BIJTË E MARISË NË SHTEGTIM

May 31 • Kisha në Kosovë

Shtegtimi tradicional në fund të muajit Maj, i Kishës së Kosovës, në Shenjtëroren e Letnicës

 

Teksti: Don Fatmir Koliqi

Fotografitë: Besim Ndau

Derisa po shihja shtegtarë të  shumtë që krijonin një procesion të gjatë e plotë ngjyra, në rrugën drejtë Letnicës, këtë të shtunë të fundit të muajit Maj, mu kujtua kënga e lashtë që e kanë kënduar ndër shekuj paraardhësit tanë katolikë; këngë të cilën edhe sot vazhdojmë t’ia këndojmë Nënës Qiellore, Virgjërës Mari:

Ndër kambë tua, Zoja Mërí,
Janë tue ardhë, qe, tanë bijtë tú;
Merr dhantinë, që me dashtëní
Zemra e jonë, o Nanë, t’kushton.
Por n’mos kjoshin zemrat tona
Aq të bardha, porsi lili:
Ti je Nana gjithë e jona,
Tjetër shpirti s’na kërkon.

Kjo këngë, e cila vjen nga autori anonim, në fakt do të ketë për autor vet popullin katolik shqiptarë; ata katolik që kanë shtegtuar gjithnjë pranë këmbëve të kësaj Nëne, me kërkesat e vetme: t’i përngjajnë asaj për të qenë bijë e bija me zemër të bardhë si lili, sepse është tipari kryesor për ta takuar të Birin e Saj, Zotin tonë, Jezu Krishtin. Kënga e jonë, është shprehja më e lartë e gëzimit dhe e të qenit aty ku shpirti e kërkon pushimin e vet.

Shtegtimi – ecje e të krishterëve për të qenë bashkë

Shtegtimi i të krishterëve, është përmasë e fesë. Të krishterët, për nga natyra, janë shtegtarë- gjithnjë në ecje e në rrugë, sepse duan të jenë pjesë e Mësuesit të tyre që është Rruga e Jetës. Kjo ecje – apo të qenët në rrugë, në shtegtim, përveç përmasës së brendshme, është edhe përmasa e të qenit së bashku, së bashku për ta shkuar në takim. Katolikët e Kosovës, janë popull i gjallë, në ecje si bashkësi besimtarësh drejt horizonteve më të gjëra, drejt transhedencës apo ecje për të rigjetur vetveten; e në veçanti Zoja Cërnagore, është një vend i këtillë: vendtakim shekullor i një bashkësie me përkatësi të përbashkët që e gjen gjithnjë ripërtëritjen e vet në praninë Nënës Qiellore.

Shtegtarët e shumtë, të të gjitha moshave, fëmijë e pleq, të ri e të moshuar, nga të gjitha pjesët e Kosovës, këtë të shtunë shkonin në takim amnor, ku i priste Nëna, Maria Virgjës. Ata shkonin me lutje e me zemër të përvuajtur, të bashkuar si vëllezër e motra: ishte një familje e bashkuar që ecnin në takimin me Nënën. E ndërsa arrin te Kisha e Zojës, që gjendet në pjerrtësinë e fshatit, rishfaqet po ai peizazh me fytyra të ndryshme që, përkrah njëri-tjetrit, pëshpëritnin lutje e këndonin këngën e gëzimit. Po afrohej koha e kremtimit të meshës, që ishte planifikuar për orën 11:00. Edhe pse mesha filloi me pak vonesë, sepse vargu i shtegtarëve ishte aq i gjatë sa nuk mundnin të arrinin me kohë, askush s’u dëgjua të lëshonte zëra ankese. Asnjëherë nuk lodhesh duke pritur, kur je i shoqëruar me Nënën Qiellore dhe anëtarët e familjes së madhe, me kishën tënde,  sepse aty ku gjendesh të dhurohet dashuria e takimit, përkundrazi do të doje të vazhdoje për kohë të gjatë për ta shujtuar shpirtin me atë aromë të shenjtë që njeriu ka nevojë.

Kremtimit të meshës, i priu Shkëlqesia e Tij, Imzot Lucjan Avgustini, ipeshkëv i Sapës, në Shqipëri, por i lindur në familje ferizajase, pra bir i kësaj Kishe, që i shërben Kishës në Shqipëri që nga vitet e ’90. I shoqëruar me meshtarët e Kosovës, që i kishin prirë shtegtarëve, dhe me korin e famullisë së Binçës, Imzoti gjatë predikimit të tij u ndal në dy pika kryesore: kënga e Marisë “Shpirti im e madhëron Zotin” dhe mbi natyrën e familjes së krishterë.

Maria e lume pse e pranoi Fjalën e Zotit

Ja disa fragmente nga predikimi i Imzot L. Avgustini:

“Kemi ardhur në shtegtim prej famullive të ndryshme, në mbyllje të muajt maj, për ta përjetuar këtë ditë në zemër me atë lutje të mrekullueshme të Zojës “Shpirti im e madhëron Zotin – Magnificat”, që t’i përngjajmë Asaj, duke i lartuar edhe ne Hyjit këngën e gëzimit e të mirënjohjes pa kufi, si dhe duke ia paraqitur nevojat tona. Kush mund t’i mbledh bijtë e vetë ma mirë se Nëna!

Kisha, na paraqet Virgjërën Mari si model dhe shembull në shkollën e fesë. Nëna e jonë qiellore, nga kjo shenjtërore, na mëson se si duhet edhe ne, në qetësinë e zemrës, të dimë të bashkëpunojmë me Zotin dhe si duhet të dimë të jetojmë me të. […] Pjesa e ungjillit, na kujton se Virgjëra Mari, duke i besuar lajmit të Zotit që iu dha nëpërmjet Engjëllit, u nis në vizitë kushërirës së vet Elizabetës. Ndërsa, Elizabeta brohoret: “E bekuar je mbi të gjitha gratë, e i bekuar, fryti i kraharorit tënd! Nga e pata fatin që të vijë tek unë Nëna e Zotit? E lumja ti, që besove se do të plotësohet çka që të thënë prej Zotit”. Maria e pranon madhërinë e Hyjit. Kjo është ndjenja e parë dhe e domosdoshme e fesë. Është e lume, sepse pranoi Fjalën e Zotit, që u mishërua në kraharor të saj. Ungjilli, flet për Elizabetën e të birin, i cili galdon prej gëzimit në kraharor të nënës, duke e dëgjuar fjalët e Marisë, që kishte shkruar me nxitim për ta ndihmuar kushërirën.”

Familja e krishterë ruhet me dashuri të durueshme

Në pikën e dytë, mbi familjen e krishterë, Imzot Lucjani u përqendrua në rëndësinë e familjes, si vend i mishërimit të fesë; si një pasqyrë besnike e fytyrës së Zotit, sepse pikërisht në familje krijohet ajo shoqëri njerëzore që e ka dashur Zoti. Nëse familja kuptohet kështu, atëherë do të duhet që ajo të ruhej prej kërcënimeve të shumta që sot ajo i përjeton – vazhdoi ipeshkvi – që nga ndarjet e deri te përqafimi i modeleve mondane moderne. “Duhet të kemi durim. Dashuri të durueshme” – theksoi Imzoti – duke e paraqitur Familjen e Nazaretit si model ku gëzimi dhe vuajtja nuk janë ndarë asnjëherë, por që përmes tyre e kanë jetuar vullnetin e Zotit. Lutja, si armë e sigurt e të qenit bashkë, lutja e rruzares në familje, bashkon dhe mbron nga përçarjet dhe ndarjet e anëtarëve të saj, lutja e tregon se Zoti është i pranishëm në familje dhe garantuesi gëzimit të saj. T’i themi PO Zotit, ashtu si Maria, që Ai të jetë gjithnjë i pranishëm në familjet tona. Virgjëra Mari, do të na ndihmojë ta themi këtë PO  për Zotin, dhe për familjen e shenjtë – tha Imzot Lucjani, duke porositur të gjithë që mbesim në shkollën e Marisë, sepse është një shkollë e fesë së çiltër dhe të sigurt që na mëson ta duami Zotin dhe njëri-tjetrin.

 

2

3

4

5

6

7

8

9

10

11

12

13 14

16

17

18

19

20

21

22

23

24

Shpërndaje

Comments are closed.

« »