ALTEREGO

Jun 22 • Opinion

Shkruan: Visar K. Berisha

Borgesi ka një ese mbi librin. Mrekullia e Librit. Për mua, ndër esetë më të mira të tij. Borgesi është një idhulltar i librit. Ai e pranon se Zoti është brenda letërsisë. Atij i pëlqen ajo thënia e Montaigne se librat janë ajo kënaqësia e ngadalshme. Bile Borgesi e glorifikon dhe më tepër librin. E quan një nga lumturitë e mundshme të njeriut. Rruga e shëlbimit!

Në këtë ese Borgesi i vendos kombet përball letërsisë. Dhe gjen një paradoks vërtetë sfidëndjellës. Sipas tij, gati në të gjitha rastet kombet nuk përfaqësohen nga letërsi (shkrimtarë) që iu ngjajnë atyre. Domethënë, shkrimtarët përfaqësues nuk përfaqësojnë autenticitetin kulturor të një kombi por të kundërtën e tij. Dhe prapë ata shkrimtarë, ajo letërsi, është emblema e tyre. Pse kjo tolerancë zhveshëse, ta zëmë, nga gjermanët nacionalistë për Goethen, që ishte ndër më apatridët në truallin gjerman? Apo e spanjollëve për de Servantesin, që s`ka asgjë spanjolle në të? pyet Borgesi. Kështu iu ndodhë edhe francezëve me Hygon apo anglezëve me Shekspirin… Ku të fundmeve shumë më mirë do iu shkonte përshtati Samuel Johnsoni apo spanjollëve Lope de Vega a Quevedo.

Borgesi nuk harron të përmend bile shembullin e letërsisë së tij mëmëdhetarë, letërsinë argjentinase. E cila përfaqësohet nga një kronikë dezertori, Martin Fierro. Vërtetë terrifikuese! Argjentinasit të mbajnë në piedestal një dezertor. Por ja që kjo ka ndodhur. Dhe përgjigja e Borgesit për krejt këtë është se, “ngjason sikur çdo vend mendon se duhet të përfaqësohet nga dikush që ndryshon prej tij, nga dikush që mund të jetë si një lloj bari shërues, një lloj opiumi, një kundërhelm ndaj të metave. “Konstatimi është monumental, rrëqethës por edhe çlirues. Si duket popujt kanë nevojë për fenomenin e kompensimit nga një asimetri kulturore. Por jo vetëm kulturore. Para së gjithash nga një ndërgjegje tjetër jashtë strukturës së mediokriteti shoqëror.

Pse m’u deshtë ky argument? Pikërisht për t’i bërë grafinë lëngatës tonë identitare si popull. Kultit të mospërfaqësimit. Ne kemi ndërtuar altarin e këtij kulti fillë pas rënjës së Qarkut të Prishtinës. Atëherë, kur idetë iluminuese u zvetënuan dhe fitoj kundër- idea. Ne nuk hyjmë hë për hë te ekuacioni i Borgesit. Tashmë askush askënd nuk përfaqëson. Edhe pse të gjithë pretendojmë se përfaqësojmë dikë a diçka. Ky, me një fjalë, quhet rrafshim i vlerave. Nuk ka asimetri brenda mendimit shoqëror, politik a identitar. Nuk ka kërkesë. S`ka alterEgo.

Ne, historikisht kemi mbetur te modelet e zgjidhjeve përfundimtare, që individ aventurierë kanë shtyrë përpara për interesa meskine. Domethënë, njerëz që fikall vetëm, pa më të voglin vokacion të ethur me dije, për një grusht lavdi kanë nisur beteja pa i fituar kurrë ato. Dhe ky model është ricikluar disa herë deri sot.

Modeli i pushkës së fikur. Burra, që mbyllën në kullë dhe i vënë flakën paqes. Këto ditë rivarrosem njërin prej këtyre shembujve ekzemplarë të kësaj shkolle mospërfaqësimi. As sot askujt nuk i intereson të dal jashtë rreshtit. Borgesi e pranon këtë “absurditetin” e përfaqësimit me të kundërtën si një ekuilibër të ri, fatsjellës. Pra, si një kërkesë maturimi. Por shoqëritë e varfra kulturalisht, e për pasojë edhe politikisht, si kjo e jona, kanë frikë nga të vërtetat. Nga ndërgjegjet jokonjukturale. E pëlqejnë idilin që sjellë mosthënia. Shkojnë edhe më tutje, shpallin herezitë, djegin libra, linçojnë mendimtarë, me të vetmin qellim lemerisjen. Lemerisjen e atyre që kanë ide tjera. Kanë një dashuri tjetër për atdheun. E duan atë të liruar nga vetvetja dhe vetën të liruar nga atdheu. Pra, një dashuri prej të rriturish. Ku thuhen të gjitha. Ku mbrohet fuqishëm diversiteti. Ku kërkohet e kundërta!

Krejt kjo topitje është ndjellë në emër të popullit, shumicës, historisë… kundër devijimeve, të shiturve… nostalgjikëve. Dhe Alteregot shpallen të çmendur, anatemohen, përqeshen dhe përcillen për në harresë. Ky nuk është veç një komplot i një duzine njerëzish që kanë për qëllim mbajtjen e shoqërisë në zaptim. Krejt kjo është një ndërmarrje shoqërore e mostrazimit të ndërgjegjes dhe ruajtjes së pasigurisë që statusquo prodhon.

Shumë mirë krejt këtë e shpjegon Vaclav Havel, në ekzegjezën e vet mbi totalitarizmin dhe posttotalitarizmin. Pemëshitësi ka vendosur parullën, “Proletarë të gjitha vendeve bashkohuni” jo se ai i ka të thelluara idetë e tij proletare. Por se kështu akomodohet brenda krejt pasigurisë shoqërore që të mos prekët. Mos të goditet nga histeria e sistemit dhe ta zhveshë vetën nga çfarëdo lloj kundërshtie a sakrilegji!

Shpërndaje

Comments are closed.

« »