FESTA E TRINISË SË SHENJTË

May 29 • LEXIMET E SË DIELËS

Leximi parë (Lp 4,32-34.39-40)

Lexim prej Librit të Ligjit të përtërirë

Moisiu foli e tha: “Shqyrtoji kohët e lashta që ishin para teje, qysh prej ditës kur Zoti e krijoi njeriun përmbi tokë, shqyrto prej një skaji të rruzullit në tjetrin: A ka ndodhur ndonjë gjë kaq e madhe?

A është dëgjuar një gjë e tillë? A ka ndokund ndonjë popull që e ka dëgjuar Hyjin duke folur prej mesit të zjarrit, siç e dëgjove ti dhe të ketë mbetur gjallë? Ose, a ka sprovuar ndonjë herë Hyji të hyjë e të marrë për vete një komb në mes të një populli tjetër: me provë, me shenja e mrekulli, me luftë, me dorë të fortë, me krah të ngritur e me tmerr të madh, sikurse i bëri të gjitha këto ndër sytë tuaj për ju Zoti, Hyji juaj, në Egjipt?

Mirë, pra, dije sot dhe thadroje thellë në zemrën tënde se Zot është Hyj lart në qiell e poshtë mbi tokë – tjetër nuk ka! Mbaji urdhërimet e tija dhe lidhet e tija që unë po t’ i jap sot, që të jesh mirë ti dhe bijtë e tu pas teje e të qëndrosh për një kohë të gjatë mbi tokën që Zoti, Hyji t, ta jep përgjithmonë.”

Fjala e Zotit.

 

Psalmi 33

Ref. Lum ai popull që i përket Zotit

E drejtë është fjala e Zotit,

e të gjitha veprat e tija me besë.

E do drejtësinë e gjyqin,

plot është toka me mirësinë e Zotit.

————————————————-

Prej fjalës së Zotit u krijuan qiejt,

prej frymës së ojës së tij çdo trup qiellor.

Si foli, gjithçka u bë,

Ai urdhëroi, gjithçka u përftua!

—————————————————

Qe, sytë e Zotit janë mbi ata që e druajnë,

mbi ata që shpresojnë në mirësinë e tij:

Për t’i shpëtuar nga vdekja

e për t’ i ushqyer në kohën e urisë.

—————————————————

Shpirti ynë shpreson në Zotin,

ai është ndihma dhe mburoja jonë.

Mirësia jote qoftë mbi ne, o Zot,

sikurse ne shpresojmë në ty.

—————————————————

Shpirti ynë shpreson në Zotin,

ai është ndihma dhe mburoja jonë.

Mirësia jote qoftë mbi ne, o Zot,

sikurse shpresojmë në ty.

 

Leximi dytë (Rom 8,14-17) 

Lexim prej Librit të Shën Palit apostull drejtuar Romakëve

Vëllezër, bijtë e Hyjit janë ata, të cilët i udhëheq Shpirti i Hyjit. Ju veç nuk e keni marrë shpirtin që bën robër në mënyrë që përsëri të trembeni, por keni marrë Shpirtin që ju bën bij të adoptimit, në saje të cilit ne thërrasim: Abba! O Atë! Vetë Shpirti Shenjt dëshmon bashkë me shpirtin tonë se jemi fëmijët e Hyjit. E nëse jemi fëmijë, atëherë jemi edhe trashëgimtarë, trashëgimtarë të Hyjit e bashkëtrashëgimtarë me Krishtin, sikurse në të vërtetë vuajmë bashkë me Të, që edhe të lavdërohemi bashkë me Të.

Fjala e Zotit.

 

Aleluja!

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt:

Hyjit që është, që ishte dhe që po vjen.

Aleluja!

 

Ungjilli (Mt 28,16-20) 

Leximi i Ungjillit shenjtë sipas Mateut

Në atë kohë, të njëmbëdhjetë nxënësit shkuan në Galile, në atë mal, ku u kishte urdhëruar Jezusi. Kur e panë, e adhuruan, por disa dyshuan. Jezusi u afrua e u tha: “Më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë. Prandaj, shkoni e bëni nxënës të mi të gjithë popujt! Pagëzoni në Emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt! Mësoni të zbatojnë gjithçka ju kam urdhëruar! Dhe, ja, unë jam me ju gjithmonë, deri në të sosur të botës!”                

Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Fjala që dëgjojmë në leximin e parë, është shkruar para shumë shekujve, duke dashur që të vërteton besimin e popullit hebrenj në një Zot të vetëm. Shkrimtari dëshiron të rikujtojë se si, ky popull është, dhe do të mbetet popull i zgjedhur i Zotit. Zoti do të përkujdeset për të me një dashuri të veçantë. Këtij populli, i flet Zoti me shenja dhe mrekulli të shumta. Këtij populli, i flet Zoti edhe nëpërmes Moisiut.

Për këtë që Zoti bën për ta duhet t’i vetëdijesojë për ta falënderuar dhe për t’i qëndruar besnik gjithmonë.

Kjo pjesë e leximit, sot, nuk iu lexohet judenjve, por na lexohet neve, të krishterëve. Të gjithë kemi nevojë që ta shprehim besimin tonë në Zotin, kemi nevojë të forcojmë fenë tonë dhe ta dëshmojmë me jetë dhe vepra. Përcaktimi ynë si të krishterë, na bënë që të kemi hirin të quhemi dhe të jemi bijtë e Zotit në Jezu Krishtin, i cili erdhi për shpëtimin tonë. Prandaj, Jezusi që dërgoi Shpirtin e vet në Kishë, na bën të jemi të udhëhequr nga Ai nëse i lejojmë dhe veprojmë sikurse na mëson vet Krishti.

Kështu, atëherë ne ndjehemi dhe një ditë do të jemi bashkëtrashëgimtarë të të mirave qiellore.

Ne si të krishterë, jemi të udhëhequr nën hirin e Trinisë së Shenjtë që na është dhuruar në pagëzim, dhe na dhurohet gjithnjë në jetën sakramentale. “Shkoni në mbarë botën dhe predikoni Ungjillin” thotë  Krishti “duke pagëzuar të gjithë njerëzit në emër të Atit e të Birit dhe të Shartit Shenjt, dhe ja unë jam me ju deri në të sosur të botës.”

Trupi ynë, me pagëzim, bëhet tempull i Shpirtit Shenjt.

Shtrohet pyetja: a i lejojmë këtij Shpirti të na udhëheq në jetë? Në kohën në të cilën jetojmë, shohim se si rrjedhin gjërat dhe në çfarë situata gjenden njerëzit. Krejt këto fenomene që sot ndodhin në botë, e që me jetë po e paguajnë njerëzit në forma të ndryshme – që po krijojnë “shekull me lot” dhe vuajtje; me gjak dhe kryqe të ndryshme, janë për arsye se mungon dashuria dhe nderimi. Dashuria ndaj Zotit dhe dashuria ndaj njeriut.

Në këto dy shtylla, duhet të ndërtohet jeta që do të krijonte një ujdhesë qetësie dhe jete normale, e cila do të bënte të shijohen të mirat që Zoti ka krijuar për ne.

Në ditën e Trinisë së Shenjtë, që festojmë sot, nuk mund ta zbulojmë në saje të mendjes sonë, por e besojmë sepse jetojmë në saje të Saj.

Ne besojmë dhe i lutemi Atit nëpër Birin në Shpirtin Shenjt: kjo është shprehje e fesë dhe jetës sonë në vlera shpirtërore.

Hyji që ka krijuar njeriun në përngjasimin e vet, ka dashur që njeriu të bartë në vete dhe në jetë vulën e cila shndritë në errësirë. E kjo vulë, është jeta jote, jeta ime, jeta e të gjithë neve, nëse e kuptojmë si dhuratë nga vet Zoti, dhe nëse jetojmë sipas mësimeve të Tija që dëgjojmë sot dhe gjithmonë sa herë kremtojmë misterin e mundimit, të vdekjes dhe ngjalljes së Birit të Zotit tonë Jezu-Eukarsitinë. Amen!

 

LUTJET E BESIMTARËVE

Vëllezër dhe motra, duke shprehur besimin tonë në Trininë Shenjte, t’ ia drejtojmë lutjet tona të përzemërta Atit qiellor duke thënë:

Shpëtoje, o Zot, popullin tënd dhe bekoje trashëgimin tënde!

– O Zot, frymëzoje Kishën tënde, në kujdes ndaj të varfërve dhe nevojtarëve, atyre që janë të nëpërkëmbur dhe të lënë pas dore, të lutemi:

– Atë i shenjtë, bekojë papën tonë Françeskun dhe ipeshkvin tonë Dodën, të gjithë ipeshkvijtë dhe meshtarët, që me fuqi të Shpirtit tënd në mësim të Jezu Krishtit palodhshëm, të predikojnë, jetojnë dhe dëshmojnë me jetë dhe vepra, ë lutemi:

– O Zot, bëj që në mbarë botën, të krishterët të veprojnë për bashkimin dhe bashkëpunimin në mes vete duke treguar vlerat shpirtërore që i shpërblen Ti me të mirat e tua, të lutemi:

– Shndriti, o Zot, të gjithë njerëzit me Shpirtin tënd të shenjtë që të njohin të vërtetën dhe kuptimin e jetës, të lutemi:

– Atë i shenjtë, ndihmoje këtë bashkësi që misteret të cilat kremton në përditshmëri të dëshmojnë praninë tënde në familje dhe shoqëri, të lutemi:

– O Hyj, pranoj në bashkësinë e Trinisë shenjte. Të gjithë të dashurit tanë që kaluan nga kjo botë të lutemi:

O Atë, burim jete Ti nëpër mes Birit tënd Jezu Krishtit na e dhurove Shpirtin e gëzimit dhe të paqes. Në të njëjtin Shpirt të lutemi që të dëgjosh lutjet tona dhe të na besh pjesëtar të mbretërisë qiellore, nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen.

Përgatiti: Don Marjan Demaj

Shpërndaje

Comments are closed.

« »