DIALOGU NDËRFETAR DHE MEDIAT SHOQËRORE

Jun 2 • Res socialis

 

Shkruan: Don Lush Gjergji

Në Prishtinë, prej 27 -30 maj 2015, është organizuar Konferenca e katërt ndërkombëtare me temën: Dialogun Ndërfetar dhe mediat sociale,  shoqëria civile, me pjesëmarrje të më se 200 përfaqësuesve nga vendet e ndryshme të botës.

Konferenca organizohet nga Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës dhe Instituti Ndërkombëtar për Dialog Ndërfetar (IIID), me mbështetje të Kombeve të Bashkuara, Ambasadës së Mbretërisë së Norvegjisë, Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Këshillit Britanik, Ambasadës Britanike, Zyrës së Bashkimit Evropian.

Hapësirë iu dha liderëve fetarë, rinisë, diplomatëve, njerëzve të politikës, gazetarëve, sidomos ekspertëve për komunikim e mediave sociale. Kjo ngjarje  mediatike, ishte ndër 10-të më të rëndësishmet në mediat sociale në botë,  me jehonë të madhe në botë, aty-këtu edhe ndër ne.

Pikënisja ishte kjo: kërcënimi dhe rrezikimi nga fundamentalizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm nën “petkun” apo prizmin e fetares, është një rrezik permanent kudo në botë. Për ta luftuar kemi dy mënyra dhe mundësi themelore: së pari informimi, formimi dhe edukimi i rinisë në frymën e bashkëjetesës dhe komunikimit, dialogut gjithëpërfshirës, si dhe mediat sociale, nëpërmes të cilave luftohet gjuha e urrejtjes, “getizimi” apo grupimi për dhunë dhe shkatërrim.

Pra, rinia dhe mediat sociale – shoqëria civile, ishin dy shtyllat kryesore, që janë theksuar dhe paraqitur si përgjigjja më e mirë, ndoshta për shumë aspekte edhe e vetmja,  ndaj sfidave në botën e sotme, si dhe rreziqeve që i kanosen tashmë njeriut dhe njerëzimit.

Konferenca është hapur të enjten, më 27 gusht 2015 në Swiss Diamond, në ora 17. 00 me fjalën e rastit të Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe fjalës përshëndetëse dhe paraqitjes se qëndrimeve dhe veprimeve konkrete të bashkësive fetare në Kosovë: Bashkësia Islame, Kisha Ortodokse Serbe, Kisha Katolike, Përfaqësuesi i Bektashianëve, Bashkësia Hebraike dhe Kisha Protestante Ungjillore.

Theksi i përbashkët ishte ky: çdo bashkësi fetare në Kosovë, vepron për paqe dhe pajtim mes njerëzve, besimtarëve, jep një kontribut në mozaikun tonë ndërfetar dhe ndëretnik, secila nga këndvështrimi dhe mundësia që ka. Emërtimi i përbashkët ishte: mungesa e informimit dhe formimit fetar për fëmijë dhe rini, në nivelet familjare, shkollore dhe shoqërore, si dhe mungesa e Ligjit mbi Bashkësitë Fetare, njohje e statusit juridik dhe administrative e  Personalitetit Juridik të Bashkësive fetare  dhe Kishave të krishtera  në Kosovë.

Dialogu Ndërfetar, në kohën e mediave, ishte  ngjarje e rëndësishme njerëzore, fetare, ndërfetare, mediatike dhe  sociale; një  tentimi dhe kërkimi i jetësimit  të agjentëve të ndryshimit për  kundërvënien e ekstremizmit të dhunshëm dhe gjuhës së urrejtjes,  ku pjesëmarrësit kanë shkëmbyer  përvojat, idetë, njohurit   dhe mundësitë e tyre për sfidimin e ekstremizmit në internet.

Në hapjen e Takimit Ndërfetar dhe Mediave, Kryetarja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, duke uruar mirëseardhje dhe përgëzuar organizatorët dhe pjesëmarrësit e këtyre takimeve, ndër të tjera theksoi se vetëm bashkërisht mund t’i luftojmë këto dukuri dhe t’ia dalim jo vetëm t’i ndalim, por edhe t’i parandalojmë, apo siç tha ajo “për të gjetur mënyra se si rrjetet sociale të bëhen përçues të dijes e tolerancës dhe bartës të ndryshimit”. 

Petrit Selimi, zëvendëskryeministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, mbi rëndësinë e këtyre takimeve, ndër të tjera tha: “Kosova është përgatitur edhe një herë që të mirëpret më shumë se 200 mysafirë nga e gjithë bota për të diskutuar çështjet ndërfetare, këtë vit me një fokus të veçantë në luftimin e mesazheve ekstremiste nëpërmjet medieve sociale”. 

Ambasadori i Norvegjisë, Jan Braathu,  tha  se “mënyra më e mirë për të demonstruar besimin tuaj është përmes respektimit të besimit të të tjerëve”. 

Zyrtarja e lartë ekzekutive pranë Facebook, Monika Bickert Bikert, drejtuese për politika të produkteve në Facebook,  theksoi se kjo Konferencë është një rast i mirë për familjet dhe rininë për t’u ballafaquar me tema kaq të rëndësishme dhe me rinë në një vend siç është Kosova, shtet i ri,  dhe një mes i përzier fetarisht dhe kombëtarisht, një lloj “mozaiku” që dëshmon edhe një herë se paqja dhe marrëveshja është e mundshme kudo ka vullnet të mirë, punë, edukim dhe arsimi. Kosova dhe Ballkani tash e tutje mund të jenë shembull i mirë dhe pozitiv, nënvizoi ajo.

Prej personaliteteve politike morën pjesë kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, Duško Marković, zv. Kryeministër i Malit të Zi, dhe të tjerë.

Në veçanti, është folur dhe trajtuar Drejtësia në transformim, Diplomacia digjitale, Optimizmi në vazhdimësi dhe  Feja dhe filmi.

Përpos kumtesave- ligjëratave, pati edhe grupe pune, shkëmbime përvojash për krijimin dhe vazhdimin e strategjive paqësore dhe jodhunore në Kosovë, në Ballkan dhe më gjerë, në botë, sidomos atje ku ka rreziqe të fundamentalizmit dhe ekstremizmit dhunor.

Ditën e tretë,  më 30 maj 2015, ishte i rëndësishëm Paneli “Feja dhe mediat, Globalizimi”, nga këndvështrimet gjeopolitike, ekonomike, kulturore dhe shoqërore.

Pasdite pjesëmarrësit vizituan Katedralen katolike “Nëna Tereze” dhe Xhaminë e Madhe në Prishtinë, ku patën mundësi dhe rast të informohen rreth këtyre dy bashkësive fetare në Prishtin dhe në Kosovë. Në Katedrale “Nëna Tereze”, pas paraqitjes dhe shpjegimeve rreth  krishterimit historik dhe aktual, pjesëmarrësit më së shumti ishin të interesuar për jetën dhe veprën e së Lumes Nënës Tereze, sidomos për lidhjet e saja me Kishën dhe popullin Shqiptar.

Si përmbledhje dhe vlerësim mund të themi: edhe kësaj radhe është dëshmuar takim i dobishëm, i suksesshëm dhe domethënës, së pari për ne si Kosovë, shtet i ri, për bashkësitë tona fetare, për njohjen për së afërmi me tendenca dhe synime për ta luftuar dhe mposhtur ekstremizmin e çdo lloji, veçmas atë që thirret në bashkësi dhe parime  fetare, si dhe për krijimin e strategjive të përbashkëta për ta luftuar atë tek ne dhe në botë. Njohja e drejtpërdrejt- për së afërmi; dialogu, informimi, formimi, edukimi familjar dhe shkollor, janë disa ndër mundësitë që janë cekur në këtë Takim ndërfetar, të përcjella nga mediat dhe rrjetet shoqërore, si dhe nga rinia e cila vazhdimisht ka nevojë për informim sa më të saktë dhe për edukim sa më të shëndoshë.

Fjala e Don Lush Gjergjit, përfaqësuesit të Kishës Katolike, në konferencë

DIALOGU NDËRFETAR NË KOSOVË

Dialogu ndërfetar në Kosovë, si dhe gjetiu në botë, sot, është një ndër çështjet më të rëndësishme-do të thosha edhe jetësore, për ne Shqiptarët, si dhe për të tjerët. Sa i përket të kaluarës, pjesërisht edhe të tashmes, në këtë lëmi, ne qëndrojmë mjaft mirë, sepse vëllazëria gjithëshqiptare është mbi ndasitë tona fetare, pra, më e thellë, më e fuqishme, do të thosha e natyrshme dhe kuptimplote, shembullore, si për ne, ashtu edhe për të tjerët.

Mirëpo, njeriu i sotshëm, shpesh edhe ne besimtarët, flasim për dialogun ndërfetar, pra, në emër të Zotit dhe të fesë, lidhjes dhe jetës sonë me Të, ndërsa  pothuaj rregullisht, cekim vetëm elementin horizontal, njerëzor, pa uratë, ndihmë dhe përkrahje të vertikales, hyjnores. Duam të rritemi dhe të përparojmë vetëm në një drejtim, atë horizontal, tokësor, njerëzor, duke harruar dhe përjashtuar anën vertikale dhe hyjnore.

Aspekti i dytë tejet i rëndësishëm është qëndrimi përjashtues, nënçmues, deri te urrejtja e të tjerëve, atyre që janë apo duken se janë ndryshe prej nesh. Dhe prapë edhe një gabim trashanik, që në emër të Zotit dhe të fesë, të vijmë deri te urrejtja dhe vrasja e të tjerëve, kinse atyre që na pengojnë apo rrezikojnë në synimet tona. Papa i madh dhe i “pavdekshëm” Shën Gjon Pali II thoshte kështu: “Urrejtja dhe vrasja e njeriut është krim. Krim i krimeve është kur ajo bëhet në emër të Zotit”.

Aspekti i tretë i dialogut ndërfetar, është përvujtëria, si virtyt bazik, për ta kuptuar dhe pranuar së pari Zotin,  Krijuesin dhe Atin tonë të përbashkët, pastaj tjetrin, si vëllain apo motrën tonë, dhe së fundi, vetveten. Ne, të prirë nga mentaliteti shekullar apo laik, kryekëput ateist, theksojmë vetveten me tendenca egoiste dhe egocentrike: unë di, unë dua, unë mundëm, duke u munduar që tjetrin ta “objektivizojmë” apo vegëlsojmë për qëllime dhe njetet tona.

Dialogu ndërfetar së pari mbështetet doemos në Zotin, burimin tonë të përbashkët, si zanafillë e vëllazërisë gjithënjerëzore, dhe në jetën tonë fetare, shpirtërore, ku falja dhe pajtimi, kërkimi i faljes, ndërrimi dhe përmirësimi ynë, janë fryt dhe gërshetim i hyjnores dhe njerëzore, dhe dëshmi se besimtari është ndryshe prej të tjerëve, jo pse di, do dhe mundet, por pse e ka ndihmën e Zotit dhe përkrahjen e bashkësisë fetare. Për një dëshmi të tillë ka nevojë Kosova jonë, populli Shqiptar, edhe më gjerë, mbarë njerëzimi.

Së fundi, me keqardhje theksojmë edhe një herë botërisht, mungesën e Qeverisë dhe të Kuvendit të Kosovës për mosmiratimin e Ligjit që do ta njihte dhe pranonte Personalitetin Juridik të Bashkësive Fetare dhe Kishave në Kosovë, si pengesë e madhe për mirëvajtjen e jetës së besimtarëve tek ne. Shpresojmë dhe urojmë që kjo çështje, tashmë e hapur me vite, të zgjidhet sa më shpejtë, dhe më mirë, në dobi të të gjithëve qytetarëve dhe besimtarëve tanë.

 

????????????????????????????????????

????????????????????????????????????

????????????????????????????????????

Shpërndaje

Comments are closed.

« »