MISIONI KATOLIK SHQIPTAR NË LUZERN: NDARJA E SAKRAMENTIT TË KREZMIMIT

Jun 8 • Kisha ndër Shqiptarë

 

Shkruan: Angjelina Markaj – Gjokaj

Luzern (CH), 6 qershor 2015: Në kishën e Shën Mihillit në Luzern, u kremtua mesha solemne gjatë së cilës ipeshkvi i Sapës, Mons. Lucjan Avgustini krezmoi tridhjetë të rinj e të reja nga Misioni ynë.

Siç u tha edhe në fjalën përshëndetëse, për të gjithë ne ishte gëzim dhe nder  që ipeshkvin e nderuar ta kemi në mesin tonë,  sidomos, në një ditë kaq të veçantë, në të cilën mbi të rinjtë tanë, përmes lutjeve dhe shtrirjes së duarve të ipeshkvit, dhe lyerjes me vajin e shenjtë, zbriti Shpirti Shenjt, për t’i bërë dëshmitarë të zellshëm për një jetë të krishterë.

Në këtë ditë të shënuar, na u kujtuan fjalët që lexojmë në Shkrimin e Shenjtë: “Kur apostujt dëgjuan në Jerusalem se Samaria e kishte pranuar Fjalën e Hyjit i dërguan atje Pjetrin e Gjonin. Këta zbriten atje, u luten për ta që ta merrnin Shpirtin Shenjt, sepse ende nuk kishte zbritur mbi asnjërin ndër ta; ata vetëm ishin të pagëzuar në Emër të Jezusit Zot. Atëherë vunë duart mbi ta dhe ata morën Shpirtin Shenjt” (Vap 8, 14-17). E, për lyerjen me vaj, dëshmojnë edhe Shën Irineu dhe Tertuliani kur thonë: “… Të pastruar në ujë jemi të gatshëm që sipas detyrës së engjëllit ta pranojmë Shpirtin… Në dalje prej ujit  lyhemi me vajin e shuguruar në përkim me disiplinën e lashtë…”.

Pra, në krezmim apo përforcim, këta të rinj morën Shpirtin Shenjt, sikurse e morën Apostujt ditën e Rrëshajëve.  Të gëzuar, për këtë hir të madh të Zotit, të stolisur me dhuratat e Shpirtit Shenjt, të rinjtë plotë zemër pranonin të bëhen dëshmitarë të guximshëm të mësimeve ungjillore.

Ata, edhe pse kishin ndjekur rregullisht mësim besimin në gjuhën gjermane, vitin e fundit u përgatitën me mësim feje shtesë në gjuhën amtare shqipe, me qëllim që të ruajnë dhe kultivojnë lutjet dhe kulturën e fesë të trashëguar nga prindërit dhe të parët e tyre.

Gëzimin e kësaj dite e shtoj edhe një befasi e këndshme për shumë besimtarë të pranishëm. Para se të filloj ipeshkvi t’i krezmoj të rinjtë, këtij riti i parapriu pagëzimi i një të rriture. Ajo kishte vendosur ta përqafojë besimin katolik, dhe pasi kishte kaluar kohën e katekumenatit dhe përgatitjes për sakramentet e iniciacionit nga Don Agimi, po në këtë meshë, pranojë krezmimin dhe kungimin duke u bërë pjesëtare e plotë e Kishës së Krishtit.

Në fjalën e rastit, ipeshkvi ndër tjera theksoj tri gjëra të rëndësishme për një jetë të mirë të krishterë: “Së pari të qëndrojmë të bashkuar në uratë, të bashkëpunojmë me Zotin duke iu shmangur të keqes dhe lakmisë, si dhe foli për dhuratat e Shpirtit Shenjt, si mjete që ta arrijmë këtë bashkëpunim me Zotin.” Po ashtu, ai solli dëshmi të mira të klerikëve dhe besimtarëve martirë nga Shqipëria, të cilët edhe pse të privuar për ta jetuar lirisht besimin në Krishtin, asnjeherë nuk e mohuan por e dëshmuan edhe para torturuesve te vet.

Në mbarim të këtij kremtimi, misionari ynë Don Agim Qerkini, falënderoi ipeshkvin dhe sekretarin e tij Don Artur Kola, pastaj Don Albert Jakaj, motrat dhe korin për këndim të mirë, sidomos të rinjtë e krezmuar dhe familjet e tyre. Duke i uruar të rinjtë për marrjen e krezmimit, ai i porositi që tash edhe më shumë të angazhohen në Mision. Ky kremtim gëzimi, ka vazhduar pastaj me drekat familjare shtruar për këtë rast.

O Shpirt Shenjt deh zbrit mbi ne, e prej qielli derdh mbi ne, rrezet tua plot me dritë.

2

3

4

5

6

7

8

Shpërndaje

Comments are closed.

« »