SHKALLA E ZHVILLIMIT TË NJË QYTETËRIMI MATET NGA AFTËSIA E MBROJTJES SË JETËS

Jun 1 • Kisha në botë

Qyteti i Vatikanit, 30 maj 2015: Përfaqësuesit e Asociacionit “Shkenca dhe jeta” të shtunën patën një audiencë te Papa Françesku, me rastin e 10 vjetorit të themelimit dhe punës së tyre.

“Shkalla e zhvillimit të një qytetërimi matet nga aftësia e mbrojtjes së jetës: nga jeta në fekondim, ngjizje, si ajo e një plaku, ajo e një emigranti si dhe ajo e një të urituri e të një punëtori”, ishin fjalët e Papës pjesëtarëve të “Shkenca dhe jeta”.

Në një shoqëri “të shënjuar me logjikën negative  përdorë dhe hedh – pohoi Papa – dashuria e Krishtit na grish të bëhemi shërbëtor të të vegjëlve dhe të pleqve, të çdo gruaje dhe burri, të cilëve duhet t’iu njihet dhe të mbrohet e drejta zanafillore e jetës.”

Papa inkurajoi asociacionin që ta mbajnë  shikimin e tyre të fiksuar mbi shenjtërinë e jetës dhe të njeriut, “në mënyrë që shkenca të mund në të vërtetë të jetë në shërbim të njeriut dhe jo njeriu në shërbim të shkencës.”

Duke vazhduar fjalimin e tij, Papa Françesku theksoi se përparimi i një shoqërie duhet të matet me aftësinë e tij për të mbrojtur jetën e jo në përparimin teknologjik. Në mënyrë të veçantë  jeta duhet të mbrohet në periudhat më të brishta të saj, – theksoj Papa – duke përmendur sulmet që epoka teknologjike i bën ndaj jetës.

E duke renditur sulmet e sotme që i bëhen jetës,  Papa u shpreh: “Aborti është atentat ndaj jetës. Duke lënë vëllezërit tanë në anije në kanalin sicilian është sulm ndaj jetës. Vdekja në punë është një sulm ndaj jetës, sepse nuk respektohen kushtet minimale të sigurisë. Bëhet atentat ndaj jetës kur kemi vdekje për shkak të mosushqimit. Është atentat ndaj jetës terrorizmi, lufta, dhuna; por edhe eutanazia.” Kurse e kundërta e kësaj do të ishte “dashuria ndaj jetës është gjithmonë kujdesi dhe kurimi për tjetrin, ta duash të mirën tek tjetri, të promovosh dhe të respektosh dinjitetin e saj transcendental,” u shpreh Papa.

Duke përfunduar fjalën e tij, Papa Françesku nxiti mbrojtësit e jetës që të promovojnë gjithnjë kulturën e jetës, e cila do të dijë të krijojë lidhje të besimit të ndërsjellë dhe të ofrojë horizonte të paqes, mëshirës dhe të bashkimit. Ai gjithashtu bëri thirrje që të niset një dialog më i frytshëm me botën e shkencës, madje edhe me ata të cilët mbahen si jo-besimtarë, por “mbeten të hapur për misterin e jetës njerëzore.”

Teksti: Rev. Drita

Fotografitë: https://www.facebook.com/VaticanRadioEnglish?fref=ts

1

2

3

4

5

6

7

8

Shpërndaje

Comments are closed.

« »