NJË POEZI PËR FRANÇESK DURRËSAKUN NGA SHEK. XIII
Shkruan: Engjëll SEDAJ
Me ty do të gëzohet toka e Durrësit
edhe do t’i sjellë sipër yjeve zërat tingëllues
që aq fort t’i ka ofruar ty edhe yllësia e
Olimpit t’ tundur.
Shënim hyrës
Të gjitha informatat për Françesk Durrësakun dhe poezinë e kënduar për nder të tij nga poeti italian Lorenco Korado (Lorenzo Corrado, 1600 – 1678) i kemi nga libri (italisht) i Paskual (Pasquale) Spina me titull Frate Francesco da Durrazzo “Il Beato” (Caritas Diocesana, Oria, 1995).
Në këtë libër, të ilustruar në ballinë me portretin e B. Franciscus Dyrrhachinus, përveç një parathënie të shkruar nga ipeshkvi i Orias, Armando Franko, dhe të një hyrjeje nga Fernando Maçino, të cilët falënderojnë këtë autor italian që nxori nga harresa “këtë bir të shqiponjave”, është paraqitur në një mënyrë studimore historiku i shkurtër i këtij françeskani konventual i beatifikuar dhe është botuar poezia në gjuhën latine[1] me titull:
De Divo Francesco Dyrrachino Conf. Hymnus,
që do të thotë:
Himni mbi dëshmorin Françesk Durrësakun hyjnor.
Kjo histori e shkurtër e një personaliteti të dëshmuar shqiptar nga shek. XIII (mendohet të ketë vdekur në vitin 1305) nuk shfaqet vetëm nga poezia e gjatë 15 strofa safike, d. m. th. prej 60 vargjesh, por edhe nga të dhëna të tjera të shumta që janë ruajtur në kuvendin e Orias, ku ai kishte shërbyer dhe nëpër arkiva e vende të tjera, ku kishte lënë gjurmë të pashlyeshme të jetës shenjtërore të tij. Kjo histori bazohet në kultin e kësaj figure, që iu kanë ruajtur edhe reliktet (eshtrat) në relikuarin e argjendtë të kishës së shën Françeskut të Asizit në Oria, si bashkëpunëtor i këtij shenjti të madh dhe mbase bashkëthemelues i rendit të tij më të përhapur edhe te shqiptarët në të gjitha kohët.
Ruajtja e relikteve është dëshmia më e mirë e traditës stabile e shenjtërisë së tij që nga koha sa ishte gjallë, si një bazament i sigurt për të vazhduar dhe kultivuar figurën e shëmbëlltyrës së jetës së përsosur. Më sa dihet këto relikte dhe disa të dhëna të tjera dokumentare për një personalitet shqiptar janë më të vjetra që kemi dhe tërthorazi kësaj figure shfaqen marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe italianëve, e në mënyrë të veçantë paraqitet vendlindja e Françeskut, Durrësi, si qytet i hapur që pranon dhe jep vlera më të larta kulturore.
Në këtë mënyrë, mund të thuhet se gjendemi para disa momenteve të historisë së largët të shqiptarëve që zgjojnë interesimin e shtuar të së kaluarës sonë, sidomos nga aspekti i përhapjes së vlerave shqiptare në Itali dhe në pjesët veriperëndimore të Evropës Juglindore, në Dalmaci, Bosnjë etj. Dihet se papa Bonifaci IX (1389-1404), me vendimin e tij të datës 13.XII. 1402, kishte bashkuar kuvendet shqiptare të Shkodrës, Tivarit dhe Ulqinit në Kustodinë e Durrësit, ngase pikërisht Durrësi kishte dhënë disa emra françeskanësh shumë të njohur dhe të nderuar për nga shenjtëria, siç ishin i lumturi Filipi (1309), i lumturi Adami (shek. XIV), i lumturi Gjon Biuka (1345), i lumturi Andreu, i lumturi Pjetri (1477) etj.[2] Mirëpo, të gjithë këtyre emrave të françeskanëve të beatifikuar shqiptarë u prinë pikërisht Françesk Durrësaku, kurse nga fakti se nga këta emra, që janë ruajtur mbase duke falënderuar më së tepërmi beatifikimit të tyre, mund të mendohet lirisht se në këtë kohë ky rend do të ketë qenë shumë i përhapur, sa që qysh më 13. II. 1258, papa Aleksandri IV, kishte urdhëruar argjipeshkvin e Tivarit për mbrojtjen e tyre.
Nga jeta e Françesk Durrësakut
Të dhënat biografike më të hershme të Françesk Durrësakut lidhen me datën e themelimit të kuvendit françeskan në Oria rreth viti 1258, nga koha kur këtë kuvend e kishte themeluar vetë Shën Françesku i Asizit dhe kishte lënë Durrësakun tonë aty, kështu që edhe mund të mendohet se më parë ai kishte themeluar kuvendet në Lezhë (1240) dhe në Durrës dhe, duke ia besuar këtij Durrësaku të dalluar, punën e mëtutjeshme të misionit të tij në Durrës, ai do të ketë vazhduar punën edhe në Oria të Puljes në Itali.
Sot është pothuajse e pakontestueshme se vetë shën Françesku i Asizit, duke u kthyer nga Siria në Itali, ka ndaluar për një kohë të shkurtër në Lezhë dhe aty ka themeluar rendin e tij, kurse rrugëtimi i mëtutjeshëm nëpër Durrës, do të ketë qenë e vetmja portë për të kaluar detin. Për një qendrim më të gjatë të shën Françeskut të Asizit në Durrës vetëm mund të supozohet, sepse kjo “Romë e dytë” në këtë kohë kishte edhe Universitetin e vet, të themeluar në vitin 1224, si një “Studium generale” me nëntë magjistër dhe nja 100 studentë.[3]
Është koha e aktiviteteve të mëdha të rendeve më të përhapura të kohës, të françeskanëve (në themelim) dhe të dominikanëve, që kishin hapur Universitetin e Durrësit. Siç dihet, këto dy rende plotësonin njëritjetrin nga fushëveprimet e tyre mjaft të gjera, dominikanët me punë të shkollimit dhe të dijes, kurse françeskanët me punë humanitare dhe bamirëse dhe, në këtë mënyrë, këto dy rende po i zëvendësonin benediktinët e palodhshëm të mesjetës së gjatë.
Sidoqoftë, bashkëpunimi i Françesk Durrësakut me shën Françeskun e Asizit dhe pjesëmarrja e tij në atë lëvizje më të madhe fetare dhe shoqërore të atij shekulli në Evropë është e pamohueshme dhe paraqet një faqe të ndritshme të historisë shqiptare, sidomos vështruar nga aspekti i themelimit të rendit të françeskanëve ndër shqiptarë.[4] I pamohueshëm do të jetë edhe fakti se rendi i françeskanëve në Shqipëri do të jetë themeluar në gjysmën e parë të shekullit XIII, dhe se mbishkrimi nga porta perëndimore e kishës së Shën Ndout në Lezhë (Hoc templum fratrum minorum aedificatum est anno MCC40)[5] nuk do të jetë i vonë ose edhe nëse është i mëvonshëm se kjo datë (1240), përmbajtja e datës së mbishkrimit nuk do të vihet në dyshim.
Disa momente karakteristike të veprimtarisë së françeskanëve në Lezhë dhe në Durrës mund të kuptohen nga poezia dhe në përgjithësi nga formimi i Françeskut në Durrës, duke qenë bartës kryesor i përhapjes së porosisë së madhe të idesë françeskane, të pendesës dhe të dashurisë njerëzore, pikërisht në këtë pjesë të Italisë, e cila në krahasim me qendrën e madhe kulturore (dhe universitare) të Durrësit, paraqet vend misionarik, ku zhvillojnë veprimtarinë e tyre edhe shqiptarët. Këtë kooperativitet të harmonishëm ata e zhvillojnë në kohën kur edhe gjuha (latine) ishte e përbashkët.[6]
Në “Catalogus Sanctorum Fratrum Minorum” nga viti 1335, për Françesk Durrësakun, ndërmjet tjerash, shkruan se “për shtatë vjet nuk hëngri bukë”, duke veçuar edhe si “të famshëm për mrekullitë e bëra”. Këtë të dhënë biografike poeti e ka thënë gjithashtu në një mënyrë të ngjashme se “septenos olus esse tantum eligit annos”, d. m. th. shtatë vjet ka jetuar vetëm nga barishtet.
Veprimtaria e këtij Durrësaku të devotshëm, i cili kishte bërë mrekullira gjatë jetës së tij, do të ketë qenë tepër e madhe dhe e pëlqyeshme, që më vonë, gjatë shekujve, t’i shkruheshin disa biografi, duke ruajtur një traditë mjaft stabile dhe të plotë. Këtë moment duhet pasur parasysh vazhdimisht, sepse kulti i këtij françeskani do të ketë qenë shumë i madh dhe i përhapur për t’u shpallur edhe zyrtarisht Beatus, d. m. th. i Lumtur, që është shkalla e parë drejt beatifikimit dhe kanonizimit të plotë për shenjt dhe ky beatifikim, më sa dihet, do të jetë i pari në historinë e kishës shqiptare.
Njëri prej autorëve të cituar në librin e P. Spina, i quajtur D. T. Albanese, në monografinë e tij me titull “Historia dell’ antichita’ di Oria” (Historia e lashtësive të Orias), (dorëshkrim) shkruan se tradita kishte ruajtur të plotë figurën e këtij durrësaku që madje t’i këndoheshin këngë dhe ato të ruheshin e të gdhendeshin në lapidarin e kishës, bashkë me portretin e tij në disa poza.
Disa vlera tekstore dhe letrare të himnit
Edhe nga poezia në fjalë kuptohet se vendlindja e tij ishte “Dyrrachi tellus” (Toka e Durrësit), nga e cila kishte ardhur në Oria të Puljes, “patrios fines fugiens” (duke lënë vendet atdhetare) dhe aty ai “fitoi shpërblimin e jetës”.
Ky shpërblim i jetës ishte vërtet i madh, ndoshta më i madhi për kohën e tij dhe për gjithë kohën e mesjetës, që është ajo shenjtëri e cila mund të krahasohet me “heroizmin” e kohës antike. Heroi i antikës dhe shenjti i mesjetës janë modele të jetës së përsosur dhe shëmbëlltyra të virtyteve të larta njerëzore, që duhet përfillur. Sidoqoftë, ky personalitet zgjon interesim të madh jo vetëm pse na lidh me një kohë më të lashtë shqiptare të trevës së Durrësit, por edhe si shembëlltyrë e virtyteve njerëzore, duke lënë gjurmë në historinë e vendit dhe të kohës dhe këto elemente i gjejmë pikërisht në këtë poezi.
Prandaj kësaj radhe po ia kushtojmë vëmendjen vetëm tekstit të kësaj poezie, si në gjuhën latine, ashtu edhe të përkthyer në gjuhën shqipe.
Para së gjithash, nga titulli i saj mund të veçohet fjala (de) Divo, si term tipik i poezisë latine i kohës klasike (antike) me kuptim të atyre hyjnorëve, siç ishin edhe perandorët romakë (divus Augustus), e jo gjithaq i shenjtërorëve (paleo)kristianë. Ndonëse divus (divo) ose dius, mund të ketë kuptimin e emrit si një sinonim i deus, në perqasje me fjalën greke dios – zot, perëndi, këtu poeti i frymëzuar këtë “dëshmor” (lat. conf.) e parafytyron si njeri të qiellit, pra, hyjnor. Këtu qëndron edhe arsyeja kryesore që t’i këndohet himnit, madje në strofën safike, që gjithashtu do të thotë të kompozohet dhe të këndohet më zë.
De Divo Francisco Durrachino Conf. Hymnus
Ecce iam lucis referatur ortus,
Quae solum lustrans revehit Beati
Sacra Francisci celebranda; felix
Uria gaude.
Gaudeat tecum, liquidasque tollat
Durrachi tellus super astra voces,
Quae tibi tantum tulit, et corusco
Sidus Olimpo.
Respuit mundum puer, atque Divi
Claustra Francisci coluit, sequutus
Nomen et vitam, foret ut Magistri
Totus imago.
Patrios fines fugiens, anhelus
Uriam venit, propriamque sedem
legit: hic vixit; tulic hic peractae
Praemia vitae.
Horrido cultu, tenuique victu
Membra Franciscus domuit perenne;
Et vigil fletu, precibus, labore
Verbere torsit.
Solus est panis cibus, unda potus;
Sic pius vires reficit labantes
Inde septenos olus esse tantum
Eligit annos.
Pauper ac celebs, humilique clarus
Corde, fit vilis sociis minister;
Hinc Deo et terris fmulans refulget
Celsior astris.
Sacra dum fiunt, parat esculenta:
Pronus ad signum, Dominum videre
Flagrat; en trinus paries fatiscit:
Cernit adorat.
Invidus tantae pietatis audax
Daemon insultat dapibus paratis;
Spargit, effundit, rapit in remotas
Impete partes.
Quid furis, tetri barathri satelles?
Cernis ut plenis epulas canistris
Deferunt vultu iuvenes micantes,
Aetere missi?
Comprimit gressus equus, ut Beati
Ossa maxillae recipit vehenda;
Bis ruit praeceps; viget, ut levatur
Pondere sacro.
Denegat fructus sitibunda tellus;
Corpus effertur, populo precante;
Nubibus coelum tegitur, vocatus
Decidit imber.
O decus coeli, columenque nostrum!
Quis tibi pleno feret ore carmen
Laudis? ex alta chorus Angelorum
Concinat aula?
Nos, opem dextrae meritis onustae
Rebus adversis tribuas, precamur:
Quo tibi dignas referamus omni
Tempore grates.
Annuat nobis Genitor, quod ore
Poscimus, Natus, pariterque Sanctus
Spiritus firment, quibus una tribus
Aequa potestas. Amen.
HIMNI MBI DËSHMORIN FRANÇESK DURRËSAKUN HYJNOR
Ja po zbardh drita e mëngjesit
që nga rrezatimi i saj për të Lumturin Françesk
po sjell lavdin e madh, gëzohu
Oria fatlume!
Me ty do të gëzohet toka e Durrësit
edhe do t’i sjellë sipër yjeve zërat tingëllues
që aq fort t’i ka ofruar ty dhe yllësia e
Olimpit t’ tundur.
Djaloshi e braktisi botën, e kultivoi kuvendin
e Françeskut hyjnor, me emër dhe jetë
i udhëhequr, gjithë figura e tij do të jetë
e Mësuesit.[7]
Duke lënë atdheun, i lodhur ai erdhi
në Oria dhe zuri këtu vendin e vet;
këtu jetoi, këtu e fitoi shpërblimin e
jetës së kaluar.
Me shumë zell dhe me pak ushqim i ka zbutur
Françesku prore gjymtyrët e trupit; me pak gjumë,
me uratë, me punë të rëndë dhe rrahje ato
shumë i mundonte.
Ushqim i vetëm i tij ishte buka dhe pija ishte uji,
kështu i përtërinte butësisht fuqitë e lëkundura.
Pastaj shtatë vjet kishte shkulur me dëshirë
shumë barishte.
I varfër, por dinjitoz, me zemër të pastër
e të përvuajtur është bërë shërbëtor i lirë për shokët;
duke i shërbyer Zotit dhe njerëzve po shndrit
më tepër se yjet.
Gjatë meshës kur ostien po përgatiste
i përkulur para kryqit, ndizej për ta parë
Hyjin dhe në tresh atëherë muri çilej, n’mendime
ai adhuronte.
Djalli ziliqar i zemëruar nga butësia e madhe e tij
dëfrehej në gostira të përgatitura,
fuqishëm, shpartallonte, rrëmbente në
vende t’ largëta.
Çka dëshiron cubi i humnerës s’ keqe?
që me të rinjtë e shkëlqyer, me shporta
të shtrira plot, po përgatit gostinë me
pamje të jashtme?
Tani ndalet hapi i shenjtë që t’ i bartë
eshtrat e nofullës së të Lumturit, sepse
dy herë gabon më i miri; shtrëngohet, me peshën e
shenjtit prap’ çohet.
Kur toka nuk do ta ushqejë frytin,
trupi yt bartet nga lutjet e popullit
i futur nga qielli, i mbuluar me re
për të lëshuar shi.
O lulja e qiellit, mbrojtja jonë!
Kush do të jetë i denjë të këndojë këngën
me plot gojën? Mbase atje prej së larti kori i
engjëjve këndon?
Në fatkeqësitë e rënda të kësaj bote
do ta lusim ndihmën tënde të fuqishme
dhe falënderimet tona do t’i drejtojmë
gjithmon’ e jetës.
E pranoftë Zoti atë që po lusim me gojë,
i Linduri dhe Shpirti i Shenjti e fuqizoftë,
si një fuqi e barabartë që është
në të tria vetat. Amen!
(Përkth. E. Sedaj)
_____________________________________
[1] Poezia është botuar edhe në gjuhën italiane në përkthimin gjithashtu “in saffica anarima” (d. m. th. në strofën safike) nga Mario Bellini.
[2] Më gjerësisht: Dr. fra Vinko Malaj, Apostolsko i kulturno djelovanje franjevaca medju vjernicima albanskog naroda, te: “Kacic” XIV, Split, 1982, pp. 223-255; Zef Mirdita, Krishtenizmi te shqiptarët, Prizren-Zagreb, 1998, p. 262.
[3] Dr. P. Vinçenc Malaj, Kontribut i klerit katolik shkrimeve shqipe, te: “Meshari i Gjon Buzukut – monument i kulturës shqiptare (1555-1995)”, Ulqin, 1995, p. 181.
[4] Sa për krahasim këtu po përmendim se në Tubimin Shkencor me titull, “Sedam stoljeca bosanskih franjevaca”, të mbajtur në Sarajevë (maj 1991), ku ishte i pranishëm edhe autori i këtyre rreshtave, u shfaq mendimi se te shqiptarët ky rend është themeluar nja 60 vjet më parë se te boshnjakët. (Khs. Znanstveni skup “Sedam stoljeca bosanskih franjevaca”, Zbornik radova, Samobor, 1994)
[5] Khs. Theofan Popa, Mbishkrime të kishave në Shqipëri, ASHSH, Tiranë, 1998, f. 329.
[6] Pak më vonë, në kohën e Dante Aligierit (1265-1321), i cili edhe e kishtë shkruar trajtesën De vulgari eleoquentia (Për gjuhën e popullit), fillon të kultivohet gjuha italiane, kurse gramatika e parë e kësaj gjuhe është (e autorit Leo Battista Alberti) nga shek. XV.
[7] Këtu është fjala për shën Françeskun e Asizit, që ishte Mësuesi i Françesk Durrësakut.
« NJË VIT I KUSHTUAR FYTYRËS SË MËSHIRSHME TË ZOTIT SENDËRTIM STUDIMOR GJITHËPËRFSHIRËS »