SJELLJA JONË JODEMOKRATIKE

Jun 16 • Res socialis

Shkruan: Dr. Pavao Brajsha

Mbaj mend një nga seminaret e mia me menaxherë. Para meje ndodheshin shtatë anëtarët e ekipit drejtues të një kompanie të madhe. Ua pata dhënë atyre një pyetësor të thjeshtë në lidhje me llojet e udhëheqjes në ekip. Secili duhej t`u përgjigjej disa pohimeve nga pyetësori për mënyrën se si ai e shihte strukturën e udhëheqjes në ekip,d.m.th. a ishte ajo udhëheqje demokratike, liberale apo autokratike. Gjashtë prej tyre, sipas pyetësorit ekipin e tyre e shihnin si tipike autokratike, kurse udhëheqësin e ekipit e përshkruan si një diktator, dhe vetëm një anëtare kishte theksuar dhe lavdëruar udhëheqjen demokratike të ekipit. Është fakt interesant se ky ishte pikërisht udhëheqësi i ekipit, i përshkruar nga anëtarët e tjerë si autokrat dhe diktator.

Nëse e do paqen, ndryshoje vetveten dhe jo të tjerët. E ke më lehtë t`i mbrosh këmbët e tua me pantofla sesa të mbulosh tërë tokën me qilim (De Mello). Ne duhet të mendojmë edhe për gabimet tona. Është e pamundur për t`i korrigjuar ato pa i ditur dhe njohur ato. Nëse nuk dimë se si t`i njohim, as s’mund t`i rregullojmë. Ato shumë më lehtë i identifikojmë te të tjerët, e më vështirë te vetja jonë. Gjithkënd jemi në gjendje ta fajësojmë për sjellje jodemokratike, përveç vetes dhe sjelljes sonë. Diktatorët më të mëdhenjtë botës deklaronin për veten se ishin demokratët nga më të mëdhenjtë. Shumë vetë luftojnë për demokraci me një sjellje shumë jodemokratike.

Kohët e fundit, më ra në duar libri “Orakulli praktik dhe arti i urtësisë botërore”, i shkruar nga Balthasar Gracian, një jezuit spanjoll, të cilin e kishte përkthyer në gjermanisht filozofi Arthur Schopenhauer. Ky mendimtar i madh i shekullit shtatëmbëdhjetë konsideron se njohja e vetvetes është fillimi për të përmirësuar sjelljen tonë. Njeriu, duhet t`i dijë gabimet e veta më të shpeshta dhe më të preferuara. Edhe njeriu më i përsosur ika ato. Shpesh i dimë, por i duam ato. Për t’u bërë zotërues të vetvetes, duhet njohur mirë vetveten. Vëzhgimi i vetvetes është shkolla e urtisë. Një njeri i tillë i di disponimet e tija të çastit dhe ndikon në to. Injorantët nuk e kanë pasqyrën e vetvetes së tyre, kështu që nuk kërkojnë atë që u mungon. Hapi i parë në luftimin e këtij vesi është identifikimi i gabimit kryesor vetjak. Pasi të kesh identifikuar njëherë, lehtë mund t`i dalësh zot.

S`ekziston njeri i cili s’do të kishte në vetvete edhe të kundërtën e virtytit të tij më të shkëlqyer (Gracian). Ne, të gjithë besojmë se jemi demokratë, dhe për këtë arsye s`jemi në gjendje ta zhvillojmë demokracinë. Vetëm duke pranuar dhe duke marrë mbi vete mundësinë e sjelljes sonë jodemokratike, ne jemi në gjendje për të vepruar në demokratizimin e saj. Vetëm demokratët e vërtetë e pranojnë se shpeshherë sillen në mënyrë jodemokratike. Sjellja e identifikuar vetjake jodemokratike gradualisht humb efektet e saj të dëmshme në mjedis, sepse ajo mund të korrigjohet. Është më vështirë të jetosh me gabimin e identifikuar sesa me atë të pa pranuar të sjelljes tënde!

Hijet tona jodemokratike

Hasa në një broshurë që kishte titullin”Praktikos.”  E kishte shkruar qysh në shekullin e katërt një mendimtar, mistik dhe vetmitar (asket) Ponticus Evagrius. Vëllezërve të vet eremitë në shkretëtirën egjiptiane ua thekson se çdo gjë duhet të fillohet me eksplorimin e vështirë dhe të rëndë të vetvetes sonë të vërtetë. Të njohurit e vetvetes është një parakusht për identifikimin dhe korrigjimin e qëndrimeve të gabuara vetjake. Epshe të shumta janë të fshehura në shpirtin tonë dhe nuk lejojnë të identifikohen nga vetëdija jonë.

Nuk ka ndryshim të sjelljes tonë pa ballafaqim me realitetin tonë personal, me epshet tona, me hije vetjake dhe pa i luftuar ato (Evagrius Ponticus).

Pierre Teilhard de Chardin (Pjer Tejlar dë Shardë), shkruan se ne nuk jemi në gjendje të bëjmë asgjë, dhe asgjë të kuptojmë pa një njohuri paraprake dhe të kuptuarit e vetes sonë. Gjallëria e jetës, mund të zgjatet duke u bërë vetë i vetëdijshëm. Është iluzion të mendosh se rruga për te vetvetja është e drejtpërdrejtë dhe e këndshme (ErichFromm). Filozofi, teologu dhe komunikologu i Frankfurtit Rupert Lay vëren se është shumë e vështirë për të njohur vetveten siç jemi në realitet, sepse psikika jonë vendos perde të rënda; krijon maska, aktivizon mekanizma gjigandë mbrojtës për të fshehur dobësitë inferiore para depërtimit dhe zbulimit racional. Me mekanizmat mbrojtës, ne e bëjmë jetën tonë më të durueshme, por sigurisht jo më humane. Ne duhet kuptuar se nuk jemi ajo që do të donim të ishim.

Sam Keen në librin “Kaosi i dashurisë” shpjegon se përfytyrimi ynë për vetveten është i shtrembëruar nga nevoja për të menduar mirë për veten tonë. Lakmia jonë e pavetëdijshme dhe frika jonë i turbullojnë sytë tanë me të cilët e shikojmë vetveten.

Psikologu popullo amerikan, Dale Carnegie, në librin e tij “Si të arrish miq dhe simpatinë e njerëzve”, shkruan se pothuajse s`ka njeri i cili do të dënonte vetveten sado shumë të ketë gabuar. Fajtori për veprimet e veta do ta fajësojë çdonjërin, përveç vetes së tij. Të gjithë ne jemi të tillë.

Rrjedhimisht, s`ka ndryshim të sjelljes vetjake pa aftësinë për të njohur gabimet tona reale, atë që në fakt jemi; atë çfarë ndodh në të vërtetë brenda nesh; atë çfarë vërtet mendojmë dhe ndiejmë, duamë dhe kemi nevojë. Të identifikuarit e gabimeve tona reale është parakusht themelor i çdo ndryshimi- i çdo përmirësimi dhe korrigjimi të sjelljes vetjake, kështu edhe të zhvillimit të demokracisë në ne.

Për t’u bërë demokratë të vërtetë në mendimet, ndjenjat, të folurit, sjelljen tonë, publikisht dhe privatisht, në shtëpi dhe në punë; në familje dhe në parlament, në vetvete dhe me të tjerët, si parae dhe pas zgjedhjeve, brenda partisë vetjake dhe me ato të tjera politike, në vendin tënd dhe jashtë tij; kur i zgjidhim problemet tona dhe të tjerëve; kur luftojmë për veten tonë dhe për të tjerët– për t’u bërë demokratë universalë dhe të vërtetë, ne duhet të jemi në gjendje t`i njohim përmasat e vërteta të jodemokracisë sonë vetjake.

Përfytyrimi i sjelljes sonë (jo)demokratike

Shumica prej nesh shohin te vetja atë që ka dëshirë. Ky është përfytyrimi ynë i dëshiruar i vetvetes. Te vetja jonë dhe sjellja jonë shohim atë se çfarë ne do të donim të ishim, çfarë mendojmë se  jemi dhe çfarë bëhemi të bindur se jemi. Kjo është ajo çfarë ne kemi qejf të ishim, jo ajo çfarë vërtet jemi. Këto janë fantazitë tona mbi veten tonë. Shpeshherë, këtë e plotësojmë nëpër teste të ndryshme vlerësuese lidhur me vetveten dhe gjithmonë rezulton të jemi të përsosur ose në rrugën më të mirë që të bëhemi të tillë. Bëhemi të bindur se jemi ajo që ne s`jemi. Fillojmë të besojmë në iluzionin vetjak në lidhje me veten tonë dhe sjelljen vetjake. Si fëmijët e vegjël veten e kthejmë në atë personazh që na pëlqen, që do të donim të ishim, sido të donim të silleshim. Shumë vetë, do të donin të ishin demokratë, në këtë mënyrë ata mendojnë se edhe janë!

Pastaj, pasojnë ata të cilët te vetja shohin atë që supozojnë se të tjerët shohin te ta. Ky është përfytyrimi i supozuar i huaj i vetes sonë. Kjo është ajo që ne mendojmë se të tjerët mendojnë për ne. Kjo është bindja jonë në lidhje me mendimin e të tjerëve mbi ne dhe sjelljen tonë. Ky përfytyrim, mund të jetë aq i fuqishëm dhe aq mashtrues sa që në fund dëgjojmë ngatë tjerët atë që ata fare s`na thonë ose krejt të kundërtën e asaj që na thonë. Dëgjojmë atë çfarë duam dhe ia dëshirojmë vetvetes, e jo atë që në të vërtetë është duke na u thënë. Në kokën tonë krijohet një filtër që i lejon vetëm ato mesazhe që përputhen me atë supozimin tonë në lidhje me mendimin e të tjerëve për ne. Ne dëgjojmë dhe shohim vetëm atë që ne duam të dëgjojmë dhe të shohim. Gjithçka që është duke na u thënë dhe gjithçka që ne shohim, të gjitha reagimet e të tjerëve kundrejt sjelljes sonë i interpretojmë në kuadër të përfytyrimit të supozuar të tyre në lidhje me ne. Çdo gjë e kthejmë vetëm për të konfirmuar përfytyrimin e tillë lidhur me ne. Kjo na vështirëson për të dëgjuar të vërtetën në lidhje me veten tonë dhe që ta njohim në reagimet e të tjerëve përfytyrimin tonë real të vetvetes.

Në vendin e tretë janë ata të cilët te vetja e shohin vetëm atë çfarë të tjerët ua tërheqin vërejtjen. Ky është përfytyrimi i huaj i vetes tonë. Ne bëhemi të varur nga mendimet e njerëzve të tjerë lidhur me veten tonë që i pranojmë në mënyrë jokritike dhe të cilave u besojmë në mënyrë të përkryer.

Gjithçka varet nga ajo çfarë të tjerët mendojnë për ne, se si na shikojnë dhe atë çfarë thonë për ne. Ne, s`kemi përfytyrimin dhe mendimin tonë në lidhje me vetveten. Nuk e dimë se çfarë po ndodh me ne. Nuk i kemi parametrat tona, por vetëm ato të huaja të sjelljes sonë. Bëhemi skllevër të mendimeve të njerëzve të tjerë rreth nesh. I pranojmë ato në mënyrë jo kritike, fjalë për fjalë. Ne u besojmë vlerësimeve të huaja, parashikimeve rreth nesh dhe të ardhmes tonë. Orientuesit e vetëm të sjelljes sonë janë të tjerët, dhe mendimi i tyre që gjithashtu s`është e thënë se janë objektiv dhe real.

Në vendin e katërt, janë ata të cilët e shikojnë veten me sytë e vetë. Ky është përfytyrimi vetjak kritik i vetvetes. Për veten mendojmë, reflektojmë dhe kemi mendime tona në lidhje me vetveten. Vetëm kështu mund të kemi të gjitha parakushtet për të punuar në veten tonë, në zhvillimin dhe ndryshimin e vetvetes,përmirësimin dhe përsosmërinë tonë. Ndryshimi i sjelljes vetjake është i pamundur në bazë të iluzioneve që i kemi rreth vetes,në bazë të mendimeve vetjake të paprovuara rreth asaj se çfarë të tjerët mendojnë për ne, dhe në bazë të pranimit të lehtë të mendimeve të njerëzve të tjerë rreth nesh. Ne, duhet qenë në gjendje për të menduar sa më objektivisht për vetveten, sa më objektivisht për të vlerësuar vetveten,për ta trajtuar vetveten në mënyrë sa më kritike. Vetëm në këtë mënyrë, mund të punojmë diçka edhe në veten tonë.

(Përktheu: P. Shtjefën Dodes SJ)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »