FAMILJA DHE SËMUNDJA

Jun 13 • Familja

Teksti i katekezës nga Audienca e përgjithshme, e mërkurë, 10 qershor 2015.

PAPA FRANÇESKU

Po vazhdojmë më katekezën mbi familjen, dhe me këtë katekezë do të doja të prekja një aspekt shumë të zakonshëm në jetën e familjeve tona, atë të sëmundjes. Është një përvojë e thyeshmërisë tonë, të cilën e jetojmë për më shumë në familjet tona, si fëmijë, e mandej mbi të gjitha si të moshuar, atëherë kur arrijnë sëmundjet.

Në aspektin e lidhjeve familjare, sëmundja e njerëzve që ne duam është përcjell me “më shumë” vuajtje dhe ankth. Dashuria është ajo që na bën që ta ndiejmë këtë “më shumë”. Shumë herë është më e vështirë për një baba dhe një nënë, të durojnë dhimbjen e tyre se të shohin të birin, apo të bijën duke vuajtur. Familja, mund të themi, që ka qenë gjithmonë ”spitali” më i afërt. Edhe sot, në shumë pjesë të botës, spitali është një privilegj për disa, dhe shpesh gjendet shumë larg. Është detyrë e nënës, babait, vëllezërve, motrave, e gjyshërve që të ofrojnë kujdes dhe të ndihmojnë në shërim.

Në Ungjij, shumë faqe transmetojnë takimet e Jezusit me të sëmurë dhe përkushtimin e tij për t’i shëruar. Ai publikisht shfaqet si ai i cili lufton kundër sëmundjes dhe i cili ka ardhur ta shërojë njeriun nga çdo e keqe: nga e keqja e shpirtit dhe e keqja e trupit. Është vërtetë prekëse skena ungjillëzuese posa e përmendur e Ungjillit të Markut. Thotë kështu: “Në mbrëmje, me  të perënduar të diellit, ia sollën para të gjithë të sëmurit dhe të djallosurit”(1,32). Nëse do të mendoja për qytetet e mëdha bashkëkohore, do të pyesja ku janë dyert para të cilave do të mund t’i sjellnim të sëmurët më shpresë që do të shërohen! Jezusi kurrë nuk u tërhoq nga shërimi i tyre.

Ai kurrë nuk kaloi rrugës tjetër, kurrë nuk e ktheu kokën kah ana tjetër. Dhe kur një at ose një nënë, ose thjeshtë miqtë që i sillnin përpara një të sëmurë që ta prekë e ta shërojë, ai nuk humbiste kohë: shërimi vinte para ligjit, e edhe para atij që ishte aq i shenjtë si pushimi i të Shtunës (khs. Marku 3,1-6). Doktorët e ligjit qortonin Jezusin se shëronte të shtunën, bënte mirë të shtunën. Por, dashuria e Jezusit ishte që të dhurojë shëndet, të bëj mirë: dhe kjo është gjithmonë në vend të parë! Jezusi dërgon dishepujt e tij që ta vazhdojnë po atë punë dhe u jep pushtetin që të shërojnë, edhe t’u afrohen të sëmurëve e të përkujdesen për ta deri në fund.(khs. Mt 10,1). Duhet ta mbajmë mirë mend atë që u thotë dishepujve në episodin e të verbëritë të lindur (Gjoni 9,1-5). Dishepujt – me të verbërinë aty prezent para tyre! Diskutonin se kush kishte mëkatuar, sepse kishte lindur i verbër, ai apo prindërit e tij, që ta shkaktojë verbërinë e tij. Hyji tha qartë: as ai, e as prindërit e tij; është kështu sepse janë shfaqur veprat e Zotit në të. Dhe e shëroi, ja lavdia e Hyjit! Ja detyra e Kishës! Ti ndihmojë të sëmurit, mos të përhumbet në biseda, të ndihmojë gjithmonë, të mbështes, të ngushëllojë, t’u qëndrojë afër të sëmurëve; kjo është detyra.

Kisha fton në lutje të vazhdueshme për më të dashurit tanë të atakuar nga e keqja –sëmundja.

Lutja për të sëmurët nuk duhet të mungojë. Për më shumë, duhet të lutemi edhe më shumë, si personalisht ashtu edhe në bashkësi. Të mendojmë episodin e ungjillit të gruas Kananase (Mateu 15, 21-28). Një grua pagane, nuk ishte nga populli i Izraelit, por një pagane e cila e lutë Jezusin t’i ja shërojë të bijën. Jezusi për ta sprovuar fenë e saj, në fillim përgjigjet me vrazhdësi: “Unë nuk jam dërguar gjetiu, përveç te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit”. Gruaja nuk zmbrapset- një nënë, kur kërkon ndihmë për fëmijën e saj, nuk dorëzohet kurrë; të gjithë e dimë që nënat luftojnë për fëmijët e tyre – dhe përgjigjet: “edhe këlyshët e qenve hanë thërrimet që bien nga tryeza e zotërinjve të tyre!” si të thoshte:” Së paku më trajto sa një këlysh!”.

Atëherë Jezusi i thotë: “O grua, i madh është besimi yt! Le të ndodh ashtu si dëshiron.” (v. 28)

Përballë sëmundjes, edhe në familje lindin vështirësitë, si shkak i dobësisë njerëzore. Por, në përgjithësi, periudha – koha e sëmundjes bën që forca e lidhjeve familjare të rritet. Dhe mendoj, sa e rëndësishme është t’i edukosh fëmijët, qysh të vegjël, për solidaritetin në kohën e sëmundjes. Një edukim, të cilit i mungon ndjeshmëria për sëmundjen njerëzore, e bën zemrën të ngurtë. Dhe i bën të rinjtë “të anestezuar” ndaj të tjerëve që vuajnë, jo të aftë të përballen me vuajtjen dhe të jetuarit e eksperiencës së limituar.

Sa herë na ka ndodhur të shohim të vijë në punë një burrë, një grua me fytyrë të lodhur, me një qëndrim të lodhur dhe kur i pyesim “Çfarë po ndodhë” përgjigjet:” Kam bërë gjumë vetëm dy orë, sepse në shtëpi po e bëjmë turne për të qenë afër birit, bijës, gjyshit, gjyshes”. Dhe dita vazhdon me punë. Këto gjëra janë heroike, janë heroizma të familjes! Heroizma të fshehur që bëhen me butësi dhe kurajë atëherë kur në shtëpi ndodhet ndonjëri i sëmurë.

Dobësia dhe vuajtja për më të dashurit tanë dhe më të çmuarit tanë mund të jetë për fëmijët tanë dhe nipërit shkollë jete – është me rëndësi të edukohen fëmijët dhe nipërit që të kuptojnë këtë afërsi në sëmundje brenda familjes – ata bëhen të tillë kur momentet e sëmundjes janë të përcjellur me lutje, dashuri e afërsi të familjarëve.  Bashkësia e Krishterë e di mirë që familja, në sprovën e sëmundjes, nuk është e vetme. Dhe duhet të themi faleminderit Hyj për ato eksperienca të bukura të vëllazërisë kishtare që i ndihmojnë familjet të tejkalojnë momentet e vështira të dhimbjes dhe vuajtjes. Kjo afërsi e krishterë, nga familja familjes, është një thesar i çmuar për famullinë; një thesar urtie, i cili ndihmon familjet në momentet e vështirësive dhe ua zbulon Mbretërinë e Hyjit më mirë se shumë predikime! Janë përkëdhelje të Hyjit.

Përktheu: Valbona Berisha

Shpërndaje

Comments are closed.

« »