PËRFORCIMI I EKUILIBRAVE TË BRISHTË NË BALLKAN

Jun 10 • Kisha në botë

Reflektim për vizitën e Papa Françeskut në Sarajevë

 

Shkruan: Don Gjergj Meta

Vizita njëditore e Papa Françeskut në Sarajevë kishte shumë gjëra të ngjashme me vizitën që ai bëri në Shqipëri në shtator të vitit 2014. Duke e ndjekur drejtpërdrejtë vizitën ndjeva sërish ata emocione që kam ndjerë rreth para një viti kur fillova, bashkë me të tjerë, të përgatitnim vizitën e Papës. Si organizuesi i aspektit mediatik nga ana e Kishës isha i kujdesshëm ndaj çdo detaji të kësaj vizite në Sarajevë.

Në diskutimin e tij në pallatin presidencial, por edhe gjatë homelisë në stadiumin Koshevo, Papa Françesku foli për paqen e, duke komentuar Ungjillin e Mateut (Mt 5,1-12) gjatë homelisë, ai foli për ata që e bëjnë paqen duke ua kundërvënë atyre që për paqen vetëm predikojnë. Kemi nevojë për paqebërës, njerëz që konkretisht veprojnë për paqen. Faktet në botë aktualisht po tregojnë të kundërtën. Papa përsërit edhe një herë çka kishte thënë edhe në raste të tjera, se po zhvillohet një luftë e tretë botërore pjesë-pjesë. E për këtë fajin e kanë ata që paqen vetëm e predikojnë, por nga pas shesin armë për të shkatërruar jetën e popujve. Në fakt në dialog me gazetarët ai shprehet se… “Gjithmonë ka hipokrizi. Prandaj kam thënë që nuk mjafton të flasësh për paqen: duhet bërë paqja. Kush vetëm flet për paqen, por nuk vepron për paqen është në kundërshti. E kush flet për paqen, por favorizon luftën me shitjen e armëve është një hipokrit”.

Paqja pra nuk është çështje deklaratash e as një çështje vetëm diplomatike apo politike, por thelbësisht është një proces i brendshëm që nis nga jeta e individit dhe e bashkësive të vogla për t’u shtrirë më pas në jetën e popujve. Akuza që Papa u bën tregtarëve të armëve nuk është vetëm për privatë, por sikurse dihet tashmë edhe për shtete të fuqishme që pretendojnë se eksportojnë demokraci në vendet e tjera apo se jetojnë vetë ata parimet e demokracisë.

Një udhëtim tjetër ky i Papës në Sarajevë, shumë afër nesh, që nga njëra anë nxjerr në pah atë çka është arritur deri tani në këto vise të Evropës e nga ana tjetër mundohet të inkurajojë proceset e dialogut e të bashkëpunimit për të ardhmen. Dialogu ndërfetar në mënyrë të veçantë mbetet ende një sfidë e madhe në vendet tona që do të thoja është edhe antikorpi më i mirë i çdo përpjekje destabilizuese që vjen nga njerëz të papërgjegjshëm e krimnalë sikurse janë p.sh. anëtarët e ISIS. Dialogu është diga e pamposhtshme e çdolloj procesi paqeje, qoftë ai politik, etnik apo fetar. Pikërisht në këto ditë kur mendjet tona i “tronditi” një video propagandistike e ISIS ne duhet të kthejmë sytë nga njëri-tjetri e së bashku të kundërshtojmë çdolloj forme që cenon të drejtën për të bashkëjetuar në paqe.

Në rrugën e kthimit për në Romë, para gazetarëve Papa citon Shqipërinë duke iu përgjigjur pyetjes nëse do të shkonte në Kroaci: “Nuk e di kur do të ndodhë kjo vizitë, por tani më kujtohet pyetja që më bëtë kur shkova në Shqipëri: pse kam filluar ta vizitoj Evropën nga një vend që nuk i përket BE-së? Dhe unë u përgjigja: është një sinjal. Do të doja të filloja vizitat në Evropë nga vendet e vogla. Ballkani është martirizuar dhe ka vuajtur shumë, prandaj edhe preferenca ime është këtu.”

Duke vazhduar tour-in e tij europian me Sarajevën, Papa përsëri kthen vëmendjen e Europës nga vendet e vogla dhe problematike të Ballkanit. Ekuilibrat e brishtë të krijuar në këto vite kanë nevojë për inkurajim, sidomos proceset e paqes ndërmjet popujve të ndryshëm sikurse është edhe Bosnje-Hercegovina. Ne tashmë e dimë mirë se çfarë do të thotë luftë në Ballkan. Më duket se edhe një herë Papa duke thënë për Bosnjën që është një vend që i përket traditës Europiane, ravijëzon idenë se Ballkani ka mundësi të zgjidhë problemet e veta vetëm brenda një logjike europiane. Vetëm me sytë nga Europa dhe me sytë e Europës nga Ballkani shumë nga konfliktet ndëretnike (ose edhe ndërfetare) që kalon Ballkani do të gjejnë një mundësi zbutje apo edhe pajtimi. Europa është shtrati natyror i Ballkanit e çdo shtrat tjetër nuk bën për një Ballkan i cili mund të ecë përpara vetëm me anë të një dialogu të qëndrueshëm e të vazhdueshëm ndërmjet diferencave etnike, kultrore dhe religjioze. Për këtë arsye më është dukur se Papa Françesku i dorëzon Bosnje-Hercegovinës katër fjalë të rëndësishme të shqiptuara gjatë takimit në pallatin presidencial: me ndërtu, me dialogu, me fal, me u rrit. Ndërtimi i urave nëpërmjet dialogut dhe faljes reciproke do të bëjë që e ardhmja të ndërtohet dhe të ketë përparim e rritje në jetën e popujve.

Burimi: www.radiovaticana.va

Titulli është i redaksisë.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »