E DIELA E XIII GJATË VITIT (B)

Jun 26 • LEXIMET E SË DIELËS

Leximi parë (Urt 1,13-15;223-24)

Lexim prej Librit të Urtisë

Hyji nuk e krijoi vdekjen dhe nuk i gëzohet bjerrjes së të gjallëve. Sepse ai gjithçka krijoi që të jetojë; dhe, në botë, breznitë janë shpëtimprurëse dhe në to nuk ka vrer shkatërrues dhe nëntoka nuk e sundon tokën: sepse drejtësia është e pavdekshme.  E pra Hyji e krijoi njeriun që të mos prishet dhe e bëri atë shëmbëllesë të përngjasimit të vet; por, prej smirës së djallit, vdekja hyri në botë dhe do ta shijojnë ata që i përkasin atij.

Fjala e Zotit

Psalmi 30 (29) 

 

Ref. Të madhëroj, o Zot, pse më shpëtove

—————————————————-

O Zot, Hyji im, unë të thirra

e ti më shërove,

ti, o Zot, ma nxore shpirtin nga nëntoka,

më ktheve në jetë që të mos zbres në varr.

—————————————————-

Këndoni Zotit ju, o besimtarët e tij,

falënderojeni Emrin e shenjtë të tij!

Sepse një çast zgjat hidhërimi i tij,

e tërë jetën dashamirësia e tij!

Mbrëmja vjen me lot, e mëngjesi plot hare!

——————————————————

Më dëgjoi Zoti e pati mëshirë për mua,

Zoti u bë ndihmëtari im.

Ti vajin ma ktheve në valle,

ma zhgjeshe grathoren time e më ngjeshe me hare. 

O Zot, Hyji im, do të të lavdëroj për amshim!”

—————————————————–

  

Leximi dytë 2 Kor 8,7.9.13-15

Lexim prej Letrës së dytë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve

Vëllezër, sikurse edhe në çdo gjë tjetër, dalloheni në shenjë – në fe, në fjalë, në dije e në çdo kujdes, në dashurinë tuaj ndaj neve – veçohuni edhe në këtë bujari!

Sepse, ju e njihni bujarinë e Zotit tonë Jezu Krishtit, i cili, duke qenë i pasur, u bë për ju i varfër, që ju të bëheni të pasur me anë të varfërisë së tij. Porse, merret vesh se jo ju të ngushtoheni e tjerëve t’u lehtësohet, por – për një lloj barazimi. Në këtë rast – çka ju keni më tepër, të plotësojë sa atyre u mungon, kështu që, një ditë, teprica e tyre ta plotësojë mungesën tuaj – që të bëhet barazi, siç thotë Shkrimi shenjt: ‘Asgjë nuk i teproi atij që mblodhi shumë, dhe asgjë nuk i mungoi atij që mblodhi pak.’

Fjala e Zotit

Aleluja!

Fjalët tua, o Zot, janë shpirt dhe jetë

Ti ke fjalët e jetës së pasosur.

Aleluja!

Ungjilli  Mk 5, 21-43

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut

Në atë kohë, kur Jezusi përsëri kaloi me barkë në anën tjetër, ngarendi tek ai turmë e madhe populli. Ai zuri vend në breg të detit. Erdhi një nga kryetarët e sinagogës, që quhej Jair; e, kur e pa, ra në gjunjë para tij dhe i lutej shumë: “E kam vajzën në fill të vdekjes! Eja, vëri duart mbi të që të shërohet e të jetojë!” Jezusi shkoi me të.

Një grua ishte e sëmurë dymbëdhjetë vjet nga derdhja e gjakut. Hoqi shumë keq ndër mjekë të ndryshëm e shpenzoi gjithçka pati pa farë dobie, ishte edhe më keq. Ajo kishte dëgjuar për Jezusin, hyri në turmë e, pas shpinës, ia preku petkun Jezusit. I thoshte mendja: “Nëse ia prek vetëm petkat, do të shërohem.” Aty për aty iu ndal gjaku e në trupin e vet ndjeu se u shërua nga sëmundja.   Jezusi përnjëherë e ndjeu në vete fuqinë që shpërtheu prej tij, u soll në midis të turmës e tha: “Kush m’i preku petkat?” Nxënësit e tij i përgjigjën: “Po a s’e sheh popullin si të furet në katër anët e thua: ‘Kush më preku’!” Ai i rrethoi me sy për të parë atë që e kishte prekur. Gruaja, plot frikë e tmerr, sepse e dinte se ç’i ngjau, u afrua, ra para tij dhe tregoi tërë të vërtetën. Ai i tha: “Bijë, feja jote të shpëtoi! Shko në paqe! Dhe ji e shëruar nga sëmundja jote!” 

Ndërsa Jezusi ende po fliste, erdhën prej të shtëpisë së kryetarit të sinagogës dhe i thanë: “Vajza jote vdiq. Pse ta trazosh më Mësuesin?” Kur Jezusi dëgjoi ç’thanë, i tha kryetarit të sinagogës: “Mos ki frikë! Vetëm ti beso!” Jezusi nuk lejoi ta përcjellë askush tjetër, përveç Pjetrit, Jakobit e Gjonit, vëllait të Jakobit. Arritën të shtëpia e kryetarit të sinagogës. Jezusi vuri re një pështjellim të madh e njerëz që qanin e vajtonin me zë të madh. Hyri dhe u tha: “Pse bërtitni e vajtoni? Fëmija nuk ka vdekur, por fle.” Ata e përqeshën.

Jezusi atëherë i qiti përjashta të gjithë. Me vete mori të atin e t’ëmën e fëmijës e përcjellësit e vet dhe hyri atje, ku ishte fëmija. E kapi fëmijën për dore e i tha: “Talitha kum!” që do të thotë: “Vajzë, unë po të them: çohu!” Vajza aty për aty u ngrit e nisi të ecë. Ishte dymbëdhjetë vjeçe. Të gjithë mbetën pa masë të habitur. Jezusi u urdhëroi rreptësisht të mos ia tregojnë askujt ngjarjen dhe u tha t’i japin vajzës të hajë.                                 

Fjala e Zotit

Porosia

Rreth Jezusit gjithmonë qëndron shumicë e madhe njerëzish. Çdo njëri nga ata ka një hall, ka një nevojë, ka një lutje kërkesë, është i ngarkuar me kryqet e jetës.

Jezusi, me shumë dashuri dhe përkushtim iu del në ndihmë, është afër. Ai, i jep kuptimin e jetës, jep ndihmën konkrete.

Të gjithë këta njerëz zbulojnë se Jezusi ka zemër dhe kohë për ta. Edhe pse ka shumë njerëz rreth tij, ai sheh secilin veç e veç, sheh dhe depërton në brendinë e çdo njërit prej tyre.

Dy ngjarjet që na parqet Ungjilli i sotshëm e tregojnë dhe dëshmojnë Jezusin si Zot dhe si Ai që përkujdeset për njerëzit.

Në rend të parë, Jairi, një njeri që kishte pozitë e që ishte në vështirësi për vajzën e sëmurë kërkon dhe gjen mbështetje dhe ndihmë te Jezusi.

Edhe pse Jairi ndihej i mposhtur, ai nuk e humbi besimin në Zotin -në atë rast kur i lajmërojnë që vajza kishte vdekur, e Jezusi duke e ditur çdo gjë i thotë: “mos ke frikë vetëm beso” (Mk 5,36). Nëse nga thellësia e shpirtit ia zbulojmë Jezusit nevojat tona, nëse këtë e bëjmë me fe, Jezusi do t’ i pranoj ndjetet dhe kërkesat tona, do t’ i merr mbi vete. Kështu, Jezusi përkujdeset dhe ne nuk kemi nevojë të brengosemi sikurse nuk kishte nevojë as Jairi.

Me një prekje, vajza bënë që të ngrihej, të ngjallet. Jezusi, në këtë rast dëshmon që është më i fort se vdekja, sepse Ai, e mund vdekjen, ngadhënjen mbi të. Ai, e rrëmben vajzën nga vdekja dhe ua kthen prindërve. I tillë është Jezusi plot dashuri dhe përkujdesje për ata që i luten.

Rasti tjetër është i një gruaje e cila po ashtu kishte besim dhe mendonte ne vete: vetëm nëse arrij të prek kindin e petkave të tij, do të shërohem. Në atë mas njerëzish me siguri shumë kush është prekur nga Jezusi dhe Jezusi i ka prekë me praninë e vet, por vetëm kjo grua arritur të shërohet, sepse kishte plot fe, besim në Të.

E tani, shtrohet pyetja: sa kemi dëshirë, vullnet për ta prekë, për ta përjetuar Jezusin në jetën tonë.

Ne që jemi me plot halle, probleme, kryqe të jetës a e kërkojmë me fe Jezusin dhe ndihmën e tij?

Feja, na jep mundësi të afrohemi te Jezusi dhe të përjetojmë shërimin e shpirtit. Feja, duhet të jetë personale, duhet të jetë në lutje, në përkushtim. E lutja fillon në zemër të njeriut, duke përfunduar në zemrën e Zotit.

Të krijojmë disponim dhe dëshirë që të nxitemi për ta prekur shpirtërisht Krishtin, që Krishti të na prekë neve me hire të veta.

Zoti, është i mirë dhe ai e shpreh lavdinë e tij në jetën tonë, ta kërkojmë Zotin dhe ta gjejmë, të mundohemi të jetojmë si na mëson Ai, sepse ja vlen të jemi të përkushtuar në jetë me Zotin, i cili shëron plagët tona të shpirtit dhe jep forcë në plagë të trupit.

Të lutemi së bashku:

O Zot, Jezus mos u largo nga ne, por qëndro në mesin tonë, në familje tona në popullin tonë, për të shëruar pabesnikërinë tonë, ligështitë tona, plagët tona dhe kështu duke qenë të shëruar të mund të të lavdërojmë, falënderojmë dhe jetojmë në praninë tënde. Amen.

 

Lutjet e besimtarëve

Të ushqyer me fjalën e jetës t’i paraqesim Hyjit, Atit tonë të mirë lutjet duke thënë:

Ripërtëritë besimin tonë në Ty, o Jezu!

– Për Kishën shenjte, në krye me Papën tonë Françeskun, ipeshkvijtë, meshtarë dhe rregulltarë e rregulltare, për bashkësinë e besimtarëve tu, që në shpalljen e Fjalës gjithmonë ta njohim jetën që ti na dhuron, të lutemi:

– Për udhëheqës të shteteve dhe popujve, që të bëjnë krejt çka është e mundshme që bota të jetë vend paqeje, drejtësie e solidariteti, të lutemi:

– Për njerëzit që nuk gjejnë arsye të shpresës për një jetë më të mirë, bëj që t’i ndriçojë Shpirti yt, të gjejnë kuptimin e plot të jetës, të lutemi:

– Për të gjithë të sëmurët, që prania jote në jetën dhe vuajtjen e tyre t’i lirojë nga barra që e bartin, të lutemi:

– Për ne, këtu të bashkuar, që të na shërosh nga të gjitha sëmundjet shpirtërore dhe të ripërtëritësh gëzimin e jetës në fe dhe besim, të lutemi:

– Për të vdekurit tanë, që nëpër vdekjen dhe ngjalljen e Birit tënd t’ i sjellësh në bashkësinë e Trinisë shenjte, të lutemi:

O Atë i mirë, në ty është burimi i jetës. Pranojë me mirësinë tënde lutjet tona dhe bëj që të fitojmë hiret që të mund të jemi dëshmitar të tu, nëpër Krishtin, Zotin tonë. Amen!

Përgatiti: Don Marjan Demaj

Shpërndaje

Comments are closed.

« »