NJË VIT I KUSHTUAR FYTYRËS SË MËSHIRSHME TË ZOTIT

Jun 24 • Kisha në botë

 Misericordiæ Vultus

Bulla e shpalljes

së vitit të jashtëzakonshëm

të mëshirës

ph

Françesku

ipeshkëv i Romës

shërbëtor i shërbëtorëve të Hyjit

atyre që do ta lexojnë këtë letër

hir, mëshirë e paqe

1. Jezu Krishti është fytyra e mëshirës së Atit. Misteri i fesë së krishterë duket se gjen në këtë fjalë sintezën e saj. Ajo u bë e gjallë, e dukshme dhe ka arritur kulmin e saj në Jezusin e Nazaretit. Ati, «i pasur me mëshirë» (Ef 2,4)[1], pasi ia zbuloi emrin e vet Moisiut si «Hyji i mëshirshëm e i butë, i ngadalshëm në zemërim e plot dashuri e besnikëri» (Dal 34,6), nuk reshti duke bërë të njohur, në mënyra të ndryshme e në shumë momente të historisë, natyrën e vet hyjnore. Në «plotësinë e kohës» (Gal 4,4), kur gjithçka ishte sipas planit të tij të shpëtimit, Ai dërgoi Birin e vet të lindur nga Virgjëra Mari për të na zbuluar përfundimisht dashurinë e vet. Ai që sheh Atë sheh Atin (khs. Gjn 14,9). Jezusi i Nazaretit me fjalën, veprimet dhe personin[2] e vet zbulon mëshirën e Hyjit.

2. Gjithmonë kemi nevojë ta sodisim misterin e mëshirës. Është burim gëzimi, qetësie dhe paqeje. Është kusht për shpëtimin tonë. Mëshirë: është fjala që zbulon misterin e Trinisë së Shenjtë. Mëshirë: është veprimi i fundit dhe më i madhi me të cilin Hyji na del përpara. Mëshirë: është ligji themelor që banon në zemrën e çdo personi kur shikon me sy të sinqertë vëllain që e takon gjatë jetës. Mëshirë: është rruga që bashkon Hyjin dhe njeriun, sepse ia hap zemrën shpresës se jemi të dashur gjithmonë pa marrë parasysh kufizimin e mëkatit tonë.

3. Ka momente kur në mënyrë edhe më të fortë jemi të thirrur ta ngulim fort shikimin tonë te mëshira për t’u bërë ne vetë shenjë efikase e veprimit të Atit. Për këtë arsye shpalla një Jubile të Jashtëzakonshëm të Mëshirës si kohë të volitshme për Kishën, që ta bëjë më të fortë dhe më efikase dëshminë e besimtarëve.

Viti i Shenjtë do të hapet më 8 dhjetor 2015, të kremten e të zënit pa mëkat të Zojës së Bekuar. Kjo festë liturgjike tregon mënyrën e veprimit të Hyjit qysh prej fillimittë historisë sonë. Pas mëkatit të Adamit dhe të Evës, Hyji nuk ka dashur ta lërë njerëzimin në duart e të keqes. Për këtë arsye ka menduar dhe ka dashur Marinë të Shenjtë dhe të papërlyer në dashuri (khs. Ef 1,4), që të bëhej Nëna e Shëlbuesit të njeriut. Para peshës së mëkatit, Hyji përgjigjet me plotësinë e faljes. Mëshira do të jetë gjithmonë më e madhe, sesa çdo mëkat dhe askush nuk mund t’i vërë një kufi dashurisë së Hyjit që fal. Në festën e Zojës së Papërlyerdo të kem gëzimin të hap Derën e Shenjtë. Në këtë rast do të jetë një Derë e Mëshirës, ku kushdo që do të hyjëdo të provojë dashurinë e Hyjit që ngushëllon, që fal dhe që dhuron shpresë.

Një të diel më pas, të tretën e Kohës së Ardhjes, do të hapet Dera e Shenjtë në Katedralen e Romës, në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran. Pastaj, do të hapet Dera e Shenjtë në Bazilikat e tjera Papnore. Po atë të diel caktoj që në çdo kishë të veçantë, në Katedrale që është kisha nënë për të gjithë besimtarët, apo edhe në Konkatedrale apo në një kishë me një domethënie të veçantë, të hapet gjatë gjithë Vitit të Shenjtë një Derë e tillë e Mëshirës. Sipas zgjedhjes së Ipeshkvit, ajo mund të hapet edhe në Shenjtërore, vende ku shkojnë shumë shtegtarë, që në këto vende të shenjta shpesh preken në zemër nga hiri dhe gjejnë rrugën e kthimit. Pra, çdo kishë e veçantë do të jetë e përfshirë drejtpërsëdrejti për ta jetuar këtë Vit të shenjtë si një moment të veçantë hiri e ripërtëritjeje shpirtërore. Prandaj Jubileu do të kremtohet në Romë dhe në kishat e veçanta, si shenjë e dukshme e bashkimit të mbarë Kishës.

4. Kam zgjedhur datën 8 dhjetor, sepse është plot me domethënie për historinë e fundit të Kishës. Faktikisht do ta hap Derën e shenjtë në pesëdhjetëvjetorin e mbylljes së Koncilit II Ekumenik të Vatikanit. Kisha e ndien nevojën që ta mbajë të gjallë atë ngjarje. Për të fillonte një rrugëtim i ri i historisë së saj. Etërit e mbledhur në Koncil e kishin perceptuar fort, si një frymëzim të vërtetë të Shpirtit, nevojën për t’u folur për Hyjin njerëzve të kohës së tyre në një mënyrë më të kuptueshme. Pasi rrëzuan muret që për një kohë të gjatë e kishin mbyllur Kishën në një kështjellë të privilegjuar, kishte ardhur koha për ta shpallur Ungjillin në një mënyrë tjetër. Një etapë e re e ungjillëzimit të gjithmonshëm. Një angazhim i ri për të gjithë të krishterët për ta dëshmuar më me entuziazëm dhe bindje fenë e tyre. Kisha e ndiente përgjegjësinë e të qenit në botë shenja e gjallë e dashurisë së Atit.

Na vijnë në mendje fjalët kuptimplote që Shën Gjoni XIII shqiptoi në hapjen e Koncilit për të treguar shtegun që duhet ndjekur: «Tani Nuses së Krishtit i pëlqen të përdorë ilaçin e mëshirës, sesa të ngjeshë armët e arsyes … Kisha katolike, ndërsa me këtë Koncil Ekumenik lartëson pishtarin e të vërtetës katolike, dëshiron të tregohet nënë tejet e dashur për të gjithë, dashamirëse, e durueshme, e shtyrë nga mëshira e mirësia kundrejt fëmijëve të ndarë prej saj»[3]. Në po këtë horizont gjendej edhe i lumi Pali VI, që kështu u shprehte në mbyllje të  Koncilit: «Më shumë duam të vëmë re se si feja e Koncilit tonë të ketë qenë kryesisht dashuria… Historia e vjetër e Samaritanit ka qenë paradigma e përshpirtërisë së Koncilit … Një rrymë afekti dhe admirimi u ruajt nga Koncili për botën njerëzore moderne. I ripamë gabimet, po; sepse këtë kërkon dashuria, asgjë më pak se të vërtetën; por për personat veç përsëris, vetëm respekt dhe dashuri. Në vend të diagnozave dëshpëruese, ilaçe inkurajuese; në vend të parandjenjave të errëta, mesazhe besimi u dha Koncili botës bashkëkohore: vlerat e tij jo vetëm që u respektuan, por u nderuan, përpjekjet i tij u mbështet, aspiratat e tij u pastruan e u bekuan… Edhe një gjë tjetër duhet të vëmë në dukje: e gjithë kjo pasuri doktrinore shkon në një drejtim të vetëm: t’i shërbejë njeriut. Njeriut, le të themi, në çdo gjendje të tij, në çdo sëmundje, në çdo nevojë të tijën»[4].

Me këto ndjenja mirënjohjeje për atë që Kisha ka marrë dhe përgjegjësitë për detyrën që na pret, do ta kalojmë Derën e shenjtë me besimin e plotë se jemi të shoqëruar nga forca e Zotit të Ngjallur, që vazhdon ta mbështesë shtegtimin tonë. Shpirti Shenjt, që udhëheq hapat e besimtarëve për të bashkëvepruar në veprën e shpëtimit të realizuar prej Krishtit, qoftë udhëheqësi dhe mbështetja e Popullit të Hyjit për ta ndihmuar që ta sodisë fytyrën e mëshirës[5].

5. Viti jubilar do të përmbyllet të kremten liturgjike të Jezu Krishtit Zot të gjithësisë, më 20 nëntor 2016. Atë ditë, duke mbyllur Derën e shenjtë, para së gjithash do të kemi ndjenja mirënjohjeje dhe falënderimi ndaj Shenjtërueshmes Trini, që na mundësoi këtë kohë të jashtëzakonshme hiri. Do t’ia besojmë jetën e Kishës, krejt njerëzimin dhe kozmosin e stërmadh zotërimit të Krishtit, që ta shtrijë mëshirën e vet sikur vesën e mëngjesit për një histori të frytshme, e cila ndërtohet me angazhimin e të gjithëve në të ardhmen e afërt. Sa dëshiroj që vitet e ardhshme të jenë plot me mëshirë me qëllim që kur t’i takojmë njerëzit t’u japim atyre mirësinë dhe butësinë e Hyjit! Tek të gjithë, besimtarë dhe atyre që janë larg, arriftë vaji erëmirë i mëshirës si shenjë e Mbretërisë së Hyjit tashmë të pranishme në mesin tonë.

6. «Është tipike e Hyjit të përdorë mëshirë dhe në mënyrë të veçantë në këtë shfaqet gjithëpushteshmëria e tij»[6]. Fjalët e Shën Tomës së Akuinit dëshmojnë se si mëshira hyjnore nuk është aspak një shenjë dobësie, por cilësia e gjithëpushtetshmërisë së Hyjit. Për këtë arsye liturgjia, në njërën prej kolektave më të lashta, na bën të lutemi kështu: «O Hyj, që e zbulon gjithëpushtetshmërinë tënde sidomos me mëshirën e faljen»[7]. Hyji do të jetë përgjithmonë në historinë e njerëzimit si Ai që është i pranishëm, afër, provanor, i shenjtë dhe i mëshirshëm.

“I durueshëm dhe i mëshirshëm” është binomi që shfaqet shpesh në Besëlidhjen e Vjetër për të përshkruar natyrën e Hyjit. Fakti që është i mëshirshëm konkretizohet në shumë veprime të historisë së shpëtimit ku mirësia e tij mbizotëron mbi ndëshkimin e shkatërrimin. Psalmet, në mënyrë të veçantë, bëjnë të dalë në pah madhështia e të vepruarit hyjnor: «Ai i fal të gjitha fajësitë e tua, Ai i shëron të gjitha sëmundjet e tua; Ai ta shpëton jetën prej varrit, Ai të kurorëzon me mirësi e mëshirë» (Ps 103,3-4). Në mënyrë akoma më të dukshme, një Psalm tjetër dëshmon shenjat konkrete të mëshirës: «Zoti i çliron robërit, Zoti u jep dritën e syve të verbërve, Zoti i ndreq të kërrusurit, Zoti i do të drejtët, Zoti i mbron ardhacakët, u ndihmon bonjakëve e të vejave, ndërsa mëkatarëve ua pështjellon udhët» (Ps 146,7-9). Dhe në fund, ja disa shprehje të tjera të psalmistit: «[Zoti] i shëron zemrat e copëtuara, i lidh plagët e tyre. … Zoti i lartëson të përvujtët, kurse përdhè i shtron bakëqijtë» (Ps 147,3.6). Pra, mëshira e Hyjit nuk është një ide abstrakte, por një realitet konkret me të cilën Ai zbulon dashurinë e vet si ajo e një babai dhe e një nëne që preken thellësisht për fëmijët e tyre. Është më të vërtetë rasti të themi se është një dashuri e thellë. Vjen nga brendësia si një ndjenjë e thellë, natyrore, që përbëhet prej butësisë dhe dhembshurisë, ndjesës dhe faljes.

7. “E amshueshme është mëshira e tij”: është refreni që shoqëron Psalmin 136, ndërsa tregohet historia e zbulimit të Hyjit. Falë mëshirës, të gjitha ngjarjet e Besëlidhjes së Vjetër janë plot me një vlerë të thellë shpëtimtare. Mëshira e bën historinë e Hyjit me Izraelin një histori shpëtimi. Të përsëritësh vazhdimisht: “E amshueshme është mëshira e tij”, siç bën Psalmi, duket sikur dëshiron të prishë rrethin e e hapësirës e të kohës për të futur gjithçka në misterin e amshuar të dashurisë. Është sikur të thoshte se jo veç në histori, por për amshim njeriu do të jetë gjithmonë nën shikimin e mëshirshëm të Atit. Jo rastësisht populli i Izraelit e futi këtë Psalm, “hallel-in e madh” siç quhet, në festat më të rëndësishme liturgjike.

Para Mundimeve Jezusi u lut me këtë Psalm të mëshirës. E pohon Mateu ungjilltar kur thotë «pasi kënduan himnin» (Mt 26,30), Jezusi së bashku me nxënësit shkuan drejt Malit të Ullinjve. Ndërsa Ai po themelonte Eukaristinë, si përkujtim i përmotshëm i Tij dhe i Pashkës së tij, e vinte simbolikisht këtë akt suprem të Zbulimit në dritën e mëshirës. Në këtë horizont të mëshirës, Jezusi i jetonte mundimet dhe vdekjen, i vetëdijshëm për misterin e madh të dashurisë që do të përmbushej në kryq. Duke e ditur se vetë Jezusi është lutur me këtë Psalm, e bën për ne të krishterët akoma më të rëndësishëm dhe na angazhon ta bëjmë tonin këtë refren në lutjet tona të përditshme të lavdeve: “E amshuar është mëshira e tij”.

8. Me shikimin e ngulur te Jezusi dhe te fytyra e tij e mëshirshme mund të kuptojmë dashurinë e Trinisë së Shenjtë. Misioni që Jezusi ka marrë nga Ati ka qenë ai i zbulimit të misterit të dashurisë hyjnore në plotësitë e tij. «Hyji është dashuri» (1 Gjn 4, 8.16), pohon për të parën dhe të vetmen herë në Shkrimin e shenjtë Gjoni ungjilltar. Kjo dashuri tanimë është bërë e dukshme dhe e prekshme në krejt jetën e Jezusit. Personi i tij nuk është tjetër veçse dashuri, një dashuri që dhurohet falas. Marrëdhëniet e tij me personat që i qëndrojnë afër shfaqin diçka të vetme dhe të papërsëritshme. Shenjat që bën, sidomos ndaj mëkatarëve, të personave të varfër, të përjashtuar, të sëmurë e të vuajtur, bëhen nën emrin e mëshirës. Te Ai gjithçka flet për mëshirën. Te Ai asgjë nuk bëhet pa dhembshuri.

Jezusi, para turmës së personave që e ndiqnin, duke parë së ishin të lodhur e të mbaruar, të humbur e pa udhëheqje, ndjeu nga thellësia e zemrës një dhembshuri të madhe për ta (khs. Mt 9,36). Falë kësaj dashurie të dhembshur shëroi të sëmurët që ia vinin përpara (khs. Mt 14,14), dhe me pak bukë e ca peshq ushqeu turma të mëdha (khs. Mt 15,37). Ajo që e nxiste Jezusin në të gjitha rrethanat nuk ishte tjetër veçse mëshira, me të cilën lexonte në zemrat e bashkëbiseduesve të vet dhe u përgjigjej nevojës së tyre më të vërtetë. Kur takoi vejushën e Nainit qëe çonte djalin e saj të dëshirit tek varri, ndjeu një dhembshuri për atë dhimbje tejet të madhe të nënës që po vajtonte, e ia ridha djalin duke ia ngjallur nga vdekja (khs. Lk 7,15). Pasi e liroi të djallosurin e Gerazës, ia beson këtë mision: «tregoju ç’nder të bëri Zoti dhe si pati mëshirë për ty» (Mk 5,19). Edhe thirrja e Mateut është vendosur në horizontin e mëshirës. Duke kaluar pranë vendit të pagimit të taksave sytë e Jezusit u ngulën te sytë e Mateut. Ishte një shikim përplot me mëshirë, që falte mëkatet e atij njeriu e, duke fituar mbi kundërshtimet e nxënësve të tjerë, zgjodhi atë, tagrambledhësin e mëkatarin, për ta bërë njërin prej të Dymbëdhjetëve. I Përnderuari Shën Beda, duke komentuar këtë pjesë të Ungjillit, ka shkruar se Jezusi e shikoi Mateun me dashuri të mëshirshme dhe e zgjodhi: miserando atque eligendo[8]. Gjithmonë më ka bërë përshtypje kjo shprehje, aq sa e bëra moton time.

9. Në shëmbëlltyrat kushtuar mëshirës, Jezusi zbulon natyrën e Hyjit si atë të një Ati që nuk dorëzohet kurrë derisa nuk e ka zgjidhur mëkatin e nuk ka fituar mbi refuzimin, me dhembshuri dhe mëshirë. I njohim këto shëmbëlltyra, tri në veçanti: atë të deles së humbur dhe të drahmës së humbur, atë të djalit të humbur e të gjetur (khs. Lk 15,1-32). Në këto shëmbëlltyra, Hyji gjithmonë na paraqitet plot me gëzim, mbi të gjitha kur fal. Në to gjejmë thelbin e Ungjillit e të fesë sonë, sepse mëshira paraqitet si forca që fiton mbi gjithçka, që e mbush zemrën me dashuri e që ngushëllon me faljen.

Nga një shëmbëlltyrë tjetër, veç të tjerash, nxjerrim një mësim për stilin tonë të jetës së krishterë. I provokuar nga pyetja e Pjetrit se sa herë është e nevojshme të falim, Jezusi përgjigjet: «Nuk po të them deri në shtatë herë, por deri në shtatëdhjetë herë shtatë herë» (Mt 18,22), dhe tregon shëmbëlltyrën e “shërbëtorit të pamëshirë”. Ky, i thirrur nga zotëria që t’ia rikthejë një shumë të madhe, i lutet në gjunjë atij dhe ky ia fali detyrimin që i kishte. Menjëherë më pas ai takoi një shërbëtor tjetër si ai, që i kishte borxh pak para, ky iu lut në gjunjë që të kishte mëshirë, por ai nuk pranon dhe e fut në burg. Atëherë zotëria, kur merr vesh për atë që ndodhi, zemërohet shumë dhe e thërret sërish shërbëtorin e i thotë: «A nuk u desh që edhe ti të kishe mëshirë ndaj shokut tënd, sikurse edhe unë pata mëshirë ndaj teje?» (Mt 18,33). E Jezusi përfundon: «Kështu do të bëjë me ju edhe Ati im qiellor, nëse s’e falni me gjithë zemër secili vëllanë tuaj» (Mt 18,35).

Shëmbëlltyra përmban një mësim të thellë për secilin prej nesh. Jezusi pohon se mëshira nuk ka lidhje vetëm me atë që bën Ati, por bëhet kriteri për të kuptuar se kush janë bijtë e tij të vërtetë. Pra, jemi të thirrur të jetojmë me mëshirë, sepse mëshira u tregua së pari ndaj nesh. Falja e fyerjeve bëhet shprehja më e dallueshme e dashurisë së mëshirshme dhe për ne të krishterët është një urdhër të cilin nuk mund ta anashkalojmë. Shpeshherë na duket e vështirë të falim! E megjithatë, falja është mjeti që kemi në duart tona të brishta për të arritur qetësinë e zemrës. Heqja dorë nga mllefi, zemërimi, dhuna dhe hakmarrja janë kushte të nevojshme për të jetuar të lumtur. Pra, le ta pranojmë nxitjen e apostullit: «Dielli të mos perëndojë mbi hidhërimin tuaj» (Ef 4,26). E mbi të gjitha le të dëgjojmë fjalën e Jezusit që e vendosi mëshirën si një ideal jete dhe si kriter besueshmërie për fenë tonë: «Lum të mëshirshmit, sepse do të gjejnë mëshirë» (Mt 5,7) është lumnia ku mund të frymëzohemi me një angazhim të veçantë në këtë Vit të Shenjtë.

Siç vërehet, mëshira në Shkrimin e shenjtë është fjala kyç për të treguar të vepruarit e Hyjit ndaj nesh. Ai nuk kufizohet të pohojë dashurinë e tij, por e bën të dukshme dhe të prekshme. Dashuria, nga ana tjetër, nuk mund të jetë kurrë një fjalë abstrakte. Për vetë natyrën e saj është jetë konkrete: qëllime, qëndrime, sjellje që shfaqen në të vepruarit e përditshëm. Mëshira e Hyjit është përgjegjësia e tij për ne. Ai ndihet përgjegjës, domethënë dëshiron të mirën tonë e dëshiron të na shohë të lumtur, përplot me gëzim e të qetë. Në të njëjtën mënyrë duhet të jetë edhe dashuria e mëshirshme e të krishterëve. Si do Ati, ashtu duan edhe bijtë. Si është i mëshirshëm Ai, ashtu jemi të thirrur të jemi edhe ne të mëshirshëm, njëri ndaj tjetrit.

10. Arkitrau që mban jetën e Kishës është mëshira. Krejt veprimi i saj baritor duhet të mbështillet nga butësia me të cilën u drejtohet besimtarëve; asgjë nga kumtimi i saj dhe dëshmia e saj ndaj botës nuk duhet të bëhet pa mëshirë. Besueshmëria e Kishës kalon përmes rrugës së dashurisë së mëshirshme dhe të dhimbshme. Kisha «jeton një dëshirë të pashtershme për të dhuruar mëshirë»[9]. Ndoshta për shumë kohë kemi harruar ta tregojmë e ta jetojmë rrugën e mëshirës. Tundimi, nga njëra anë, për të pretenduar gjithmonë e vetëm drejtësinë ka bërë që të harrohet që ky është hapi i parë, i nevojshëm dhe i domosdoshëm, por Kisha ka nevojë të shkojë përtej për të arritur një cak më të lartë e më domethënës. Nga ana tjetër, është e trishtueshme kur shohim se si përvoja e faljes në kulturën tonë bëhet gjithnjë e më e rrallë. Madje në disa raste edhe vetë fjala duket se po zhduket. Pa dëshminë e faljes kemi një jetë të pafrytshme dhe shterpë, është si të jetonim në shkretëtirë. Për Kishën ka ardhur përsëri koha që të marrë përsipër kumtimin e gëzueshme të faljes. Është koha e kthimit tek thelbësorja për të marrë përsipër dobësitë dhe vështirësitë e vëllezërve tanë. Falja është një forcë që të ngjall në jetëne re dhe të jep kurajën për ta shikuar të ardhmen me shpresë.

11. Nuk mund ta harrojmë mësimin e madh që Shën Gjon Pali II na dha me Enciklikën e dytë të tij Dives in misericordia, që në atë kohë erdhi papritur dhe zuri në befasi shumë vetë për temën që trajtonte. Dua të kujtoj dy shprehje në veçanti. Para së gjithash, Ati i shenjtë vuri në dukje harrimin e temës së mëshirës në kulturën e kohës sonë: «Mendësia bashkëkohore, ndoshta më shumë se ajo e njeriut të kohës së kaluar, duket se i kundërvihet Hyjit të mëshirës dhe gjithashtu priret të largojë nga jeta e të shkulë nga zemra njerëzore vetë idenë e mëshirës. Fjala dhe koncepti i mëshirës duken se e shqetësojnë njeriun, i cili, falë zhvillimit tejet të madh të shkencës e të teknikës, kurrë të njohur më përpara në histori, është bërë pronar dhe kanë nshtruar dhe sunduar tokën (khs. Zan 1,28). Një sundim i tillë i tokës, nganjëherë i kuptuar në mënyrë të njëanshme e sipërfaqësore, duket se nuk i lë vend mëshirës … Dhe për këtë arsye, në situatën e sotme të Kishës dhe të botës, shumë njerëz e shumë mjedise të drejtuara nga një sens i vërtetë feje u drejtohen, do të thoja, gati spontanisht mëshirës së Hyjit»[10].

Gjithashtu, Shën Gjon Pali II kështu e motivonte urgjencën për të kumtuar dhe për të dëshmuar mëshirën në botën bashkëkohore: «Ajo diktohet prej dashurisë për njeriun, kundrejt gjithçkaje që është njerëzore e që, sipas intuitës së një shumice të bashkëkohësve, kërcënohet prej një rreziku tejet të madh. Misteri i Krishtit… më detyron të shpall mëshirën si dashuri e mëshirshme e Hyjit, zbuluar në vetë misterin e Krishtit. Kjo më detyron që t’i drejtohem kësaj mëshire e ta lus në këtë fazë të vështirë dhe kritike të historisë së Kishës dhe të botës»[11]. Një mësim i tillë është më se aktual dhe meriton që të rimerret në këtë Vit të shenjtë. Le t’i pranojmë sërish fjalët e tij: «Kisha jeton një jetë autentike kur dëshmon dhe shpall mëshirën – cilësinë mëtë mrekullueshme të Krijuesit dhe të Shëlbuesit – dhe kur i afron njerëzit te burimet e mëshirës së Shpëtimtarit, që ajo ruan dhe shpërndan»[12].

12. Kisha ka misionin që ta kumtojë mëshirën e Hyjit, zemër e gjallë e Ungjillit, që përmes saj duhet të arrijë zemrën dhe mendjen e çdo personi. Nusja e Krishtit e bën të vetën sjelljen e Birit të Hyjit që u del të gjithëve përpara pa përjashtuar askënd. Në kohën tonë, kur Kisha është e angazhuar në ungjillëzimin e ri, tema e mëshirës ka nevojë të ripropozohet me entuziazëm të ri dhe me një veprim të ripërtërirë baritor. Është përcaktuese për Kishën dhe besueshmërinë e kumtimit të saj që ajo ta jetojë dhe ta dëshmojë mëshirën në vetën e parë. Gjestet dhe të folurit e saj duhet të përçojë mëshirë për të hyrë në zemrën e personave dhe t’i nxisë ata të rigjejnë rrugën për t’u rikthyer te Ati.

E vërteta e parë e Kishës është dashuria e Krishtit. Për këtë dashuri, që arrin deri në faljen dhe dhurimin e vetes, Kisha bëhet shërbëtore dhe ndërmjetësuese pranë njerëzve. Prandaj, aty ku Kisha është e pranishme, aty duhet të jetë e dukshme mëshira e Atit. Në famullitë tona, në bashkësitë, në shoqatat dhe lëvizjet, me një fjalë, kudo që ka të krishterë, çdokush duhet të gjejë një oaz mëshire.

13. Duam ta jetojmë këtë Vit Jubilar në dritën e fjalës së Zotit: Të Mëshirshëm si Ati. Ungjilltari paraqet mësimin e Jezusit që thotë: «Bëhuni edhe ju të mëshirshëm sikurse (edhe) Ati juaj është i mëshirshëm» (Lk 6,36). Është një program jete sa angazhuese aq edhe i pasur me gëzim dhe paqe. Urdhri i Jezusit u drejtohet të gjithë atyre që e dëgjojnë zërin e tij (khs. Lk 6,27). Pra, për të qenë të aftë për mëshirënë rend të parë duhet të vihemi në dëgjim të Fjalës së Hyjit. Kjo do të thotë të rikuperohet vlera e heshtjes për të medituar Fjalën që na drejtohet. Në këtë mënyrë është e mundur të soditet mëshira e Hyjit dhe të merret si stil jete.

14. Shtegtimi është një shenjë e veçantë në Vitin e shenjtë, sepse është ikonë e ecjes që çdo person bën në jetën e vet. Jeta është një shtegtim dhe qenia njerëzore është një viator, një shtegtar që përshkon një rrugë deri te qëllimi i dëshiruar. Edhe për të arritur te Dera e Shenjtë në Romë dhe në çdo vend tjetër, çdonjëri duhet të bëjë, sipas forcave të veta, një shtegtim. Ai do të jetë një shenjë e faktit se edhe mëshira është një qëllim për t’u arritur dhe që kërkon angazhim e sakrificë. Pra, shtegtimi qoftë nxitje për kthim: duke kaluar Derën e Shenjtë do ta lë më veten të përqafohemi nga mëshira e Hyjit dhe do të angazhohemi për të qenë të mëshirshëm me të tjerët sikurse Ati është më ne.

Zoti Jezus tregon etapat e shtegtimit përmes të cilit është e mundur të arrihet ky qëllim: «Mos gjykoni dhe nuk do të gjykoheni!Mos dënoni e nuk do të dënoheni!Falni e do të gjeni falje! Jepni e do t’ju jepet: masë e mirë, e dendur, e tundur, me grumbull do t’ju jepet nën sqetull tuaj: sepse me atë masë që do të matni, do t’ju matet edhe juve në kthim» (Lk 6,37-38). Mbi të gjitha thotë të mos gjykoni dhe të mos dënoni. Nëse nuk duam të gjykohemi prej Hyjit, atëherë askush nuk duhet të bëhet gjykatës i vëllait të vet. Në fakt, njerëzit me gjykimin e tyre ndalen në sipërfaqe, kurse Ati shikon në brendësi. Sa keq bëjnë fjalët kur thuhen nga ndjenjat e xhelozisë dhe të smirës! Të flasësh keq për vëllain në mungesë të tij do të thotë të paraqesësh në dritë të keqe, ta përlyesh emrin e tij dhe ta lësh në dorëne thashethemeve. Të mos gjykosh dhe të mos dënosh domethënë, në mënyrë pozitive, të dish të dalloshtë mirën që është te çdo person dhe të mos lejosh që të vuajë prej gjykimit tonë të pjesshëm dhe mendjemadhësisë sonë se dimë gjithçka. Por kjo ende nuk është mjafton për të shprehur mëshirën. Jezusi kërkon edhe të falësh dhe të dhurosh. Të jemi mjete të faljes, sepse ne të parët e kemi marrë atë prej Hyjit. Të jemi bujarë me të gjithë, duke e ditur se Hyji e shtrin mirësinë e tij mbi ne me zemërgjerësi të madhe.

Pra, të mëshirshëm si Ati është “moto”-ja e Vitit të shenjtë. Te mëshira kemi provën se si Hyji do. Ai jep krejt veten e vet, përgjithmonë, falas dhe pa kërkuar asgjë në shkëmbim. Na vjen në ndihmë kur e thërrasim. Është bukur që lutja e përditshme e Kishës fillon me këto fjalë: «O Hyj, deh, më eja në ndihmë, o Zot, nxito të më ndihmosh!» (Ps 70,2). Ndihma që kërkojmë është tashmë hapi i parë i mëshirës së Hyjit ndaj nesh. Ai vjen të na shpëtojë nga gjendja e dobësisë në të cilën jetojmë. Dhe ndihma e tij qëndron te fakti që na bën të dallojmë praninë dhe afërsinë e tij. Ditë për ditë, të prekur prej dhembshurisë së tij, edhe ne mund të bëhemi të dhembshur ndaj të gjithëve.

15. Në këtë Vit të shenjtë, mund të bëjmë përvojën për t’ia hapur zemrën të gjithë atyre që jetojnë në periferitë më të largëta ekzistenciale, që shpesh bota moderne krijon në mënyrë dramatike. Sa situata pasigurie dhe vuajtjeje janë të pranishme në botën e sotme! Sa plagë janë lënë në mishin e shumë personave që nuk kanë më zë, sepse klithja e tyre është dobësuar dhe shuar për shkak të indiferencës së popujve të pasur. Në këtë Jubile edhe më shumë Kisha do të jetë e thirrur të kujdeset për këto plagë, të lehtësojë me vajin e ngushëllimit, të fashojë me mëshirën dhe të shërojë me solidaritetin dhe vëmendjen e nevojshme. Të mos biem në indiferencën që na poshtëron, në zakonshmërinë që na paralizon shpirtin dhe që na pengon të zbulojmë risinë, në cinizmin që shkatërron. I hapfshim sytë tanë për të parë mjerimet e botës, plagët e shumë vëllezërve dhe motrave të cilëve u mohohet dinjiteti, dhe të ndihemi të nxitur për të dëgjuar klithmën e tyre për ndihmë. Duart tona i shtrëngofshin duart e tyre dhe i tërheqfshim kah vetja që ta ndiejnë ngrohtësinë e pranisë, miqësisë dhe vëllazërisë sonë. Klithja e tyre u bëftë e jona dhe së bashku mund ta thyejmë pengesën e indiferencës, që shpesh mbretëron për të fshehur hipokrizinë dhe egoizmin.

Me gjithë shpirt dëshiroj që populli i krishterë të reflektojë gjatë Jubileut mbi veprat e mëshirës trupore dhe shpirtërore. Do të jetë një mënyrë për të rizgjuar ndërgjegjen tonë shpesh të përgjumur përpara dramës së varfërisë dhe për të hyrë gjithmonë e më shumë në zemër të Ungjillit, ku të varfrit janë të privilegjuar nga mëshira hyjnore. Predikimi i Jezusit na i paraqet këto vepra mëshire, që të kuptojmë nëse jetojmë ose jo si nxënësit e tij. I rizbulofshim veprat e mëshirës trupore: t’u japim për të ngrënë të uriturve, t’u japim ujë të eturve, të veshim të zhveshurit, të strehojmë të pastrehët, të vizitojmë të sëmurët, të vizitojmë të burgosurit, të varrosim të vdekurit. E mos i harrofshim veprat e mëshirës shpirtërore: të këshillojmë ata që dyshojnë, të mësojmë të paditurit, të qortojmë mëkatarët, të ngushëllojmë të pikëlluarit, të falim fyerjet, të durojmë personat e mërzitshëm, t’i lutemi Hyjin për të gjallët e të vdekurit.

Nuk mund t’u shmangemi fjalëve të Zotit dhe në bazë të tyre do të gjykohemi: nëse do t’i kemi dhënë për të ngrënë atij që ka uri dhe për të pirë atij që ka etje. Nëse do ta kemi strehuar të pastrehët dhe veshur të zhveshurin. Nëse kemi pasur kohë për të qëndruar me atë që është i sëmurë dhe i burgosur (khs. Mt 25,31-45). Po ashtu do të na kërkohet nëse kemi ndihmuar për të dalë nga dyshimi që të bën të biesh në frikë dhe që shpesh është burimi i vetmisë; nëse kemi qenë të aftë për të fituar mbi padijen në të cilën jetojnë miliona persona, sidomos fëmijët të cilët nuk e kanë ndihmën e nevojshme për t’u liruar nga varfëria; nëse kemi qenë afër atij që është vetëm dhe i pikëlluar; nëse kemi falur atë që na ka fyer dhe kemi larguar çdo formë mllefi e urrejtjeje që shpie te dhuna; nëse kemi pasur durim sipas shembullit të Hyjit që është shumë i durueshëm me ne; nëse, në fund, ia kemi besuar Zotit në lutje vëllezërit dhe motrat tona. Në çdonjërin prej këtyre “më të vegjëlve” është i pranishëm vetë Krishti. Mishi i tij bëhet rishtazi i dukshëm si trupi torturuar, i plagosur, i fshikulluar, i paushqyer, në arratisje… për t’u njohur, prekur dhe ndihmuar me kujdes nga ne. Le të mos i harrojmë fjalët e Shën Gjonit të Kryqit: «Në fund të jetës, do të gjykohemi mbi dashurinë»[13].

16. Në Ungjillin e Lukës gjejmë një tjetër aspekt të rëndësishëm për ta jetuar me fe Jubileun. Ungjilltari na tregon se Jezusi, një të shtunë, u kthye në Nazaret dhe, siçe kishte zakon të bënte, hyri në Sinagogë. E thirrën të lexojë dhe të komentojë Shkrimin e shenjtë. Pjesa ishte ajo e Isaisë profet ku shkruan: «Shpirti i Zotit Hyj është mbi mua, sepse Zoti më shuguroi, më dërgoi t’u sjell të përvujturve lajme të gëzueshme, t’ishëroj ata që kanë zemrën e plasur, t’u shpall skllevërve lirinë, të burgosurve çlirimin; ta shpall vitin e hirit të Zotit» (Is61,1-2). “Vit hiri”: është kjo që kumtohet prej Zotit dhe që ne dëshirojmë ta jetojmë. Ky Vit i shenjtë sjell me vete pasurinë e misionit të Jezusit që rikumbon në fjalët e Profetit: t’u sjellë një fjalë dhe një gjest ngushëllimi të varfërve, t’u kumtojë lirinë të burgosurve të skllavërive të reja të shoqërisë moderne, t’ia rikthejë shikimin atij që nuk sheh, sepse është i mbyllur në vetvete, dhe dinjitetin të gjithë atyre që ua kanë hequr. Predikimi i Jezusit bëhet përsëri i dukshëm në përgjigjet e fesë që dëshmia e të krishterëve është e thirrur të bëjë. Na shoqërofshin fjalët e Apostullit: «kush bën vepra mëshire, le t’i bëjë me gëzim!» (Rom 12,8).

17. Kreshma e këtij Viti Jubilar u jetoftë më intensivisht si moment i fortë për të kremtuar dhe për të provuar mëshirën e Hyjit. Sa faqe të Shkrimit të shenjtë mund të meditohen në javët e Kreshmës për të rizbuluar fytyrën e mëshirshme të Atit! Me fjalët e Mikesë profet edhe ne mund të përsërisim: Ti, o Zot, je një Hyj që shlyen fajin dhe fal mëkatin, që nuk mban përgjithmonë hidhërimin, por kënaqesh duke përdorur mëshirën. Ti, Zot, do të kthehesh te ne dhe do të kesh mëshirë për popullin tënd. Do ti shkelësh fajet tona dhe t’i flakësh në fund të detit të gjitha mëkatet tona (khs. Mik 7,18-19).

Faqet e Isaisë profet mund të meditohen më konkretisht në këtë kohë lutjeje, agjërimi dhe dashurie: «Vallë, a s’është agjërimi që unë zgjodha: t’i këputësh verigat e padrejtësisë, t’i zgjidhësh leqet e zgjedhës, t’i lëshosh të lirë të ndrydhurit, të copëtosh çdo zgjedhë? A jo ta ndash bukën tënde me të uriturin, t’i shtiesh në shtëpinë tënde skamnorët e të pastrehët? Kur ta shohësh të zhveshurin, vishe dhe mos e përbuz farefisin tënd. Atëherë do të zbardhë porsi agimi drita jote, shërimi yt do të vijë më shpejt; para teje do të ecë drejtësia jote e do të të përcjellë lavdia e Zotit. Atëherë do të thërrasësh e Zoti do të të dëgjojë, do ta thërrasësh e ai do të përgjigjet: “Këtu jam!”. Nëse do ta zhdukësh prej mesit tënd zgjedhën, gishtin paditës dhe fjalën e keqe, nëse do t’ia japësh kafshatën tënde të uriturit, nëse do ta ngish të uriturin, atëherë në errësirë do të shndritë drita jote, terri yt do të jetë porsi mesdita. E Zoti do të të prijë gjithmonë, do të të ngijë në vende të thata. Ai do t’i forcojë eshtrat e tu, do të jesh porsi kopshti i ujitur, porsi burimi i ujërave të gjalla që kurrë s’i mungojnë ujërat» (Is 58,6-11).

Nisma “24 orë për Zotin”, për t’u kremtuar të premten dhe të shtunën që i paraprijnë të Dielës IV të Kreshmës, duhet t’u zhvillohet nëpër Dioqeza. Shumë persona janë duke iu riafruar sakramentit të Pajtimit dhe mes tyre shumë të rinj, që në këtë përvojë shpesh rigjejnë rrugën për t’u rikthyer kah Zoti, për të jetuar një moment lutjeje intensive dhe për të rizbuluar domethënien e jetës. Le të vendosim sërish në qendër me bindje sakramentin e Pajtimit, sepse mundëson të prekim me dorë madhësinë e mëshirës. Për çdo të penduar do të jetë burim i vërtetë paqejetë brendshme.

Nuk do të lodhem kurrë duke ngulur këmbë që rrëfyesit të jenë një shenjë e vërtetë e mëshirës së Atit. Rrëfyestar nuk mund të bëhemi aty për aty. Para së gjithash bëhemi të tillë kur ne të parët pendohemi dhe kërkojmë falje. Të mos harrojmë kurrë se të jemi rrëfyestar do të thotë të marrim pjesë në misionin e Jezusit dhe të jemi shenjë konkrete e vazhdimësisë së një dashurie hyjnore që fal dhe shpëton. Çdonjëri prej nesh ka marrë dhuratën e Shpirtit Shenjt për faljen e mëkateve, për këtë jemi përgjegjës. Askush prej nesh nuk është pronar i Sakramentit, por një shërbëtor besnik i faljes së Hyjit. Çdo rrëfyestar duhet t’i mirëpresë besimtarët si ati në shëmbëlltyrën e birit të humbur dhe të gjetur: një atë që vrapon drejt të birit pa marrë parasysh se ka shkapërderdhur të mirat e tij. Rrëfyestarët janë të thirrur ta shtrëngojnë atë bir të penduar, që rikthehet në shtëpi dhe të shprehin gëzimin e tyre që e kanë rigjetur atë. Nuk do të lodhen duke shkuar edhe drejt birit tjetër, që ka mbetur jashtë dhe është i paaftë për t’u gëzuar, për t’i shpjeguar se gjykimi i tij i ashpër është i padrejtë dhe nuk ka kuptim përpara mëshirës së Atit që nuk ka kufi. Nuk do të bëjnë pyetje të pavendta, por si ati i shëmbëlltyrës do ta lënë në gjysmë fjalimin e përgatitur për djaline humbur dhe të gjetur, sepse do të dinë të dallojnë në zemrën e çdo të penduari thirrjen për ndihmë dhe kërkesën për falje. Për më tepër, rrëfyestarët janë të thirrur që të jenë gjithmonë, kudo, në çdo situatë dhe pavarësisht të gjithave, shenja e parësisë së mëshirës.

18. Në Kreshmën e këtij Viti të shenjtë kam ndërmend të dërgoj Misionarët e Mëshirës. Do të jenë një shenjë e gatishmërisë amnore të Kishës për Popullin e Hyjit, që të hyjë thellë në pasurinë e këtij misteri kaq themelor për fenë. Do të jenë priftërinj, të cilëve do t’u jap autoritetin që të falin edhe mëkatet që u rezervohen vetëm Selisë Apostolike, me qëllim që të duhet e dukshme gjerësia e mandatit të tyre. Do të jenë, mbi të gjitha, shenjë e gjallë se si Ati i pranon të gjithë ata qëjanë në kërkim të faljes së tij. Do të jenë misionarë të mëshirës, sepse do të jenë tek të gjithë ndërtuestë një takimi plot njerëzi, burim lirimi, të pasur me përgjegjësi për të tejkaluar pengesat dhe për të rifilluar jetën e re të Pagëzimit. Në misionin e tyre do ta lënë veten të drejtohen nga fjalët e Apostullit: «Hyji i ka ndryrë të gjithë njerëzit në padëgjesë, për të qenë mëshirë për të gjithë» (Rom 11,32). Në fakt, të gjithë, pa përjashtuar askënd, janë të thirrur ta pranojnë ftesën për mëshirë. Misionarët e jetofshin këtë thirrje duke ditur se mund të ngulin shikimin e tyre në Jezusin, «Kryeprift i mëshirshëm dhe njëkohësisht besnik» (Heb 2,17).

U kërkoj vëllezërve Ipeshkvij që t’i ftojnë dhe t’i pranojnë këta Misionarë, me qëllim që të jenë para së gjithash predikues bindës të mëshirës. Të organizohen nëpër Dioqeza “misione për popullin”, në mënyrë që këta Misionarë të jenë kumtues të gëzimit të faljes. T’u kërkohet atyre që ta kremtojnë sakramentin e Pajtimit për popullin, me qëllim që koha e hirit dhuruar në Vitin Jubilar t’u mundësojë shumë bijve që janë larg të rigjejnë rrugën drejt shtëpisë atërore. Barinjtë, veçanërisht gjatë kohës së fortë të Kreshmës, të jenë të zellshëm për të rithirrur besimtarët të afrohen «fronit të hirit,që të fitojmë mëshirë dhe të gjejmë hir» (Heb 4,16).

19. Fjala e faljes arriftë te të gjithë dhe thirrja për të provuar mëshirën mos e lëntë askënd indiferent. Ftesa ime për kthim ju drejtohet edhe me më shumë këmbëngulje atyre personave që janë larg hirit të Hyjit për shkak të mënyrës së tyre të jetesës. Mendoj në mënyrë të veçantë për burrat dhe gratë që janë pjesë e ndonjë grupi kriminal, cilido qoftë ai. Për të mirën e tuaj, ju kërkoj të ndryshoni jetë. Po jua kërkoj në emër të Birit të Hyjit që, edhe duke luftuar mëkatin, nuk ka refuzuar kurrë asnjë mëkatar. Mos bini në kurthin e tmerrshëm sa të arrini të mendoni se jeta varet prej parasë dhe që përpara saj gjithçka tjetër s’ka vlerë dhe dinjitet. Është vetëm një iluzion. Pasurinë nuk do ta marrim me vete në jetën e përtejme. Paraja nuk na e jep lumturinë e vërtetë. Dhuna e ushtruar për të grumbulluar para, që pikojnë gjak nuk na bën të fuqishëm dhe as të pavdekshëm. Për të gjithë, herët a vonë, vjen gjykimi i Hyjit të cilit askush nuk mund t’i ikë.

E njëjta ftesë arriftë edhe personat që përkrahin ose bashkëpunojnë në korrupsion. Kjo plagë e kalbëzuar e shoqërisë është një mëkat i rëndë që gjëmon drejt qiellit, sepse minon që nga themeli jetën personale dhe shoqërore. Korrupsioni na pengon ta shikojmëtë ardhmen me shpresë, sepse me mujshinë dhe lakminë e vet i shkatërron projektet e të dobtëve dhe i shtyp më të varfrit. Është një e keqe që zë vend në gjestet e përditshme për t’u shtrirë pastaj në skandalet publike. Korrupsioni është një ngulmim në mëkat, që synon të zëvendësojë Hyjin me iluzionin e parasë si formë pushteti. Është një vepër e errësirës, e mbështetur prej dyshimit dhe intrigës. Corruptio optimi pessima, thoshte me arsye Shën Gregori i Madh, për të treguar që askush nuk mund të ndihet i përjashtuar prej këtij tundimi. Për ta çrrënjosur prej jetës personale dhe shoqërore janë të nevojshme maturia, vigjilenca, ndershmëria, transparenca, të bashkuara me guximin për të paditur. Nëse nuk luftohet haptazi, herët a vonë ai do tëna bëjë bashkëpunëtorë dhe do të na shkatërrojë jetën.

Ky është momenti i përshtatshëm për të ndryshuar jetën! Kjo është koha për t’u prekur në zemër. Para të keqes së bërë, edhe para krimeve të rënda, është momenti për të dëgjuar të qarat e personave të pafajshëm të plaçkitur nga të mirat, dinjiteti, afektet dhe nga vetë jeta. Të qëndrosh në rrugën e të keqes është vetëm burim iluzioni dhe trishtimi. Jeta e vërtetë është krejt tjetër gjë. Hyji nuk lodhet duke na e mbajtur dorën. Është gjithmonë i gatshëm për të na dëgjuar, e edhe unë jam, ashtu si vëllezërit e mi ipeshkvij dhe meshtarë. Mjafton vetëm të pranojmë ftesën për kthim dhe t’i nënshtrohemi drejtësisë, ndërsa Kisha dhuron mëshirën.

20. Nuk do të jetë e pa vend në këtë kontekst të kujtojmë marrëdhënien mes drejtësisë dhe mëshirës. Nuk janë dy aspekte në kundërshtim mes tyre, por dy përmasa të një realiteti të vetëm që zhvillohet në mënyrë progresive derisa arrin kulmin e vet në plotësinë e dashurisë. Drejtësia është një koncept themelor për shoqërinë civile kur, normalisht, i referohet një rendi juridik nëpërmjet të cilit zbatohet ligji. Me drejtësi kuptohet edhe se gjithkujt duhet t’i jepet ajo që duhet. Në Bibël, shumë herë i bëhet referim drejtësisë hyjnore dhe Hyjit si gjykatës. Aty nënkuptohet zakonisht si zbatim integral i Ligjit dhe sjellja e çdo izraeliti të mirë në përkim me urdhërimet e dhëna prej Hyjit. Ky vizion, prapëseprapë, ka çuar jo rrallëherë në rënien në legalizëm, duke mistifikuar kuptimin fillestar dhe duke errësuar vlerën e thellë që ka drejtësia. Për të tejkaluar perspektivën legaliste, do të duhej të kujtonim se në Shkrimin e shenjtë drejtësia është kuptuar thelbësisht si një lëshim plot besim në vullnesën e Hyjit.

Nga ana e tij, Jezusi shumë herë flet për rëndësinë e fesë, më shumë se sa për zbatimin e ligjit. Në këtë kuptim duhet t’i kuptojmë fjalët e tij kur, duke qenë në tryezë me Mateun dhe tregtarët e mëkatarët e tjerë, u thotë farisenjve që e sprovonin: «Shkoni e mësoni çka do të thotë: ‘Më pëlqen mëshira e jo flia!’ Sepse unë nuk erdha të ftoj të drejtët, por mëkatarët”». (Mt 9,13). Para vizionit të një drejtësie si thjeshtë zbatim i ligjit, që gjykon duke i ndarë personat në të drejtë dhe në mëkatarë, Jezusi synon të tregojë dhuratën e madhe të mëshirës, që i kërkon mëkatarët për t’u dhuruar atyre faljen dhe shpëtimin. Kuptohet se përse, për shkaktë këtij vizioni të tij kaq lirues dhe burim ripërtëritjeje, Jezusi nuk është pranuar prej farisenjve dhe doktorëve të ligjit. Këta për të qenë besnikë ndaj ligjit vendosnin vetëm pesha mbi shpatullat e personave, por duke e bërë të kotë mëshirën e Atit. Thirrja për ta zbatuar ligjin nuk mund ta pengojë vëmendjen për nevojat që prekin dinjitetin e personit.

Pjesa e Ozesë profetqë Jezusi citon – «dua dashurinë e jo flinë» (Oz 6,6) – është shumë domethënëse në lidhje me këtë. Jezusi pohon se tani e në vazhdim rregulla e jetës së nxënësve të vet duhet të jetë ajo që parasheh parësinë e mëshirës, siç e dëshmon edhe Ai vetë, duke ngrënë me mëkatarë. Mëshira, edhe njëherë, na zbulohet si përmasa themeloree misionit të Jezusit. Ajo është një sfidë e vërtetë përballë bashkëbiseduesve të vet, që ndaleshin në respektimin formaltë ligjit. Jezusi, përkundrazi, shkon përtej ligjit; bashkëndarja e tij me ata që ligji i mbante si mëkatarë tregon se deri ku arrin mëshira e tij.

Edhe Pali apostull e ka bërë një rrugëtim të tillë. Para se ta takonte Jezusin rrugës për në Damask, ai ishte i përkushtuar për të ndjekur në mënyrë të padiskutueshme drejtësinë e ligjit (khs. Fil 3,6). Kthimi kah Krishti bëri që ta përmbyste vizionin e vet, deri në atë pikë sa në Letrën drejtuar  Galatasve pohon: «Prandaj ne besuam në Jezu Krishtin, që ta fitojmë drejtësinë nga feja e Krishtit e jo nga veprat e Ligjit» (Gal 2,16). Kuptimi i tij i drejtësisë ndryshon thelbësisht. Tani Pali vë në vend të parë fenë e jo më ligjin. Nuk është zbatimi i ligjit që shpëton, por feja në Jezu Krishtin, që me vdekjen e ngjalljen e tij sjell shpëtimin me mëshirën që shfajëson. Drejtësia e Hyjit bëhet tani lirimi për ata që janë të shtypur prej skllavërisësë mëkatit dhe prej të gjitha rrjedhojave të tij. Drejtësia e Hyjit është falja e tij (khs. Ps 51,11-16).

21. Mëshira nuk është kundër drejtësisë, por shpreh sjelljen e Hyjit ndaj mëkatarit, duke i ofruar një mundësi tjetër për të shikuar veten, për t’u kthyer dhe për të besuar. Përvoja e Ozesë profet na ndihmon për të na treguar tejkalimin e drejtësisë me mëshirë. Epoka e këtij profeti është një ndër më dramatiket e historisë së popullit hebraik. Mbretëria është afër shkatërrimit; populli nuk i qëndroi besnik besëlidhjes, u largua prej Hyjit dhe humbi fenë e Etërve. Sipas një logjike njerëzore, është e drejtë që Hyji të mendojë të refuzojë popullin jobesnik: nuk e mbajti paktin e bërë dhe për këtë arsye meriton dënimin e duhur, domethënë mërgimin. Fjalët e profetit e vërtetojnë: «Të kthehet në dheun e Egjiptit, le t’i jetë Asuri mbret, sepse s’deshën kah unë të kthehen!» (Oz 11,5). E megjithatë, pas këtij reagimi që i referohet drejtësisë, profeti e ndryshon rrënjësisht gjuhën e vet dhe zbulon fytyrën e vërtetë të Hyjit: «Zemra ime në mua përmallohet, në brendinë time flakë është ndezur dhimbja. S’do ta shfryej zemërimin tim, s’do të kthehem ta shpërndaj Efraimin, sepse Hyj jam unë e jo njeri, Shenjti në mesin tënd, s’do të vij me tmerr» (Oz 11,8-9). Shën Agustini, gati si për të komentuar fjalët e profetit thotë: «Është më e lehtë që Hyji ta mbajë zemërimin e vet, sesa mëshirën»[14]. Është vërtet kështu. Zemërimi i Hyjit zgjat një çast, ndërsa mëshira e tij zgjat për amshim.

Nëse Hyji do të ndalej vetëm te drejtësia nuk do të ishte më Hyj, do të ishte si të gjithë njerëzit që kërkojnë respektimin e ligjit. Vetëm drejtësia nuk mjafton dhe përvoja na mëson se nëse i drejtohemi vetëm asaj rrezikojmë ta shkatërrojmë atë. Për këtë arsye Hyji shkon përtej drejtësisë me mëshirë dhe falje. Kjo nuk do të thotë ta zhvlerësojmë drejtësinë apo ta bëjmë si të panevojshme, përkundrazi. Kush gabon duhet të paguajë dënimin. Vetëm se ky nuk është qëllimi, por fillimi i kthimit, që të provohet butësia e faljes. Hyji nuk e refuzon drejtësinë. Ai e përfshin dhe e tejkalon në një ngjarje më të madhe ku provohet dashuria që është në themel të një drejtësie të vërtetë. Duhet t’i kushtojmë shumë vëmendje fjalëve të Palit, me qëllim që të mos biem në po atë gabim që Apostulli i qortonte bashkëkohësit Judenj: «duke mos e pranuar drejtësinë që vjen prej Hyjit e duke kërkuar të vendosin të vetën, nuk iu bindën drejtësisë së Hyjit. Sepse, ai që i dha fund Ligjit të Moisiut është Krishti ‑ për shenjtërimin e secilit që beson» (Rom 10,3-4). Kjo drejtësi e Hyjit është mëshira që u jepet të gjithëve si hirnë fuqi të vdekjes dhe ngjalljes së Jezu Krishtit. Pra, kryqi i Krishtit është gjykimi i Hyjit mbi të gjithë ne dhe mbi botën, sepse na jep sigurinë e dashurisë dhe të jetës së re.

22. Jubileu sjell me vete edhe referimin ndaj ndjesës. Në Vitin e shenjtë të Mëshirës ajo merr një rëndësi të veçantë. Falja e Hyjit për mëkatet tona nuk njeh kufi. Në vdekjen e ngjalljen e Jezu Krishtit, Hyji e bën të dukshëm këtë dashuri të tijën sa arrin të shkatërrojë mëkatin e njerëzve. Është e mundur të pajtohemi me Hyjin nëpërmjet misterit pashkor dhe ndërmjetësimit të Kishës. Pra, Hyji është gjithmonë i gatshëm për falje e nuk lodhet kurrë duke na e dhënë atë në mënyrë gjithmonë të re dhe të papritur. Megjithatë, ne të gjithë, bëjmë përvojën e mëkatit. E dimë se jemi të ftuar për të qenë të përkryer (khs. Mt 5,48), por e ndiejmë shumë peshën e mëkatit. Ndërsa e perceptojmë fuqinë e hirit që na shndërron, e provojmë edhe forcën e mëkatit që na kushtëzon. Pavarësisht faljes, në jetën tonë mbartim kontradiktat që janë pasojë e mëkateve tona. Në sakramentin e Pajtimit Hyji i fal mëkatet, që me të vërtetë janë shlyer; e megjithatë, gjurma negative që mëkatet tona kanë lënë në sjelljet tona dhe në mendimet tona mbetet. Por mëshira e Hyjit është më e fortë edhe se kjo. Ajo bëhet ndjesë e Atit, qënëpërmjet Nuses së Krishtit e arrin mëkatarin e falur dhe e liron prej çdo mbetjeje të pasojës së mëkatit, duke e aftësuar të veprojë me dashuri, që të rritet në dashuri më tepër sesa të bjerë sërish në mëkat.

Kisha e jeton bashkësinë e Shenjtërve. Në Eukaristi ky bashkim, që është dhuratë e Hyjit, jetohet si bashkim shpirtëror që na lidh ne besimtarët me Shenjtërit dhe të Lumët, numri i të cilëve është i pafund (khs. Zb 7,4). Shenjtëria e tyre i vjen në ndihmë brishtësisë sonë, e kështu Kisha Nënë është e aftë me lutjen dhe jetën e vet t’ii vijë në ndihmë dobësisë së disave me shenjtërinë e të tjerëve. Pra, të jetosh ndjesën në Vitin e shenjtë do të thotë t’i afrohesh mëshirës së Atit me sigurinë se falja e tij i shtrihet krejt jetës së besimtarit. Ndjesë do të thotë të provosh shenjtërinë e Kishës që merr pjesë në të gjitha përfitimet e shëlbimit të Krishtit, me qëllim që falja të shtrihet deri në pasojat më ekstreme ku arrin dashuria e Hyjit. E jetofshim intensivisht Jubileun duke i kërkuar Atit faljen mëkateve dhe shtrirjen e ndjesës së tij të mëshirshme.

23. Mëshira ka një vlerë që shkon përtej kufijve të Kishës. Ajo na bashkon me Hebraizmin dhe me Islamin, që e mbajnë si një ndër atributet më cilësore të Hyjit. Izraeli i pari e pranoi këtë zbulim, që mbetet në histori si fillimi i një pasurie të pakrahasueshme për t’ia dhuruar mbarë njerëzimit. Siç kemi parë, faqet e Besëlidhjes së Vjetër janë plot me mëshirë, sepse tregojnë veprat që Zoti ka bërë për të mirën e popullit të vet në momentet më të vështira të historisë së tij. Islami, nga ana tjetër, ndër emrat që i atribuon Krijuesit vë ato si Mëshirues e Mirëbërës. Kjo lutje shpesh është në buzët e besimtarëve myslimanë, që ndihen të shoqëruar dhe të mbështetur prej mëshirës në dobësinë e tyre të përditshme. Edhe ata besojnë se askush nuk mund ta kufizojë mëshirën hyjnore, sepse dyert e tij janë gjithmonë të hapura.

Ky Vit Jubilar i jetuar në mëshirë favorizoftë takimin me këto religjione e me traditat e tjera fisnike religjioze; na bëftë më të hapur ndaj dialogut për të njohur dhe për të kuptuar më mirë njëri-tjetrin; eliminoftë çdo lloj mbylljeje e përçmimi dhe përjashtoftë çdo lloj dhune e diskriminimi.

24. Tani mendimi shkon te Nëna e Mëshirës. Ëmbëlsia e shikimit të saj na shoqëroftë këtë Vit të shenjtë, me qëllim që të gjithë të rizbulojmë gëzimin e butësisë së Hyjit. Askush si Maria nuk e ka njohur thellësinë e misterit të Hyjit bërë njeri. Gjithçka në jetën e saj është plazmuar prej pranisësë mëshirës bërë mish. Nëna e të Kryqëzuarit të Ngjallur ka hyrë në shenjtëroren e mëshirës hyjnore, sepse ka marrë pjesë ngushtësisht në misterin e dashurisë së tij.

E zgjedhur për të qenë Nëna e Birit të Hyjit, Maria prej amshimit është përgatitur prej dashurisësë Atit për të qenë Arkë e Besëlidhjes mes Hyjit dhe njerëzve. Ka ruajtur në zemrën e vet mëshirën hyjnore në harmoni të plotë me Birin e saj Jezus. Kënga e saj e lavdit, në pragun e shtëpisë së Elizabetës, i qe kushtuar mëshirës që shtrihet «brezni më brezni» (Lk 1,50). Edhe ne ishim të pranishëm në ato fjalë profetike të Virgjërës Mari. Kjo do të jetë ngushëllim dhe mbështetje, ndërsa do të kalojmë Derën e shenjtë për të provuar frytet e mëshirës hyjnore.

Pranë kryqit, Maria së bashku me Gjonin, nxënësin e dashurisë, është dëshmitare e fjalëve të faljes që dalin prej gojës së Jezusit. Falja më e madhe dhënë atyre që e kanë kryqëzuar na tregon se deri ku mund të arrijë mëshira e Hyjit. Maria vërteton që mëshira e Birit të Hyjit nuk njeh kufij dhe i mbërrin të gjithë pa përjashtuar askënd. Le t’ia drejtojmë asaj lutjen e vjetër dhe gjithmonë të re Të Falemi Mbretëresha, me qëllim që të mos lodhet kurrë të sjellë drejt nesh sytë e saj të mëshirshëm dhe të na bëjë të denjë të sodisim fytyrën e mëshirës, Birin e saj Jezusin.

Lutja jonë iu shtriftë edhe Shenjtërve dhe të Lumëve të shumtë, që e kanë bërë mëshirën misionin e tyre të jetës. Në veçanti, mendimi i drejtohet apostullessë madhe të mëshirës, Shenjtes Faustina Kowalska. Ajo, që qe thirrur për të hyrë në thellësitë e mëshirës hyjnore, ndërmjetësoftë për ne dhe na bëftë të jetojmë dhe të ecim gjithmonë në faljen e Hyjit dhe besimin e patundur në dashurinë e tij.

25. Pra, një Vit i jashtëzakonshëmi shenjtë për të jetuar në jetën e çdo dite mëshirën që prej amshimit Ati tregon ndaj nesh. Në këtë Jubile le ta lëmë veten të befasohemi prej Hyjit. Ai kurrë nuk lodhet duke na hapur derën e zemrës së tij për të përsëritur që na do dhe dëshiron ta bashkëndajë me ne jetën e vet. Kisha e ndien shumë fort urgjencën për të kumtuar mëshirën e Hyjit. Jeta e saj është autentike dhe e besueshme kur e bën mëshirën kumtimin e saj të bindur. Ajo e di se detyra e saj e parë, sidomos në një moment si ky i yni plot me shpresa të mëdha dhe kundërshtime të forta, është ai që t’i fusë të gjithë në misterin e madh të mëshirës së Hyjit, duke soditur fytyrën e Krishtit. Kisha është thirrur që të jetë dëshmitarja e parë e vërtetë e mëshirës duke e shpallur dhe duke e jetuar si qendër të Zbulimit të Jezu Krishtit. Prej zemrës së Trinisë, prej thellësisë më të thellë të misterit të Hyjit, gufoftë dhe rrjedhtë pa pushim lumi i madh i mëshirës. Ky burim kurrë nuk mund të soset, për të gjithë ata që i afrohen. Çdo herë që çdokush do të ketë nevojë, mund ta ketë atë, sepse mëshira e Hyjit është e pakufi. Sa më e papërshkueshme është thellësia e misterit që përmban, aq më e pashtershme është pasuria që vjen prej saj.

Në këtë Vit Jubilar Kisha u bëftë jehonë e Fjalës së Hyjit, që ushton fuqishëm dhe bindshëm si një fjalë dhe një gjest i faljes, i mbështetjes, i ndihmës, i dashurisë. Mos u lodhtë kurrë së dhuruari mëshirë dhe qoftë gjithmonë e durueshme në ngushëllim dhe falje. Kisha u bëftë zëri i çdo burri dhe gruaje dhe përsëristë me besim dhe pa pushim: «Të të bien në mend mëshirat e tua, o Zot, dhe dashuria jote që është e amshueshme» (Ps 25,6).

Dhënë në Romë, në Shën Pjetër, më11 prill, me rastin e Vigjiljes së të Dielës II të Pashkës ose të Mëshirës Hyjnore, në Vitin e Zotit 2015, i treti i pontifikatit.

Papa Françesku

Përktheu: Kolë Dedaj & Driton Simoni

Korrektoi: Loreta Tomaj

____________________________________

[1]Në disa raste citimet biblike nuk përputhen me atë të Simon Filipajt, sepse Papa përdor versionin italian të Biblës së Jerusalemit.

[2]Khs. Konc. Ekum. Vat. II, Kusht. Dogm. Dei Verbum, 4.

[3] Fjalimi i hapjes së Koncilit II Ekumenik të Vatikanit, Gaudet Mater Ecclesia, 11 tetor, 1962, 2-3.

[4] Fjalimi në seksionin e fundit publik, 7 dhjetor 1965.

[5] Khs. Konc. Ekum. Vat. II, Kusht. Dogm, Lumen Gentium, 16; Kusht. Barit. Gaudium et Spes, 15.

[6] Toma i Akuinit, Summa Theologiae, II-II, q.30, a. 4.

[7]XXVI E diela e Kohës gjatë Vitit. Kjo kolektë sfahqet qysh në shek. VIII, në tekstet eukologjike të Sacramentario Gelasiano (1198).

[8]Khs. Om. 21: CCL 122, 149-151.

[9]Nxit. ap. Evangelii gaudium, 24.

[10]Nr. 2.

[11]Gjon Pali II, Let. Enc. Dives in misericordia, 15.

[12]Po aty, 13

[13]Parole di luce e di amore, 57.

[14]Enarr. In Ps. 76,11.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »