MUAJI MAJ – MUAJI I MARISË VIRGJËR

May 29 • Teologji

Shkruan: Don Marjan DEMAJ

Prania e Marisë Virgjër në Historinë e shëlbimit dhe në historinë tonë

Nuk mund të gjejmë një personazh të shenjtë, i cili të mund jetë më i pranishëm në jetën e të krishterëve, se sa Virgjëra Mari, Zoja e Bekuar. Kjo prani, dëshmohet edhe nga fakti i përshpirtërisë dhe nderimit, si dhe kushtimit të shumë kishave, shenjtëroreve, bazilikave në nder të Saj.

Secila nga këto shenjtërore, mban në gjirin e saj një histori të shkruar nga jeta, veprat apo lajmërimet e Marisë Virgjër, që përshkruhet me një përkujdesje amnore për bijtë dhe bijat e veta, duke i mësuar me dashuri të madhe që të jetojnë në bashkëpunim me Hyjin, sepse Biri i Zotit, i lindur nëpër të, erdhi të shpëtoi të gjithë me lindjen, mundimin, vdekjen dhe ngjalljen e vet.

Nëna e Jezusit, Nëna e Kishës, është e pandashme në jetën e Birit të saj dhe me jetën e Kishës: përshpirtëria e rruzares, nëpërmes të cilës meditohen misteret e shëlbimit e tregon se sa Maria është pjesëmarrëse në historinë e shpëtimit. 

Emri i saj, në gjuhen hebreje Mirjam, me siguri vjen nga fjala arameike mara, që në gjuhën tonë do të përkthehej si zonjë mbretëreshë, ose nga fjalët e bashkuara egjiptiane  merit amm, që do të thotë: e dashura nga Amoni hyjni egjiptase ose merit – jam e dashur prej Zotit (Jam hebraisht  do të thotë Zot). Emri i Marisë, lidhet më së miri me fjalën zonjë, zotëruese, sundimtare, e dashur prej Zotit, e ngritur mbi të gjitha krijesat. Mari, është një emër, i cili është shumë i përhapur tek të gjithë popujt, e ne veçanti tek te krishterët.

Nga Shkrimi i Shenjtë, e dimë se Maria ishte bija e Joakimit dhe Anës, nga populli hebre, të cilën Zoti e zgjodhi të bëhet Nëna e Shëlbuesit tonë Jezu Krishtit. Këtë thirrje, e pranoi në Nazaret, sipas asaj që na paraqet Luka ungjilltar: “Unë jam shërbëtorja e Zotit me ndodhtë siç the ti!”(Lk 1, 38) u ngjiz për virtyt të Shpirti Shenjt.. (Lk 1,35), e lindi Krishtin në Betlehem (khs. Lk 2,1-7), e paraqiti në tempull në Jerusalem  (khs. Lk 2,21-24), u deshtë të ikte në Egjipt  (khs. Mt 2,13-15). Hyji ia caktoi një njeri të ndershëm, Jozefin, që të përkujdeset për të (khs. Mt 1,18-25). U kthye në Nazaret, ku Jezusi rritej dhe mbushej me hir (khs. Lk 2,40). Pastaj, në kohën e caktuar, Jezusi udhëtonte prej një vendi në vendin tjetër, nga fshati në fshat, duke e predikuar Mbretërinë e Hyjit. Kalvari ishte vendi i fundit në të cilin Jezusi do të vdesë në kryq në mundime shumë të mëdha. (khs. Lk  23.1-49).

Çdo kund ku është Jezusi, gjendet edhe Nëna e tij, Maria Virgjër

1

Zoja e Lurdit, Francë

 Zoja e bekuar, edhe pse u lind në mënyrë të natyrshme, atë Hyji e përgatiti të jetë më e bukura dhe më e denja që ta lindte Shëlbuesin e botës.

Duke folur, medituar, apo lexuar për veprimtarinë e Krishtit, s’mund të anashkalohet assesi Maria Virgjër. Kisha, hap pas hapi, u vetëdijesua, duke e zbuluar veprimtarinë e Marisë në veprën e shëlbimit. Kështu, Kisha e sheh Marinë në qendër të ngjarjeve të historisë së shëlbimit.

Shkrimi i Shenjtë na paraqet si ndodhi ngjarja e takimit  të parë të Marisë me engjëllin Gabriell:  “Në të gjashtin muaj, Hyji e dërgoi engjëllin Gabriel në një qytet të Galilesë, që quhet Nazaret, te një virgjër, që ishte e fejuar me një njeri, që quhej Jozef, prej fisit të Davidit. Virgjëra quhej Mari. Engjëlli hyri tek ajo dhe i tha: “Të falem, o Hirplote! Zoti me ty!” Kjo fjalë e shqetësoi Marinë dhe zuri të mendojë: ç’do të thotë kjo përshëndetje. Por engjëlli i tha: “Mos ki frikë, o Mari, sepse ke gjetur hir para Hyjit! Ja, do të mbetesh shtatzënë e do të qitësh në dritë një djalë e ngjitja emrin Jezus.  Ky do të jetë i madh dhe do të quhet Biri i Hyjit tejet të lartë. Zoti Hyj do t’ia japë fronin e Davidit, atit të tij.  Ai do të mbretërojë përgjithmonë mbi shtëpinë e Jakobit dhe mbretëria e tij s’do të ketë mbarim.” Atëherë Maria i tha engjëllit: “Si do të mund të ndodhë kjo, ndërsa unë jam virgjër?” Engjëlli iu përgjigj: “Shpirti Shenjt do të zbresë në ty e fuqia e Hyjit të tejetlartë do të të mbulojë me hijen e vet; prandaj ky Fëmijë do të jetë i shenjtë ‑ Biri i Hyjit.  Dhe ja, Elizabeta, kushërira jote, edhe ajo, në pleqërinë e saj, pret t’i lindë djali. Ajo që mbahet beronjë, është në të gjashtin muaj. Vërtet, s’ka gjë të pamundshme për Hyjin!” Atëherë Maria tha: “Unë jam shërbëtorja e Zotit: Më ndodhtë siç the ti!” Atëherë engjëlli u largua prej pranisë së saj.” (Lk 1,26-38)

Nderimi dhe përshpirtëria ndaj Marisë Virgjër

Personi i Jezu Krishtit në misterin e Pashkëve, mundimi, vdekja dhe ngjallja, janë ngjarjet kryesore shpëtimprurëse në krishterim. Duke pasur parasysh se sipas planit të Hyjit, Zoja e Bekuar pranoi vullnetarisht të bëhet Nëna e Birit të Tij, duke marrë pjesë në shëlbimin e botës, ne të krishterët e nderojmë si Nënë të Birit të Zotit dhe Nënën tonë. Nderimet e para fillojnë nga Koncili i Efesit, në vitin 431, kur ajo shpallet dhe vërtetohet si Nënë e Zotit apo Hyjlindëse .

Pastaj në shek. V fillojnë edhe lutjet, këngët, himne, predikime që i kushtohen Zojes së Bekuar. Kështu, populli i krishterë thërret Marinë në ndihma të ndryshme, me lutjet e tyre. Ky nderim nuk është adhurim, të cilin ia bëjmë vetëm Hyjit, por Marinë Virgjër  e nderojmë dhe e lusim në cilësinë e ndërmjetësues më të mirë tek Biri i saj, Jezu Krishti.

2

Maria Virgjër. Trupore e stolisur me lule për muajin Maj. 

Historia e nderimit të Marisë në muajin maj

Një legjendë, e cila vjen nga një shkrimtar anonim, thotë: Në kopshtin e mrekullueshëm qiellor, Krishti shëtitej dhe shikonte veprën e mrekullueshme të krijuar prej Atit. Ishte natyrë e bukur dhe plot gjelbërim dhe lule që kishin mbuluar tokën. Dëgjonte këndimin e zogjve, dhe shijonte aromën e bukur të luleve të ndryshme. Biri i Zotit ishte i tërhequr nga këto mrekulli në tokë. Shikoi gjatë kështu dhe hetoi se dikush po i afrohet. Para tij u paraqitë Nëna e tij. E shikoi me sy të ëmbël amnorë e ai buzëqeshi. Nënë, sa e bukur është pranvera, i tha Jezusi. Ajo i lëshoi sytë kah toka, po ashtu edhe ajo e përjetoi këtë kënaqësi që dhuronte muaji Maj. Dhe prapë e dëgjoi zërin  e Tij që i tha: Nënë. Ndërsa në tokë u krijua një kurorë me lule të bukura, e cila, u lartësua deri në qiell, dhe ra në duar të Jezusit. Jezusi e mori dhe e vendosi mbi kokën e Nënës, e nga engjëjt u dëgjua kënga: Mari, Mbretëreshë e Majit. Me këta zëra u bashkuan edhe zërat e njerëzve tokësorë.

Edhe pse kjo legjendë, nuk mund të merret si shkaku pse Maji është muaji i kushtuar Marisë Virgjër, megjithatë ka shumë elemente figurative që shprehin një përkushtim të bukur për Zojën e Bekuar, por edhe për lashtësinë e përshpirtërisë ndaj Nënës së Zotit. Ja, disa të dhëna të një historie të bukur për këtë përshpirtëri.

Henrik Suzo, dominikan dhe mistik, është i pari që filloi përshpirtërinë e muajit Maj, duke ia kushtuar Zojës së bekuar. Jetonte në qytetin e Gjermanisë Ulm, dhe ishte shumë i përshpirtshëm ndaj Zojës së bekuar. Ai përkujdesej për lule, dhe në fund të muajit prill e bënte një kurorë lule të bukura dhe i vendoste në kokën e Zojës. Çdo ditë, gjatë muajit Maj, ai zbukuronte altarin mbi të cilin ishte truporja e Zojës së bekuar në dhomën e tij. Aty vëllezërit lutnin çdo ditë mëngjesoren dhe lutje të ndryshme.

Argjendarët parisien para vitit 1449 ia dhuronin Mbretëreshës së Majit një dhuratë që ishte shumë më e çmueshme se lulet që vendoste i lumturi Henrik. Në Kishën Notre Dame, e ngritën një piedestal të Marisë nga ari dhe argjendi; të zbukuruar  me figura historike të mëndafshta- me tri rrethe në mes që ndërroheshin çdo vit gjatë muajit Maj. Ishte kjo një dhuratë e çmuar e argjendarëve katolik Mbretëreshës së Majit, Zojës së bekuar.

Në Mantova, nën ndikimin dhe shembullin e Henrik Suzos, ishte traditë qysh nga viti 1424 që besimtarët  e këtij qyteti, në të gjitha festat e muajit Maj, të bashkohen para altarit të Marisë dhe bashkërisht të luteshin.

Thuhet së Shën Filip Neri (1515-1595), është shumë meritor për përhapjen e përshpirtërisë së Zojës në muajin Maj. Shën Filipi, një edukator i të rinjve, për shkak se muaji maj ishte i nxehtë dhe i bukur ishte i përshtatshëm edhe për të rinj që të jenë më shumë të nxitur për të bërë mëkate, për këtë të rinjtë i tërheq në përshpirtëri e lutje duke ja kushtuar Zojës e bashkë me ta të krijonte lehtësim në ata shpirtra të brishtë që të jenë të fortë në fe. Thuhet se, ai kishte pasur një vegim, në të cilin Zoja e bekuar i kishte thënë: të bashkonte të rinjtë në lutje të caktuara dhe përtëritje shpirtërore pranë altarit të saj. Shën Filipi e realizoi këtë këshill të Zojes së bekuar.

Kështu, Zoja bekuar, me këshillën e saj, i dha kuptim përshpirtërisë që të rinjtë e realizuan me shumë përkushtim.

Në shekullin e XVII, filluan të botohen broshura të përshpirtshëm që përdoreshin në muajin Maj.

Së pari kjo ndodhi në Köln të Gjermanisë, pastaj në Romë u botua një broshurë e emërtuar “Mensis Marianus” – Muaji i Marisë. Pastaj, më vonë, në shekullin e XVIII, u botuan edhe shumë broshura që u dedikoheshin familjeve të krishtera.  Kështu, familjet, të pajisura me literaturë, ishin edhe më shumë të bashkuar rreth truporeve të Zojes së bekuar në vende publike dhe në familje.

Në vitin 1784, për të parën herë, në Ferrari (Itali), në kishën e Kuvendit të Karmelitanëve, u mbajt një tubim i madh që ju kushtua përshpirtërisë ndaj Zojes së bekuar. Nga këtu u përhap përshpirtëria në mbarë botën e krishterë.

Me 1815 dhe në vitin 1822 edhe zyrtarisht përhapet kjo përshpirtëri nga Papa Pio VII, i cili dekretoi që të gjithë ata që bashkohen në përshpirtëri në muajin Maj, do të marrin ndjesë dhe falje të shumta të mëkateve.

3

Figura e Zojës së Këshillit të Mirë në Gjenacano, e njohur si Zoja e Shkodrës, pajtorja e popullit shqiptar.

Muaji maj tek katolikët shqiptarë

Katolikët shqiptarë, bëjnë pjesë ndër ata popuj që e kultivojnë shumë përshpirtërinë ndaj Zojës së Bekuar, Virgjërës Mari. Të kujtojmë vetëm këtë: Zoja e Këshillit të Mirë, është patjorja e Shqipërisë, dhe e mbarë popullit Shqiptar; shenjtërorja e Zojës në Shkodër dhe ajo në Letnicë, janë vendet e shtegtimit të shumtë dhe të frytshëm.

Muaji Maj, tek ne, është i mbushur me përshpirtëri, kryesisht tradicionale: meshë, homili, rruzare, litani e shtegtime në vendet e shenjtëroreve kushtuar Zojës. Në kishat tona, nëpër famulli, nuk mungon kurrë rruzarja gjatë këtij muaji

Ne, gjatë këtij muaji, shprehim nderimin dhe falënderimin Nënës sonë qiellore, sepse askush nuk mund të duaj sikurse do nëna, dhe askush nuk mund të ketë zemër më të madhe dhe më të ndjeshme se çfarë e ka nëna.

Prandaj, me plot fe dhe besim, i kushtohemi dhe lutemi, besojmë dhe shpresojmë, në ndihmën e saj. Zoja Bekuar, është Nënë e cila na këshillon; është nëna e mëshirshme; është nënë e dhimbshme, është streha e mëkatarëve, është përplot  me hire që i dhuron njerëzimit nëse ia kërkojnë.

Me këto ndjeja dhe me këtë dëshirë, Kisha e jonë, në fund të muajit maj, bashkohet tek Zoja e Letnicës, që si një familje e bashkuar rreth Nënës së Kishës, të shpreh nderimin dhe dashurinë ndaj saj dhe Birit të saj, Jezu Krishtit.

4

Truporja e Zojës në Shenjtëroren e Letnicës, Kosovë

Shpërndaje

Comments are closed.

« »