E DIELA E XI GJATË VITIT (B)

Jun 12 • LEXIMET E SË DIELËS

Leximi parë: Ez 17,22-24

Lexim prej Librit të Ezekielit profet 

Kështu thotë Zoti Hyj: “Edhe unë do ta marr prej majës së cedrit të madh prej majës së gemave të tij do ta këpus një gemëz e do ta mbëltoj mbi një mal të lartë e të madhërishëm. Do ta mbëltoj në mal të lartë të Izraelit: do të shpërthejë në pinjolla e do të bëjë fruta: cedër do të jetë i madhërueshëm. Nën të do të banojnë të gjithë shpendët, çdo shpend nën hijen e gemave të tij çerdhen do ta bëjë. Të gjitha lëndët e fushës do ta dinë se unë jam Zoti që e zvogëlon lëndën e madhe dhe e lartëson të voglën, e thaj lëndën e njomë dhe e bëj të bulëzojë të thatën. Unë Zoti thashë dhe do të bëj ashtu.”

Fjala e Zotit 

 

Psalmi 92 

Ref. Bëj të rritet në ne, o Zot, fara e fjalës sate 

Është punë e mirë të shpallim dashurinë

në mëngjes e gjatë natës besnikërinë tënde,

se ti, o Zot, më gëzove me veprat e tua,

kënaqem për veprat e duarve të tua.

—————————————————–

I drejti lulëzon si palma,

rritet porsi cedri i Libanit.

Të mbjellë në shtëpinë e Jakobit

lulëzojnë në banesat e Hyjit tonë.

—————————————————–

Japin fruta edhe në pleqëri,

janë të kërthndeztë e plot shëndet,

për të shpallur se Zoti është i drejtë:

Qeta ime, në të cilin nuk ka të meta!

——————————————————- 

 

Leximi dytë: 2 Kor 5,6-10

Lexim prej Letrës së dytë të Shën Palit apostull drejtuar Korintasve 

Vëllezër, jemi gjithmonë plot shpresë edhe pse e dimë se deri sa të banojmë në këtë trup, jemi të mërguar, larg Zotit; sepse jetojmë në fe e jo në pamje të Zotit. Për këtë arsye edhe jemi plot shpresë e më fort dëshirojmë ta lëshojmë banesën e këtij trupi për të banuar te Zoti. Prandaj, edhe mundohemi me gjithë shpirt t’i pëlqejmë Zotit, qoftë duke qëndruar në banesën tone, qoftë edhe duke e lëshuar atë, sepse të gjithëve na duhet të dalim në gjyq para Krishtit, që secili të marrë shpërblimin për veprat që ka bërë gjatë jetës së vet në trup, qoftë për të mira, qoftë për të këqija.

Fjala e Zotit

 

Aleluja

Hape, o Zot, zemrën tonë, që t’i pranojmë fjalët e Birit tënd.

Aleluja 

 

Ungjilli Mk 4, 26-34 

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut 

Në atë kohë, Jezusi i tha turmës: “Mbretëria e Hyjit është porsi kur njeriu e qet farën në dhe. Si të flejë si të rrijë zgjuar natë e ditë, fara mbin, rritet – pa ditur ai se si. Toka vetvetiu qet bimën; më parë kërcellin, pastaj kallirin, e në fund kallirin plot kokrra. E posa fryti piqet, i vë draprin, sepse është koha e korrjes.” Dhe thoshte: “Me çka ta krahasojmë Mbretërinë e Hyjit? Ose me çfarë krahasimi ta paraqesim? Ajo i përngjet kokrrës së sinapit që është më e vogla ndër farëra kur qitet në dhe; por, kur mbillet, rritet e bëhet më e madhe se të gjitha perimet: lëshon degë të mëdha, aq sa zogjtë e malit banojnë nën hijen e saj.” Me shumë shëmbëlltyra si këto ua shpallte fjalën, ashtu si ishin të zotët ta kuptojnë; por pa shëmbëlltyra atyre nuk u fliste asgjë, kurse nxënësve ua shtjellonte veçmas të gjitha.

Fjala e Zotit 

 

Porosia 

Në leximin e parë, simbolika e tekstit, është për popullin e robëruar të Izraelit, në Babiloni, i cili, një ditë do të çlirohet dhe do të jetojë i bashkuar në tokë të pëlleshme, në liri të plot.

Kështu predikojnë dhe profetizojnë profetët të frymëzuar prej vet Hyjit, dhe këta e ngushëllojnë popullin që të kenë duresë, të shpresojnë dhe besojnë në Zotin.

Ndërsa në leximin e dytë, shën Pali na mëson që edhe ne të jetojmë me shpresë dhe fe në Zotin, i cili, një ditë do të bëj që të gëzojmë në lumturinë e tij.

Për këtë arsye, pra, duhet të jemi të vetëdijshëm për përgjegjësitë që i kemi si të krishterë që t’ i realizojmë në favor të së mirës së shpirtit dhe qetësisë së jetës në familje dhe shoqëri.

Ne mund të kemi të holla të depozituara apo të grumbulluara, mund të kemi jetë luksoze, mund të kemi shtëpi të bukura, shoqëri e shumëçka tjetër që na bëjnë të ndjehemi të lumtur, por çdo gjë kalon, dhe ajo që të bën të lumtur në të ardhmen e që janë të depozituara tek Zoti janë: mirësia, dashuria, duresa, bamirësia, lutja dhe përkushtimi i plot në fe që Ai i shpërblen.

 

Ungjilli: 

Në kohën e sotme njerëzit vuajnë nga ritmi shumë i shpejt i jetës. Çdo gjë tentohet të bëhet shpejt; askush për askënd thuaja se nuk ka kohë, të gathë nguten diku, dikush në punë, dikush në shkollë, tjerët nëpër takime. Jeta është bërë aq shumë dinamike. Njeriu nuk ka kohë me prit për asgjë. Kemi dëshirë të korrim suksese, dhe kemi dëshirë m’i pa e m’i përjetuar frytet e punës sa më parë që është e mundshme.

Kështu ndoshta sillemi edhe ndaj Zotit, të cilit i lutemi për ndonjë nevojë dhe dëshirojmë të marrim menjëherë përgjigje në plotësimin e dëshirës dhe nevojës që kemi. Por, Zoti vepron në botë, edhe pse ndoshta në këtë dinamikë të jetës nuk e hetojmë- nuk e vërejmë, sepse Mbretëria e Zotit fillon dhe rritet në zemrën e njeriut pa e ditur si është duke u rritur e duke përparuar, ashtu sikurse bimët që mbjellim.

Nga ne kërkohet angazhim dhe përkushtim, sikurse duhet të angazhohemi dhe përkushtohemi në punë.

“Mbretëria e Hyjit është porsi kur njeriu e qet farën në dhe”. Mbretëria e Hyjit rritet, por jo duke ju falënderuar njeriut. Hyji, është autori i zhvillimit të kësaj mbretërie. Përparimi i saj nuk varet as nga institucionet, as nga personat. Nuk rritet as nga shërbëtorët që i shërbejnë Zotit.
Por, mbretëria e Hyjit rritet dhe varet nga bashkëpunimi me hirin e Zotit dhe duke qenë të hapur ndaj fjalës së Tij.

Për aq sa njeriu është në disponim ndaj Zotit, për aq edhe përhapet e zhvillohet mbretëria qiellore.

Nëse e pranojmë fjalën e Zotit, ajo rritet në zemra tona dhe kështu e plotëson jetën tonë duke na bërë që të jetojmë në harmoni me vullnetin e Zotit.

Ungjilli i sotshëm na fton në bashkëpunim me fjalën e Zotit që e dëgjojmë. Prandaj, qëndrimi im duhet të jetë qëndrimi pranimi, besimi dhe ecje pas Krishtit.

Në këtë rast, askush nga ne nuk guxojmë të jemi pasiv, nuk guxojmë të jemi egocentrik, apo të kemi qëndrim ndryshe pos asaj çfarë dëgjojmë dhe duke dëgjuar edhe të zbatojmë e kjo është porosia që çdo të diele e dëgjojmë në meshën shenjte.

Në këtë qëndrim, duhet të jenë të pranishme duresa dhe pendesa. Këto dy elemente, bëjnë që të rritemi dhe të forcohemi dhe kështu t’ i lejojmë që Zoti të vepron në ne dhe nëpërmes nesh tek ata që i takojmë.

Kjo është përhapja e mbretërisë së Hyjit, nëpërmes njerëzve që lejojnë të bëjë vullnetin që kërkon Zoti.

Prandaj, çfarëdo që sjell jeta, ne duhet t’ u bindemi kushteve duke e ngritë kokën lart  e duke besuar dhe shpresuar që me duresë të përsosemi në kreatyra çfarë kërkon Zoti nga secili prej nesh, sepse jemi të krijuar në përngjasimin e tij. Atij, Hyjit, mund t’ i përngjajmë vetëm nëse jetojmë në hirin e tij, edhe pse nuk e dimë se si mbretëria e Zotit rritet, zhvillohet dhe bëhet e pranishme në botë, nëpërmes meje, teje- të gjithëve që e bartim emrin e krishterë dhe jetojmë jetën çfarë na mëson Zoti. 

Shembull 

Në një spital në Francë ishte i shtrirë një eprorë ushtarak, i cili kishte pësuar lëndime të rënda dhe jeta e tij ishte në rrezik.

Një motër nderi, e cila punonte aty, i propozoi këtij ushtaraku gjerman që të rrëfehet, por ai as që deshi ta dëgjonte.

Motra i tha: mirë unë do të lutem që Hyji ta zbut zemrën dhe të bind për një rrëfim të mirë.

Ky ia ktheu as mos provo, sepse nuk dua të rrëfehem.

Motra vazhdoi e i tha: tash e shtatëmbëdhjetë vite lutem për një njeri që të kthehet kah Zoti dhe vazhdoj të lutem ende.

I tha ushtaraku: e ke të afërt këtë njeri që ti lutesh?

Jo, tha ajo, por nëna ime ka punuar te një kont dhe gruaja e tij i kishte thënë nënës sime që të lutem për djalin e saj të vetëm, i cili nuk jetonte si duhet. Sot e pranova një letër nga kontesha, e cila me shkruan që djali i saj ka shkuar në luftë dhe me lutë që edhe më tutje të vazhdoj të lutem.

I plagosuri i tha a mos quhet nëna jote Beatrisa. Po, tha Beatrisa, është nëna ime, e ju mos ndoshta jeni Karlo.  Po, tha, unë jam dhe e kuptoj çdo gjë, që motra kishte lutur pikërisht për të, i mallëngjyer dhe njëherësh i pikëlluar pranoi të rrëfehej dhe lutjet nuk kishin shkuar kot.

Shembull i mirë që na nxitë të jemi të durueshëm dhe të lutemi gjithnjë për përhapjen e mbretërisë së Zotit në zemrat dhe jetën e njerëzve.

Kështu, pra, Mbretëria e Zotit vjen në qetësi; Hyji i papashëm e mbjell farën në zemrën tonë dhe pret që të rritet dhe të japë fryt. Pra, sikurse e cekem edhe më lart, duhet të bashkëpunojmë me Zotin dhe në bashkëpunim me të, veprojmë në përhapje të Mbretërisë së Zotit në tokë.

 

Lutjet e besimtarëve 

Të bashkuar dhe të shndritur nga Fjala e Zotit, t’ia paraqesim Hyjit Atit tonë lutjet tona për Kishën dhe boten mbarë. Të themi së bashku:

Ardhtë mbretëria jote, o Zot!

 – O Zot, Ti kishës sate ia besove misteret e mbretërisë sate, dhuroja hiret e Shpirtit Shenjt që të jetë ndërtuese e një bote të re, të lutemi:

 – Ti, o Atë, në Jezu Krishtin e shpalle të vërtetën, bëj që të krishterët në botë me duresë të presin ardhjen e Tij të dytë, të lutemi:

 – O Zot, ti dëshiron që të gjithë njerëzit të shëlbohen, zgjo në zemrat e njerëzve dëshirën për një jetë të vërtetë në bashkim dhe bashkëpunim me Ty, të lutemi:

 – Ti, o Atë, i do të gjithë njerëzit, sepse janë krijesa në përngjasimin tënd, ndihmoju atyre që kanë humbur komunikimin me ty, që sa më parë të kthehen dhe t’ i bashkohen Kishës sate në rrugën e vërtetë të jetës, të lutemi:

 – Ti, O Zot na ushqen me fjalën dhe bukën e jetës, na forco në këtë gosti këtu të bashkuar që të mundemi gjithmonë të jetojmë si na mëson Ti, të lutemi:

– Pranoj, o Zot në gostinë e amshuar, të gjithë të dashurit tanë që kaluan nga kjo botë, të lutemi: 

O Hyj i gjithëpushtetshëm, Ti në Birin tënd na ke zbuluar misteret e mbretërisë sate dhe na ke treguar rrugën kah amshimi. Na ndihmo që në çdo moment të jetës të njohim praninë tënde dhe të ecim rrugës që na mësoi Krishti, Biri yt, i cili me Ty dhe Shpirtin shenjt, Zot, jeton e mbretëron në shekuj të shekujve. Amen. 

Përgatiti: Don Marjan Demaj

Shpërndaje

Comments are closed.

« »