NË FILLIM NUK ISHTE MËKATI

May 26 • Teologji

Shkruan: Don Gjergj META

Pas shenjës së kryqit, në fillim të meshës, personat e pranishëm në kishë ftohen menjëherë që të kërkojnë falje për mëkatet e tyre. Ndoshta kjo gjë e ngulitur thellë edhe nga një lloj edukimi i marrë në fëmijëri, i fokusuar pothuajse krejtësisht në frikën ndaj gabimit me ndëshkimin pasues, më ka bërë të mos vë re se akti fillestar i meshës në fakt është një përshëndetje: Zoti qoftë me ju! Madje edhe tani që jam meshtar kësaj shprehje i kushtoj aq pak rëndësi saqë më duket nganjëherë thjesht një kalim për të arritur te …po i rrëfehem.

Shprehja “Zoti qoftë me ju” në fakt nuk ka një folje në mënyrën dëshirore, por një est, një folje në kohën e tashme të mënyrës dëftore. Nuk është pra një urim, por një konstatim: Dominus vobiscum (est) – Zoti me ju (është).

Fillimi i marrëdhënies tonë me Hyjin nuk është mëkati, por prania e Tij. Askush nuk mund ta mohojë se me Hyjin në pjesën më të madhe të rasteve marrëdhënia është e përshkuar nga frika. E gjitha kjo ka sigurisht origjinën e vet dhe pse-në e vet. Është vështirë të çlirohemi prej kësaj frike e kjo vjen vetëm pas një procesi të gjatë sinqeriteti me vetveten dhe kërkimi të autenticitetit të një raporti me Hyjin.

Ne nuk kemi një perceptim të marrëdhënies tonë me Hyjin, përveçse duke u nisur nga përvojat tona jetësore. Janë ato forma marrëdhëniesh që qysh në moshë të njomë kemi krijuar me personat që na rrethojnë të cilat kushtëzojnë edhe marrëdhënien tonë me Hyjin. Sigurisht ka studime të thelluara në këtë drejtim sidomos ato të udhëhequra nga psikoanaliza frojdjane apo Jungiane, por nuk është qëllimi, vendi dhe as mundësia këtu të bëjmë këto thellime teorike.

Të rikthehesh në momentin origjinar do të thotë të shkosh aty ku frika nuk ishte, thjesht nuk ekzistonte. Dhe frika nuk ka ekzistuar vetëm në një moment atëherë kur prindërit tanë, Adami dhe Eva ishin të zhveshur përpara Hyjit dhe para njëri-tjetrit dhe nuk kishin turp. Lakuriqësia paradoksalisht është gjendja më mirëfilli dhe autentike njerëzore. Më ka bërë përshtypje një pikturë që gjendet në një Kishë në Binqë të Vitisë në Kosovë ku Adami dhe Eva paraqiteshin të veshur me mollën në dorë. Një keqinterpretim, që në fakt zbulon atë mendësi që shpesh është imponuar brenda në kishë, se mëkati i Adamit dhe i Evës është lakuriqësia e tyre apo aq më keq marrëdhënia seksuale. Kështu që një piktor apo ata që kanë porositur pikturën i mbulojnë Adamin dhe Evën përpara mëkatit të tyre. Sa dëme në fakt ka sjellë kjo lloj mënyre interpretimi brenda Kishës duke demonizuar në një farë mënyre gjithçka që është gjenuine njerëzore ndër të cilat është edhe, e mbi të gjitha, trupi i njeriut. 

Janë të mrekullueshme faqet e para të Biblës ku përshkruhet krijimi i botës e më në fund edhe i njeriut. Ne rëndon e kalojmë gati pa vënë re atë moment e menjëherë shkojmë te skena tragjike e dialogut të njerëzve të parë me gjarprin për të ndjerë edhe një herë peshën e mëkatit. Gati-gati e kërkojmë me afsh, duam t’i kalojmë shpejt e shpejt ato rreshta “të mërzitshëm” të Zanafillës që nganjëherë na kujtojnë edhe leximet e gjata të natës së pashkëve, për të shkuar drejt e te mëkati a thua se ato rreshta të parë janë vetëm një zbukurim, ndërsa Bibla nis me mëkatin. E vërteta është se Zanafilla nuk nis me mëkatin, por me krijimin, me aktin me anë të ët cilit Hyji i jep pikënisjen kohës, hapësirës, jetës së gjithësisë, të frymorëve e ndër këta frymorë, njeriut. Duke sikur edhe Bibla nis sikurse nis mesha me praninë e Hyjit, por që pas shumë pak menjëherë edhe ne nisim me mëkatin. Nganjëherë do të ishte mirë të ndaleshim pak më shumë në shijimin e kësaj pranie: Zoti është …

Përballë njerëzve që vijnë në Kishë të dielave, të lodhur nga java, nga problemet dhe hallet e tyre tregohemi të padrejtë duke vendosur menjëherë mëkatin përballë, një ndjenjë negative e cila pikëllon edhe më shumë. Sa do të doja që të shijonim shpesh sadopak atë fjali që e themi vetëm sepse është në rubrikë: Zoti është me ju. D.m.th. ai është i pranishëm këtu në këtë moment bashkë me ne, gati-gati i ulur në stolat e kishës në mes të gjithë njerëzve. Nuk është e mundur një vetëdije e plotë për mëkatin nëse nuk kuptohet lartësia e dhuratës së Hyjit, që është prania e tij. Mesha e gjitha është një prani reale e Krishtit në mesin tonë. Vetëm për faktin që të krishterët janë të mbledhur së bashku ata formojnë Trupin e Krishtit, është Krishti i gjallë: aty ku dy ose tre janë të mbledhur në emrin tim unë jam me ta. Gëzimi i parë është pikërisht fakti se jemi bashkë për të njëjtin motiv, për t’u takuar me Hyjin në ditën e të Ngjallurit. Prania reale nuk është vetëm sakramenti i Eukaristisë e kjo prani nuk fillon si një magji vetëm në momentin kur meshtari shtrin duart dhe thotë fjalët e shugurimit të bukës e të verës.  Prania reale e Krishtit është krejt kjo mbledhje e shenjtë e së dielës.

Por le të kthehemi përsëri te momenti zanafillor, te initium. Në traditën e saj të gjatë Kisha gjithmonë e ka kuptuar se nuk është mëkati qendra e jetës së krishterë, apo të themi aty nga ku duhet të nisemi për një reflektim shpirtëror. Të marrim ritin e Pagëzimit të fëmijëve. Pasi meshtari i ka pyetur prindërit për emrin e fëmijës i drejtohet fëmijës me këto fjalë: “Bashkësia e krishterë po të pranon me gëzim të madh”…. është gëzimi nota e parë që luhet në këtë rit, gëzimi që një fëmijë po hyn në jetën e re të Krishtit dhe po bëhet anëtar i bashkësisë së krishterë, një anëtar i ri në një familje të madhe. Me esencializmin që na karakterizon si mendësi perëndimore kemi reduktuar pagëzimin shpesh në një sakrament i cili na heq mëkatin origjinal dhe që për ministër ka një person kryesisht meshtar. Është në të vërtetë bashkësia ajo që pranon, ajo që bëhet përcjellësi i një jete e të re, ajo që lind një krijesë të re. E kjo bashkësi gëzon ardhjen e një njeriu të ri në mesin e saj.

Krishterimi nuk mund të reduktohet në një luftë kundër mëkatit, por ai është më shumë se kaq. Ai është një lajm i mirë, është lajmi i dashurisë së Hyjit për botën që aq shumë e deshi sa që dha një të vetmin Birin e vet. Kumti i dashurisë është lajmi i keq për mëkatin dhe autorin e tij. Është një mundësi e artë Jubileu i ardhshëm i mëshirës që papa Françesku ka shpallur në mënyrë që të zbulojmë më shumë se sa mjerimin tonë, gëzimin e dashurisë që na vjen nga Hyji dhe prania e tij në jetën tonë. 

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »