E DIELA E X GJATË VITIT (B)

Jun 5 • LEXIMET E SË DIELËS

 

Leximi parë Zan 3,9-13

Lexim prej Librit të Zanafilles

Zoti e thirri njeriun dhe i tha: “Ku je?” Ky i përgjigj:”Dëgjova zërin Tënd në kopsht e u tremba, sepse jam lakuriq dhe u fsheha.” Ai i tha: “Kush të tregoi se je lakuriq? A mos ngrëne frytet nga pema prej së cilës të kam urdhëruar të mos hash?” Njeriu përgjigji: “Gruaja, që ma dhe për shoqe, ajo me dha frytet prej pemës dhe hëngra.” Atëherë Zoti Hyj i tha gruas: “Pse e bëre këtë?” Gruaja përgjigji: “Më gënjeu gjarpri dhe hëngra.”

Atëherë Zoti Hyj i tha gjarprit: “Pasi e bëre këtë gjë, qofsh mallkuar ndër të gjitha bagëtitë dhe kafshët e egra! Do të ecësh përmbi barkun tënd dhe do të hash pluhur për ditë e mot të jetës sate!

Armiqësi do të vë ndërmjet teje e gruas, ndërmjet farës sate e farës së saj: fara e saj do ta ndrydhë kokën, kurse ti do t’ ia ngjeshësh në shteg për thembër.”

Fjala e Zotit

Psalmi 130 

Ref. Zoti është mirësia dhe mëshira

———————————————-

Prej humnerës klitha tek ti, o Zot,

o Zot, dëgjoje britmën time!

Le ta dëgjojnë veshët e tu,

zërin e lutjes sime.

—————————————————

Nëse do t’i mbash mend paudhësitë , o Zot,

o Zot, e kush do të qëndrojë para teje?

Por tek ti gjendet falja

që të dimë të të druajmë.

————————————————

Shpresoj në ty, o Zot,

shpirti im shpreson në premtimin e tij.

E pret shpirti im Zotin

më tepër se rojtarët agimin.

————————————————-

Le të shpresojë Izraeli në Zotin,

sepse te Zoti është mëshira

dhe i madh është tek Ai shpërblimi.

Ai do ta nxjerrë Izraelin prej të gjitha paudhësive të tija.

——————————————————————–

  

Leximi dytë 2 Kor 4,13:5,1 

Lexim prej Letrës së dytë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve 

Vëllezër, pasi kemi të njëjtin shpirt  feje, sikurse është në Shkrim shenjt: ‘Besova, prandaj edhe fola’, edhe ne besojmë prandaj edhe flasim, sepse e dimë se Ai që ngjalli Jezusin Zot, edhe ne do të na ngjall bashkë me Jezusin dhe do të na vërë bashkë me ju pranë vetes. E të gjitha këto ngjajnë për ju: që hiri i shumëzuar, të bëj  sa më të begatshëm falënderimin e bashkësisë së shtuar, në lavdi të Hyjit.

Prandaj, nuk e humbim guximin por edhe nëse njeriu ynë i jashtëm shkon duke u shkatërruar, njeriu i brendshëm dita ditës përtërihet. Sepse vështirësia jonë e lehtë dhe e përkohshme na sjell në lavdi të përjetshme pa krahasim më të madhe. Ne nuk kemi për qëllim të fitojmë gjërat e dukshme, por ato që nuk shihen; sepse sendet e dukshme janë të përkohshme kurse sendet që nuk shihen janë të përjetshme.

Fjala e Zotit 

 

Aleluja!

Unë ju quajta miq, thotë Zoti,

sepse ju zbulova gjithçka që dëgjova prej Atit tim.

Aleluja! 

 

Ungjilli Mk 3,20-35 

Lexim i Ungjillit shenjtë sipas Markut

Në atë kohë, Jezusi u kthye së bashku me nxënësit e vet në shtëpi. Prapë u mblodh turmë e madhe sa që as nuk mund të hanin bukë. Kur morën vesh të tijtë, shkuan ta marrin sepse flitej: “Nuk është në vete.”

Kurse skribet që zbritën nga Jerusalemi, thoshin: “ E ka në trup Beelzebulin e me anë të kryetarit të djajve i dëbon djajtë.”

Ai i thirri t’i afrohen dhe filloi t’u flas me shëmbëlltyra; “Si është e mundur që Djalli ta dëboj djallin. Në qoftë se një mbretëri çohet kundër vetvetes, ajo shkatërrohet. Po ashtu edhe ajo shtëpi që çohet kundër vetvetes, shkatërrohet.

Nëse pra, Djalli çohet kundër vetvetes dhe përçahet, ai shpartallohet – i erdhi fundi! Dhe dihet që s’ ka njeri që mund të hyjë në shtëpinë e të fortit dhe t’ ia marrë plaçkat pa e lidhur atë me parë. Vetëm atëherë mund t’ ia plaçkisë shtëpinë.

Për të vërtetë po ju them: njerëzve do t’ u falen të gjitha mëkatet e blasfemitë, me të cilat do të blasfemojnë, por kush ta shajë Shpirtin Shenjt, ai s’ do të ketë falje për amshim: është fajtor i një mëkati të përhershëm.” Sepse thoshin: “Ka qoftëlargun në trup!”

Ndërkaq erdhën nëna e tij dhe vëllezërit e tij. Zunë vend përjashta dhe dërguan dikën ta thërrasë. E kishin rrethuar shumë njerëz. Po i thonë: “Nëna jote dhe vëllezërit e tu janë përjashta e po të kërkojnë.”

Ai u përgjigj: “Kush është nëna ime e kush janë vëllezërit e mi?”

Si ua hodhi sytë rreth e rrotull atyre që rrinin për rreth tij, tha:”Ja nëna ime e vëllezërit e mi” Sepse, kushdo e kryen vullnetin e Hyjit, ai është vëllai im, motra ime dhe nëna!”

Fjala e Zotit

 

POROSIA

Në leximin e parë, dëgjojmë historinë e njerëzve të parë dhe  në përgjithësi kjo histori lidhet edhe me të gjithë ne. Sepse, në këtë histori, kuptojmë që i vetmi njeriu është i vërteti- i lirë në tokë, është qenie që dëgjon dhe i shërben Krijuesit. Është ai që zotëron me tokën dhe të mirat e saj.

Për çdo njeri, është një zgjidhje: ta dëgjosh apo jo Hyjin, t’ i shërbesh apo mos t’i shërbesh, të tentosh të jesh i pavarur apo të tentosh të ngrihesh një kullë babeli. Për fat të keq, mund të ndodh  që liria e njeriut të bëhet fatkeqe: bjerrje dhe shkatërrim. Kështu, kur vjen deri te zbulimi i së keqes me të cilën është përfshirë, gjykon dhe sulmon të tjerët.

Njeriu i parë, kur bën mëkat zhvishet nga hiri i Zotit- turpërohet nga vetvetja.

Dhe kur Zoti e pyet ku je, ai fshihet; ai ka frikë; ai nuk është më i pastër- është mëkatar, lakmues.

Edhe neve na pyet Zoti: ku je? Prandaj si përgjigjemi? Ku jemi dhe çfarë jemi, si shërbehemi me të mirat që na i ka dhënë Zoti dhe sa veprojmë për të mirën e shpirtit dhe familjeve tona, nën ndikimin e Shpirtit të Hyjit?

Krishti erdhi në botë që të mbështjell me hiret e veta njeriun e zhveshur për t’ i dhënë kahe, drejtim të duhur që e shpie në Jetë. Në përfundim të jetës kemi shpërblimin jetën me Zotin në lavdi që nuk përfundon askurrë (Leximi dytë).

Në Ungjill dëgjojmë se si shumëkush çuditet me atë që mëson Krishti, nga mosbesimi, zilia, apo lakmia nuk i pranojnë veprat e tija dhe mrekullitë që bënë.

E Jezusi nuk ndalet por vazhdon për të kryer misionin e pranuar prej Atit, kthimin dhe pendimin. Rreth tij qëndrojnë shumë njerëz, sepse ata kanë nevojë për të, sepse askush nuk mësonte si Ai.

Në praninë e tij, jeta e tyre merrte kahe dhe ndiheshin të lumtur.

Jezusi nuk e nënçmon nënën e vet që e thërret, as familjaret e vet. Me vite ka punuar me ta dhe për ta. Por, Jezusi ua shpjegon detyrën që ka ndaj Atit të vet qiellor; është kjo një thirrje tjetër; është ky një mision që duhet të jetë dhe të mbetet në rendin e parë për të plotësuar vullnetin e Hyjit Atë.

Mënyra e jetës, është e bazuar në kryerjen e vullnetit të Hyjit e cila lidhet me nxënësit e tij në një familje shpirtërore. Kjo bashkësi, nuk është bashkësi e gjakut, por e shpirtit, e dashurisë ndaj Zotit, nderimit ndaj Tij në “Shpirt dhe në të Vërtet” si zgjidhje jetësore e tyre por edhe  e çdo njërit prej nesh.

Rreth tij ishin ata që e padisnin pa arsye, sepse ishin të mbushur me hipokrizi dhe gënjeshtra, ishin në një rrugë pa krye, ishin të verbuar në sy të ballit dhe në shpirt. Sepse veprat e Jezusit tregonin praninë e Zotit në tokë, ishin fryte të Shpirtit shenjtë, ishin paqja e Zotit, ishte mëshira dhe kujdesi që Zoti ka për ne.

Ata thoshin që Krishti vepron me anë të Beelzebulit, kryetarit të djajve, e kjo sipas Jezusit ishte një blasfemi kundër Shpirti Shenjt. Ky qëndrim i tyre, ishte qëndrim që dëshironte të ndante dhe përçante atë që bashkonte Jezusi Zot.

Ne, pra, si të krishterë, duke u bazuar në leximet e së dielës X, duhet të jemi ata që bashkojmë dhe bashkëpunojmë me Shpirtin e Zotit.

Gjithmonë të vëmendshëm në pyetje që ju bë  njeriut të parë: Ku je?

E ne në këtë pyetje do të përgjigjem ja ku jam. Jam këtu për të kryer vullnetin tënd, o Zot.

 

LUTJET E BESIMTARËVE

Hyjit, Atit tonë të mirë që në Jezusin na e mundësoi shpëtimin, t’ ia drejtojmë lutjet tona dhe t’ i themi me përvujtëri:

Na ndihmo, o Zot!

– O Atë, Ti Kishën e Krishtit e ke bërë popullin tënd dhe trashëgimin tënde, jepi hiret tua që me jetë të vërtet ungjillore, t’ i përgjigj dashurisë sate, të lutemi:

– Ti o Hyj, zgjedh shërbëtorët e Kishës sipas vullnetit tënd, bëji të dëgjueshëm dhe bashkëpunëtorë të Shpirtit tënd të Shenjt, të lutemi:

– Me ardhjen e Birit tënd në botë, o Hyj fillon risia që shndërron botën, tërhiqi kah drita e vërtetë të gjithë njerëzit e botës mbarë, të lutemi:

– Ti o Hyj, me flijimin e Krishtit Jezus, ke shkëputur robërinë e mëkatit dhe të vdekjes, na liro nga të gjitha të këqijat dhe na jep hiret dhe paqen në të gjitha ditët tona, të lutemi:

– O Atë, ti në Birin tënd na deshe me dashuri atërore, na jep neve këtu të pranishëm fuqi që të mund të punojmë dhe veprojmë sipas vullnetit tënd, të lutemi:

– Ti o Hyj, thërret të gjithë njerëzit në gazmendin e amshuar, pranoj tek vetja të dashurit tanë që kaluan nga kjo jetë, të lutemi:

O Hyj, Ati ynë, burimi i dashurisë dhe i jetës, dëgjoj lutjet e bashkësisë sate dhe na ndihmo të jemi të aftë për të dëgjuar dhe zbatuar urdhërimet tua. Nëpër Krishtin, Zotin tonë. Amen.

  

Pëgatiti: Don Marjan Demaj

Shpërndaje

Comments are closed.

« »