SAKRAMENTI I KREZMIMIT: DOMETHËNIA PËR JETËN E KRISHTERË

Jun 22 • Teologji

 

Gjatë muaji maj dhe qershor në famullitë e Kosovës ndahet sakramenti i krezmimit të rinjve të klasave të nënta. Atmosfera e bukur e festës gjatë ndarjes së këtij sakramenti, patjetër se mbetet në kujtesën e shumë të rinjve. E jo vetëm. Edhe të rriturit mishërohen në gëzimin e të rinjve, pasi është moment i shenjtë i gjithë bashkësisë së krishterë për të festuar përforcimin me dhuratat e Shpirtit Shenjt.

Pasi jemi në përfundimin e këtyre kremtimeve të bukura, po e japin një shpjegim të këtij sakramenti për domethënien e tij në jetën e të krishterëve. Meqë vitin e kaluar Papa Françesku gjatë audiencës së përgjithshme, ka bërë një shpejtim të bukur, të thjeshtë e të kapshëm për gjithsecilin prej nesh, po e japim të plotë. Teksti i Audiencës se Përgjithshme është i 29 janar 2014.

Nga PAPA FRANÇESKU

Krezmimi apo Përforcimi duhet trajtuar në vazhdimësi me Pagëzimin, me të cilin është i lidhur në mënyrë të pandashme. Këto dy sakramente, së bashku me Eukaristinë, formojnë një ngjarje të vetme shpëtuese që quhet – “fillimi i krishterë”, në të cilin bashkohemi me Jezu Krishtin e vdekur dhe të ringjallur, duke u bërë krijesa të reja dhe pjesëtarë të Kishës. Ja përse në periudhën e hershme këto tre sakramente kremtoheshin përnjëherësh, në fund të ecjes katekumenale, që kryhej normalisht natën e Vigjiljes së Pashkës. Dhe kështu vulosej procesi i formimit dhe i përfshirjes graduale në bashkësinë e krishterë që mund të zgjaste edhe me vite. Bëhej hap pas hapi derisa arrihej te Pagëzimi, pastaj Krezmimi dhe në fund Eukaristia.

Zakonisht këtij sakramenti i referohemi me termin “Krezmim”, që do të thotë “vajosje”. Sepse në fakt pikërisht përmes vajit të “krizmës së shenjtë” ne formohemi apo modelohemi në fuqinë e Shpirtit, sipas Jezu Krishtit, i cili është i vetmi i “Vajosuri”, “Mesia”, apo Shenjti i Zotit. Termi “përforcim” na kujton që ky sakrament sjell një rritje në hirin pagëzues, duke na bashkuar më fort me Krishtin, duke plotësuar lidhjen tonë me Kishën dhe duke na dhënë një fuqi të veçantë të Shpirtit të Shenjtë për të përhapur dhe për të mbrojtur fenë, për të shpallur emrin e Krishtit, pa u turpëruar kurrë nga kryqi i tij (khs. Katekizmi i Kishës Katolike, n. 1303).

Për këtë ka rëndësi që të bëjmë çmos që fëmijët tanë, ta marrin këtë sakrament. Ne kujdesemi që ata të pagëzohen, që është diçka e mirë, por nuk kujdesemi aq shumë që të krezmohen. Në këtë mënyrë ata do të mbeten në mes të rrugës dhe nuk do ta marrin Shpirtin Shenjt që është mjaft i rëndësishëm në jetën e krishterë, sepse të jep forcën për të ecur përpara. Le të reflektojmë mirë, secili prej nesh, a e kemi vërtet shqetësimin që fëmijët tanë të krezmohen? Kjo është shumë e rëndësishme! Dhe nëse ju, në shtëpitë tuaja keni fëmijë, që nuk janë krezmuar ende ndërkohë që e kanë arritur moshën e duhur, bëni çmos që ta përfundojnë nisjen e krishterë dhe të marrin fuqinë e Shpirtit Shenjt, sepse është shumë e rëndësishme!

Sigurisht që është e rëndësishme për t’iu ofruar atyre që do të krezmohen një përgatitje të mirë, që duhet të synojë të krijojë një lidhje personale drejt fesë në Krishtin dhe të zgjojë në ta ndjenjën e përkatësisë ndaj Kishës.

Edhe krezmimi si çdo sakrament nuk është vepër njerëzore por e Zotit, i cili kujdeset për jetën tonë, me qëllim që të na modelojë sipas shëmbëllimit të Birit të vet, që të mund të duam si Ai, gjë që e bën duke vendosur në ne Shpirtin e Shenjtë, veprimi i të cilit përshkon tërë qenien tonë dhe tërë jetën tonë, sikurse shihet nga shtatë dhuratat që Tradita, në dritën e Shkrimit të Shenjtë ka theksuar gjithnjë. Nuk do doja që t’ju pyesja nëse i mbani mend këto shtatë dhurata. Ndoshta i dini të gjitha… Por po i them unë në vendin tuaj.

Cilat janë këto dhurata? Dituria, Intelekti, Këshilla, Fuqia apo qëndresa, Dija, Besimi apo devotshmëria dhe Frika e Zotit. Dhe këto dhurata jepen pikërisht me Shpirtin Shenjt në sakramentin e krezmimit. Këtyre dhuratave synoj që ta dedikoj katekezën, pasi të mbarojmë me sakramentet.

Kur ne e marrim Shpirtin Shenjt në zemrën tonë dhe e lëmë të veprojë, vetë Krishti është i pranishëm në ne dhe merr formë në jetën tonë; do të jetë vetë Ai që do të lutet për ne, do të falë, do të na japë shpresë dhe ngushëllim, do t’u shërbejë vëllezërve, do t’u vijë në ndihmë nevojtarëve dhe të braktisurve e do të krijojë bashkësi dhe do të mbjellë paqe. Mendoni sa e rëndësishme është kjo: me anë të Shpirtit Shenjt, vetë Krishti do ta bëjë këtë në ne dhe për ne. Prandaj ka rëndësi që fëmijët ta marrin sakramentin e krezmimit.

Të dashur vëllezër e motra, le të kujtohemi që edhe ne e kemi marrë krezmimin! Secili prej nesh! Por le të kujtohemi para së gjithash për ta falënderuar Zotin për këtë dhuratë dhe t’i kërkojmë që të jetojmë si të krishterë të vërtetë, duke ecur gjithnjë me gëzim sipas Shpirtit të Shenjtë që na është dhuruar.

1

2

3

4

Shpërndaje

Comments are closed.

« »