ËNDRRA ATDHETARE E GJON SERREQIT

Jun 17 • Recension

(Ramadan HAZIRI, Ëndrra atdhetare e Gjon Serreqit, Roman, Saga, Prishtinë, 2015)

Romani i Ramadan HAZIRIT “Ëndrra atdhetare e Gjon Serreqit” aktualizon edhe një herë fytyrën e ndritur të patriotit tonë të shquar dhe të dalluar, Gjon Serreqit (1920-1947), biri i Gjergjit dhe Anicës l. Kurti – Serreqi, i cili krejt jetën, fuqinë mendore, morale, fizike, rininë ia ka kushtuar çështjes sonë kombëtare, që asokohe ishte shumë e koklavitur dhe tejet e rrezikshme, sot e atë ditë ende e pazgjedhur përfundimisht dhe fatbardhësisht.

Gjon Serreqi, në Seminarin e Prizrenit, mori një formim dhe edukim të mirëfillët njerëzor dhe kombëtar, duke diplomuar me sukses. Ai gjithnjë ishte i etshëm për dije dhe studime, edhe më tepër për fatin e zi të Popullit Shqiptar. Studio në Zagreb, në Pizë dhe në Firencë deri në vitin 1943.

Motoja e jetës dhe veprimtarisë së tij, testamenti i shkruar me gjak dhe atdhedashuri, ishte ky: “TË GJITHA VETËM PËR NANËN SHQIPNI”. Për këtë ide, ideal, idealizëm ai flijoi çdo gjë, rininë, karrierën, familjen, lumturinë, suksesin, që ishin të hapura dhe joshëse për të, si edhe për çdo të ri.

Gjon Serreqi nuk ra në gracka të “sukseseve”, të karrierizmit, të premtimeve, edhe më pak në kërkimin e vetvetes apo synimeve të ngushta personale, familjare, grupore, klanore të  asaj kohe, por i mbeti besnik së pari vetvetes, si Shqiptar dhe i Krishterë, si atdhetar, i dashuruar në Popullin tonë, dhe pjesëmarrës i denjë dhe përkushtuar në dramën dhe Kalvarin e tij – tonë.

– Gjon Serreqi ishte i edukuar dhe ushqyer me atdhedashuri.

– Ishte i rritur me ideale për Fe dhe për Atdhe, që për të shndërroheshin dhe konkretizoheshin në ideale për liri dhe pamvarësi kombëtare.

– Ishte i udhëhequr nga motoja jetësore: “Të gjitha vetëm për Nanën Shqipni”.

– Ishte idealist dhe për këtë jetoi dhe flijoi të gjitha, për kombin Shqiptar, të poshtëruar, copëtuar, martirizuar, të varrosur dhe rivarrosur, të mbijetuar baticave dhe zbaticave historike dhe aktuale.

– Ishte “Ëndërruesi atdhetar” jetëshkurtër, vetëm 27 vjeçar, i cili la një testament të shkruar me dashuri dhe të vuolur me gjak, për vëllazërinë gjithëshqiptare, gjithnjë aktual.

– Gjon Serreqi ishte dhe mbetet i “pavdekshëm”, sepse më shumë e deshi Shqipërinë, Popullin Shqiptar, ardhmërinë, lirinë, bashkimin, se vetveten dhe jetën.

– Porosia e tij në ditët tona, mendoj unë se do të ishte kjo, që e kam shprehur shumë herë: “Para se të bashkohen tokat shqiptare, duhet të bashkohen kokat dhe zemrat”.

Autorit Ramadan Hazirit, nderime dhe falënderime për këtë dhuratë, roman, me të cilin na “kthen” te Gjon Serreqi dhe koha, rrethanat e tija në mënyrë artistike, për të pasur një të tashme dhe të ardhme sa më të mirë si Popull Shqiptar në çdo anë dhe kënd! Gjon Serreqi e tejkaon kohën dhe hapësirën, sepse jeta dhe porosia e tij është universale. Njerëzit e tillë, si Gjoni ynë, fatkeqësisht lindin rrallë, por fatbardhësisht nuk vdesin kurrë.                                                                                          

(Fjala në promovimin e librin në Ferizaj, 12 qershor 2015)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »