Abc-ja e demokracisë

Jun 8 • Res socialis

Shkruan: Dr. Pavao Brajsha

Na duhet të fillojmë nga vetja jonë

Sipas një tregimi të lashtë, duke e krijuar botën zotat në Olimp kishin reflektuar se ku ta fshihnin fuqinë e madhe të universit, në mënyrë që mos ta zbulonte njeriu, dhe eventualisht ta keqpërdorte atë. Zoti i parë, kishte propozuar që ta fshihnin atë në majën e kodrës më të lartë, një tjetër në fundin e detit më të thellë, kurse i treti thellë në qendrën e globit. Pas një bisede të gjatë, erdhën në përfundim se njeriu do të mund të vinte një ditë edhe në majë të kodrës më të lartë, edhe në fundin e oqeanit më të thellë, por edhe në qendrën e tokës. Pastaj, i katërti sugjeroi që atë forcë të madhe ta fshehin në brendinë e vetë njeriut. Kurrë nuk do t`i shkojë mendja për ta kërkuar atë atje. Kështu edhe bënë, dhe ajo fuqi e jashtëzakonshme dhe e madhe, sot e kësaj dite, ende s`është zbuluar, as s`është përdorur mjaftueshëm nga të gjithë.

Brenda nesh ndodhen burime të (jo) demokracisë reale. Ne, të gjithë e dëshirojmë demokracinë. Kërkojmë zgjedhje të lira. Përpiqemi të kemi një kushtetutë dhe ligje demokratike. Synojmë demokracinë në shkollë, në rrugë, në ndërmarrje, në jetën publike, shtet, botë. Mirëpo, këtu harrojmë se kemi nevojë për demokraci edhe në veten tonë, në sjelljen tonë: qoftë atë private, profesionale, intime apo publike. S`ka demokraci përreth nesh pa demokraci në ne. Në të menduarit, të ndierit, sjelljet tona, në personalitetin tonë, në komunikimin e përditshëm me të tjerët, në dashurinë ndaj vetvetes dhe të tjerëve.

Mendimtari i famshëm indian De Mello, na paralajmëron se e kemi një thesar në vetvete dhe se nuk kemi nevojë për ta kërkuar atë përreth nesh. Edhe të kërkuarit tonë të një sjellje demokratike, lypset ta fillojmë në ne. Nëse s`jemi në gjendje ta identifikojmë veten tonë dhe gjendjen e demokracisë në vetvete, kot e kërkojmë atë rreth e rrotull nesh, dhe te të tjerët. Kjo duhet filluar nga ne dhe në ne. Problemi është se si ta njohim dhe identifikojmë gjendjen e vërtet të demokracisë në ne. Demokratizimi i sjelljes sonë nevojitet të fillojë brenda nesh, në qenien tonë të brendshme: në trurin, zemrën, shpirtin tonë. Me një tru, zemër dhe shpirt jodemokratik nuk jemi në gjendje të sillemi në mënyrë demokratike me të tjerët. Pa demokraci në veten tonë, vetëm mund të aktrojmë një demokraci para të tjerëve. Në këtë mënyrë zhvillohet një hipokrizi demokratike, jo demokraci. Këtu përshtatet dhe një mendim tjetër i të njëjtit autor, i cili thotë se kushdo që dëshiron të shërohet e në atë rast të mos vuajë  asgjë është i ngjashëm me ata që duan të ecin përpara pa e ndryshuar vetveten.

Pra, në fillim të çdo demokratizimi ndodhet demokratizimi i vetes sonë, e kjo është e pamundur pa reflektuar për veten tonë, pa pranimin e vetes sonë në tërësi, kujdesin për veten tonë dhe punën në veten tonë. Është e nevojshme së pari për të reflektuar për veten dhe sjelljen tonë personale, për të vështruar, ndërgjegjësuar vetveten, për të pranuar veten në tërësinë e saj dhe për të punuar në veten tonë. Çdo ndryshim duhet filluar nga ne dhe në ne. Në ne fshehën energji dhe mundësi tona jashtëzakonisht të mëdha të pashfrytëzuara demokratike. Ato vetëm duhet të dimë t`i identifikojmë, t`i lëvizim dhe t`i përdorim. 

2. S`është e lehtë të sillesh në mënyrë demokratike

Zig Ziglar, shkroi: Nëse jemi të ashpër me vetveten, jeta do të jetë më e lehtë për ne; e nëse e kursejmë vetveten, jeta jonë do të jetë e ashpër me ne. Demokracia është një formë e mundimshme e jetës së përbashkët. Zakonisht ne shkojmë rrugës së rezistencës më të vogël, kështu që priremi për të shmangur çdo gjë që është e vështirë, dhe për të zgjedhur atë që është më e lehtë, e kjo është gjithçka tjetër, vetëm demokraci jo. Mirëpo, demokracia është cilësi që na bën të kënaqur, të lumtur, njerëz në kuptimin e vërtet dhe të plot të fjalës.

Shumë predikojnë demokraci, por të tjerëve, jo edhe vetvetes. Shumë kërkojnë demokraci nga të tjerët, por jo edhe nga vetvetja. Shumë luftojnë kundër jodemokracisë rreth vetes, por jo edhe në vetvete. Të gjithëve u shkakton alergji një demokraci e pasinqertë dhe e rreme e të tjerëve, por nuk e shohin edhe te vetja e tyre. Shumë e konsiderojnë sjelljen demokratike detyrim për të gjithë që ndodhen rreth tyre, por jo edhe për veten e tyre. Demokracia nuk është diçka që ka të bëjë vetëm me të tjerët. Kjo është diçka që edhe si i përket edhe vetes sonë.

Duhet të mendojmë për veten tonë dhe për sjelljen tonë (jo)demokratike. Ne priremi të mendojmë për të tjerët, jo për vetveten. Kritikojmë të tjerët dhe sjelljen e tyre, por nuk e shohim veten dhe sjelljen tonë. Na pëlqen të mendojnë rreth asaj se sa e kanë arritur demokracinë të tjerët, por jo edhe vetë ne. E analizojmë nivelin e të qenit demokrat të të tjerëve, por jo edhe atë tonin. Gjithmonë është më lehtë dhe më ëmbël të shikosh në oborrin e huaj, por jo edhe në atë vetjak.

Paqe të madhe gjen ai cili nuk shikon çfarë mendon dhe flet fqinji i tij, por vetëm atë çfarë bën ai vetë, për të qenë ajo e mirëfilltë dhe e drejtë (Mark Aureli). Në fillim të zhvillimit të sjelljes vetjake demokratike, të punës në vetveten tonë dhe sjelljen tonë demokratike, të kujdesit për veten dhe demokracinë tonë, ndodhet të reflektuarit për vetveten. Së pari, nevojitet të mendojmë për vetveten, në mënyrë që të mund edhe të punojmë në veten tonë. Të reflektosh për veten tënde, është parakusht për çfarëdo pune mbi vetveten, sidomos të ndryshimit të vetvetes dhe sjelljes vetjake. Sigurisht, kjo vlen në veçanti edhe për problematikën e sjelljes demokratike dhe zhvillimit të saj.

Antropologu dhe filozofi francez Pierre Teilhard de Chardin (Pier Tejlarddë Shardën) në librat e tij në disa vende shkruan në lidhje me aftësinë e të menduarit, domethënë, të reflektimit për vetveten si njeri. Sipas tij, të menduarit mbi vetveten, domethënë të reflektuarit, do të thotë t`i kthehesh vetvetes, ta vështrosh veten, ta njohësh vetveten. Ky është një tipar thelbësor i njeriut.

Ne, priremi të mendojmë për të gjithë dhe gjithçka përveç për vetveten dhe demokracinë vetjake. Me dëshirë reflektojmë si qëndron puna me të tjerët, por rrallë si qëndron me ne. Rreth sjelljes jodemokratike të të tjerëve e kemi kryet plot, por për një sjellje të tillë te vetja jonë as që na shkon ndër mend! Objekti i të menduarit tonë nevojitet të bëhet personaliteti dhe sjellja jonë vetjake! Na duhet të bëhemi të vetëdijshëm për veten dhe sjelljen tonë në mënyrë që të mund të ndikojmë në të, dhe eventualisht ta ndryshojmë atë.

3. Arti i sjelljes demokratike

Në librin e tij “Filozofia e arteve jetësore”, filozofi gjerman Wilhelm Schmidt shkruan se njeriu mund dhe duhet ta vështrojë vetveten, t`i kthehet vetes së vet, të flas për veten e vet, të mendojë për veten e vet dhe të bëhet i vetëdijshëm për vetveten. Ky është një raport njohës me vetveten, i cili, nuk mund të mbetet pa pasoja për ne. Ngritja e vetëdijes për vetveten ka një ndikim në ndjenjën e vlerës vetjake, të dinjitetit vetjak dhe na lejon të distancohemi nga vetja jonë dhe ta drejtojmë shikimin kah të tjerët; t`i perceptojmë ata si persona me dinjitet personal.

Në të njëjtën shkallë me të cilën marrim njohuri diçka rreth vetvetes, ne edhe ndryshohemi. Jemi të prirë të mendojmë për të gjithë të tjerët vetëm jo për vetveten. Kthehemi më shumë kah të tjerët, më rrallë kah vetja jonë. I shohim të gjithë të tjerët, vetëm jo veten tonë. Demokracia, do filluar me kthimin kah vetja e atyre që luftojnë për të. Pa këtë, s`ka zhvillim as zgjatje të demokracisë në asnjë mjedis. Beteja për demokracinë në vetvete, është një parakusht i një beteje të suksesshme për demokracinë në mjedise të caktuara. Demokracinë duhet t`ua tregosh të tjerëve, dhe jo vetëm tu flasësh të tjerëve për të. Është qesharake që dobësitë tona vetjake s`i shmangim, edhe pse mundemi. Ato të të tjerëve, nga ana tjetër, do të dëshironim t`i hiqnim, gjë që është e pamundur (Mark Aureli).

Filozofi spanjoll Jose Ortega y Gasset, në librin e tij “Rreth dashurisë” thekson se aftësia për t’u përqendruar në vetvete është e pranishme vetëm te njerëzit, domethënë është fenomen specifik njerëzor. Njeriu s`është një rezultat i rrethanave të tyre, por është vetëm i zhytur në to dhe në disa raste mund të dalë prej tyre dhe të hyjë, të mblidhet dhe të thellohet në veten e vet. Pa një tërheqje strategjike në vetvete, jeta njerëzore është e pamundur.

Për të qenë në gjendje për të zhvilluar demokracinë rreth vetes, nevojitet së pari të zhvillojmë atë brenda vetes sonë, e për të mundur ta bëjmë këtë nevojitet të jemi në gjendje të reflektojmë mbi veten tonë. Nevojitet të kthehemi kah vetja, të marrim vesh se çfarë po ndodh brenda nesh dhe mes nesh. Reflektimi është mjet elementar i zhvillimit dhe ruajtjes së sjelljes vetjake demokratike. Shumë janë të bindur se janë demokratë të mëdhenj, duke mos vënë re se sa shumë mendojnë, ndiejnë, dashurojnë dhe flasin në mënyrë jodemokratike. Tragjedia është të predikosh demokracinë dhe të bësh be në të, duke e mbajtur të menduarit, të ndierit, dashurinë dhe komunikimin vetjak jodemokratik. Mirëpo, për ta vënë re fare këtë, na duhet t`i kthehemi vetvetes dhe ta identifikojmë realitetin tonë të brendshëm vetjak demokratik ose ndoshta jodemokratik.

Shiko në brendësinë tënde: atje është burimi i mirë që gjithmonë mund të gurrojë në qoftë se je gjithmonë në kërkim – thotë filozofi Mark Aureli. Le të shikojmë në veten tonë dhe të përpiqemi të përcaktojmë se sa ka në ne demokraci reale dhe të vërtetë. Le ta pyesim vetveten se a guxojmë t’u predikojmë demokracinë të tjerëve, dhe të betohemi me të, ndërsa brenda nesh jetojmë dhe sillemi në mënyrë maksimalisht jodemokratike, madje edhe antidemokratike.

 (Përktheu: P. Shtjefën Dodes SJ)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »