IPESHKVI I KOSOVËS VIZITON KATOLIKËT SHQIPTAR NË VJENË

Jun 6 • Kisha ndër Shqiptarë

E diela e Trinisë së Shenjtë, ishte ditë feste e dyfishtë për Misionin Katolik Shqiptar në Austri, sepse Ipeshkvi ynë, Shkëlqesia e Tij Imzot Dodë Gjergji, e vizitoi Misionin tonë. Qëllimi i kësaj vizite baritore, ishte të ndajë sakramentin e krezmimin 44 kandidatëve, të cilët pas një përgatitjeje intensive njëvjeçare, të udhëhequr nga misionari Don Nikson Shabani, të ndihmuar nga prindërit e kandidatëve, dhe dëshmisë së nunëve dhe nuneshave. Pas një pune të gjatë, kandidatët ishin të gatshëm për të marrë vulën e këtij sakramenti, dhuratat e Shpirtit Shenjt, të bëhen të krishterë të pjekur, dëshmitarë të pagëzimit të tyre.  

Në meshë, u nda edhe sakramenti i kungimit për 38 fëmijë, të cilët për të parën herë bashkohen me Krishtin eukaristik; ushqimin e jetës së tyre të njomë që do i përcjell gjatë tërë jetës.

Atmosfera ishte shumë e gëzuar për besimtarët shqiptarë. Kjo ngjarje pastorale, për misionin është gjithmonë e nxitur nga feja e anëtarëve, familjeve tona fisnike që e jetojnë dhe e dëshmojnë me jetën e tyre përkatësinë ndaj Kishës dhe vendit të vetë.

Në mënyrë të veçantë, Qendrën e Misionit e gëzon sa herë që vizitat bëhen nga atdheu, e krejt të veçantë, kur në mesin tonë vjen bariu i grigjës së Kosovës, Imzot Dodë Gjergjit, të cilin misionari ynë, Don Nikson Shabani, në emër të gjithë besimtarëve e përshëndeti në fillim, dhe e falënderoi për kohën që ka nda për të qenë në mesin tonë, si dhe për kujdesin që tregon për besimtarët e këtij Misioni, duke iu siguruar një meshtar, i cili i bashkon me meshën në gjuhën shqipe. Dhe nëpërmjet saj, kontribuon edhe në ruajtjen e gjuhës dhe identitetit kombëtar.

Ipeshkvi, gjatë predikimit, shprehu gëzimin për praninë në mesin e besimtarëve nga Dioqeza e tij, që jetojnë në këtë vend dhe po ashtu falënderoi ata që bashkohen këtu me misionarin e tyre për të ruajtur fenë e për të kërkuar bekimin e Zotit. Besimtarët, nëpërmjet meshës në gjuhën shqipe, lidhen me atdheun e tyre dhe kanë ndjenjën se janë aty, në mesin e famullive nga vijnë. Ipeshkvi, iu drejtua fëmijëve me shpjegimin e kungimit të parë dhe jetës me Krishtin, kurse të rinjve, kandidatëve për krezmim, për rëndësinë e përforcimit dhe dhuratave të Shpirtit Shenjt.  

I nxitur nga leximi i librit të Ligjit të Përtërirë:”A ka ndokund ndonjë popull që e ka dëgjuar Hyjin duke folur prej mesit të zjarrit, siç e dëgjove ti dhe të ketë mbetur gjallë?”, ipeshkvi pyeti besimtarët se, a ka popull që e ka ruajtur fenë 500 vite në okupim siç e ka bërë populli ynë gjatë okupimit otoman dhe 50 viteve të komunizmit? A ka popull në migracion, i cili e ruan fenë, gjuhën dhe traditën sikurse ju, duke shprehur para tyre  këtë përkatësi dhe qëndresë? Në fund, falënderoi edhe një herë të gjithë për kontributin që japin për të mbajtur gjallë Misionin dhe porositi e luti besimtarët që ta ruajnë fenë. Mbas meshës, ishte organizuar në koktej rasti ku vazhduam kremtimin dhe u shpërndamë në paqe, me shpresë se dhuratat e Shpirtit Shenjt do të prodhojnë vepra të mira tek të gjithë ne, me të cilat do ta pasurojmë jetën tonë dhe jetën e Kishës. 

Teksti dhe fotografitë nga: Qendra e Misionit Katolik Shqiptar në Vjenë 

1

2

3

4

5

6

7

8

9

10

Shpërndaje

Comments are closed.

« »