IMZOT DODË GJERGJI VIZITON ARKIVIN SHTETËROR TË AUSTRISË

Jun 8 • Kisha në Kosovë

Imzot Dodë Gjergji, Ipeshkvi i Kosovës, gjatë vizitës së tij në Vjenë të Austrisë, i shoqëruar nga  misionari Don Nikson Shabanin, përgjegjës për katolikët shqiptarë në Austri, vizitoi Arkivin Shtetëror të Austrisë (Österreichisches Staatsarchiv Haus-, Hof – und Staatsarchiv)Imzot Gjergji, u prit nga drejtori i Arkivit Z. Thomas Just dhe nga përgjegjësi për akte në këtë arkiv Dr. Gerhard Gonsa, të cilët e informuan Ipeshkvin rreth punës dhe mënyrës e funksionimit të këtij arkivi.

Gjatë këtij takimi, u bisedua për mundësinë  e bashkëpunimit mes Arkivit Shtetëror dhe Ipeshkvisë së Kosovës; mundësinë e hulumtimeve të dokumenteve që kanë të bëjnë me historinë e Kosovës, Ipeshkvisë dhe rajonit. Z. Just dhe z. Gonsa, shprehën gatishmërinë dhe përkrahjen tyre për të bashkëpunuar ngushtë  me Ipeshkvin e Kosovës, bashkëpunim ky i cili do të ndihmonte studiuesit për të zbardhur një pjesë të historisë sonë kombëtare dhe kishtare.

Zotëri Gonsa e shoqëroi Ipeshkvin në brendinë e këtij arkivi, i cili përmban 12 kate, me akte të ndryshme arkivore, dhe na tregoi pjesën në të cilën gjenden dokumentet që mund të paraqesin interes për studiuesit tanë. Gjatë kësaj vizite qe e mundur të shihen disa dokumente shumë të rëndësishme për Kishën tonë, dokumente të cilat do të zbardhin shumëçka për praninë tonë në trevat e Ballkanit.

Po ashtu, z. Gonsa, tregoi e mundësinë e skanimit të këtyre dokumenteve duke treguar aparaturën e arkivit që është dispozicion për këtë punë.

Kjo vizitë ishte shumë e frytshme dhe do të shpresojmë se në një të ardhme të afërt do të sjell frytet e saja: të kemi dokumente të reja për Ipeshkvinë tonë, për trevat e posaçme të Kosovës, aktivitetin e shumë Kishave dhe meshtarëve që kanë kontribuar për historinë dhe  qenësinë tonë.  

Për Dritën: Don Nikson Shabani

1

2

3

4

Shpërndaje

Comments are closed.

« »