KRISHTERIMI DHE EKOLOGJIA

Jun 21 • Teologji

Çështjet ekologjike kanë marrë gjithnjë e më tepër rëndësi, qëkur njerëzimi është bërë më i vetëdijshëm për fuqinë shkatërruese të armëve bërthamore dhe për pasojat e ndotjes së shkaktuar nga përdorimi industrial i burimeve natyrore të planetit. Që në vitet ‘800, romanticizmi dhe zhvillimi i shkencave natyrore tërhoqën vëmendjen e bashkëkohësve ndaj natyrës, e megjithatë, njerëzimi nuk qe në gjendje të parandalonte krizën ekologjike, e cila filloi në vitet ‘900 e vijon edhe sot. Argumenti ynë këtu është pikërisht përballja e krishterimit me këto probleme.

         Të gjithë të krishterët besojnë se Zoti është Krijues. Simboli i Apostujve, Besojma më e lashtë e krishterë, fillon me këto fjalë: “Besoj në Tenzonë, Atin e gjithëpushtetshëm, Krijuesin e qiellit e të tokës”. E Besojma Nikeo-Kostandinopoltiane (viti 381 pas Krishtit) saktëson se Zoti është “krijuesi i të gjitha sendeve, që shihen e që nuk shihen”. Pra, për të krishterët, Zoti nuk është vetëm shëlbuesi i njerëzimit, nëpër Jezu Krishtin, por edhe krijuesi i njerëzimit. Zoti mbretëron mbi botën dhe e mban atë. Prandaj, feja ndikon fuqimisht në mënyrën me të cilën e shohin botën të krishterët.

         Libri i Zanafillës tregon për mandatin, që Zoti jua beson burrit e gruas: “shumohuni e mbusheni tokën”, “sundojeni e bëhuni zotëruesit” e tokës, të kafshëve e të gjithë atyre gjërave, që sot do t’i quanim “burime natyrore”. Por më pas, u thotë edhe: “kultivojeni e kujdesuni” për tokën. Shpesh togfjalëshi “sundoni e zotëroni” tokën është bërë burim kritikash për të krishterët, pa e kuptuar se sundimi i krishterë mbi natyrën ka gjithnjë kufirin e respektit për gjithçka ka krijuar Zoti. Në një shkrim të tij, Joseph Ratzinger, Papa i nderit Benedikti XVI, kritikon mendësinë e etur për pushtet, që, pa pasur aspak parasysh kontekstin e krishterë të përdorimit të natyrës, e interpreton sipas dëshirës e interesave këtë frazë të Biblës.

         Filloi që më Galileo Galilein, i cili pohonte se “kur natyra nuk i përgjigjet spontanisht pyetjeve tona e nuk na i zbulon sekretet, do ta torturojmë e me pyetje që dhembin do t’i shkëpusim përgjigjet, që nuk do të na i japë me vullnetin e saj”. Por, ndërsa mjetet e torturës së Galileit ishin shkencat natyrore, Karl Marksi, pas tij, e çoi këtë mendësi në formë konkrete historike. Qe ai, që i tha njeriut të mos merret më me origjinën e me prejardhjen e vet, sepse është vetë njeriu që prodhon Krijimin e vërtetë, atë që i duhet. Prandaj, duke lënë mënjanë Zotin, sipas Marksit, vetëm shndërrimi është detyrë themelore e njeriut, përparimi është e vërteta autentike, ndërsa materia është lënda me të cilën njeriu krijon botën, që ia vlen ta jetojë. Kjo mendësi mori formë të frikshme me teoricienin e ateizmit, gjermanin Ernst Bloch, i cili mendonte se e vërteta nuk qëndron në gjërat që njohim, por vetëm në ndryshimin, pra gjithçka duhej parë në këndvështrimin e së ardhmes e në ndërhyrjen e njeriut për ta ndërtuar atë sipas dëshirës. Këtu e kanë bazën mundimet e kohës sonë. Më parë, njeriu mund të shndërronte vetëm disa gjëra të natyrës, ndërsa tani, natyra është në dorën e tij. Kjo është rrjedhoja e konsiderimit të natyrës, thjesht, si produkt i rastit e i nevojave të njeriut, pa i lënë asaj asnjë të drejtë.

Ndërsa Shkrimi i Shenjtë përmban në vetvete ritmin e adhurimit, që është ritmi i historisë së dashurisë së Zotit me njeriun. Kjo nuk do të thotë të biem në prehrin e qëndrimit tjetër, që e nxit njeriun të mos ndërhyjë aspak e të presë që natyra ta përtërijë vetveten. Në këtë mënyrë e privojmë njeriun nga shpresa, nuk e lejojmë t’i përgjigjet thirrjes së Krijuesit. Ndërkaq, rruga e krishterë është e vetmja që na nxjerr nga kjo situatë. Të krishterët janë të bindur se mund të jemi vërtet “krijues” vetëm në bashkim me Krijuesin e botës. Mund t’i shërbejmë vërtet tokës, vetëm nëse ndjekim Fjalën e Zotit për të. Nuk duhet të preferojmë asgjë para veprës së Hyjit, nuk duhet të vijë asgjë para kultit të Zotit (Operi Dei nihil praeponatur). Kjo frazë është ligji i vërtetë e ruajtjes së Gjithësisë, kundër adhurimit të gënjeshtërt të progresit e të ndryshimit.

(frymëzuar nga Joseph Ratzinger, “Në fillim, Zoti krijoi qiellin e tokën. Reflektime mbi Krijimin e mëkatin”, Lindau, Torino 2006, Pjesa II – Kuptimi i tregimeve biblike mbi Krijimin, § Shfrytëzim i tokës?, f. 52-59)

Marrë nga: Radio Vatikani, seksioni shqip

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »