LATINISTËT  SHQIPTARË  NË  PLAN  TË  PARË  TË  HISTORISË SË  LETËRSISË  SHQIPTARE (Pjesa I)

Jun 10 • Letërsi

Shkruan: Prof. Engjëll SEDAJ

 

Nga  tradita më e largët  letrare

           Duke pasur parasysh se historia e letërsisë shqiptare duhet të jetë “një dhe e tërë”, sipas atij parimit të njohur (greq. hen kai olon), antika dhe mesjeta, e sidomos periudhat e mëvonshme të zhvillimit të mendimit kulturor dhe letrar të Arbërit, do të jenë pjesë përbërëse e kësaj letërsie. Përcaktimi i drejtë i trashëgimisë letrare, në pajtueshmëri të plotë me zhvillimin kulturor evropian, do të mbështetet edhe në faktin e pamohueshëm se gjuha latine (dhe greqishtja e vjetër) ishte gjuhë e shqiptarëve, bash sikur që ishte gjuhë e shkencës, e letërsisë, e diplomacisë dhe e liturgjisë edhe e popujve të tjerë evropianë, me një dallim të ndjeshëm nga disa popuj  të ardhur në Gadishullin  Ballkanik, siç ishin bullgarët, serbët dhe kroatët, të cilët do ta kultivojnë sllavishtën edhe në liturgji, bashkë me shkrimin e glagolicës (dhe të çirilicës).

            Këtu qëndron  dallimi  i Arbërit  edhe në zhvillimin e të gjitha formave kulturore të jetës kishtare, që kanë ndikuar në zhvillimin kulturor, sidomos të qyteteve bregdetare shqiptare dhe të lidhjeve të tyre të vazhdueshme me Italinë dhe Evropën Perëndimore përgjithësisht.       

            Së këndejmi, tradita greko – bizantine e Arbërit nuk e ka penguar zhvillimin harmonik kulturor, por e ka pasuruar në të gjitha  artet e lira (artes liberales), sidomos në pjesët jugore të vendit, ku ka pasur qysh në kohën antike biblioteka (Durrësi, Apolonia), kurse në mesjetë kishte manastirë, shkolla dhe qendra të tjera që njihen si vatra të kulturës (Gjirokastra, Berati, Tivari, Shkodra). Në aspektin kulturor s’kishte rivalitet ndërmjet elementeve romake dhe helene as në kohën antike, kështu që edhe më vonë do të shfaqet konvergjenca në literaturë përmes  teksteve liturgjike dhe të idesë ungjillore për zhdukjen e shoqërisë skllavopronare. Sot nuk mund të konsiderohen të huaja për botën shqiptare kodikët e Bazilikës së Beratit, që ruhen në Arkivin e Shtetit në Tiranë, e as ato vlera të mëdha të arteve figurative me famë botërore të Butrintit, Durrësit dhe të  lokaliteteve të tjera arkeologjike të Arbërit.

            Prandaj në një histori të letërsisë shqiptare të plotë  duhet pasur parasysh se proceset e largimit nga bota greko – romake dhe në përgjithësi nga bota romane, që ishin skizmatizmi (sllav) dhe islamizmi (turk), e sidomos antievropianizmi i mëvonshëm komunist, si një vizion jashtevropian i shqiptarëve, nuk mund  të zbërthenin njësinë shpirtërore të popullit shqiptar dhe dëshirën e vazhdueshme të tij për të kultivuar patriotizmin evropian. Nuk duhet të ketë shpërpjestim të madh ndërmjet  trashëgimisë së kulturës materiale dhe letrare, në kuptim të atyre vlerave të kulturës materiale që sot ndeshen në lokalitetet arkeologjike dhe më gjerë në

Shqipëri dhe në veprat e shkruara (të veprave muzikore dhe të arteve figurative), sepse, tekefundit, qysh në v. 813, në Koncilin e Romës, etërit e Kishës preferojnë përdorimin e gjuhës së popullit (in rusticam romanam linguam).

            Këtu duhet parë edhe gjuhën e veprave të shkruara letrare në një dimension të afërt  me përkatësinë kombëtare, ndonëse kjo përkatësi ose ky ndërgjegjësim, si të thuash, më i ngushtë, siç dihet, ka marrë hov në Evropë diku në fund të shek. XVIII dhe në fillim të shek. XIX, kur u krijuan shtetet e pavarura (kombëtare).

            Në qoftë se në historinë e letërsisë shqiptare do të përcaktohen dhe çmohen vlerat letrare të krijuara para kësaj periudhe, atëherë duhet konstatuar edhe kriteret e vetëdijes letrare të asaj kohe. Edhe në kohën e Skënderbeut, sigurisht, shqiptarët do t’ i kenë mbrojtur vlerat letrare dhe  kulturore të tyre, të cilat ne sot duhet konstatuar dhe pranuar, ndërmjet tjerash, edhe si vlera që kishin frymëzuar këtë epokë më të lavdishme të historisë sonë. Ky frymëzim i thellë është mbështetur në atë letërsi që është shkruar në gjuhët liturgjike të këtij populli, por që ishin edhe gjuhë të shkencës, të letërisë dhe të diplomacisë edhe në trevat e Arbërit.

Koncepti teorik

            Kjo trashëgimi letrare është e pamundur të paraqitet pa një koncept teorik, të mbështetur në një qëndrim bazor metodologjik të historisë së letërsisë, e cila kronologjikisht duhet t’i  përngjajë historisë së kishës shqiptare, përkatësisht historisë së popullit shqiptar. Historia e letërsisë shqiptare nuk mund të ketë shpërpjestime të mëdha me historinë e popullit shqiptar dhe me historinë e të gjitha segmenteve të tjera historike të këtij populli. Tekefundit, historia e letërsisë shqiptare do të pasqyrojë edhe  lashtësinë e qytetërimit shqiptar mbi bazë më të gjerë se që veprohej nga rrethet e ngushta komisionesh të caktuara ose nga individët në hartimin e teksteve të historisë së letërsisë. Në këtë mënyrë, vetënjohja historike përmes letërsisë nuk bazohet vetëm në retrospektivën e artit letrar, por edhe në strukturën konceptuale të lëvizjeve ideore në shoqëri.

            Vetëm në rrethana të qarkullimit të lirë të ideve dhe të njerëzve, do të jetë e mundur të studiohet toka ilire e Arbërit në mesin e atyre dy mrekullive më të mëdha të botës, që janë mrekullia e kulturës klasike greke dhe romake, e që në dimensionet gjeografike dhe kulturore ishin njëkohësisht edhe mrekullira të mbarë Ilirisë e të Arbërit, të cilat vende romakët e vjetër edhe i quanin deliciae mundi (kënaqësitë e botës). Siç dihet, kulturën antike greko-romake dhe të hershme mesjetare e kanë krijuar popuj të ndryshëm, kurse në mesin e tyre aktivisht kanë marrë pjesë fiset ilire, nga radha e të cilëve saktësisht mund të dallohen personalitete të fuqishme edhe të jetës letrare dhe kulturore.

            Kultura klasike greko-romake, të cilën e fisnikëroi porosia ungjillore mbi “lajmin e mirë” (greq. euaggelion), u kultivua në të gjitha qendrat urbane të Dardanisë dhe të Ilirisë, për t’u  bartur në mesjetën arbëreshe përmes Universitetit të Durrësit (Studium generale), të themeluar  nga dominikanët (1224), dhe të kuvendeve benediktine, të cilët, siç thotë Eqrem Çabej, “kanë  themeluar vatra kulture e shkrimi kudo që kanë shkuar”. D. Farlati ka konstatuar më tepër se 30 kuvende benediktinësh vetëm në argjipeshkvinë e Tivarit, kurse as qytetet e tjera bregdetare nuk kishin mbetur mbrapa qendrave të kulturës në Itali. Këtu edhe qëndron dallimi më i madh i arbënve nga popujt e tjerë ballkanikë, sidomos nga sllavët e jugut, që kishin  filluar  integrimin më të madh me traditën bizantine, kurse disa pjesë të Dalmacisë  (dhe të Bosnjës) i furnizonin klerikët arbëreshë. Historiani kroat Gelçiq shkruan se “arti romanik në Dalmaci shkasin më të madh e të parët apostuj i pati  prej Shqipërie”, kurse në qytetin e Raguzës shërbenin priftërinjtë e ardhur nga Arbëri, ngase dubrovnikasit vetë merreshin më tepër me tregti dhe xehetari.

            Qysh në kohën antike dhe në mesjetën e hershme në këto treva të Arbërit hierarkia kishtare do t`i ketë vijat dalluese më të qarta se në gjithë Europën Perëndimore, kurse asnjë Ipeshkëvi e kësaj Evrope mbase nuk do të quhet me emërtimin nacional sikur ajo e Krujës, e konstatuar in charta si (Diocesis) Arbanensis, bash sikur edhe ai  “Manastiri i Shpëtimtarit të Shenjtë Arbëresh” (Monasterium Sancti Salvatoris Arbanensis), ose ai skulptori i madh që përveç “Durachinus” quhet edhe “Epirota”, përkatësisht Andreas Alexius Epitora Durachinus, për ta dalluar mirë përkatësinë e vet të qytetit dhe të kombësisë.

            Të përmendim këtu sa për ilustrim “primatin” e Argjipeshkvisë së Durrësit edhe në kohën e Pal Engjëllit, i cili më 1461, si epror dhe autoritet më i lartë kishtar i gjithë Ilirisë, në praninë e Skënderbeut, në Senatin e Raguzës, në ligjëratën e tij, me titull: “mbi studimet e letërsisë”, kishte deklaruar se “aty, përveç të gjitha arteve të lira, po lulëzojnë filozofia, teologjia, ligjet, bashkë me artet dhe disiplinat e tjera.” Ky humanist i madh shqiptar, sipas fjalëve të P. Lukarit, kishte shkruar një histori mbi Skënderbeun, kurse ky vetë, Skënderbeu pra, kishte ngarkuar Dhimitër Frangun që ta përkthente Biblën në gjuhën shqipe. Ndërkaq, një bashkëkohanik më i vjetër i tij, Andrea Durrësaku (Andreas de Duracio), duke kryer me sukses detyrën e provincialit dhe të inkuizitorit (gjykatësit) për gjithë Dalmacinë, më 24 shtator 1438, u emërua ipeshkëv i Senjit, që në këtë post të lartë të nënshkruante skriptumenin e Mesharit të Verbnicës, mbase të parit meshar në Gadishullin Ballkanik. Sot është pranuar mendimi se edhe autori i Kronikës së Priftit të Diokles (latinisht) i shek. XII do të ketë qenë një klerik i argjipeshkvisë së Tivarit (ose Diokles) edhe për shkak të qendrimit të tij ndaj sllavëve përgjithësisht, duke i dalluar ata nga popujt vendas. Nuk mund të jetë i parëndësishëm për çështjen tonë as fakti se kjo vepër u përkthye në sllavishtën nja dy shekuj më vonë, çka do të thotë se gjuha latine e kultivuar dendësisht nga arbëreshët për këtë pjesë të botës ishte, vërtet, faktor integrues në çdo pikëpamje.

            Këtu  duhet thënë se në krahasim me italishten, që ishte më tepër në shërbim të tregtisë (per more merchatorio) dhe të komunikimit të përgjithshëm, gjuha latine ishte prore gjuhë kulture për njohjen dhe studimin e autorëve antikë (dhe mesjetarë), kështu që edhe vetë koncepti i humanizmit, në plan të parë ka kuptimin e atyre njerëzve që merreshin me autorët antikë grekë dhe romakë.

            Së këndejmi, përkitazi me sistemin e shkollimit, nga të  dhënat arkivore kuptohet se, më 1330, në Shkodër ishte një notar (dhe mësues) vendas, i quajtur Klement Gjini, sikundër edhe (në tetor të vitit 1372) që dokumentohet në komunën e Tivarit, e më vonë në komunën e Drishtit, kurse më 1405 dokumenti e bën të ditur praninë e mësuesit në komunën e Ulqinit, “i cili kishte për detyrë t’u mësonte fëmijëve shkrim e këndim” (per insiguar letere a nostri figlioli),  që, më në fund, të kemi  vlerësimin e qartë të Dhimitër Frangut se “ Shqipëria nxjerr njerëz të zotë për çdo shkencë e për çdo veprimatari në të gjitha artet.” Prandaj këtë Shqipëri  edhe në dimensionin letrar duhet paraqitur drejt dhe në mënyrë sa më të plotë.

            Historia e letërsisë duhet vënë urën lidhëse ndërmjet shoqërisë dhe veprës letrare, si shprehje e një mjedisi dhe e një epoke të caktuar dhe si një formë e veçantë mendore e kreativitetit njerëzor. Në periudhën më të hershme të historisë së letërsisë, së paku, duhet konstatuar të gjithë emrat dhe veprat e tyre në çfarëdo forme qofshin ato, madje edhe kur janë vetëm dokumente të kohës, e në lidhje me arbëreshët.

            Nga konstatimi i pjesëmarrjes së shqiptarëve në lëvizjet e mëdha shoqërore dhe mendore, duke filluar prej kohës së përhapjes së krishterimit e këndej, pastaj nga koha e humanizmit, renesancës, reformës, kundërreformës dhe iluminizmit, do të konstatohet edhe prezenca e tyre në qytetet e Dalamcisë dhe të Italisë, prej të cilave qytete dallohen gjithsesi Dubrovniku, Venecia dhe Padova, ku kishte koloni  të mëdha dhe të vogla arbëreshëshe. Këta njerëz, duke jetuar në vende të huaja, shfaqin origjinën e tyre shqiptare dhe mallin për atdheun (e humbur) më bukur se vendasit (italianë, kroatë), që ishte një veçori për letërsitë nacionale.

Emrat  e  parë    traditës  letrare

            Shën Jeronimi dhe Niketë Dardani, emra kulmorë që shënojnë epokën e tyre, do të vazhdojnë jetën e tyre edhe në antroponiminë shqiptare, gati njësoj, sikur patronimet e preferuar Teuta dhe Agroni, me motive të njëjta të afërisë etnogjenetike iliro – shqiptare. Pikërisht në Evropën latine, bashkë me këngën e Niketës, Te Deum laudamus (Ty të lëvdojmë, Zot), që edhe sot e kësaj dite këndohet në kremtet më solemne të jetës kishtare, është ruajtur edhe emri i Dardanisë, bash sikur që është bartë atëbotë në Romë edhe emri i Jeronimit (Hieronymus), në të cilin emër mbase dallohet etnonimi Hilir, përkatësisht Illyrioi. Ky emër do të bejë kthesën më të madhe gjuhësore në Evropën Perëndimore, duke mishëruar gjuhën popullore në Vulgatën  e tij në një si  genitilis barbarusque sermo (e folme fisnore dhe barbare), që ishte përzirje e suksesshme e gjuhës latine me elemente të gjuhës popullore. Prandaj  ky shkrimtar edhe ka rrezatuar përtej kufijve të vendit të tij, duke pranuar vlerën ndërkombëtare edhe përmes gjuhës (latine) së veprave të tij.         

            Dihet se këta dy emra, Jeronimi dhe Niketa, kanë pasur një traditë në kulturën shqiptare, siç dëshmon edhe portreti i Niketës nga David Selenicasi dhe prania e emrit të  Shën Jeronimit, sa që disa studiues do ta quajnë madje me “origjinë shqiptare”, mbase në kuptim të pararëndësve të tyre ilirë. Aq më parë do të hyjnë në historinë e letërsisë shqiptare himnat për Franceskun e Durrësit (shek. XIII), që mbase ishte i pari shqiptar i beatifikuar nga Kisha Katolike, për nder të të cilit edhe janë (ruajtur) kënduar disa himne në gjuhën latine, me një kolorit të pasur nacional.

            Këto dhe vlera të tjera letrare nuk mund të jenë më të afërta me popujt e ardhur në Iliri në mesjetën e vonë sesa me dalmatët dhe arbërët vendas. Arbëri kishte zhvilluar të gjitha format e avancuara të mendimit letrar dhe kulturor sikur në eklektizmin e klasikës greko-romake, ashtu edhe në absorbimin e idesë ungjillore, për të dhënë edhe personalitete të shquara, siç ishte, bie fjala, papa Shën Eleuteri (nga Çameria) (vdiq më 190, kurse dita e tij në kalendarin gregorian shënohet me 26 maj) dhe disa papë të tjerë nga Iliria (Salona, Zara), siç janë, Siksti V, Gjoni IV, Grigori VII, sikundër edhe perandori Konstantini i Madh nga Naissusi (Nishi) etj.

            Nuk mund të mos merret parasysh qasja e drejtë e grumbullimit të materialit nga Taloci, Jiriçeku dhe Shuflai mbi Shqipërinë, duke filluar nga viti 344 (deri 1232, vëll.I dhe 1344-1406 vëll.II), në të cilin material (vëll.I, p. 156), ndërmjet tjerash, lexojmë:

            – In causa furti in casali Petri de Volcio in Belen commisi testis Mathaeus filius Marci de Mence dicit:’audivi unam vocem clamantem in monte in lingua albanesca,’ vidit apud vineam Benedicti de Gondula unam Albanescem’, ut dicabant, cognatum Milosclavi, portantem uvas et ‘duas scopinas plenas musto.

            Nga këto dhe materiale të tjera paraqiten momente interesante të një gjendjeje shkrimore dhe kulturore të Arbërit, që në aspektin bashkëkohor pasqyrojnë edhe koloritin kombëtar, si njësi me vlera të mëdha etnokulturore.

            Ky kalim prej antikës në mesjetë, që nënkupton përhapjen e krishterimit dhe ruajtjen e dorëshkrimeve të klasikës së vjetër greko – romake, bëhej sikur edhe në kohët e mëvonshme, sipas parimit shoqëror poshtë – lart, që ndikonte në ruajtën e vlerave kulturore. Për dallim nga disa lëvizje religjioze të tjera, të cilat janë formuar dhe zhvilluar sipas parimit dhe shtresimit shoqëror lart – poshtë, krishterimi ka zënë fill dhe është përhapur nga shtresat më të ulta shoqërore. Ky moment i rëndësishëm ka ndikuar që të ruheshin vlerat kulturore të shoqërisë së mëparshme. Nuk është gjë e rastit që në Mat, pikërisht në vendin, ku është mbajtur Kuvendi i Matit, që do të thotë, ku është shkruar Formula e pagëzimit, është gjetur një mbishkrim në gjuhën latine, nga i cili kuptohet se një funksionar i lartë, me detyrë të kontraskriptorit, i quajtur Pal, “e ndërtoi një bazilikë  të gjerë mbi një tempull të vogël” (Paulus valens contrascriptor pius amplam super ediculam hanc basilicam fundavit.).

            Sikur që  tempulli (pagan) është shndërruar në bazilikë (kishë), ashtu edhe nga gjuhët klasike formoheshin gjuhët moderne, gjuhët e popullit, sepse, tekefundit, edhe në kohën pagane qe vepruar në mënyrë të ngjashme, siç mund të konstatohet edhe nga pranimi i hyjit suprem Jupiterit, i cili te partinët (ilirë) ishte quajtur Iuppiter Parthinus, si një lloj adaptimi me kultin vendas, përkatësisht me popullin vendas.

            Nga këto dhe shumë momente të tjera të kulturës dhe të arteve, të zhvilluara sidomos në qendrat bregdetare të Arbërit, do të zgjerohet dukshëm koncepti i humanistëve, historianëve dhe autorëve të tjerë shqiptarë, që kishin shkruar veprat e tyre në gjuhën latine. Ky koncept, në fakt, do të përfshijë fazën e parë të materialeve dhe të shkrimeve letrare përpara humanistëve  shqiptarë, të cilët zhvilluan veprimtarinë e tyre në vend të huaj, kryesisht fill pas pushtimit të Shqipërisë nga turqit.

            Mirëpo, edhe më parë, Lorenco Vala (1407-1457) kishte pohuar se nga përtëritja e gjuhës latine “Romës përsëri do t`i takojë Italia, Galia, Hispania, Germania, Panonia, Dalmatia, Iliriku dhe shumë vende të tjera,” kurse në një fjalor të mëvonshëm “historik dhe kritik” (Dictionaire historique et critique), 1695-1697) të P. Bejlit, fillimi i renesansës në Itali do të jetë në lidhje të drejtpërdrejtë me ikjen e bizantinëve nga Konstantinopoja (1453), që, s`do mend, nënkupton edhe ikjen e arbëreshëve, siç është rasti mjaft ilustrativ me Mikel Marulin (në Itali) dhe me Maksim (Mihal) Artiotin (alias Maksim Arbëreshi) në Moskë, që edhe në këtë mënyrë tregon se nga Roma e Re (greq. Nea Rome) ose Roma e Dytë, siç quhej Konstantinopoja deri në vitin 1453, po krijohej Roma e Tretë në mbrojtjen e vlerave të sulmuara nga (jo të krishterët) aziatikët, siç ishin turqit osmanlinj, tartarët, mongolët etj. Mbase këtu edhe qëndron dallimi nga ato shkrime të kancelarive të princave dhe të klerit shqiptar, të shkruara në gjuhën greke (dhe sllave), që gjithashtu mund të kenë karakter të një panteoni të përbashkët më të gjerë letrar.

            Ky panteon i përbashkët letrar në gjuhën latine do të krijohet për të hyrë në historinë e letërsisë ata që e kanë krijuar. Prandaj edhe pranimi i subjekteve nga ky panteon i madh dhe inkorporimi i tyre në letërsinë moderne do të jetë i përbashkët për popujt evropianë. Kështu do të veprohet me Skënderbeun dhe epokën e tij, si fenomen thjesht evropian, përkatësisht, si hero i përbashkët, jo vetëm për popujt ballkanikë, siç e kanë kënduar në veprat e tyre Andrea Kaçiqi kroat dhe Grigor Përliçevi maqedon, por edhe për popujt e tjerë evropianë dhe për letërsitë e tyre. Kjo ka ndodhur kësisoj pse edhe Marin Barleti dhe autorë të tjerë shqiptarë nuk i trajtojnë këto tema në suazat e ngushta kombëtare, por ato marrin dimensione të gjera të asaj letërsie të përbashkët evropiane, të cilën letërsi e bashkonte edhe gjuha e përbashkët (latine), si një prej faktorëve të favorshëm për integrimin evropian. Jashtë këtij integrimi as në periudhat e mëvonshme letërsia shqiptare as që ka qenë e mundur të identifikohej fare, pavarësisht nga gjuha në të cilën ajo do të shkruhet.

            Së këndejmi,  humanistët evropianë ishin të bindur se kjo gjuhë, gjuha latine, pra, i jepte kësaj letërsie elegancën dhe bukurinë që ata gjenin te autorët antikë, sidomos te Ciceroni, sikundër edhe nga bindja e tyre se ata dallohen nga të tjerët, që, në fakt, ishin vulgus, d. m. th. populli i pashkolluar.

 

Fusnotat i ka hjekur Redaksia.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »