ENCIKLIKA E RE E PAPA FRANÇESKUT MBI EKOLOGJINË “LËVDUAR QOFSH”

Jun 18 • Kisha në botë

Një orientim i përgjithshëm

 

Ky tekst ofron një ndihmë për një lexim të parë të Enciklikës, duke treguar zhvillimin e përgjithshëm e disa linja të veçanta. Faqet e para paraqesin “Lëvduar qofsh” (Laudato si) në tërësi, pastaj përshkohen kapituj, nënvizohen objektivat e riprodhohet disa fragmente kyçe. Në fund është sjell edhe përmbledhja e plotë e Enciklikës “Lëvduar qofsh”.

Vështrim i përgjithshëm

“Çfarë tip bote dëshirojmë t’u lëmë atyre, që do të vijnë pas nesh, fëmijëve në rritje?” (160). Kjo, pyetja në qendër të Lëvduar qofsh, Enciklikës së shumëpritur, që Papa Françesku ia kushton shtëpisë së përbashkët. “Pyetja nuk ka të bëjë  thjesht me ambientin, parë në mënyrë të izoluar, sepse problemi nuk mund të ngrihet vetëm pjesërisht”. E kjo të shtyn të bësh pyetje edhe për kuptimin e vetë qenies dhe të vlerave bazë të jetës shoqërore: “Për çfarë qëllimi erdhëm në jetë? Pse punojmë e luftojmë? Pse kjo tokë ka nevojë për ne?”. Nëse nuk do t’ia bëjmë vetes këto pyetje themelore, shkruan Papa, nuk e besoj se shqetësimet tona ekologjike do të mund të sjellin ndonjë rezultat të rëndësishëm”.

Enciklika e merr emrin nga lutja “Lëvduar qofsh, o Zoti im” e Shën Françeskut që, në Këngën e Krijesave, na kujton se toka, shtëpia jonë e përbashkët, “është edhe si motër, me të cilën jetojmë ditë për ditë, e edhe si nënë e bukur, që na shtrëngon ndër krahë”. (1). Ndërsa ne vetë “jemi toka (khs. Zan 2,7). Vetë trupi ynë gatuhet nga elementet e planetit; ajri i tij na jep frymën e uji na mban gjallë e na freskon” (2).

Tani, kjo tokë, e keqtrajtuar dhe e plaçkitur vajton, e dënesët e saj  bashkohen me ato të të gjithë njerëzve të braktisur udhëve të botës. Papa Françesku na fton t’i dëgjojmë, duke i nxitur të gjithë e secilin – individë, familje, fise, kombe e bashkësi ndërkombëtare – për të bërë “kthesë ekologjike”, sipas shprehjes së Shën Gjon Palit II. Fton, pra, për të ndërruar rrugë, duke marrë mbi vete detyrën dhe angazhimin e fisëm të “kujdesit për shtëpinë e përbashkët”.

Njëkohësisht Papa Françesku pranon se “Vërehet një ndjeshmëri në rritje lidhur me ambientin dhe kujdesin ndaj natyrës e thellohet gjithnjë më shumë shqetësimi i dhimbshëm, për atë që po i ndodh planetit tonë” (19), duke e përligjur shikimin plot shpresë, që ndjehet fort në të gjithë Enciklikën, për t’u drejtuar, më pas, të gjithëve, një mesazh të qartë e plot besim: “Njerëzimi nuk e ka humbur ende aftësinë e bashkëpunimit për ndërtimin e shtëpisë sonë të përbashkët” (13). “Qenia njerëzore është ende e zonja të vërë dorë pozitivisht” (58), “nuk ka humbur gjithçka, sepse njerëzit, të aftë për të rënë poshtë e më poshtë, munden edhe të ngrihen lart e më lart, të bëjnë kthesë drejt rrugës të së mirës e të rilindur për një jetë të re” (205).

Natyrisht Papa u drejtohet besimtarëve katolikë, duke rimarrë (cituar bërë të vetat) fjalët e Gjon Palit II: “Të krishterët, në veçanti, vërejnë se detyrat ndaj gjithësisë, detyrat ndaj natyrës e Krijuesit, janë pjesë e pandarë e fesë së tyre” (64),  duke u propozuar “në mënyrë të posaçme të hyjnë në dialog me të gjithë për problemet e shtëpisë sonë të përbashkët”(3): dialogu përshkon gjithë tekstin e, në kapitullin e 5-të, bëhet mjet për t’i përballuar e për t’i zgjidhur problemet. Që në fillim Papa Françesku kujton se “edhe Kishat e bashkësitë e tjera të krishtera, ashtu si dhe fetë e tjera, e kanë  vënë theksin mbi këtë shqetësim të thellë e edhe kanë reflektuar” mbi temën e ekologjisë (7). Madje e mbështet shprehimisht kontributin e tyre, duke nisur nga ai “i Patrikut të dashur Ekumenik Bartolomeu” (7) cituar gjerësisht në numrat 8-9. Disa herë të tjera, pastaj, Papa i falënderon protagonistët e këtij angazhimi  – si njerëzit e veçantë, ashtu edhe shoqatat  ose institucionet. Duke pranuar se “reflektimi i një morie shkencëtarësh, filozofësh, teologësh e organizatash shoqërore, e pasuron mendimin e Kishës  për këto çështje” (7), Papa i fton të gjithë ta pranojnë  “ndihmesën  që mund të japin fetë për ekologjinë e dhe për zhvillimin e gjithanshëm të gjinisë njerëzore” (62).

Përmbajtja e  Enciklikës skicohet në n. 15, për t’u shtjelluar, më pas, në gjashtë kapituj. Niset nga paraqitja e situatës, duke filluar nga arritjet më të mira shkencore që kemi sot (kap. 1), për të kaluar tek ballafaqimi me Biblën dhe me traditën judaiko-kristiane (kap. 2), duke vënë në dukje se rrënjët e problemeve (kap. 3), duhen kërkuar tek teknokracia dhe vetëbesimi i tepruar i qenies njerëzore. Enciklika propozon (kap. 4) “ekologjinë e gjithanshme”, që përfshin qartë përmasat njerëzore e shoqërore”(137), të lidhura pazgjidhshmërisht me çështjen ambientale. Në këtë perspektivë, Papa Françesku propozon (kap. 5) të fillojë në çdo nivel të jetës shoqërore, ekonomike e politike, një dialog i ndershëm, që të krijojë e të realizojë procese transparente e, më pas, kujton (kap. 6) se asnjë projekt nuk mund të jetë i frytshëm, nëse nuk frymëzohet nga një ndërgjegje e formuar dhe e përgjegjshme. Jep edhe këshilla për t’u rritur në këtë drejtim në nivelin edukativ, shpirtëror, kishtar, politik e teologjik. Teksti përfundon me dy lutje, njëra kushtuar ndarjes së përbashkët të pasurive të universit me të gjithë ata që besojnë  “në një Zot të vetëm krijues e atë” (246) e tjetra, për ata që praktikojnë besimin në Jezu Krishtin, ritmuar me refrenin “Lëvduar qofsh!”, me të cilën Enciklika hapet e mbyllet.

Teksti përshkohet nga disa boshte tematike, të shtjelluara me një larmi perspektivash të ndryshme, që çojnë në një përfundim të vetëm: “lidhja e ngushtë ndërmjet të varfërve dhe brishtësisë së planetit; bindja se çdo gjë në botë është e lidhur pazgjidhshmërisht me tjetrën; kritika kundër paradigmës se re dhe formave të pushtetit, që rrjedhin nga teknologjia; ftesa për të kërkuar mënyra të tjera të kuptimit të ekonomisë e të progresit; vlera që ka në vetvete çdo krijesë; kuptimi njerëzor i ekologjisë; nevoja për diskutime të sinqerta e të ndershme; përgjegjësia e rëndë e politikës ndërkombëtare e lokale; kultura e hedhurinës dhe propozimi për një stil të ri të  jetës” (16).

Kapitulli I – Çfarë po ndodh në shtëpinë tonë

Në këtë kapitull përmblidhen arritjet shkencore më të freskëta në fushën ambientale, si mënyrë për ta dëgjuar britmën e gjithësisë, “për ta shndërruar në vuajtje vetjake, vuajtjen e botës e për të përcaktuar kontributin që mund të japë secili”(19). Shoshiten,  kështu, “aspektet e ndryshme të krizës së sotme ekologjike” (15).

Ndryshimet klimaterike: “Ndryshimet  klimaterike janë problem global me pasoja të rënda ambientale, shoqërore, ekonomike, distributive e politike dhe përbëjnë një nga sfidat kryesore  aktuale për njerëzimin”(25). Nëse “klima është pasuri e përbashkët, e të gjithëve e për të gjithë” (23), barra më e rëndë e ndryshimeve të saj bie mbi kurrizin e të varfërve, por shumë  nga ata, “që kanë më tepër pasuri e pushtet  ekonomik ose politik, duket se përqendrohen posaçërisht në maskimin e problemeve a në fshehjen e simptomave”(26): “mungesa e reagimeve përballë këtyre dramave të vëllezërve tanë, është shenjë e humbjes së asaj ndjenje të përgjegjësisë për njerëzit e tjerë, mbi të cilën bazohet çdo shoqëri civile”(25).

Çështja e ujit: Papa pohon fare qartë  se “shfrytëzimi i ujit të pijshëm e të sigurt është e drejtë njerëzore thelbësore, themelore e universale, sepse prej saj varet mbijetesa e njerëzve e, prej këndej, edhe kusht për ushtrimin e të drejtave të tjera  njerëzore”. T’i lësh të varfrit pa ujë, do të thotë t’ua mohosh të drejtën “për jetë, që lidhet ngushtë me dinjitetin e tyre të paprekshëm”(30).

Mbrojtja e biodiversitetit: “Çdo vit zhduken mijëra lloje bimësh e kafshësh, që nuk do të mund t’i njohim kurrë më e fëmijët tanë nuk do të mund t’i shohin, sepse të humbura përgjithmonë”(33). Nuk janë thjesht burime të rastit, që mund të shfrytëzohen ose jo, por kanë vlerë në vetvete. “Në këtë perspektivë janë të lavdërueshme, e nganjëherë edhe të admirueshme, përpjekjet e shkencëtarëve dhe të teknikëve, që përpiqen t’i zgjidhin problemet e krijuara nga vetë njeriu”, por ndërhyrja njerëzore, kur vihet në shërbim të financës e të konsumizmit “e bën tokën, në të cilën jetojmë, më pak të pasur, më pak të bukur, gjithnjë më të kufizuar e më ngjyrë hiri”.(34).

Borxhi ekologjik: në kuadrin e etikës së marrëdhënieve ndërkombëtare, Enciklika flet për ekzistencën e një “borxhi të vërtetë ekologjik”(51),  që i ka posaçërisht Veriu, Jugut të botës. Të gjithë kanë përgjegjësitë e veta për ndryshimet klimaterike, por përgjegjësia më e rëndë bie mbi vendet e zhvilluara.

I vetëdijshëm për mosmarrëveshjet lidhur me këto problematika, Papa Françesku preket thellë përballë “reagimeve të pafuqishme” e dramave që jetojnë një mori njerëzish. Megjithëse shembujt pozitivë nuk mungojnë (58), vërehet “një farë ngathtësie e, jo më pak, edhe një mungesë e çkujdesur përgjegjësie” (59). Mungon kultura e nevojshme (53) si dhe gatishmëria për të ndryshuar stilin e jetës, të prodhimit e të konsumit(59), ndërsa “duhet krijuar me urgjencë sistemi ligjor që […] siguron mbrojtjen e ekosistemeve”(53).   

Kapitulli II – Ungjilli i krijimit

Për të përballuar problematikat e shpjeguara në kapitullin e mëparshëm, Papa Françesku rilexon rrëfimet e Biblës, jep një vizion të gjithmbarshëm, që buron nga tradita hebraiko-kristiane dhe nënvizon “përgjegjësinë e tmerrshme” (90) të qenies njerëzore ndaj gjithësisë, lidhjen e ngushtë ndërmjet gjithë krijesave dhe faktin se “ambienti është pasuri kolektive, trashëgimi e mbarë njerëzimit, për të cilën kanë përgjegjësi të gjithë”(95).

Në Bibël “Zoti, që çliron e shpëton, është po Ai, që krijoi gjithësinë […] në Të  shkrihen në një dashuria e forca”(73). Me rëndësi të dorës së parë, rrëfimi kushtuar krijimit, për të reflektuar mbi marrëdhëniet ndërmjet qenies njerëzore edhe krijesave të tjera e edhe për të treguar sesi mëkati e prish ekuilibrin e mbarë gjithësisë, në tërësinë e saj: “Këto rrëfime na kujtojnë se jeta njerëzore bazohet mbi tri marrëdhënie themelore, lidhur ngushtë njëra me tjetrën: marrëdhënia me Zotin, me të afërmin e ajo me tokën. Sipas Biblës, këto tri lidhje jetike u këputën, e jo vetëm jashtë nesh, por edhe në shpirtin tonë. E kjo këputje është mëkat”(66). Prej këndej, edhe pse “nganjëherë të krishterët i  shpjeguan Shkrimet Shenjte në mënyrë jo korrekte, sot duhet ta hedhim poshtë me forcë se nga fakti i krijimit tonë sipas shëmbëlltyrës së Zotit, e nga mandati që na dha për ta nënshtruar tokën, mund të arrihet në përfundimin e sundimit absolut mbi të gjitha krijesat e tjera(67). Qenies njerëzore i takon përgjegjësia për ta ‘kultivuar e për ta ruajtur’ kopshtin e botës (cfr. Zan 2,15)” (67), duke e ditur  se “qëllimi përfundimtar i krijesave të tjera nuk jemi ne. Përkundrazi, të gjitha ecin së bashku me ne  e përmes nesh, drejt cakut të përbashkët, që është Zoti”(83).

Fakti që njeriu nuk është padron i universit, “nuk do të thotë se duhet vënë shenja e barazimit  ndërmjet të gjitha qenieve të gjalla e se  u duhet mohuar vlera  e tyre e veçantë, që i dallon; e aq më pak do të thotë se duhet hyjnizuar toka, gjë që do të na linte pa thirrjen për të bashkëpunuar me të e për ta mbrojtur në ligështinë e saj”(90). Në këtë perspektivë, “çdo keqtrajtim i secilës nga krijesat ‘është në kundërshtim me dinjitetin njerëzor’”(92), por “Nuk mund të jetë e vërtetë ndjesia e bashkimit të ngushtë me qeniet e tjera të natyrës, nëse ndërkohë ndër zemra nuk ka dhembshuri, mëshirë, shqetësim për njeriun”(91). Është e domosdoshme vetëdija e bashkimit universal: “të krijuar nga i njëjti Atë, ne, të gjitha qeniet e universit, lidhemi me hallka të padukshme, për të formuar kështu një lloj familjeje universale[…], që na shtyn ta respektojmë gjithçka, me një respekt të shenjtë, të përzemërt, të përvuajtur” (89).

Në përfundim të kapitullit, thelbi i zbulesës së krishterë: “Jezusi tokësor”, me “lidhjen e Tij tejet konkrete e plot me dashuri për botën”, është “i gjallë e i lavdishëm, i pranishëm në mbarë rruzullin me sundimin e tij universal”(100).

Kapitulli III  – Rrënjët njerëzore të krizës ekologjike

Në këtë kapitull analizohet gjendja aktuale,“në mënyrë që të kuptohen jo vetëm simptomat, por edhe shkaqet më të thella”(15), në dialog me filozofinë dhe me shkencat njerëzore.

Reflektimet e para të kapitullit janë ato mbi teknologjinë: pranohet me mirënjohje kontributi në përmirësimin e kushteve të jetesës (102-103). Por ajo u jep “atyre që kanë në dorë dijen, e posaçërisht pushtetin ekonomik, mundësinë për të ushtruar një sundim tronditës mbi gjininë njerëzore në tërësi e edhe mbi mbarë rruzullimin”(104). Janë pikërisht logjikat e sundimit teknokratik ato, që çojnë në shkatërrimin e natyrës dhe në shfrytëzimin e njerëzve e të popullsive më të ligshta. “Paradigma teknokratike priret ta ushtrojë sundimin edhe mbi ekonominë e mbi politikën”(109), duke e penguar të pranojë se “tregu, i vetëm, nuk mund ta sigurojë zhvillimin njerëzor të gjithanshëm dhe gjithë përfshirjen shoqërore”.

Në rrënjë të epokës moderne diagnostikohet teprimi i antropocentrizmit (116): njeriu nuk arrin më ta kuptojë cili është vendi i tij, në lidhje me botën, prej këndej, mban qëndrim vetëvlerësues, të përqendruar kryesisht mbi vetveten e mbi pushtetin e vet. Prej këndej pason logjika “përdor e flak”, që përligj çdo lloj hedhurine ambientale a njerëzore qoftë e që e trajton tjetrin e natyrën thjesht si objekt, duke krijuar, kështu, mijëra forma të sundimit. Jemi para logjikës, që çon në shfrytëzimin fëmijëve, në braktisjen e pleqve, në kthimin e të tjerëve në skllevër, në mbivlerësimin e aftësisë së tregut për t’u vetërregulluar, në praktikimin e trafikut të njerëzve, në tregtinë e lëkurave të kafshëve në zhdukje e sipër e të diamanteve, nga të cilat pikojnë pika gjaku. Është e njëjta logjikë e mafieve të shumta, e trafikantëve të organeve,  të drogës e të asgjësimit të fëmijëve të palindur, sepse nuk përkojnë me planet e prindërve (123).

Në këtë dritë, Enciklika përballon (trajton) dy probleme vendimtare për botën e sotme. Para së gjithash, atë të punës: “Në çdo bazë  të ekologjisë së gjithmbarshme, që nuk e përjashton qenien njerëzore, është e domosdoshme të përfshihet vlera e punës”(124), ashtu si “Të heqësh dorë nga investimi mbi njeriun, për të arritur fitimin e menjëhershëm, është gjëja më e keqe për shoqërinë” (128).

I dyti ka të bëjë me përparimin shkencor, duke kujtuar qartë OGJM (Organizmat gjenetikisht të modifikuara) (123-136), “problem me karakter të ndërlikuar” (135). Ndonëse “në disa zona përdorimi i tyre i ka dhënë shtytje përpara zhvillimit ekonomik, duke ndikuar për zgjidhjen e disa problemeve, hasen vështirësi të ndjeshme, që nuk duhen bërë në asgjë”(134). Duke nisur nga “përqendrimi i tokave prodhuese në pak duar”(134). Papa Françesku mendon posaçërisht për prodhuesit e vegjël e   bujqit në zonat fshatarake, për biolarmitë, për rrjetin e ekosistemeve. Prej këndej, është i nevojshëm “një diskutim shkencor e shoqëror i përgjithshëm e plot përgjegjësi, i aftë për ta shqyrtuar gjithë informacionin e mundshëm e për t’i thirrur sendet me emrin e vet”, duke nisur “nga  vijat e kërkimit të pavarur dhe ndërdisiplinor”(135). 

Kapitulli IV- Ekologjia e gjithanshme

Thelbi i propozimit të Enciklikës është ekologjia e gjithanshme, si paradigmë e re e drejtësisë; ekologji “e cila lidh vendin e veçantë të njeriut në këtë botë dhe marrëdhëniet me realitetin, që e rrethon” (15). Vërtet, nuk mund “ta konsiderojmë natyrën si diçka të ndarë prej nesh, ose si një kornizë të thjeshtë të jetës sonë” (139). Kjo vlen për jetën tonë në fusha të ndryshme: në ekonomi e në politikë, në kulturat e larmishme, në veçanti në ato më të kërcënuarat e, madje, edhe në çdo çast të jetës sonë të përditshme.

Perspektiva gjithëpërfshirëse vë në lojë edhe ekologjinë e institucioneve: “Nëse gjithçka është e ndërlidhur, edhe shëndeti i institucioneve në një shoqëri sjell pasoja për ambientin e për cilësinë e jetës njerëzore: ‘Çdo lëndim i solidaritetit dhe i miqësisë shoqërore shkakton dëme ambientale’” (142).

Me shumë shembuj konkretë, Papa Françesku vijon të ritheksojë mendimin e tij: ndërmjet çështjeve ambientale dhe çështjeve shoqërore e njerëzore ekziston një lidhje, që nuk mund të këputet kurrë. Kështu, “analiza e problemeve ambientale është e pandashme nga analiza e rrethanave njerëzore, familjare, urbane e të punës, si edhe nga marrëdhëniet e secilit me vetveten”(141), pasi “Nuk ka dy kriza të ndara, njëra ambientale e tjetra shoqërore, por një krizë shoqëroro-ambientale e vetme dhe e ndërlikuar”(139).

Kjo ekologji e gjithanshme “është e pandarë nga nocioni i së mirës së përbashkët”(156), e cila duhet kuptuar konkretisht: në kontekstin e sotëm, ku “vërejmë shumë pabarazi e ku janë gjithnjë e më të shumtë njerëzit, që mënjanohen, privohen nga të drejtat themelore”, impenjimi për të mirën e përbashkët do të thotë të merren vendime solidare mbi bazën e një “opsioni preferencial për të varfrit” (158). E kjo është edhe mënyra më e mirë për të lënë një botë, që i ndjen detyrimet ndaj brezave të ardhshëm, jo me deklarata, por përmes impenjimit e kujdesit për të varfrit e sotëm, siç nënvizonte edhe Benedikti XVI: “përveç solidaritetit besnik ndërmjet brezave, duhet integruar nevoja urgjente morale për një solidaritet të përtërirë ndërmjet brezave”(162).

Ekologjia e gjithanshme është pjesë e jetës së përditshme, së cilës Enciklika i kushton vëmendje të veçantë, sidomos asaj në ambientin urban. Njeriu ka aftësi të mëdha përshtatjeje. “Janë për t’u admiruar krijimtaria e bujaria e njerëzve dhe e grupeve, të aftë t’i kapërcejnë kufizimet e ambientit, …duke mësuar ta orientojnë ekzistencën e tyre në mesin e çrregullimit e të pasigurisë”(148). Megjithatë, zhvillimi i vërtetë presupozon përmirësimin e përgjithshëm të cilësisë së jetës njerëzore: hapësira publike, banesa, transporte, etj.(150-154).

Edhe “trupi ynë na vë në marrëdhënie të drejtpërdrejta me ambientin e me qenie të tjera të gjalla. Pranimi i trupit si dhuratë e Zotit është i nevojshëm për të pranuar krejt botën si dhuratë të Atit Qiellor e si shtëpi të përbashkët; përkundrazi, logjika e sundimit të trupit shndërrohet në logjikën, shpesh të stërholluar, të mbizotërimit të përgjithshëm”(155).

Kapitulli V – Disa linja orientimi e veprimi

Ky kapitull i jep përgjigje pyetjes: çfarë mund e çfarë duhet të bëjmë? Analizat nuk mund të na mjaftojnë: duhen propozime “dialogu e veprimi, që të përfshijnë secilin prej nesh, por edhe politikën ndërkombëtare”(15) e “të na ndihmojnë të dalim nga spiralja e vetëshkatërrimit, në të cilën po thithemi”(163). Për Papën Françesku është e domosdoshme që ndërtimi i udhëve konkrete të mos bëhet në mënyrë ideologjike, sipërfaqësore, ose reduksioniste. Prandaj është i nevojshëm dialogu, term ky, i pranishëm në titullin e çdo seksioni të këtij kapitulli: “Ka diskutime për çështjet e ambientit, në të cilat është e vështirë të arrihet konsensusi. …Kisha nuk pretendon të vendosë për çështje shkencore, as ta zëvendësojë politikën, por [unë] ftoj për një debat të ndershëm e transparent, që nevojat e veçanta, ose ideologjitë të mos e dëmtojnë të mirën e përbashkët”(188).

Mbi këtë bazë, Papa Françesku nuk ka frikë të japë një gjykim të ashpër për dinamikat ndërkombëtare të kohëve të sotme: “Mbledhjet botërore për ambientin, të viteve të fundit, nuk u janë përgjigjur aspiratave, sepse, për mungesë vendimi politik, nuk kanë arritur marrëveshje globale për ambientin, vërtet domethënëse dhe efikase”(166). E pyet “Pse dëshirojnë ta ruajnë sot, një pushtet që do të kujtohet për paaftësinë e ndërhyrjes, kur kjo ishte urgjente dhe e nevojshme?”(57). Siç kanë përsëritur shpesh Papët, duke u nisur nga Enciklika “Pacem in terris”, duhen forma e mjete të frytshme të qeverisjes globale (175): “kemi nevojë për një marrëveshje mbi regjimet e qeverisjes për krejt gamën e të ashtuquajturave pasuri të përbashkëta globale”(174), meqë “mbrojtja ambientale nuk mund të sigurohet vetëm mbi bazën e llogaritjeve financiare të kostos dhe të përfitimit. Ambienti është një nga pasuritë, që mekanizmat e tregut nuk janë në gjendje ta mbrojnë, ose ta promovojnë si duhet” (190, që citon fjalët e “Doracakut të Doktrinës Shoqërore të Kishës”).

Gjithnjë në këtë kapitull, Papa Françesku ngul këmbë në zhvillimin e proceseve vendimmarrëse të ndershme e transparente, për “të shoshitur” cilat prej politikave dhe nismave afariste mund të çojnë “në një zhvillim të vërtetë të gjithanshëm” (185). Në veçanti, studimi i ndikimit mbi ambientin për një projekt të ri “kërkon procese politike transparente, që i nënshtrohen dialogut, ndërsa korrupsioni, që e fsheh ndikimin e vërtetë ambiental të një projekti në këmbim të favoreve, shpesh, sjell marrëveshje të dyshimta, që i shmangen detyrës për informim dhe debatit të thelluar” (182).

Veçanërisht e fuqishme është thirrja drejtuar atyre qëkanë detyra politike, që të largohet nga “logjika efiçentiste dhe ‘imediatiste’”, nga logjika me prodhimtari të menjëhershëm (181), mbizotëruese sot: “nëse do të ketë guxim ta bëjë këtë, mund ta kuptojë sërish dinjitetin, që Zoti i ka dhënë si njeri e, pas kalimit të tij në këtë histori, do të lerë dëshminë e përgjegjësisë së fisme” (181).

Kapitulli VI – Edukimi dhe përshpirtëria ekologjike

Kapitulli i fundit shkon drejt e në zemër të kthesës ekologjike, për të cilën fton Enciklika. Rrënjët e krizës kulturore veprojnë në thellësi e nuk është e lehtë të ripërcaktohen sjellje e zakone. Edukimi dhe formimi mbeten sfida qendrore: “çdo ndryshim ka nevojë për motivacion e për një udhë edukative”(15); përfshihen të gjitha fushat e edukimit, së pari “shkolla, familja, mjetet e komunikimit, katekizmi” (213).

Fillimisht, duhet “të synojmë një stil tjetër jetese” (203-208), që krijon edhe mundësinë “për të ushtruar presion të shëndoshë mbi ata, që kanë në dorë pushtetin politik, ekonomik e shoqëror” (206). Kjo ndodh kur vendimet e konsumatorëve arrijnë “ta ndryshojnë sjelljen e ndërmarrjeve, duke i detyruar ta mendojnë përsëri ndikimin mbi ambientin dhe modelin e prodhimit” (206).

Nuk mund të nënvlerësohet rëndësia e rrugëve të edukimit ambiental, të afta të ndikojnë mbi gjestet e sjelljet e përditshme, që nga ulja e konsumit të ujit, tek grumbullimi i diferencuar i mbeturinave e deri tek “fikja e dritave që s’përdoren” (211): “Një ekologji e gjithanshme përbëhet edhe nga gjeste të thjeshta të përditshme, me të cilat e thyejmë logjikën e dhunës, të shfrytëzimit, të egoizmit”(230). E gjithë kjo do të jetë më e thjeshtë, duke u nisur nga një këndvështrim kundrues, që vjen nga feja: “Për besimtarin, bota nuk kundrohet nga jashtë, por nga brenda, duke njohur lidhjet me të cilat Ati Qiellor na ka bashkuar me të gjitha qeniet e tjera. Përveç kësaj, duke përmirësuar aftësitë e veçanta, që Zoti i ka dhënë çdo besimtari, kthesa ekologjike e shtyn atë të zhvillojë krijimtarinë dhe entuziazmin” (220).

Kthehet linja e propozuar në “EvangeliiGaudium”: “Thjeshtësia, e jetuar me liri e vetëdije, është çliruese” (223), po ashtu si “Lumturia kërkon vetëdijen e kufizimit të disa nevojave, që na trullosin, duke mbetur kështu në dispozicion të mundësive të shumta, që na jep jeta”(223); në këtë mënyrë është e mundur “ta ndjejmë sërish se kemi nevojë për njëri-tjetrin, se kemi përgjegjësi ndaj të tjerëve e ndaj botës, se ia vlen të jemi të mirë e të ndershëm”(229).

Shenjtorët na shoqërojnë në këtë udhë. Shën Françesku, i cituar mëse një herë, është “shembull i shkëlqyer i kujdesit për çka është e brishtë, shembull i ekologjisë së gjithanshme, jetuar me gëzim”(10), model, që na tregon si “janë të pandashme shqetësimi për natyrën, drejtësia ndaj të varfërve, impenjimi në shoqëri e paqja e brendshme”(10). Por enciklika kujton edhe shën Benediktin, shën Terezën e Lisieux dhe të Lumin Charles de Foucauld.

Pas “Laudatosì”, rrëmimi i ndërgjegjes, mjeti që Kisha e këshillon gjithmonë për të orientuar jetën në dritën e marrëdhënieve me Zotin, duhet të përfshijë një përmasë të re, duke pasur parasysh jo vetëm si përjetohet bashkimi me Zotin, me të tjerët e me vetveten, por edhe me të gjitha krijesat e me natyrën.

TREGUESI

LËVDUAR QOFSH, O ZOTI IM [1-2]

Asgjë nga kjo botë nuk na lë indiferentë [3-6]

Të bashkuar nga i njëjti shqetësim [7-9]

Shën Françesku i Asizit [10-12]

Thirrja ime[13-16]

KAPITULLI I PARË

Ç’PO I NDODH SHTËPISË SONË [17-61]

I. NDOTJA E AMBIENTIT DHE NDRYSHIMET E KLIMËS [20-26]

Ndotja, mbeturinat dhe kultura e hedhurinave [20-26]

Klima si pasuri e përbashkët [23-26]

II.ÇËSHTJA E UJIT [27-31]

III. HUMBJA E BIODIVERSITETIT[32-42]

IV. KEQËSIMI I CILËSISË SË JETËS NJERËZORE DHE DEKADENCA SHOQËRORE [43-47]

V. PABARAZI PLANETARE [48-52]

VI. DOBËSIA E MARRËDHËNIEVE [53-59]

VII. NDRYSHIM OPINIONESH [60-61]

KAPITULLI I DYTË

UNGJILLI I KRIJIMIT [62-100]

I. DRITA QË JEP FEJA[63-64]

II. URTIA E TREGIMEVE BIBLIKE[65-75]

III. MISTERI I GJITHËSISË[76-83]

IV. MESAZHI I ÇDO KRIJESE NË HARMONINË E TË GJITHA KRIJESAVE[84-88]

V. NJË BASHKIM UNIVERSAL [89-92]

VI. DESTINACIONI I PËRBASHKËT I PASURIVE[93-95]

VII. VËSHTRIMI I JEZUSIT[96-100]

KAPITULLI I TRETË

RRËNJËT NJERËZORE TË KRIZËS EKOLOGJIKE [101-136]

I. TEKNOLOGJIA: KRIJIMTARI DHE PUSHTET [102-105]

II. GLOBALIZIMI I PARADIGMËS TEKNOKRATIKE [106-114]

III. KRIZA E PASOJA TË ANTROPOCENTRIZMIT MODERN [115-136]

Relativizmi praktik [122-123]

Nevoja për të mbrojtur punën [124-139]

Risitë biologjike, duke u nisur nga puna kërkimore [130-136]

KAPITULLI I KATËRT

NJË EKOLOGJI E GJITHANSHME [137-162]

I. EKOLOGJIA AMBIENTALE, EKONOMIKE, SHOQËRORE [138-142]

II. EKOLOGJIA KULTURORE [143-146]

III. EKOLOGJIA E JETËS SË PËRDITSHME [147-155]

IV. PARIMI I SË MIRËS SË PËRBASHKËT [156-158]

V. DREJTËSIA NDËRMJET BREZAVE [159-162]

KAPITULLI I PESTË

DISA LINJA ORIENTIMI DHE VEPRIMI [163-201]

I. DIALOGU PËR AMBIENTIN NË POLITIKËN NDËRKOMBËTARE [164-175]

II. DIALOG, DREJT POLITIKAVE TË REJA KOMBËTARE E LOKALE [176-181]

III. DIALOG E TRANSPARENCË NË PROCESET VENDIMMARRËSE [182-188]

IV. POLITIKA DHE EKONOMIA NË DIALOG PËR PËRPLOTËSIMIN E NJERIUT [189-198]

V. FETË NË DIALOG ME SHKENCAT [199-201]

KAPITULLI I GJASHTË

EDUKIMI DHE PËRSHPIRTËRIA EKOLOGJIKE [202-246]

I. TË SYNOJMË NJË STIL TJETËR JETESE [203-208]

II. TË EDUKOJMË PËR ALEANCËN NDËRMJET NJERËZIMIT DHE AMBIENTIT [209-215]

III. KTHESA EKOLOGJIKE [216-221]

IV. GËZIM E PAQE [222-227]

V. DASHURI PËR SHOQËRINË E POLITIKËN [228-232]

VI. SHENJAT SAKRAMENTORE DHE PUSHIMI FESTIV [233-237]

VII. TRINIA SHENJTE DHE MARRËDHËNIET NDËRMJET KRIJESAVE [238-240]

VIII. MBRETËRESHA E GJITHË KRIJESAVE [241-242]

IX. PËRTEJ DIELLIT [243-246]

Lutje për tokën tonë

Lutje e krishterë me gjithë krijesat

Përgatiti: Radio Vatikani, seksioni në gjuhën shqipe

Shpërndaje

Comments are closed.

« »