SI TË ZBULONI QËLLIMIN E JETËS

Jun 3 • Opinion

Shkruan: m. Franciska (Suzana)Lekaj 

Tema që  trajtojmë flet për  një gjë shumë të rëndësishme që është: qëllimi i jetës.  Pyetja që na bën të reflektojmë mbi këtë është: Përse jam këtu? Cili është misioni im? Nuk ka gjë më të rëndësishme në jetë sesa t`i njohim se cilat janë qëllimet tona.

Çfarë është qëllimi?

Qëllimi është ajo që kërkojmë të arrijmë, gjëja drejt së cilës synojmë, pika tek e cila përpiqemi të vemi, mendimi ose dëshira që kemi në kokë për të bërë diçka, plani ose ideja që kemi menduar a përgatitur për të arritur diçka.

Kur flitet për qëllimin duhet të kemi parasysh lidhjen që ka me motivin dhe nevojën. Motivi është ajo që drejton individin drejt qëllimit që i ka vënë vetes, ai e udhëheq veprimin. Qëllimi është pra pikësynimi që kërkon të arrijë njeriu me anë të veprimtarisë së vet.

Çfarë është qëllimi i jetës?

Qëllimi i jetës është të jesh i aftë për të dashur jetën dhe në të njëjtën kohë ta presësh vdekjen pa u frikësuar; të durosh paqartësitë në çështjet më të rëndësishme që jeta shtron para njeriut, dhe në të njëjtën kohë të kesh besim në Zotin dhe  në mendimet dhe ndjenjat e tua. Të jesh i zoti të qëndrosh i vetëm me veten tënde e në të njëjtën kohë të jesh një i tërë me njeriun e dashur, me çdo si vëlla në këtë tokë, me gjithçka të gjallë.

Qëllimi i jetës është ta jetosh atë si duhet, të lindësh në kuptimin e plotë të fjalës, të zgjohesh plotësisht (E. From). Të çlirohesh nga pretendimet foshnjore, të kesh besim në Zotin dhe të kesh besim në forcat e tua reale, ndonëse edhe të kufizuara; të jesh në gjendje të pajtohesh me paradoksin, që qëndron në faktin që secili prej nesh, secili njeri është pjesa më e rëndësishme e Zotit. Gjithashtu qëllimi i jetës është të dëgjosh zërin e ndërgjegjes sate që të bën thirrje t`i drejtohesh vetes sate, por jo t`i bësh qejfin vetes.

Është e pamundur ta përfytyrosh zhvillimin psikologjik jashtë varësisë nga qëllimi që ndodhet gjithnjë përpara syve të tu. Shpirti me sa duket, përbëhet kryesisht nga fuqia që synon drejt qëllimit. Edhe psikologjia e individit studion të gjitha shfaqjet e frymës njerëzore për  sa ato  drejtohen drejt këtij qëllimi.

Njohja e qëllimit bashkë me disa njohuri për botën na jep  mundësinë të kuptojmë rëndësinë e mënyrave të vetë shprehjes së individit të dhënë, drejtimin në të cilin zhvillohet jeta e tij dhe mekanizmin e funksionimit të tij për arritjen e qëllimit.

Sot,  shumë persona nuk flasin dhe nuk mendojnë pothuajse asnjëherë për qëllimet e jetës,  por edhe sikur t’u shkonte mendja të mendonin, menjëherë shmangin këtë tip të menduari, e shtypin ose tentojnë ta zëvendësojnë me një formë tjetër të të menduari. Një pjesë e madhe e njerëzve injorojnë, nënvlerësojnë një gjë shumë të rëndësishme në jetë qëllimin e jetës.

Njeriu bën një jetë të tërë, shkon deri në një  moshë të shtyrë pa e ndjerë e gjithashtu pa e kuptuar, pa pyetur e pa zbuluar qëllimin e jetës. Pa i dhënë përgjigje një pyetjeje shumë të rëndësishme: Përse jam këtu në këtë jetë? Kjo ndodh për arsye se njeriu e ka të vështirë të takohet me veten e vet.

Nëse ia bëjmë vetes disa pyetje apo personave që njohim, me të cilët punojmë  ose edhe personave të panjohur: Çfarë mendon për qëllimin e jetës? Përse jeni këtu? Cilat janë qëllimet e tua? Shumë nga këta nuk ndjehen rehat në këtë tip bisede, shpesh nuk kanë dëshirë të përballen me këto lloj pyetjesh dhe argumentesh. Sepse u duket diçka e vështirë të merresh me veten.

Vërtetë nuk është e lehtë  të merresh me veten, por nuk është e pamundur. Sa e çuditshme dhe sa e dhimbshme është kjo. Sepse  nëse kërkohet të thuhet ndonjë argument për ndonjë gjë që nuk ka të bëjë me qëllimin e jetës njeriu është shumë i gatshëm, shumë i aftë e shumë kompetent të gjejë përgjigje e argumente që na mbushin mendjen e na bindin.

 Preferohet më shumë të flitet për kohën, a sot është kohë e mirë, sot ka rënë shi, është bërë shumë nxehtë kjo është një bisedë që shkon shumë mirë, gjithashtu shpesh flitet edhe për politikë për modë(p.sh sa sandale të bukura, sa rrobë të bukura sa të shtrenjta ose sa të lira janë, bukur rrinë etj) gjithashtu  flitet  për teknologji për telefona, kompjuterë, e për shumë gjëra të tjera pak të rëndësishme në krahasim me qëllimin e jetës. Pa lënë anash edhe këtë që  njeriu është i prirë të flasë e të përflasë edhe për të tjerët që do të thotë të merret me thashetheme.

 Po citoj Papa Françeskun se çfarë thotë për thashethemet:

Thashethemet vrasin me pambuk, i krishteri, para se të bëjë thashetheme, duhet të kafshojë gjuhën! Do të na bënte shumë mirë, se gjuha fryhet e nuk mund të flasim, nuk mund të bëjmë thashetheme.

Njeriu gjen kohë të flasë për  gjithçka e  për të gjithë e nuk gjen kohë për  gjënë më të rëndësishme për qëllimin. Nuk gjen kohë t’u japë përgjigje shumë pyetjeve të cilat kanë një rëndësi të madhe. Jo vetëm që nuk flitet e nuk përgjigjet, por as që mendohet për këtë gjë. Mjerisht, ndodh që shumë nga  njerëzit nuk i dinë cilat janë qëllimet. E kështu njerëzit të cilët nuk duan të flasin e të mendojnë mbi këtë gjë, do të thotë nuk e duan jetën, nuk e kanë kuptuar akoma se sa e rëndësishme është jeta e sa i rëndësishëm është zbulimi i qëllimeve.

Lind pyetja: A është i rëndësishëm vërtetë  zbulimi i qëllimit? Absolutisht PO. Sepse jemi duke folur për një çështje shumë të rëndësishme, për një çështje që kërkon të jemi gjithmonë aktivë dhe vigjilentë për një çështje që kërkohet t`i japim kuptim: Përse jemi këtu? Çfarë bëhet me jetën? Çfarë jam e\i thirrur të bëj? E shumë pyetje të tjera mund të na lindin që na ndihmojnë t`i japim kuptimin e plotë jetës.

Njeriu arrin të bëjë shumë llogari, mendon si të vishet si të bëjë kombinimin e veshjes, si të ketë gjëra të shtrenjta, si të ketë gjëra firmato, si të ketë teknologjinë e fundit, si të duket sa më mirë para të tjerëve etj. Vërtet këto gjëra bëhen pengesë e shqetësim për njeriun që nuk e lënë të arrijë të kuptojë se çfarë është më e rëndësishme për jetën, cilat janë  qëllimet e  jetës. Nuk them se nuk janë të rëndësishme edhe këto që përmenda më sipër veshja, teknologjia e shumë të tjera edhe këto kanë rëndësinë e vet, por ajo që është me e rëndësishme është të zbulojmë qëllimin e jetës, e të dimë se cili është qëllimi i jetës. Secili duhet të dijë qëllimin e tij.  E qëllimi është për të arritur e për të kuptuar: Kush jam unë në të vërtetë? Përse jam këtu? Çfarë jam e\i thirrur të bëj?

Njeriu pa qëllime mund të krahasohet me një njeri i cili hyn në një makinë dhe nuk di se ku shkon do të sillet do të bëjë xhiro  rreth e rrotull deri sa të mbetet pa benzinë dhe kurrë nuk do të arrijë askund.

Si arrijmë ta zbulojmë qëllimin?

Kjo mund të arrihet duke njohur veten dhe duke  ia bërë disa pyetje vetes me dy fjalë: Kush jam? Ose mund  të shtojmë : Kush jam unë? Kush jam unë për të tjerët? Çfarë mundë të bëj? Cilat janë aftësitë e mia?  Për çfarë jam i thirrur? Këto pyetje nuk mjafton t`i bëjmë vetëm një herë apo dy herë por kërkohet që t’ia bëjmë vetes shumë herë, çdo ditë e gjithmonë.

Shpesh kur dëgjojmë pyetje të tilla  na vjen të përgjigjemi duke thënë emrin duke thënë nga jam duke thënë gjininë, duke thënë origjinën, profesionin. Por  të gjitha këto përgjigje nuk tregojnë se kush jam, tregojnë vetëm një pjesë të cilën mund ta thonë edhe të tjerët për ne. Por nuk arrijnë të  tregojnë atë pjesën e vërtetë se kush jam unë. Një pyetje tjetër që na ndihmon të zbulojmë qëllimin është: Përse jam këtu? Ose cilat janë qëllimet në jetën time?

            Pika të tjera mjaft të rëndësishme që na ndihmojnë të zbulojmë qëllimin e jetës janë: praktikimi i meditimit, momentet e heshtjes dhe momentet e lutjes. Nuk ka rëndësi cilës fe i përkasim ose cilës fe i besojmë, thjesht këto do të na ndihmojnë të kuptojmë më mirë qëllimet. Na ndihmon të bëjmë një kërkim introspektiv të brendshëm të vetes. Këto pyetje ngadalë të ndihmojnë të zbulosh qëllimin, të ndihmojnë të njohësh veten, ndoshta jo menjëherë por me kohë diçka arrin të ndryshojë.

Pastaj pyetjet në vazhdimësi që na ndihmojnë janë: Çfarë mund të bëj tani? Jo të pres se çfarë mund të bëj nesër ose në të ardhmen, por kërkohet të fillojmë që sot. Çdo ditë është e rëndësishme dhe na mundëson të bëjmë shumë për vete dhe për të tjerët e jo të presim kur të vijë e nesërmja sepse e nesërmja  ka angazhimet e veta.

Cilat janë qëllimet e mia në jetë? Cilat janë vizionet e mia? Çfarë dua të jem? Çfarë dua të kem? Çfarë dua të bëj? Këto janë disa nga pyetjet që na  ndihmojnë të përcaktojmë se  cilën rrugë duhet ndjekur. Na ndihmojnë të kuptojmë se  ku është entuziazmi ynë, ku është pasioni ynë. Na ndihmojnë të zbulojmë dëshirat. Çfarë dua të bëj? Edhe këtu është një e dhënë e mirë sepse  është mundësia të shohësh se  cila duhet të jetë rruga e drejtë për ty.

Për të zbuluar këtë qëllim na ndihmon një fjali e marrë nga shkrimet e Dalai Lama që thotë: Qëllimi i jetës është të jesh i lumtur. Gjithashtu i njëjti autor thotë: Qëllimi i jetës është t`i ndihmosh të tjerët. Pastaj shton: Nëse nuk mund t`i ndihmosh të tjerët të paktën mos u bëj të keqen. Për këtë na flet edhe Shkrimi i Shenjt ku thotë: Bëju të tjerëve atë që dëshiron të të bëhet ty ose mos ju bëj te tjerëve atë që nuk dëshiron të të bëhet ty.

 Nëse analizojmë këto dy pohime në njërën anë thotë: qëllimi i jetës është të jesh i lumtur. Në pjesën tjetër thotë: qëllimi i jetës është t’i ndihmosh të tjerët. Këtu është një gjë që kam zbuluar që mund të jetë mjaft evidente, e qartë për të gjithë sepse duke ndihmuar tjetrin  ti ndjehesh i lumtur. Sepse duke ndihmuar tjetrin ti ndihmon veten sepse i bëjmë të tjerët të lumtur duke u  dhënë dashuri, paqe, gëzim, bujari, zemërgjerësi, shëndet, mirëqenie. Duke ia dhënë tjetrit të gjitha këto i ke dhënë vetes shumë më shumë. Duke u mundur që të tjerët t`i bësh të lumtur kjo lumturi ngulitet edhe më shume tek ti, e cila nuk mund të mos duket edhe përballë shumë të tjerëve.

D.Lama ka thënë në këto dy pohime të veçanta se: Nëse qëllimi i jetës juaj është të jeni të lumtur edhe duke i ndihmuar të tjerët je i lumtur, ju tashmë jeni ndihmë për të tjerët sepse një person, i cili e jeton jetën e tij të lumtur në paqe e dashuri nuk mund të mos ketë efekt pozitiv edhe mbi personat me të cilët jeton, punon e me të gjitha ata që e rrethojnë.

Kjo kuptohet se  nuk ndodh menjëherë, por kërkon duresë, vullnet e qëndrueshmëri. Të ndihmosh tjetrin je i lumtur,  je i lumtur kur ndihmon tjetrin. Është një gjë  bilaterale e dyanshme që plotësojnë njëra- tjetrën.

Çfarë nënkuptohet me fjalën “lumturi”?

Në përgjigje të kësaj pyetjeje shumica e njerëzve sot ka të ngjarë që të thonë se të jesh i lumtur, do të thotë të “argëtohem”, “ta kalosh mirë kohën” të kesh pasuri…” Por lumturia jonë nuk varet dhe nuk duhet të varet nga ajo çfarë kemi, por nga ajo çfarë jemi, nga individualiteti ynë. Ajo çka jemi,  personaliteti ynë është kushti parësor dhe thelbësor për lumturinë tonë. Pasuria në vetvete dhe bollëku, pak shërbejnë për lumturinë .

Aristoteli thotë: Burimi kryesor i lumturisë njerëzore buron nga brendësia e njeriut. Mund ta lidhim me pjesën ku thuhet i lumtur je kur ndihmon të tjerët kur tregon vlerat që ti ke. Njeri i lumtur është ai individ, të cilin natyra e ka pajisur me dhunti shpirtërore.

Për lumturinë është mjaft i nevojshëm një vlerësim i drejtë i asaj çka jemi në vetvete duke e dalluar nga ajo çka jemi në opinionin e të tjerëve. Lumturia mund të përcaktohet si një gjendje emocionale pozitive dhe disi e qëndrueshme që shoqëron jetën e individit, si një kënaqësi shpirtërore që është aktive dhe jo pasive.

Mbi lumturinë ka një ndikim të madh edhe fakti se duhet të dimë në kohën e duhur, që gjithkush jeton mbi të gjitha dhe tërësisht në lëkurën e vet e jo në opinionin e të tjerëve. Prandaj dhe për mirëqenien tonë ka njëqind herë më tepër rëndësi shëndeti, temperamenti ,miqtë, familja, ndihma që ia ofrojmë tjetrit sesa opinioni që të tjerët kanë për ne. Lumturia varet gati gjithmonë nga qetësia e shpirtit. Pra nuk varet  nga ajo çka kemi, por nga ajo çka jemi në aspektin shpirtëror.

Lumturia lind si rrjedhojë e ndjenjës së frytshmërisë së ekzistencës së vet, si rezultat i shfrytëzimit të forcave të dashurisë e të arsyes që na bashkon me botën. Ajo qëndron në këtë, që në thelbin e realitetit, zbulojmë vetveten dhe unitetin tonë me të tjerët, si dhe dallimin tonë nga ata.  Është gjendja e punës së brendshme me rastin e qëndrimit produktiv ndaj botës dhe vetvetes. Lumturia nuk mund të gjendet në kushtet e pasivitetit të brendshëm. Lumturia është përjetim i plotësisë së qenies dhe jo zbrazëtisë që duhet mbushur.

Nëse e shohim si element psikik, lumturia është e varur plotësisht nga vullneti ynë. Lumturia është një gjë e çuditshme, e cila nuk arrihet duke u kujdesur për unin, por duke u kujdesur për tjetrin. Për të qenë vazhdimisht të lumtur kërkohet që të luftojmë për të arritur vazhdimisht fitore të reja duke bërë të lumtur edhe shumë njerëz të tjerë e kështu lumturia nuk do të mungojë e nuk do të  pushojë asnjëherë.

Lumturia është çështje personale, është e lidhur me tipare të personalitetit. Ajo është dinamike dhe duhet parë si funksion optimal i sistemit të sjelljes individuale. Lumturia është të zbulosh dhe të jetosh qëllimin tënd në jetë. Nëse doni të jeni të lumtur, duhet të caktoni disa qëllime dhe të filloni të punoni për t’i realizuar ato. Lumturi është sikur  jehona në thellësinë e  zemrës tënde të kthehet kur e dhuron vetveten.

Për çfarë ka nevojë bota sot?

Bota në të cilën jetojmë  ka nevojë për persona që janë të mirë dhe të lumtur. Lind pyetja: Po cilët janë ata tipa të personit që janë të lumtur? Personat e lumtur janë ata që bëjnë atë që duan dhe duan atë që bëjnë. Janë ata që kanë njohur të Vërtetën, Zotin. Janë ata që  bëjnë shumë për të tjerët, janë ata që ndihmojnë të tjerët në aspektin ekonomik, por sidomos në atë shpirtëror që çdo njeri ta jetojë një jetë sa më të mirë. Këta janë personat e lumtur.

Kush jeton me entuziazëm (disa këtë term e lidhin me fe  en- teos që do të thotë hyjnore) kush jeton me Zotin, me entuziazëm, me dashuri të vërtetë nuk mund të mos i bëjë mirë tjetrit. Kush është i lumtur nuk mund të mos i bëjë mirë tjetrit, nuk mund të mos e bashkëndajë këtë lumturi, nuk mund të mos e ndihmojë tjetrin sepse nëse jeton në një nivel të lartë shpirtëror atëherë qëndrimi i tij përballë personave të tjerë është një model e shpesh mund të jenë persona model që ata vazhdojnë dhe i emitojnë.

Cili është mesazhi i jetës tënde? Mund të bësh një analizë të jetës, ndoshta nuk ke për të marrë një përgjigje të menjëhershme,  por kjo është një nxitje një ftesë që të vazhdosh të kërkosh për të kuptuar pse je këtu. Që të bëhet kjo apo të realizohet, kërkohen momente qetësie, heshtje meditimi, lutje. Sepse në qetësi, në heshtje  arrijmë të dëgjojmë përgjigjen.

Por nuk mjafton vetëm kjo, pra nuk mjafton vetëm të dëgjosh, por kërkohet të shohësh se çfarë mund të bësh, çfarë mund të jesh, cilat janë detyrat e  rëndësishme në vizionin në misionin tënd. Gjithashtu duhet kuptuar se çfarë është e rëndësishme për ty, nuk është e rëndësishme për tjetrin. Sepse ne jemi të ndryshëm. E këtu qëndron e gjithë bukuria sepse edhe pse jemi ndryshe ne mund të bëjmë diçka për tjetrin.  Në jetë duhet të jemi të kujdesshëm, duhet të bëjmë atë që na bën  mirë  ne dhe tjetrit dhe që i bën mirë botës. Të  jemi të efektshëm, të dobishëm, të vërtetë si për vete ashtu dhe për të tjerët.

Çfarë e pengon zbulimin e qëllimit?

Ajo që shpesh bëhet pengesë për të zbuluar qëllimet është frika. Frika për të njohur veten, frika për t’u takuar me veten, frika për të bërë, frika për të takuar tjetrin. Frika është ajo që të bllokon, është një paralizë që njeriun nuk e lejon të veprojë. Është ajo që pushton shumë shpejt mendimin dhe mënyrën tënde të sjelljes. Frika është ajo që të pengon të shfaqësh vlerat. Për këtë kërkohet që t`i themi stop frikës e të fillojmë të veprojmë për të mirën personale dhe për të mirën e tjetrit. Mos të kemi frikë t`i përgjigjemi pyetjes: Kush jam?  

Platoni thotë: Të kuptosh çfarë është e drejtë, të ndjesh çfarë është e bukur, të dëshirosh çfarë është e mirë, ja qëllimi i jetës të arsyeshme.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »