LATINISTËT  SHQIPTARË  NË  PLAN  TË  PARË  TË  HISTORISË SË  LETËRSISË  SHQIPTARE (Pjesa II)

Jun 14 • Letërsi

Shkruan: Prof. Engjëll SEDAJ

 

Çështje terminologjisë letrare

            Këtë panteon të përbashkët letrar, me të gjitha karakteristikat kombëtare dhe me koloritin e larmishëm gjuhësor, duhet përcaktuar me një terminologji të përshtatshme teoriko-letrare, duke evituar ato shprehje të padefinuara të subjektivizmit denigrues ose të trashëguara nga disa tekste të mëparshme të historisë së letërsisë shqiptare, që nuk japin kuptim letrar, siç janë, bie fjala, “letërsia fetare katolike dhe didaskalike”, pastaj “letërsia feudale”, “letërsia klerikale” etj. Sidomos do të jetë i papërligjur dhe me kuptim të mangët në disa tekste të këtilla dhe te disa studiues termi “fetar” (“letërsi fetare”), i përdorur gati për gjithë letërsinë e vjetër me një tendencë të caktuar dhe me një vlerësim se “në qoftë se vepra është fetare, ajo nuk mund të jetë humaniste”. Në këtë mënyrë s’kuptohet  drejt as “fetarja”, e as “humanizmi” në letërsinë  e vjetër shqiptare, sikur që nuk përdoret drejt ky term as për veprën e Buzukut, Budit, Bogdanit, Varibobës, për të cilat vepra duhet dhënë vlerësime me një terminologji teoriko-letrare të kuptueshme, siç janë shprehjet: letërsi liturgjike, letërsi homelike, poezi popullore kishtare etj.

            Në brendinë e saj kjo tendencë për të përdorur terminologjinë jo adekuate synonte reduktimin e letërsisë së vjetër shqiptare, duke relativizuar dhe zvogëluar edhe frymën e qëndresës shqiptare ndaj presionit turko-islamik, kështu që edhe tekstet e vjetra shqipe shikoheshin kryesisht vetëm si monumente të gjuhës (së shkruar) pa ndonjë vlerë të madhe artistiko-letrare. Veprat e Buzukut, Matrangës, Budit, Bardhit, Bogdanit, Kazazit, Varibobës “kanë një karakter thjesht fetar-didaskalik”, thuhet në botimin e fundit të Historisë së letërsisë shqiptare, dhe si pasojë ato ishin “fetare” edhe në dimensionet teoriko-letrare, dhe, s’do mend, në ato idealet më të mëdha që kishin frymëzuar autorët e këtyre veprave. Kështu jo vetëm që minimizohet vlera historike kombëtare e këtyre veprave, por edhe shikohet disi me përbuzje, si një vlerë e huaj dhe e pakuptueshme, siç pretendohej të paraqitej e huaj dhe  e papërshtatshme vlera e botës së krishterë, e ngulitur në të gjitha format dhe modalitetet e jetës shqiptare.

            Në këtë mënyrë është mjegulluar krejtësisht periudha më e gjatë e historisë së letërsisë, ku është dashur të jetë pikëvështrimi i studiuesve më i thelluar dhe më studios se, bie fjala, te letërsia bashkëkohore.

            Letërsia e vjetër shqiptare nuk është parë shpeshherë si kategori themelore e jetës së një populli që mbron fenë e të parëve dhe  gjuhën e Arbërit të shenjtë, duke i vënë veprat liturgjike dhe trajtesat teologjike në plan të parë, si vizion të jetës së lirë të një populli të robëruar nga okupatori aziatik, i cili ishte edhe bartës i injorancës, por kuptohet si rezultat “i interesave të ndryshme politike”. Pikërisht në letërsinë e vjetër shqiptare nuk shfaqen interesa të ndryshme politike për shkak të mungesës së shortimeve të huaja, të cilat do të shfaqen në periudhën e mëvonshme, të ashtuquajtur të Rilindjes Kombëtare; interesat shqiptare do të konservohen dhe do të ruhen me xhelozinë më të madhe, siç është ruajtur kanuni i maleve shqiptare, me vlera autentike të një modaliteti të jetës martirizuese s shëmbëlltyrë e qëndresës dhe e rezistencës shumëshekullore shqiptare.  Nuk është parë se letërsia liturgjike, nga e cila edhe krijohen dhe, si të thuash, bëhen gjuhë shkrimore gjuhët popullore, ishte faktori kryesor në diferencimet nacionale në Evropë.

            Ç’ është e vërteta, përtërirja kalendarike e letërsisë liturgjike është e mbushur me idenë qendrore të shpëtimit dhe, siç thotë studiuesi i letërsisë së vjetër ruse, Lihaçovi, ”në brendinë e saj gjendet jeta modeste e një personazhi, e Krishtit. Të gjitha  ngjarjet e mëparshme, që kanë ndodhur para mishërimit të tij, janë vetëm përgatitje për ardhjen e tij, kurse të gjitha ngjarjet, që kanë ndodhur dhe po ndodhin pas tij janë në lidhje me jetën e tij.” Ndërkaq, në rrethana historike të popullit shqiptar, kjo letërsi, përveç postulatit moral, pranon edhe postulatin e mbrojtjes së vlerave të rrezikuara etnike, siç e ka paraqitur këtë rrezik P. Bogdani përmes personazhit të Antikrishtit dhe të atij krahasimi të bukur ndërmjet të krishterit dhe turkut (sc. myslimanit), duke thënë : “Ma mirë me kjanë nji i keshtenë birij nji Turku, se me kjanë nji Turk birij nji t’ keshtenit, poskur me thanë ma mirë me kjanë nji lua, i birij nji lepuri se me kjanë nji lepurë, birij nji luani”. Këtu qëndron edhe vlera kryesore e letërsisë së vjetër shqiptare, me përfaqësuesin e sa më të madh P. Bogdanin.

            Së këndejmi, termi “fetar” është përdorur edhe si korelativ i termit “laik”, i cili jo vetëm që nuk jep kuptim të qartë teoriko-letrar, por as që është korelativ i “fetarit”, por i “klerikut”, me një kuptim të mundshëm: i shkolluar – i pashkolluar; i dijshëm – i padijshëm. Kështu, bie fjala, ky korelativ (letërsi fetare – letërsi laike), përdoret pa të drejtë për të bërë dallimin në mes autorëve të letërsisë së vjetër dhe të të ashtuquajturve “bejtexhinjëve shqiptarë”, te të cilët “laicizmi” i tyre përsëri nuk jep kuptim teoriko-letrar, e në anën tjetër, siç dihet, autorët e këtyre bejteve ishin bash klerikë (islamikë). Madje për poezitë e H. Z. Kamberit në Historinë e letërsisë shqipe (1959) thuhet se janë “nja 10 vjersha fetare”, e të tjerat janë “vjersha laike”, kurse “veprat e M. Kyçykut janë poemat e para laike në letërsinë tonë.” Ç’është e vërteta, botëkuptimi i konceptit “laik” në artin letrar,  sikundër edhe në artet e tjera dhe në shkencë, sua sponte,  përjashton botëkuptimin e veprës “madhore” e të mirë.

            Ndonëse mungojnë studimet e veçanta  mbi këtë aspekt të letërsisë shqiptare, në këtë letërsi edhe lavrimi i dramës religjioze dhe i eposit religjioz, siç është, bie fjala, Qerbelaja  e Naim Frashërit, është i vogël dhe nuk është ngritur në nivel të veprave të mëdha e të rëndësishme letrare, siç është Parajsa e humbur e Miltonit. Megjithatë, këtu duhet veçuar ato poezi lirike religjioze, shumë të frymëzuara në gjithë historinë e letërsisë shqiptare, ngase termi “fetar” për letërsinë e vjetër ka pasur kuptim mjaft të padefinuar dhe shumë të politizuar dhe tendencioz.

            Ky qëndrim ndaj këtyre koncepteve ka ndikuar në huajësimin e gjithë letërsisë së vjetër, sikur ajo të kishte një vlerë letrare të huaj e të papranueshme për një botë që kishte përvetësuar hapësirën shqiptare dhe dukshëm ishte larguar nga tradita skënderbegiane dhe buzukiane, si vlera kombëtare të njëmendta. Në këtë mënyrë është synuar të bëhet edhe shkëputja nga e kaluara edhe më e hershme kulturore dhe letrare, që është në lidhje me autorët shqiptarë, që shkruanin në gjuhën latine.

            Ndonëse përdorimi i sintagmës  letërsi shqiptare për gjithë historinë e kësaj letërsie, me një kuptimësi më të gjerë se letërsi shqipe, mund të konsiderohet i stabilizuar, mbetet të precizohet terminologjia e asaj  letërsie (shqiptare) që është shkruar në gjuhën latine dhe ajo letërsi që sot quhet letërsi arbëreshe. Këtu nuk kuptohet saktësisht a është faktori kryesor pse  kjo quhet letërsi “arbëreshe,” pse arbëreshët e Italisë edhe sot e quajnë vetën arbëreshë apo pse  atëbotë kur u krijua kjo letërsi, ajo është quajtur arbëreshe. Nëse është e vërtetë kjo e dyta, atëherë “arbëneshe” do të jetë edhe letërsia e autorëve të vjetër të Shqipërisë Veriore dhe më gjerë në kohën kur në botën shqiptare etnonimi shqiptar, pothuajse, nuk përdorej fare. Në këtë mënyrë përdorimi i sintagmës “letërsi arbëreshe” edhe më tepër e bënë konvencionale përdorimin e termit (letërsi) shqiptare, ngase dallimi në emërtim evokon më tepër momentet gjeografike të shqiptarëve sesa etnike dhe teoriko – letrare. Sidoqoftë, përdorimi i sintagmës letërsi shqiptare për dallim nga sintagma letërsi shqipe, nënkupton se në këtë letërsi hyn edhe ajo letërsi (shqiptare) që është shkruar në gjuhën latine (dhe në gjuhë të tjera) për shkak të tematikës (shqiptare) dhe të origjinës së autorëve të saj.

            Kjo ka rëndësi edhe në përcaktimin terminologjik të humanistëve shqiptarë, që, në njërën anë,  mund të jetë koncept mjaft i kufizuar, ngase këtu kemi të bëjmë me një periudhë më të gjatë se që është koha e humanizmit (në Itali), sikur ante quem, ashtu edhe post quem. Në anën tjetër, “humanistët shqiptarë” mund të jetë term shumë i zgjeruar në historinë e letërsisë, ngase humanistë shqiptarë kishte edhe nga fushat jashtëletrare, siç janë artet figurative, muzika, filozofia etj. Prandaj, pavarësisht nga ata autorë shqiptarë, që kanë shkruar veprat e tyre edhe në gjuhë të tjera, latinistët shqiptarë përbëjnë një tërësi gjuhësore dhe letrare dhe analogjikisht me disa letërsi të popujve të tjerë, siç janë, bie fjala, hungarezët dhe kroatët, mund të emërtohen kësisoj për të përfshirë gjithë letërsinë që është shkruar në gjuhën latine ndër shqiptarë prej fillimeve deri diku në kohën e Luigj Gurakuqit.

            Vetëm në kuadrin e këtij përcaktimi të mundshëm mund të bëhet periodizimi i latinistëve shqiptarë, duke veçuar periudhën e humanizmit  si më të pasurën e më të rëndësishmen, por duke pasur parasysh gjithmonë se letërsia latinistike është në kuptimin më të plotë letërsi evropiane, sepse me të gjitha veçoritë e saj, ajo në të gjitha shkallët e saj iu ka nënshtruar proceseve të përbashkëta letrare, sikur në pranimin e ideve, ashtu edhe në dhënien e temave, të motiveve dhe të trajtave stilistike.

            Këtu duhet thënë gjithashtu se termin latinistë (shqiptarë) duhet kuptuar më tepër në dimensionet letrare sesa në ato filologjike ose thjesht gjuhësore.

Çështje periodizimit

            Në këtë drejtim edhe mund të flitet për latinitetin e Arbërit deri në shek. XV, për ta veçuar si periudhë më të hershme të shkrimit e të historisë së letërsisë. Ndër  latinistët shqiptarë të shek. XV-XVI duhet përfshirë humanistët shqiptarë, përkatësisht historianët e parë, retorët dhe prozatorët e tjerë, sikundër edhe poetët e kësaj periudhe, që kanë origjinën shqiptare; dhe, në fund,  latinistët modernë (shqiptarë), për të përfshirë këtu një letërsi të pasur të relatorëve shqiptarë, historiografë dhe prozatorë të tjerë, sikundër edhe poetë që kanë kënduar poezitë e tyre në gjuhën latine. Periudha e dytë mund të jetë karakteristike jo vetëm pse na paraqitet me emra kulmorë, siç janë, M. Barleti, M. Beçikemi, M. Maruli, por edhe pse me këta emra humanizmi shqiptar ishte bashkëkohës i atij italian, përpara se të krijonin lëvizjet e tyre humaniste popujt e tjerë evropianë.

            Këto tri periudha mund të ndikojnë edhe në shtjellimin e tri njësive vëllimore të historisë së letërsisë shqiptare me një titull të përbashkët: latinistët shqiptarë, që është një tërësi gjuhësore e kulturës letrare shqiptare dhe  që nuk i takon ndonjë letërsie nacionale të huaj. Nga kjo  tërësi letrare  do të ndriçohen edhe aspektet historike jo vetëm në mesjetën e hershme, por edhe të principatave të Arbërit dhe lulëzimi i qyteteve shqiptare në shekujt XIII-XIV, e në gjysmën e parë të shek. XV, që ishte krijimtaria letrare e Shkodrës, Tivarit, Ulqinit, Durrësit, Novobërdës etj. Këto njësi  letrare janë të arritshme në ato materiale të shumta të botuara nga Fulvio Kordinjano dhe Zef Valentini, sikundër edhe në disa botime të tjera.

            Nga këto periudha do të paraqiten emra të panjohur dhe më pak të njohur në historinë e letërsisë shqiptare, siç janë disa arbëreshë të Italisë dhe relatorët Gjergj Bardhi, Shtjefën Gaspari, Andrea Bogdani, Pjetër Bogdani etj. Për kohën më të re duhet pasur parasysh sidomos  atë literaturë të pasur që botuan (411 libra shqip, latinisht dhe italisht) etërit jezuitë (italianë) në shtypshkronjën e tyre Typographia Immaculatae Conceptionis B. M. V.  në Shkodër, të themeluar më 1870, sikundër edhe materialet e kuvendeve shqiptare.

            Në këtë mënyrë do të bëhet më e qartë edhe ajo kategoria e vonesës së gjuhës  së shkruar të popullit (lingua vernacula), në të cilën, sipas Marin Barletit dhe sipas vetë Skënderbeut, ishin shkruar kronikat e para ose ato libra me shkronja latine për të cilat flet Brokardi (1332). Ç’është e vërteta, kjo vonesë që zakonisht përmendet me një ndjenjë faji dhe si mungesë kulture të arbërve, dhe me pohimin se “dy shekuj heshtin për historinë e letërsisë shqipe”, ka të bëjë me kohëra të vështira të historisë politike dhe nacionale, kurse përmes latinistëve shqiptarë do të kuptohen lidhjet e ngushta të letërsisë shqiptare me njësi të tjera shumë të gjera letrare dhe kulturore evropiane, të cilat njësi  edhe ishin të tyre duke lexuar libra në gjuhën latine dhe duke zbatuar, pothuajse të gjitha sistemet edukativo-arsimore dhe kulturore në këtë gjuhë. Tekefundit, këto lidhje do të bëhen më të kuptueshme jo vetëm me këto njësi, si të thuash, më të largëta, por edhe me fillimet e shkrimeve shqipe, të cilat edhe i kanë paralelizmat e tyre në gjuhën latine.

            Lidhur me këtë duhet thënë se kur flitet për Formulën e pagëzimit duhet pasur parasysh gjithsesi edhe materialet e tjera të Kuvendit të Matit (1462) në gjuhën latine, në të cilat Pal Engjëlli u jep udhëzimet dhe porositë famullitarëve dhe rektorëve të të gjitha kishave dhe manastireve të Ipeshkvisë së Lisit. Këtu duhet  pranuar edhe bilinguizmin e konsiderueshëm të Buzukut, Budit, Bardhit, Bogdanit etj., të cilët njëkohësisht janë edhe latinistë shqiptarë, madje edhe në kuptimin më të ngushtë të përdorimit të  gjuhës latine, si gjuhë të tyre liturgjike. Këtu qëndron edhe arsyeja që edhe veprat e tyre titullohen kryesisht në gjuhën latine (ose në të dy gjuhët), siç titullohet “Çeta e profetëve” (Cuneus prophetarum de Christo, Salvatore mundi et eius evangelica veritate…) e P. Bogdanit.

            Kjo dukuri do ta ketë arsyetimin edhe në faktin e pamohueshëm se në sistemin e ri gjuhësor duhet hyrë me kujdes dhe duke respektuar sistemin e vjetër për të vënë lidhje të qëndrueshme kulturore dhe për të respektuar faktorin kryesor në formimin etnik, e  që është tradita kulturore e një populli evropian. E kjo traditë kulturore, sikur edhe në gjithë Evropën Perëndimore, ishte traditë latine prej kohëve më të hershme, kur edhe Eneu legjendar kishte kaluar Butrintin në rrugën e tij drejt Laciumit, duke bashkuar, në një mënyrë, kulturën greke me atë romake.

Disa veçori teorike letrare latinistëve shqiptarë

            Në hartimin e historisë së letërsisë shqiptare poetika e latinistëve shqiptarë mbështetet në paraqitjen biografik-bibliografike të autorëve (të caktuar)  shqiptarë dhe në shtjellimin kritik të veprave të tyre të shkruara në gjuhën latine. Në këtë mënyrë, do të pasqyrohet ajo lëndë që bën të njohur (sipas Volterit: une connaissnce) krijimet letrare: poezinë, historiografinë, gojëtarinë, kritikën letrare, eruditizmin dhe në përgjithësi  fillimet e shkrimit në trevat e Arbërit, e që është krijuar dhe trashëguar nga shqiptarët në një kohëzgjatje prej me tepër se një mijë vjetësh. Qëndrim i së tashmes dhe i së kaluarës në këtë shtjellim do të mbështetet në disa vlera fonotipe të opusit të shkrimtarëve, e të kundruara si një fazë kalimtare në zhvillimin e përgjithshëm të mendimit letrar dhe kulturor shqiptar.

            Nga kjo paraqitje e tërësishme mund të kuptohet më qartë ajo ndërprerje drastike, kur, më 29 maj 1453, sulltan Mehmeti II pushtoi Konstantinopojën, ngjarje kjo e cila për gati gjysmën e Perandorisë së mëparshme Romake, e që do të thotë për gjithë Gadishullin Ballkanik, do të shkaktojë edhe zhdukjen e arritjeve të mëparshme kulturore dhe letrare; kjo ngjarje, e sidomos ato që do të pasojnë nga shkatërrimet barbare të pushtuesit, do të shkaktojnë edhe ikjen masive të atij potenciali të madh intelektual nga Gadishulli Ballkanik në Itali, të asaj plejade të madhe humanistësh, të cilët do t’ i shkruajnë veprat e tyre në gjuhën latine në vendet e huaja, kurse në vendin e tyre, ku ishin shkolluar ata dhe ku kishin vepruar  institucionet e avancuara të kulturës së tyre, do të krijohet një gjendje kaotike dhe e tërbuar e pushtuesit, i cili jo vetëm që nuk do të organizojë rivendosjen për një letërsi shqiptare, por do ta ndalojë çdo paraqitje artistike të identitetit kombëtar shqiptar.

            Mirëpo, sistematizimi i atyre vlerave arbëreshe nga diaspora do të pasqyrojnë edhe fenomenet e tjera kulturore-historike që kanë vazhduar pas humanizmit, që janë renesanca, reforma dhe kundërreforma, pastaj zbulimi i shtypshkronjës dhe i zbulimeve të tjera, për të qenë prore në shkallën kontinentale evropiane. Prandaj nga historia e letërsisë, e cila në planë të parë do t`i vejë latinistët shqiptarë, mund të arrihet integrimi më i madh traditor ndër shqiptarë për t`u liruar nga elementet dezintegruese dhe antikombëtare aziatike, të cilat si recidiv i vazhdueshëm e kanë përcjellë këtë popull  edhe në kohët moderne. Pikërisht në këto elemente dezintegruese duhet parë edhe mungesën e madhe të konvergimit ballkanik, që ka shkaktuar edhe animozitete të pakuptimta në studimin seleksionues të disa autorëve të letërsisë shqiptare.

            Së këndejmi, veçori e këndshme do të jetë dhe vlerë e dorës parë që në kuadrin e kësaj letërsie, dalin në sipërfaqe veprat e Marin Barletit, të integruara plotësisht në letërsinë evropiane, që duhet të jetë model i pranueshëm për gjithë letërsinë shqiptare sipas kriterit kritik të Faik Konicës se vlera e veprave letrare (shqiptare) do të krahasohet me kryeveprat e letërsisë përgjithësisht. Vetëm mbi këto baza do të jetë e mundur që në letërsinë shqiptare të dalin vlera të njëmendta dhe të pranueshme në gjithë letërsinë evropiane. Sinkretizmi letrar dhe mbyllja, siç ka ndodhur me letërsinë e realizmit socialist, sikundër edhe më parë me bejtexhinjtë shqiptarë, të cilët nuk i njihnin as shkrimtarët shqiptarë të mëparshëm, e aq më pak letërsinë evropiane, do ta  kenë vlerën e zvogëluar letrare të bredhjeve pa shpresë, sikundër edhe ato rryma politike të cilave i takonte kjo letërsi. Në këto dimensione humanistët shqiptarë dhe latinistët e tjerë, përkundrazi, e arrijnë edhe integrimin kohor sikur me antikën, ashtu edhe me modernen, siç mund të kuptohet edhe nga Pjetër Bogdani, i cili njëherit është edhe latinisti i madh (shqiptar) i historisë së letërsisë shqiptare. Ky personalitet letrar do ta ketë një pozitë qendrore në një periudhë më të gjatë të historisë së letërsisë.

            Mbi bazë të njohjes se himnodisë mesjetare do të kuptohet thellësia e koloritit të himnave në gjuhën shqipe të “Mesharit” të Buzukut, e sidomos të tetërrokëshit të përsosur të P. Budit, si vlera më të larta artistiko-letrare të gjithë letërsisë shqiptare. Veprat e tyre, sikurse veprat e autorëve të tjerë shqiptarë deri në kohën kur J. De Rada botoi Milosaon (1836), do ta kenë vlerën më të madhe se ato vepra karakteristike të sinkrentizmit krahinor dhe ideologjik.

            Përveç materialeve të botuara më parë nga Zef Valentini, Fulvio Kordinjano, Injac Parrino, Injac Zamputi, Luigj Marlekaj etj., në punë të hartimit të kësaj pjese të letërsisë vjetër mund të shërbejnë në të mirë sidomos disa botime monografike të Dhimitër S. Shuteriqit, të Jahja Drançollit dhe të studiuesve të tjerë të historisë së letërsisë dhe të popullit shqiptar. Janë ndriçuar edhe të dhëna të tjera, përkatësisht të dhëna më pak të njohura për Martin Segonin, Marin Barlatin, Leonik Tomeun, Mikel Marulin, Injac Albanin, Françesk Albanin (Klementi XI – Albani), sikundër edhe për ata autorë që i kanë shkruar veprat e tyre shqip dhe latinisht. Vetëm nga veprat (tani të botuara në katër vëllime) të Serafin Maria Çerva, siç ka konstatuar J. Drançolli, “ndeshen dhjetëra krijues shqiptarë të mesjetës dhe të epokës së humanizmit,” kurse edhe nga kohët e mëvonshme, shpresojmë, do të plotësohet dukshëm panteoni i madh i letërsisë shqiptare.

            Nga ky panteon, sikur në çdo letërsi nacionale të Evropës, do të manifestohet porosia paradigmatike se njeriu është masa e të gjitha sendeve, si takim providencial i tij me kozmosin hyjnor. Duke ndjekur këtë traditë të pasur e të sigurt letrare, mbase do të evitohen bredhjet e dëmshme, sikur edhe që do të evitohen mangësitë në paraqitjen e vlerave letrare në historinë e gjatë e të pasur të letërsisë shqiptare prej kohës antike deri më sot.

Fund

Fusnotat i ka hekur Redaksia.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »