TË RINJTË NË SHOQËRI

Jun 9 • Bota e të rinjve

 

Shkruan: Mihály Szentmártoni*

Zhvillimi shpirtëror dhe psikik i të rinjve nuk varet vetëm prej faktorëve biologjikë, por edhe prej ambientit dhe prej kontekstit shoqëror ku jetojnë. Kështu që disa prej sjelljeve, tipareve shpirtërore, dezorientimit dhe mosangazhimit konkret, mund të kuptohen si reagime ndaj botës ku jetojnë. Shoqëria, me pritjet e saja, ndikon në zhvillimin dhe personalitetin e të rinjve, si dhe cakton rolin dhe planet e tyre për të ardhmen. Strukturat shoqërore mund ta lehtësojnë procesin e pjekurisë, porse njëkohësisht ato mund të shndërrohen në burim problemi dhe vështirësie. Në vazhdim, do të përpiqem të pasqyrojë në pika të përgjithshme ata faktorë shoqërorë që ndikojnë dukshëm në zhvillimin e të rinjve.

Ndryshimet teknologjike dhe shoqërore

Të rinjtë e sotëm, jetojnë në një botë që karakterizohet me ndryshime të shpejta e të mëdha. Ndoshta, asnjë gjeneratë e mëparshme, s’ka përjetuar një revolucion të këtillë teknologjik sa ky i tashmi. Progresin shkencor e kemi pranuar si vlerë absolute: gjithçka i është nënshtruar progresit. Pasojat nuk kanë munguar. Mjafton të kujtojmë televizionin, centralet atomike, raketat në gjithësi, kompjuterin – gjitha këto janë shpikje të disa dhjetëvjetëshave të fundit. Këto zbulime ndoshta nuk janë aq interesante si të tilla, sa janë interesante për shkak se kanë shkaktuar ndryshime të mëdha shoqërore. Të marrim për shembull automobilin, si njërin ndër prodhimet-pa dyshim- më të dobishme e të mëdha të teknologjisë bashkëkohore. Prej kur ka filluar të prodhohet me shumicë; prej kur është bërë pjesë e jetës së përditshme, thellbësisht ka ndikuar në jetë: vendi i punës dhe shkolla mund të jenë edhe me kilometra larg nga shtëpia, por duke iu falënderuar automobilit ato më nuk konsiderohen largësi të mëdha. Përveç kësaj, progresi teknologjik ka zgjeruar kontekstet ndërmjet njerëzve të vendeve të ndryshme, por me këtë zgjerim është plogështuar kohezioni i brendshëm i familjes. Çfarë pasojash lanë këto ndryshime në zhvillimin e të rinjve?

Njëra ndër pasojat e drejtpërdrejta të ndryshimeve të shpejta shfaqet në jetën psikike, për faktin se e kaluara gjithnjë e më tepër largohet prej të tashmes, e humb vlerën e saj para syve të të rinjve. Zgjidhjet për disa probleme, që në të kaluar ishin të mira dhe adekuate, përnjëherë humbin vlerën e tyre në jetën bashkëkohore. Kjo, në vetëdijen e të rinjve shfaqet përafërsisht në këtë formë: çdo gjë që është e vjetër, çdo gjë që i përket të kaluarës është anakronizëm. Nuk e pranojnë përvojën e të vjetërve, madje gati shprehin dhimbje për ta kur përmendet e kaluara, duke ju përkujtuar se ata kanë vepruar kështu a ashtu, këtë apo atë. Në vetëdijen e të rinjve, e vjetra dhe anakronizmi kanë marrë të njëjtin kuptim.

Porse, edhe e ardhmja e humb domethënien dhe kuptimin: bëhet gjithnjë e më e largët, më e pasigurt- gjithnjë më e pallogaritshme. Çfarëdo të sjellë e ardhmja? Kush do të mund të përgjigjej në këtë pyetje të ankthshme, sot, kur prej ditës në ditë, kemi befasi të reja. Tek të rinjtë, kjo formon përvoja të reja, nevoja të reja: deri në maksimum të shfrytëzohet çasti i tashëm. Përse të merakosemi për të ardhmen kur nuk mund të dimë çfarë do të ndodh me të? “Me çfarë ndjenjash mendon për të ardhmen”? – ishte njëra ndër pyetjet në të përditshmen Le Croix. Në grupin e të rinjve prej 13 deri 16 vjeç, përgjigjet renditeshin kështu: “me ankth” 22%, “nuk më intereson” 16%, “me padurim” 41%, “me ndjenja të paunifikushme” 19%. Pa marrë parasysh sa tingëllon ngushëlluese përgjigja e atyre 41% në kategorinë “me padurim”, ngjashëm duket e alarmante i atyre 22%. Çka është shkaku i këtij ankthi? Njëri ndër të rinjtë i pyetur, e ka justifikuar përgjigjen në këtë mënyrë: “Mendoj për të ardhmen me ankth. Ka shumë gjëra të tmerrshme në botë: lufta, diskriminimi racor. Për shkak të gjitha këtyre, nuk është e mundur të kihet besim tek njerëzit. Të rriturit janë më pak tolerant sot se sa viteve të kaluara dhe më lehtë shohin gjithkund të keqen se sa të mirën.”

Lidhshmëria mes gjeneratave, gjithnjë e më shumë bëhet e plogësht: komunikimi mes gjeneratave po tkurret, të rinjtë s’gjejnë tema të përbashkëta me prindërit e tyre, përkatësisht nuk flasin më të njëjtën gjuhë. Që tani specialistët janë shqetësuar se çfarë do të ndodh me komunikimin mes rinisë kompjuterike dhe prindërve? Të rriturit nuk e kuptojnë më atë gjuhë dhe kanë përshtypjen se humbin kontrollin mbi të rinjtë.

Ndryshimet e shpejta, kanë zvogëluar edhe rolin e familjes në edukimin e fëmijëve. Me rritjen e madhe të lëvizjeve, ndjeshmëria e lidhjeve është gjithnjë e më sipërfaqësore; anëtarët e familjes gjithnjë e më pak qëndrojnë së bashku në shtëpi. Prindërit gjithnjë e më pak i edukojnë fëmijët e tyre; ka rënë ndikimi i tyre në zhvillimin moral dhe shpirtëror të gjeneratave të reja.  

Gërshetimi i kulturave të ndryshme (të kujtojmë migrimet e punëtorëve, turizmin, praninë e studentëve të huaj, etj.), ka bërë të kapshme vlerat deri më tani të panjohura, tradita të reja, ide (p.sh. misticizmi indian, meditimet yoga, sekte të ndryshme…). Gjithë kjo sjellë pasiguri edhe më të madhe në botën shpirtërore të të rinjve edhe ashtu të pasigurt. E kanë vështirë të gjejnë sistem të fortë të kudopranushëm të vlerave, i cili, do të mund të ishte një udhërrëfyes i pathyeshëm. Kërkimi i tyre për të gjetur pika të qëndrueshme shumë shpesh mbaron në relativizmin e vlerave, ndaj nuk mund ta gjejnë as vetën as identitetin e tyre. Në pyetjen bezdisëse, pse ia vlen të flijosh, madje të dhashë jetën, s’mund të fitosh dot përgjigje me përmbajtje të kënaqshme.

Urbanizimi, gjithnjë e më i shpejt ndikon gjithashtu në zhvillimin shpirtëror të të rinjve. Sociologët tanimë kanë shkruar shumë për rreziqet e urbanizimit: jeta në megaqyetet shndërrohet në jetë të paemër – anonimitet, i afërmi s’ka më kurrfarë domethënie, njerëzit ndjehen të vetmuar, ndjejnë trysni nga vetmia. Ka me qindra nxënës nëpër shkolla që edhe aty mbesin të paemër; janë këto që bëjnë të rritet instinkti kafshëror.

Jetojmë në shoqërinë konsumuese. Natyrisht se ky pohim nuk do të thotë se në këtë shoqëri janë krejt të pasur, por pikërisht e kundërta, ka gjithnjë e më shumë të varfër. Por, shoqëria në përgjithësi, asnjëherë nuk ka qenë më e pasur, asnjëherë nuk ka disponuar me aq të mira materiale se sa sot. Tek të rinjtë e shoqërisë konsumuese ngadalë po vdes një cilësi: kujdesi për të ardhmen. Paratë nuk janë problem, për to kujdeset i ati. Fëmijët e kohës sonë lindin të pasur. E kjo i ka pasojat e veta: që në moshën e njomë, krijohet mentaliteti konsumues. Të rinjtë sot e përbëjnë një masë të palimitizuar konsumatorësh. Prodhuesit janë shumë të vetëdijshëm për këtë fakt dhe reklamat e tyre iu drejtojnë pikërisht të rinjve, siç janë: veshjet, përçuesit e zërit, automjetet, revistat, përgatitjet sportive, cigare e mijëra gjëra prodhuese që ju adaptohen shijes së të rinjve. Mundësia e blerjes me kredit bënë që të jetojnë në iluzione, veçanërisht çiftet e reja, që nuk ia vlen të mohosh asgjë kur e ardhmja mund të ndërtohet edhe në karta krediti!

Familjet që nuk kanë mundur të kapin hapin e progresit material, ndjehen të varfër më tepër se kurrë, kurse fëmijët e tyre të konsideruar klasë e dytë, përjashtohen nga gjenerata e tyre. Në botën perëndimore, fëmijë të tillë jo rrallë shndërrohen në kriminel. Porse kjo nuk ndodh vetëm në botën perëndimore. Natyrisht, as fëmijët e familjeve të pasura nuk janë pa probleme, por ata i përkasin kategorisë tjetër.

Pasoja e radhës e mentalitetit konsumues, është që gjithnjë e më shumë ka kohë të lirë për të rinjtë. Sot, shumë vështirë, mund të takojmë në ndonjë vend të miturit si punëtor. Të rinjtë nuk dinë çfarë të punojnë në kohën e lirë. Para sa vitesh në Angli shkruhej dhe flitej shumë për një dukuri të çuditshme dhe brengosëse: nxënësit e shkollës pa asnjë shkak do t’i rrihnin të vjetrit, pleqtë, pensionistët, do t’i rrënonin mjetet e çmueshme shkollore dhe do të kryenin vepra të ngjashme barbare. Te njerëzit u shfaq një dyshim rrëqethës se këta nxënës mendojnë kështu “sa për sport”, nga monotonia.

Ndikimi i madh i mjeteve të komunikimit, ka prodhuar qëndrime të reja tek të rinjtë. Ndikim të madh ka para së gjithash televizioni. Të rinjtë, joshen ndaj fotografive; shohin lajme, lufta, vrasje, uri nëpër vende të ndryshme. Këto janë lajme instante, sepse raportojnë drejtpërdrejtë për ngjarjet. Për këtë arsye të rinjtë gjithnjë e më pak besojnë në fjalë, në atë që ju rrëfehet. Ata besojnë vetëm në atë që shohin me sytë e tyre. Fjalët e mëdha dhe premtimet nxisin tek ta buzëqeshje cinike.

Kur i kundrojmë ato ndryshime shoqërore dhe ndikimin e tyre tek të rinjtë, nuk na befason fakti se çfarë i kemi të rinjtë, por më tepër, është për t’u befasuar që, përkundër gjithë faktorëve shoqëror, ende kemi të rinj normal, të përshtatshëm për shoqëri, të rinj të baraspeshuar. Çelësin për të kuptuar këto të fshehta e gjejmë në analizën e një dimensioni tjetër të personalitetit: dinamizmi i brendshëm i jetës psikike. Vërtet, psikja njerëzore posedon edhe disa mekanizma, parime, ligjshmëri imanente, të brendshme të cilët mund të udhëheqin zhvillimin në drejtim të drejtë edhe atëherë kur rrethanat e jashtme janë të këqija. Kjo është baza e optimizmit psikologjik.

Çrregullimi i botës shpirtërore

Përveç vështirësive që lindin për shkak të ndryshimeve të theksuara teknologjike dhe shoqërore, të rinjtë, në rrugën e pjekurisë personale, duhet të ballafaqohen edhe me një pengesë më të rëndë: me kaosin e botës shpirtërore që i rrethon. Njeriu, kurrë me parë në të kaluarën nuk është marrë me vetveten sa sot (të shkosh tek psikologu sot, në shumë vende perëndimore, është bërë një modë!). Asnjëherë, si sot, shkenca nuk është marrë me njeriun (psikologjia dhe antropologjia ligjërohen në të gjitha shkollat dhe gjitha klasat). Psikologët tentojnë të hulumtojnë personalitetin e tyre, kurse humanistët dhe filozofët vendin e tyre në gjithësi. Megjithatë, asnjëherë në të kaluarën, sikur sot, njeriu nuk është bërë i pakuptueshëm, i vetmuar dhe i humbur.

Njeriu i sotëm është njeri i humbur, i humbur pikërisht në dimensionet themelore të njerëzisë së tij, siç e ka përpunuar shumë mirë humanisti i kohëve tona Rollo May.

1. Çrregullimi i brendshëm. – Njeriu i sotëm është i paaftë të jetojë në paqe me vetveten, sepse e ka të çrregulluar harmoninë e brendshme të personalitetit. Ndjenjat nuk e përcjellin njohjen, mungon vullneti për zbatimin e vendimeve. Meqë kjo ndjenë nxit pikëllim, njeriu mbrohet duke ikur prej saj. S’ka guxim të ndalet, për t’u takuar me vetveten, të dialogojë me vetveten. Njëri ndër treguesit e ikjes, është dukuria e mosqenit i vetëdijshëm për të tashmen. Kujdes në dallimin: nuk them se nuk jeton në të tashmen, por nuk e përjeton këtë të tashme. Me mendjemprehtësi e kishte vërejtur Pascali se për njeriun asgjë nuk është aq e padurueshme sa të qenit në gjendjen e prehjes, pasivitetit të plotë, pa pasione të mëdha, pa punë, pa dëfrime, pa profesion, pa hobi. Atëherë, njeriu e përjeton hiçëgjënë e vetë, të qenit i humbur, pamjaftueshmërinë, varësinë, plogështinë, zbrazëtinë. E në brendësinë e shpirtit të tij, menjëherë do të lind monotonia, zymtësia, trishtimi, mjerimi, inati, dëshpërimi. Për t’i flakur këto, futemi në aktivitet të ethshme. Mandej vazhdon: “Secili le t’i shqyrtojë mendimet e veta e do të shohin se ato janë krejtësisht të preokupuara me të kaluarën dhe të ardhmen. Gati as nuk mendojmë për të tashmen. Nëse mendojmë për të tashmen, kjo ndodh nga fakti se dëshirojmë të fitojmë ndihmë ndriçuese me të cilën do të mund të kapim të ardhmen. E tashmja asnjëherë s’është qëllimi ynë: e kaluara dhe e tashmja i kemi si mjete. Vetëm e ardhmja për ne është qëllimi. Në këtë mënyrë, ne thjeshtë nuk jetojmë, por vetëm shpresojmë se do të jetojmë. E meqë përherë përgatitemi për fatin, pashmangshmërisht se nuk do e përjetojmë.” Çfarë do të shtonte nga praktika e tij një psikolog i sotëm? Ndoshta vetëm një konstatim të pikëlluar: në botën e sotme ka shumë njerëz të pikëlluar e të palumtur!

Edhe Jezu Krishti ua kishte tërhequr vërejtjen atyre që e dëgjonin në ikje të këtilla jo të shëndosha. Farisenjtë jetonin në të kaluarën, duke gërmuar në traditën, kurse neurotikët e ankthshëm në të ardhmen anticipuese tanimë. Farisenjve u kishte thënë se brengosen shumë për atë se çfarë do të hanë e do të pinë, në vend se të kujdesen për ditën e sotme. Përndryshe është shumë interesante të kujtojmë se tek të gjithë çrregullimet psikike/shpirtërore mund të vërejmë si simptomë ikjen nga e tashmja. Njeriu depresiv jeton në të kaluarën, neurotiku i ankthshëm në të ardhmen e paqenë, prej ku i kanosen katastrofat.

2. Çrregullimi shoqëror. – Karakteristikë tjetër e njeriut të sotëm është çrregullimi social, ndërpersonal. Është i çrregulluar raporti mes njerëzve. Ka frikë ndaj njëri-tjetrit. Ka mbyllje njëri prej tjetrit. Pak besohet tek tjetri.

Çdo shekull apo epokë e ka simbolin e vet. Çfarë do të mund të ishte simboli i kohës sonë? Disa do të thonin: bomba atomike. Tjetri ndoshta do të thoshte kompjuteri. I treti do të mendojë se megjithatë simboli i kohës sonë, me të cilin do të mund ta na kujtojnë gjeneratat e ardhshme, është liria e femrës. Mendoj se do të ketë edhe sish që do të thonë: “Zoti i shkruar me (shkronja) të vogla!” – duke aluduar në ateizmin si dukuri botërore. Në të gjitha këto përgjigje, ka diçka të vërtet. Por, me sa duket, nuk janë këto simbolet e vërteta të kohës sonë. Simboli i vërtetë i kohës sonë është brava e dyerve tona! Asnjëherë në histori, nuk ka pasur brava të tilla të komplikuara. Asnjëherë në histori, nuk jemi mbyllura aq shumë njëri prej tjetrit. A nuk është kjo simptomatike? A nuk është kjo një shfaqje e qëndrimit të brendshëm,  defenziv dhe mbrojtës të njeriut ndaj tjetrit?

Në qytetërimin tonë, kur më së tepërmi komunikohet me telefon, ndër ofendimet më të rënda të bontonit do të ishte të “futesh” në banesën e ndonjërit pa u lajmëruar më parë për ardhjen tënde. Nëse dikush do të merrte guxim të na trokas në derë pa paralajmërim, së pari do të shikojmë kujdesshëm përmes vrimës së derës, duke hulumtuar kush do të mund të ishte ky mysafir i panjohur, që eventualisht t’ia hapnim derën për ta pranuar brenda me një nynykatje të hijshme për mospërgatitjen e banesës, e në këtë mënyrë, duke ia bërë me dije me dykuptimësi se ka bërë gabim që ka ardhur. Ardhjen tonë duhet ta lajmërojmë që ai tjetri të na pret me “dinjitet”, për ta veshur maskën, ngjyrën, atë imazh shoqëror i cili kërkohet prej tij. Gjithçka tjetër do konsiderohet grusht ndaj intimitetit të jetës, grusht në sferën private të mbrojtur me aq xhelozi.

Thënë shkurt, njeriu i sotëm nuk mundet të jetojë në harmoni me të tjerët. Gremina mes gjeneratave sot duket se është më e madhe se në të kaluarën. Për herë të parë në histori, u shfaq problemi i pleqve. Ç’të bëhet me ta, s’mund të jenë më prodhimtarë të dobishëm? Për këtë arsye, pleqtë i ndajmë, prindërit të moshuar i mbyllim në shtëpi pleqsh, në geto, të izoluar. Dhe, siç na tregon situata aktuale botërore, jemi gjithnjë e më të paaftë për të ndërmarrë gjëra të mëdha botërore në secilën fushë.

3. Çrregullimi ambiental. – Hapësirat e gjelbëria janë bërë të ndotura. Njeriu e ka humbur kuptimin për natyrën. Shpirtin e kemi robëruar në betonin e hirtë të megaqyteteve. Rollo May e përshkruan rastin e një vajze kështu: kishin mësuar në shkollë si duhet të mbroheshin në rast të eksplodimit të bombës atomike. Duhet të fshiheshin në nëntokë që të mos mund të depërtoj rrezatimi vdekjeprurës. Kjo vajzë te shtëpia e pyet nënën e vet: “A nuk do të mund të migrojmë diku ku nuk do të ketë qiell?”. Ka dashur të thotë: ku nuk do të ketë eksplodim atomik. Porse pyetja në formën fëmijërore është bërë manifestim i trishtimit të një epoke të tërë; njeriu i sotëm nuk ka vend nën qiell. Puna e duarve tona na kanoset me shkatërrim. Natyra nuk është më shtëpia e njeriut. Njeriu në botë është shndërruar në një qenie të pastrehë.

George Mikes, humoristi anglez me prejardhje hungareze, në veprën e tij të famshme How to be Alien, e përshkruan shëtitjen e një anglezi. Ulet në veturën e tij, me orë të tëra shtyhet në komunikacionin e megaqyteteve, e hap dritaren e veturës dhe në ulësen e pakëndshme e kalon një gjumë të shqetësuar gjysmëorësh. Mandej e vazhdon po të njëjtën aventurë, për t’u përbiruar përmes komunikacionit të dendur deri te shtëpia. Gjithë këtë ngjarje të nesërmen ua tregon kolegëve në punë me krenari se si ka qenë në shëtitje të shkëlqyeshme në natyrë! Ne jemi tanimë të paaftë për të vërejtur bukurinë natyrore, për të biseduar me zogj, me drunj, me lule e për ta kundruar madhështinë e ngjyrave të natyrës. Në këtë kuptim të gjithë ne jemi paksa “anglez”!

4. Çrregullimi metafizik. – Njeriu ka humbur raportin e tij me të mbinatyrshmen. Ndjenja e njeriut se s’ i përket askujt e ka bërë të ngjashëm me egërsirën, i prirë me pasionet e gjahtarit. Që t’iu ikim metaforave, të themi: njeriu i sotëm e ka humbur fenë. Fenë në kuptimin më të gjerë të fjalës. Ateizmi, ai praktik dhe ai ideologjik, është bërë fenomen botëror. Pasoja e drejtpërdrejtë e humbjes së fesë është humbja e bazamentit ekzistencial, humbja e kuptimit të jetës.

Njeriu, vërtet, e ka shkundë nga vetja barrën e Zotit atëror – shkruan Erich Fromm, humanist i njohur dhe psikolog i ditëve tona – porse, me këtë, njeriu ka humbur edhe ato qëllime fisnike të cilat i ka ofruar pikërisht religjioni, siç janë: dorëdhënia, dashuria, paqja, respektimi i jetës. Në këtë mënyrë, njeriu modern ka mbetur pa përgjigje në pyetjet më të dhimbshme të jetës së tij.

Fromm, duke i analizuar më tutje shkaqet e ateizmit modern, erdhi deri te përfundimi se mungesa gjithandej e fesë sot nuk ka më efekt progresiv siç e kishte para disa gjeneratave. Atëherë, lufta kundër besimit ishte betejë për emancipimin nga prangat shpirtërore; ishte betejë kundër besimit iracional; ishte manifestimi i fesë në mendjen/arsyen e njeriut dhe aftësinë e tij për të sendërtuar rendin shoqëror sipas parimeve të lirisë, barazisë dhe vëllazërisë. Sot, mungesa e fesë është manifestim i kaosit dhe trishtimit të thellë. “Njëherë skepticizmi dhe racionalizmi ishin forca progresive për zhvillimin e mendjes, sot ato janë bërë racionalizim i relativizmit dhe pasigurisë.”

Konsumimi i drogës, vetëvrasjet masovike të Jim Johnsonëve dhe formave tjera zvetënuese të kërkimit për të gjetur kuptimin e jetës, a nuk janë këto, në njëfarë mënyre, klithje gabimisht të formuluar e të paartikuluara për Zotin?

Njëra ndër detyrat qendrore të rinisë, është themelimi i identitetit, i vetëkuptimit. Në këtë botë, çfarë është kjo e jona, do të jetë kjo një detyrë shumë e rëndë. E përkundër kësaj, kemi të rinj të adaptuar mirë dhe të baraspeshuar,  mezi mund të thuhet se për këtë ka merita epoka e jonë. Më lehtë do t’i njihet për meritë shpirtrave të të rinjve, të cilët luftojnë për vetën tyre.

————————————

*Është jezuit, psikolog dhe atë shpirtërore, me një përvojë të gjatë në fushën e konsultave psiko-shpirtërore. Aktualisht është profesor në Pontificia Univeristà Gregoriana në Romë.

Ky shkrim është pjesë e librit të tij të njohur për të rinjtë në gjuhën kroate: “Svijet mladih. Psihološke studije”, i botuar në Zagreb, në vitin 2007. Libri është në proces të përkthimit në gjuhën shqipe. Përkthyen nga kroatishtja: Atë Shtjefën Dodes & Don Fatmir Koliqi.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »