duken të rinj. T’i kujtojmë vetëm mini-fundet, framerkat, frizura-punk; së pari i pranojnë “teenegerët/adoleshentët”, më vonë kufiri i moshës ngadalë rritet, deri sa nuk i pranojnë edhe personat mbi të tridhjetat. E çfarë ndodh atëherë? Kur të rinjtë shohin se të rriturit i imitojnë, ata e braktisin atë, që me një modë tjetër të re të çmendur të shkaktojnë dëshpërim tek të rriturit, të cilët donë të bëhen të ri me zor. Një gjë nuk guxojmë të harrojmë asnjëherë, nëse s’duam të dalim qesharak: çfarëdo do të bëjë një i rritur në sferën e modës, sado që në sjelljen e jashtme mundohet të përshtatet të rinjve, ata kurrë nuk do ta pranojnë si njërin prej tyre.

E katërta, të rriturit kanë frikë se do të humbin kontrollin dhe pushtetin mbi të rinjtë, e bashkë me të edhe funksionin prindëror, për çka besojnë se u përket pikërisht për shkak të moshës. Aq sa të rinjtë janë më sfidues e më të pavarur, të rriturit, veçanërisht prindërit dhe edukuesit, janë më të pasigurt në funksionin e tyre. Prindërit e këtillë të pasigurt ose do ta braktisin funksionin e tyre prej edukatori ose do të bëjnë edhe një tentativë, të fundit, dëshpëruese, që me ashpërsi drastike ta shpëtojnë autoritetin e vet. Natyrisht se te dy këto tentativa janë të gabueshme. Të rinjtë së pari duhet kuptuar e mandej do të mund të edukohen.

Njëra nga pasojat e drejtpërdrejta të zemërimit të të rriturve ndaj të rinjve është largimi nga bota e tyre. Ky fakt ndoshta tingëllon jo i rëndomtë, sepse jemi mësuar me të kundërtën, d.m.th. se të rinjtë ikin nga të rriturit. E kemi përmendur anketën e të përditshmes La Croix. Një ndër pyetjet e saja u theksua edhe përgjegjësia. Të rinjtë duke u përgjigjur në këtë pyetje, kryesisht u ankuan se të rriturit nuk donë t’i kyçin në botën e “të mëdhenjve”. Katërmbëdhjetë vjeçarja Bruno thotë: “Prindërit e mi vijnë në shtëpi vonë në mbrëmje, nuk më njohin sa duhet, nuk i dinë aftësitë e mia. Edhe pse i kam vetëm 14 vjet do të duhej të filloj të bëj jetën. Pse prindërit e mi kanë frikë të më blejnë një motor të vogël, pse janë të shqetësuar kur e qes në shëtitje qenin e vogël, mos ndoshta kanë frikë se nuk di të kujdesem për të? Situata nuk është më e mirë as në shkollë. Pse mësuesit tanë nuk donë të besojnë se vetë mund të mbajmë disiplinën?” Trembëdhjetë vjeçarja Chantel shtonte: “Pse prindërit tanë nuk donë të na dëgjojnë? Kur dëshiroj të bisedoj me ta për ndonjë libër të mirë, përherë më refuzojnë duke thënë: i ke vetëm 13 vjet, ti këtë ende nuk mund ta kuptosh?” Pra, të rinjtë e kanë përshtypjen se të rriturit i largojnë prej botës së tyre. Për këtë arsye janë të detyruar të krijojnë një subkulturë, e cila krejt pak dallon nga bota e të rriturve. Nga kjo pozitë luftojnë kundër padrejtësive dhe në këtë mënyrë të imponojnë praninë e tyre. Janë të detyruar të mbrohen prej gjykimeve stereotipe të të rriturve. Ndoshta tingëllon si pyetje retorike, por sigurisht e ka bazën e vet: pse të rinjtë do të duhej të turpërohen, apo të kërkojnë madje edhe falje pse janë të rinj? Pikërisht kësi lloj porosish mbartin gjykime stereotip, me të cilat dita ditës ata i takojnë mes të rriturve: të jesh i ri, kjo është turp. Më tepër do të duhet të mrekullohemi për faktin se të rinjtë nuk ua kthejnë me të njëjtën shuplakë bezdisëse.

E pra, nëse duam të flasim e të shkruajmë objektivisht për të rinjtë, atëherë do të duhej të pastrojmë gjitha këto paragjykime dhe ndjenjat tona ndaj tyre. Njollosjet stereotipike nuk e krijojnë figurën e vërtetë mbi të rinjtë, por mbi vetën tonë. Do të duhej ta kuptojmë, e si të vërtetë themelore edhe ta pranojmë, se të rinjtë nuk janë as më të këqij as më të mirë se ne të rriturit – por thjeshtë të ndryshëm prej nesh. Mandej, duhet të dimë se secili i rritur që i karakterizon të rinjtë me përshkrimin e vet, fut aty vlerësimin e tij specifik mbi botën, sistemin e vlerave, vetveten. Kështu mund të ndodh që prindërit do e shpallin fëmijën e vet dembel, pse nuk e pranon ideologjinë materialiste të tyre, sipas të cilës puna dhe përfitimi i parave janë vlerat më të lartat. E ky vërtet është një idealist.

Në fund të kësaj përsiatjeje marr guxim të formuloj një parim: nuk mund të flasim për/mbi të rinjtë e mos ta zbulojmë vetveten. E kjo, nga njëra anë, na bënë me dije për kujdesin për sa i përket gjykimeve të pranueshme përgjithësisht, për sa i përket superioritetit dhe gjithëdijes sonë, e në anën tjetër, për përgjegjësinë e botës ku jetojnë dhe rriten të rinjtë. Për këtë botë jemi përgjegjës në rend të parë ne të rriturit. Prandaj, nuk është e drejtë të fajësohen të rinjtë për gjithçka.

 

*Është jezuit, psikolog dhe atë shpirtërore, me një përvojë të gjatë në fushën e konsultave psiko-shpirtërore. Aktualisht është profesor në Pontificia Univeristà Gregoriana në Romë.

Ky shkrim është pjesë e librit të tij të njohur për të rinjtë në gjuhën kroate: “Svijet mladih. Psihološke studije”, i botuar në Zagreb, në vitin 2007. Libri është në proces të përkthimit në gjuhën shqipe. Përkthyen nga kroatishtja: Atë Shtjefën Dodes & Don Fatmir Koliqi.

_______________________________

[1] Khs. P. F. RICE, The Adolescent: Development, Relationship and Culture, Boston, 1981, f. 4 e tjera.

[2] Khs. RICE, vep. e cit., f. 7 dhe ff në vazhdim.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »