E DIELA E XII GJATË VITIT (B)

Jun 19 • LEXIMET E SË DIELËS

Leximi parë: (Jb 38,1.8-11)

Lexim prej Librit të Jobit

Nga stuhia Zoti i përgjigj Jobit e i tha: “Kush e mbylli brenda dyerve detin, kur po dilte nga kraharori i nënës? Kur e vesha me re si me petka, me errësirë si me shpërgënj e mbështolla? Kur unë caqet atij ia vura, e kyça me dyer e shula she i thashë: Deri këtu! Më tej mos shko! Këtu le të thyhen valët tua krenare!?”

Fjala e Zotit

Psalmi 107(108)

Ref. T’ i japim lavdi Zotit, për veprat e tija të mrekullueshme.

—————————————————

Ata që me anije lundruan deteve

që nëpër ujëra të mëdha të bënin tregti,

ata i panë veprat e Zotit,

mrekullitë e tija në thellësinë e detit.

—————————————————

Ai urdhëroi dhe u ngrit era e stuhisë,

lart u ngritën valët e stuhishme.

Ngrihen deri në qiell,

zbresin deri në pështjerrë:

shpirti i tyre mekej prej së keqes.

—————————————————

Atëherë të ngushtuar e thirrën në ndihmë Zotin

Ai i çliroi nga vështirësitë e tyre.

Stuhinë e shndërroi në puhi

e valët e detit e shuan gjëmën e vet.

—————————————————-

Iu gëzuan qetësimit të valëve,

ai i qiti në portin e dëshiruar.

Le ta lëvdojnë Zotn për shkak të përdëllimit të tij,

për mrekullitë e tija ndaj bijve të njerëzve.

—————————————————- 

 

Leximi i dytë (2 Kor 5,14-17)

Lexim prej Letrës së dytë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve

Vëllezër, dashuria e Krishtit na nxitë kur mendojmë se: Njëri vdiq për të gjithë, prandaj, të gjithë vdiqën; e Ai vdiq për të gjithë, në mënyrë që ata që jetojnë, të mos jetojnë më për vete, por për atë që vdiq dhe u ngjall për ta.

Kështu, pra, qysh tani nuk njohim më askënd në mënyrën e thjeshtë njerëzore; po edhe nëse e kemi njohur Krishtin në mënyrën thjesht njerëzore, nuk e njohim më ashtu. Pra, nëse ndokush është në Krishtin, është krijesë e re: e vjetra u zhduk, dhe, ja u bë e reja!

Fjala e Zotit

Aleluja!

Lëvdoje, o Jerusalem, Hyjin tënd

që mbi tokë e dërgon fjalën e vet.

Aleluja!

 

X Ungjilli (Mk 4,35-41)

Lexim i Ungjillit shenjt sipas Markut

Po atë ditë, kur u err, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Të kalojmë në anën tjetër!”

Ata e nisën popullin, kurse Jezusin e morën ashtu siç ishte në lundër. E përcillnin edhe lundra tjera. Ndërkaq, u çua një stuhi e madhe. Valët e detit u tërbuan aq sa hidheshin brenda e gati e mbushën me ujë. Jezusi në pope flinte në nënkresë. E zgjuan dhe i thanë: “Mësues! A nuk je në kujdes që po mbytemi?”

Ai u zgjua, i urdhëroi erës dhe i tha: “Qetësohu! Shuaj!”

Era pushoi e u bë fashë e madhe.

Atëherë u tha: “Pse jeni frikacakë? Po a ende nuk besoni?”

Ata i kapi frikë e madhe dhe i toshin njëri-tjetrit:

“Vallë kush është ky që po i nënshtrohen era dhe deti?”

Fjala e Zotit

Porosia

Leximi parë ka të bëj me Jobin, i cili, ishte një njeri i mirë para Zotit, por edhe një i vuajtur tej mase. Si do që të jetë, duhet pasur parasysh pyetjet që bën Jobi dhe përgjigjet e Zotit që gjithçka mban me të pushtetshmen dorën e tij, e mbi të gjitha, e merr shembull ujin dhe kufijtë e saj që janë vepër e Zotit. At, në këtë vepër ka një kufi, i cili nuk shkohet përtej pyetjeve dhe në këtë kufi, duhet kuptuar se gjërat me të cilat ballafaqohemi duhet pranuar me fe e jo me pyetje; të cilat nga një herë nuk kanë përgjigje. Jobi është dëshmitar dhe shembull i vuajtjes dhe i qëndresës me besim dhe bindje se Zoti e do edhe pse vuan.

Nëse Zoti përkujdeset për fusha e male, lumenj e dete, sa më tepër kujdeset për njeriun që është i krijuar në përngjasimin e tij.

Shën Pali, në letrën e vet drejtuar korintasve – me të cilën na drejtohet edhe neve në kohën e sotme – na qorton dhe mëson qe me fe dhe pagëzim, shpirtërisht jemi shndërruar në njerëz të rinj. Kështu, në Zotin ne përjetojmë një ndërrim të re të jetës, dhe jemi krijesa të reja.

Të jesh krijesë e re, do të thotë të kesh një stil të veçantë jete, jetë me Zotin në hirin dhe dashurinë, e mbi të gjitha, në kujdesin e bashkëpunimit me Të. 

Ndërsa Ungjilli i sotshëm ka këtë porosi: me Krishtin gjithmonë jemi në qetësi, në paqe dhe të sigurt.

Liqeni i Gjenezaretit, për të cilin na flet Ungjilli, është rreth 200 metra nën nivelin e detit të vdekur. Për këtë arsye, ka shumë stuhi dhe erëra.

Në Besëlidhjen e vjetër, mendohej që stuhia lidhej me hidhërimin e Zotit, zemërimin e tij ndaj popullit dhe kështu njeriu gjendej në situata të palakmueshme ndaj këtij fenomeni.

Në këtë rast, Jezusi ishte me apostuj në një bark dhe flinte, ndërsa u ngrit një stuhi sa që apostujt menduan se do të përmbyten dhe e thirren Jezusin në ndihmë. Jezusi, i urdhëroi erës dhe ajo pushoi, u bë qetësi e fashitje e madhe sa që edhe apostujt të cilët ishin me Jezusin, u çuditen me këtë mrekulli.

Jezusi, burim i paqes dhe i qetësisë, bënë që kjo paqe dhe qetësi të duket e pranishme ne botë, në saje të jetës në bashkëpunim me Zotin.

Aq shumë sot ka në botë trazime, shqetësime, frikë, stuhi….njeriu kurrsesi të lirohet nga frika dhe shqetësimet…..si mund të lirohemi nga këto fenomene me të cilat ballafaqohemi dhe jemi me një mënyrë në tension?

Na duket që s’ kemi rrugëdalje, jemi të vetmuar, Zoti është larg nesh, por gabohemi.

Ne jemi në botë dhe me një mënyrë figurative lundrojmë në jetë, në një anije të madhe të kësaj bote, por jo pa qellim; jo pa një drejtim;  jo pa një drejtues të kësaj anije, drejtues i saj është Krishti, i cili erdhi për shëlbimin tonë.

Të pyesim:

Kush është Krishti për ne?

Çfarë roli luan ai në jetën time, në familjen time?

Çfarë është besimi im, pretendimet e mia, jeta ime, familja ime?

Jezusi na ka premtuar se do të qëndroj me ne deri në të sosurit e botës. Prandaj, ne nuk kemi nevojë të frikësohemi, por kemi nevojë të thellojmë besimin tonë në Jezusin, udhëheqësin e jetës sonë.

Kështu, pra, të bashkuar me Jezusin dhe duke i lejuar që Ai të na prinë në jetë, largohet frika, shqetësimet, trazimet. “Stuhitë” mund të na godasin por nuk mund të na shkatërrojnë sepse Jezusi Zot e mundi mëkatin, të keqen, për të na liruar ne e për të jetuar në paqen dhe sigurinë që vetëm Ai mund të na jep. Ne pra jetojmë me Krishtin dhe në praninë e tij kemi sigurinë që na shpie në jetë.

Ngjarje 

Një ditë, në një varkë lundronin dy njerëz intelektual për një shëtitje dhe relaksim nëpër një liqe.

Varkëtari me kujdes dhe ngadalë e drejtonte varkën. Pas pak, këta njerëzit e dijshëm filluan të vënë në lojë varkëtarin, i bënin pyetje të ndryshme dhe provokative: sa gjuhë dinë, pastaj e pyesnin për histori, gjeografi, e kështu me radhë. Mirëpo ai iu përgjigjej se ishte një njeri i thjeshtë, nuk kishte shkollë, jetonte prej kësaj varke dhe peshkimit. Këta i thanë: ti s’po merituake të jetosh kur nuk dinë gjë.

Dikur filloj të frynte një erë, e cila u shndërrua në stuhi. Varkëtari e pa se janë në rrezik dhe duhet ndërmarrë masa sigurie. I pyeti këta dy  zotërinj a dinë të not? Jo, i thanë ata të frikësuar e të tmerruar. Varkëtari ua kthej asgjë nuk iu vlen shkolla juaj, kur nuk dini një gjë të thjesht; notin sepse jeta u vihet në rrezik.

Nuk dimë si ka përfunduar kjo histori, por nga kjo ngjarje mësojmë që të kuptojmë se jeta sjellë stuhi të ndryshme, dhe ne mund t’ia dalim nëse besojmë dhe jetojmë me Zotin dhe i lejojmë që Ai të na udhëheq në jetë.

Lutjet e besimtarëve

Me fe dhe shpresë, ia drejtojmë lutjet tona Atit qiellor, i cili, e dërgoi Birin  e vet në botë për të treguar kujdesin dhe dashurinë që ka për ne. Të lutemi se bashku:

Dëgjoje, o Zot, lutjen tonë!

– Dhuroji Kishës sate forcë dhe ngushëllim, që të ngadhënjej në stuhitë e detit të trazuar dhe në qetësi të shpirtit dhe trupit të jetojë dhe veprojë, të lutemi:

– Bekoji, o Zot të gjithë njerëzit që u është besuar kujdesi për të mirën e përbashkët që të jenë ndërtues të vërtetë të paqes dhe drejtësisë, të lutemi:

– Ndriçoj o Zot ata që janë në kërkim të mistereve të ndryshme, që të dinë të kuptojnë dhe vlerësojnë në zbulimin e tyre, dorën tënde krijuese, të lutemi:

– Je afër atyre që janë në vështirësitë e jetës, duke qenë gjithmonë në frikë për të nesërmen, bëhu ti ndihmë dhe forcë që të jetojnë një jetë dinjitoze, të lutemi:

– Bëj, o Zot që secili prej nesh me plot besim dhe dashuri të kushtohet çdo ditë me shembull të mirë të jetës sikurse na mëson Ti, të lutemi:

– Të dashurit tanë të vdekur, pranoj në mbretërinë e jetës së amshuar, të lutemi:

O Hyj i gjithëpushtetshëm, ti me Provanin tënde e drejton botën. Na ripërtëritë me Shpirtin Shenjt tëndin, që në kushte të mira dhe të vështira të jetës së përditshme, të të kemi pranë me kujdes atëror duke na udhëhequr kah limani i amshuar. Nëpër Krishtin, Zotin tonë. Amen!

 

Përgatiti: Don Marjan Demaj

Shpërndaje

Comments are closed.

« »