KORPI DHE GJAKU I KRISHTIT

Jun 3 • LEXIMET E SË DIELËS

Leximi parë: Dal 24, 3-8        

Lexim prej Librit të Daljes 

Në ato ditë Moisiu erdhi dhe i tregoi popullit të gjitha fjalët e Zotit dhe rregulloret. Mbarë populli u përgjigj njëzëri: “Do t’i zbatojmë të gjitha fjalët që i tha Zoti.” Moisiu i shkroi të gjitha fjalët e Zotit. Në mëngjes herët u çua dhe e ndërtoi një lter rrëzë malit, me dymbëdhjetë gur ngulur për dymbëdhjetë fiset e Izraelit. Atëherë u urdhëroi të rinjve të Izraelit të flijojnë flitë e shkrumbimit. Flijuan edhe flitë e pajtimit – viça në nder të Zotit. Moisiu mori gjysmën e gjakut dhe e qiti në disa enë, kurse gjysmën tjetër e derdhi mbi lter. Atëherë mori Librin e Besëlidhjes dhe ia lexoi me zë të lartë popullit e populli përgjigji: “Gjithçka tha Zoti do të zbatojmë e do të jemi të dëgjueshëm.” Atëherë Moisiu e mori gjakun dhe e stërpiku popullin e tha: “Ky është gjaku i besëlidhjes që Zoti e lidhi me ju në mbështetje të të gjitha këtyre fjalëve.”

Fjala e Zotit

Psalmi 116

Ref. Për nder tënd, o Zot, do ta lartësoi gotën e shëlbimit

————————————————————————-

Si do t’ia shpërblej Zotit

për të gjitha të mirat që m’i ka dhënë?

Do të ngreh gotën e shëlbimit

e me nderim do të thërras Emrin e Zotit.

————————————————————————

E çmueshme është para Zotit

vdekja e shenjtërve të tij.

O Zot, unë jam shërbëtori yt,

shërbëtori yt dhe biri i shërbëtores sate.

—————————————————————————

Ti i këpute prangat e mia

 Ty do të ta kushtoj flinë e lavdit,

me nderim do të thërras Emrin e Zotit.

Do t’i kryej kushtet e mia bërë Zotit

në praninë e mbarë popullit të tij.

———————————————————————-

 

Leximi dytë: Heb 9,11-15

Lexim prej letrës së shën Palit apostull drejtuar hebrenjve

Vëllezër, erdhi Krishti, Kryeprifti i të mirave të ardhura. Dhe, nëpër një tendë më të madhe dhe më të përsosur, të punuar jo me dorë – domethënë jo të kësaj krijese – dhe nëpër gjak jo të cjepve dhe të mëzetërve, por nëpër gjak të vet, hyri njëherë e përgjithmonë në Shenjtëroren e Shenjtëroreve, dhe fitoi shpërblimin përfundimtar.  Dhe njëmend, në qoftë se gjaku i stërpikur i cjepve dhe i mëzetërve dhe hini i mështjerrës i shenjtëron të papastrit, duke ua pastruar ritualisht trupin, sa më tepët Gjaku i Krishtit, i cili nëpër Shpirtin e amshuar ia flijoi vetveten Hyjit porsi fli të panjollë, do ta pastrojë ndërgjegjen tonë nga veprat e vdekura për t’i shërbyer Hyjit të gjallë! Për këtë arsye Ai është Ndërmjetësi i Besëlidhjes së re që, me anë të vdekjes për shpërblim të fajeve të bëra në kohën e Besëlidhjes së parë, të grishurit ta fitojnë trashëgimin e premtuar të përjetshëm.       

Fjala e Zotit.

Aleluja!

Unë jam buka e gjallë që zbriti prej qiellit:

nëse ndokush e ha këtë bukë, do të jetojë për amshim.

Aleluja!

 

Ungjilli   Mk 14, 12-16.22-26

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut

Ditën e parë të Pabrumeve, kur flijohej qengji i Pashkëve, nxënësit i thanë Jezusit: “Ku dëshiron të shkojmë e ta përgatisim darkën e Pashkëve?” Jezusi i dërgoi dy prej nxënësve të vet dhe u tha: “Shkoni në qytet e atje do t’ju takojë një njeri që mbart një katrovë uji: shkoni pas tij. Ku të hyjë ai, thoni zotështëpisë: ‘Mësuesi thotë: Ku është salloni im, ku do të mund të ha Pashkë me nxënësit e mi?’ Ai do t’ju tregojë në kat një sallon të madh, të shtruar e të përgatitur. Aty na përgatitni darkën.” Nxënësit u nisën, arritën në qytet dhe gjetën gjithçka ashtu si u kishte thënë dhe e përgatitën darkën e Pashkëve. Ndërsa po hanin darkë, Jezusi mori bukën e bekoi Hyjin, e theu, ua dha e tha: “Merrni, ky është korpi im!” Pastaj mori gotën, u falënderua e u dha. Të gjithë pinë prej saj. U tha: “Ky është gjaku im, gjaku i Besëlidhjes, që derdhet për të gjithë. Për të vërtetë, po ju them: nuk do të pi më prej frytit të hardhisë deri atë ditë, kur do ta pi të ri në Mbretërinë e Hyjit.” Pasi e kënduan himnin, u nisën drejt Malit të Ullinjve.              

Fjala e Zotit.

 

Porosia

Njeriu, shpeshherë jeton nga kujtimet e shumta, sepse ato janë të shkruara thellë në zemrën e tij. Nga ato kujtime, mund të jenë momente që sjellin gëzim apo pikëllim. Janë momente, data, vite që mbesin të paharrueshme. Janë lindjet, pagëzimet, kurora, përvjetorët, etj. Por, në veçanti kemi persona që i kujtojmë me shumë dashuri dhe mall, i kujtojmë dhe kujtimi ndaj tyre  na bënë të mburremi.

Jezusi ishte shumë i dashur për nxënësit e vet. Ai, bashkëpunonte me ta, i mësonte, jetonte me ta, dhe ata ishin shumë të lumtur në praninë e tij.  Por, do të ndodhë një ditë që Ai do t’ i bashkojë apostujt në një darkë lamtumirës. Në këtë darkë, ata nuk e kanë të qartë rrjedhojën e saj por në fjalët e Jezusit: Bëni  këtë në përkujtim vazhdojnë të bëjnë dhe të thellohen në misterin e bashkimit.

Pesah, apo Pashkët hebreje, ishin përkujtim i kalimi të engjëllit në Egjipt, i cili sillte vdekjen, ndërsa për hebrenjtë, jetën, lirinë, tokën e premtuar. Ato shtëpi të lyera me gjak, do të shpëtonin nga shfarosja, e këto shtëpi ishin të hebrenjve sikurse i kishte udhëzuar  Moisiu.

Ky kujtim i kësaj ngjarje të madhe për popullin hebre që u lirua nga zgjedha e robërisë egjiptiane, festohej çdo vit në Jerusalem.

Kështu, edhe Krishti u gjet me nxënësit e vet në Jerusalem në festen e Pashkëve hebreje. Ishte kjo një darkë e veçantë, para se të pësonte mundimet. Fjalët e Jezusit në këtë darkë ishin të zgjedhura; ishte vullneti i tij i fundit, dëshira dhe porosia që duhej të vazhdohej sepse Jezusi mbi bukët e pabrume do t’ iu thotë apostujve: Merrni, ky është Korpi im, dhe mbi gotën me verë do të thotë: ky është Gjaku im, që do të derdhët për shumë njerëz.”

Kështu, Jezusi themeloi Besëlidhjen e Re dhe sakramentin e Eukaristisë. Kjo besëlidhje, mbeti e vulosur me gjakun e Krishtit të derdhur për ne e për shpëtimin tonë. Kalimi i tij nga jeta në vdekje në kryq, dhe ngjallja e tij pas tre ditësh, është Pashkë e re, është ajo që tejkalon Pashkët hebreje.

Sepse gjaku i tij dhe vdekja e tij, janë shpëtim dhe shpërblim për të gjithë ata që besojnë. Në këtë mënyrë Jezusi mbetet i pranishëm me Kishën e vet në trajtën e bukës dhe verës që shndërrohen në Korpin dhe Gjakun e tij. Për këtë pra sot në mënyrë të veçantë ne e nderojmë dhe adhurojmë Krishtin në të Shejtnushmin Sakrament duke iu nënshtruar vullnetit  të mirë për të qenë të pastër në shpirt dhe të bashkuar me Krishtin në Sakramentin e Eukaristisë të jetojmë në hirin dhe dashurinë e Tij.

Shembull:

Një njeri  e pyeti një rregulltar:  Si mund të besoj që  buka e thjeshtë dhe vëra, të shndërrohen në Korpin dhe Gjakun e Krishtit? Rregulltari i përgjigj: Nëse trupi yt që ushqehet me bukë dhe verë, këtë verë dhe këtë bukë e shndërron në mish dhe në gjak, atëherë edhe Zoti i gjithëpushtetshëm ka mundësi të shndërrojë bukën e thjeshtë dhe verën në koprin dhe gjakun e tij. Nuk e kam të qartë edhe një gjë tha ky njeri: Si është e mundur që në këtë hoste aq të vogël të jetë Krishti i tërësishëm?

Shihi- thotë kodrat, luginat liqet, drunjtë janë aq të mëdha e syri yt është aq i vogël dhe prapë se prapë është në gjendje ti ketë brenda të gjitha këto që i sheh.

Dua të di edhe një gjë i tha ky njeri: Si është mundur që një Krisht të jetë i pranishëm  në të njëjtën kohë në botën mbarë?

Rregulltari i dha një pasqyrë këtij njeriu që të shikoj në të dhe i tha: sa persona po i sheh në të? Ky ia kthej: vetme veten. Rregulltari e mori pasqyrën dhe e bëri copë e grimë dhe i tha e tash sa vet po i sheh. Ai i tha shumë persona. Dhe nuk pyeti më asgjë.

 

Lutjet e besimtarëve

 Vëllezër dhe motra, Jezusi na shpallet si bukë e gjallë, që erdhi prej qiellit dhe në misterin e eukaristisë na jepet për ushqim, të bashkuar në lutje të themi:

O Krishti dëgjoje lutjen tonë!

 

– Për Kishën që ia besove kremtimin e misterit të Pashkëve, që në këtë kremtim gjithmonë të gjej burimin dhe fuqinë e jetës në shenjtëri dhe përsosmëri, të lutemi:

– Për shërbyesit e Kishës sate, që t’ iu dhurosh forcën, e cila i angazhon në punë të pa lodhshme për përhapjen e Mbretërisë sate, të lutemi:

– Për të gjithë njerëzit në botë, e ne veçanti për ata që kanë etje dhe uri për ty që nëpërmes Shpirtit tënd të shenjtë në ty të gjejnë burimin e jetës, të lutemi:

– Për të gjithë ata që janë të varfër, e në veçanti për ata që ju mungojnë gjërat elementare për jetë, ndihmoju të jetojnë një jetë të denjë, të lutemi:

– Për ne këtu të bashkuar në ndarjen e bukës, na ndihmo që të jetojmë jetën e vërtetë sipas shembullit të nxënësve tu, të lutemi

– Për të dashurit tanë që kaluan nga kjo jetë, bashkoi në lumturinë e mbretërisë sate, të lutemi:

O Zot Jezu Krisht, ti në këtë kremtim eukaristik na ushqen me fjalën dhe trupin tënd. Të lutemi, nëpër mes Shpirtit Shenjt, na shndërro në përngjasimin tënd dhe na ndihmo të jemi fli e pëlqyer e Atit, në të djathtën e të cilit qëndron Ti që jeton e mbretëron në shekuj të shekujve. Amen. 

Pëgatiti: Don Marjan Demaj

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »