IDHUJTARIA E LIGJIT: KUR LIGJI SHIHET SI TË ISHTE RELIGJION

Jun 29 • Opinion

Sytë e publikut të gjerë, janë drejtuar gjithnjë e më shumë nga gjyqtarët e vendeve të ndryshme, të cilët, po marrin vendime për çështje që kanë të bëjnë me natyrën e personit njerëzor, dashurinë, martesën … Kështu, në publik bëri jehonë fuqishëm vendimi i fundit i Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara në ridefinimin e martesës, që, siç e interpretoi Presidenti Obama, ka sjellë “fitoren e dashurisë”. Ky artikull, do të provojë për të sqaruar më thellë rreziqet që fshehën në mekanizmat me të cilat në shtetet moderne janë duke u bërë (dhe janë duke u interpretuar) ligjet. Autori i artikullit, Ian T. Benson, në mënyrë të qartë tregon se çfarë ndodh kur gjyqtarëve u jepet fuqi që, duke ndërhyrë në sferën e filozofisë dhe të fesë, për të cilat nuk kanë pothuajse asnjë kompetencë, vendosin për të mirën dhe të keqen … Pyetja është, në fakt, nëse është kjo fare punë gjyqtarësh dhe, në qoftë se jo, kujt i takon kjo punë? Ian Benson jep një sqarim të shkëlqyer për këtë dilemë serioze.

 

Në konferencën “Pluralizmi, feja dhe politika publike”, të mbajtur në tetor të vitit 2002, ka pasur një diskutim shumë të rëndësishëm dhe interesant në mes të Kryetares së Gjykatës së Lartë të Kanadasë Beverley Mc Lachlin dhe teologes dhe filozofes nga Universiteti  i Çikagos, Jean Bethke Elshtain.

Mendimi qendror i këtij shkëmbimi mendimesh ishte deklarata e gjyqtares së lartë Beverley McLachlin, e cila shprehte kuptimin e saj të rolit të ligjit në lidhje me rolin e religjionit. Gjykatësja thoshte se raporti ndërmjet ligjit dhe religjionit është “një përplasje detyrimesh.” Ajo pohoi se ekziston “një tension mes sundimit të ligjit dhe kërkesave të religjionit” dhe se ky tension është “një dialektikë detyrimesh normative”. Ajo, vuri në dukje se të dy, ligji dhe religjioni “përbrenda janë të papushtueshëm” dhe të dy “pretendojnë të drejtën e tërësisë së përvojës njerëzore.” 

Pastaj ajo pyeti: “Cilit sistem do të duhej t`i përmbahej individi? Si mund, sundimi i ligjit t`i përshtatet botëkuptimit dhe etosit që mbron autoritetin superior dhe fushëveprimin (shtrirjen) e vet të pakufizuar?” Kësaj, iu përgjigj: “Duket se s`ka një mënyrë për të pajtuar këtë përplasje; por përplasje të tilla ndodhin në një shoqëri të dedikuar për mbrojtjen e religjionit, dhe shteti liberal duhet të gjejë një mënyrë për të pajtuar këto detyrime konkurruese …”  Puna e kujt është pajtimi i këtyre detyrimeve? “Është punë e gjykatës për të menaxhuar këtë dialektikë. Gjykatat, mundohen për të mbikëqyrur ato pjesë të jetës publike, në të cilat ekziston një përplasje në mes të vetëdijes religjioze dhe vlerave të shoqërisë që manifestohen te sundimi i ligjit.”

Në përgjigjen e saj, filozofja dhe teologia, Jean Bethke Elshtain, ka prekur thelbin e pozicionit të gjyqtares Beverley McLachlin. Ajo, vuri në dukje se çështja e raportit ndërmjet ligjit dhe religjionit duket pak më ndryshe kur dikush vetëpërmbahet nga versioni i fortë i kërkesave gjithëpërfshirëse të ligjit. Sigurisht, kur bëhet fjalë për sundimin e ligjit në Perëndim, ka shumë gjëra për çfarë ligji nuk thotë asgjë: “Verdikti i Mbretit” nuk jepet në çdo qoshe dhe plasë. Në të vërtetë, një pjesë e madhe e autonomisë dhe e autoritetit vetë-qeverisës nuk është vetëm e lejuar, por është edhe një pjesë e domosdoshme e rendit pluralist, kushtetues që e karakterizon këtë qeveri të kufizuar. Me fjalë të tjera, ligji nuk duhet të përcaktohet si total dhe gjithëpërfshirës në mënyrën siç e bën këtë gjykatësja e nderuar supreme Beverley McLachlin.

Filozofja Elshtain vëren se gjyqtarja e lartë edhe pohimet religjioze i kishte karakterizuara si “gjithëpërfshirëse”, por që, sipas mendimit të saj, as ligji dhe as religjioni nuk do të duheshin të kuptoheshin si gjithëpërfshirëse, sepse në esencë ato janë sisteme plotësuese dhe jo konkurruese. Elshtain thekson se në formimin e kulturës dhe politikës perëndimore momenti kyç ishte ai kur Jezusi i Nazaretit e pat vështruar një monedhë dhe pat thënë: “Jepni Cezarit atë që i përket Cezarit, e Hyjit atë që i përket Hyjit.” (Mt 22,21)

Me kalimin e kohës, kjo evoluoi në një vizion të fortë të relativitetit të autonomisë së rendit qeveritar (shtetëror), sepse edhe ky vjen nga Hyji dhe për këtë arsye [rendi qeveritar] bën kërkesa legjitime.

Elshtain, në fund të përgjigjes së saj, vuri në dukje se edhe religjioni edhe ligji mund të ndërhyjnë përtej fushëveprimeve të roleve të veta përkatëse dhe se “ligji e ka për detyrë të njohë hapësirën që e zë besimi [religjioz].” Pra, për filozofen Elshtain, por jo edhe për gjykatësen e lartë, ligji dhe religjioni, jo vetëm se nuk janë në konflikt  (në vetvete), por ato e kanë për detyrë që të njohin shtrirjen (fushëveprimin) e duhur të përpjekjeve/ndërmarrjeve të tyre përkatëse për të qenë në gjendje të dy – secili për vete – për të bërë punën e vet siç duhet.

Gjyqtarja e lartë e sheh ligjin si “gjithëpërfshirës” në mënyrë që, siç po më duket mua, është i pa precedentë që kur Kisha dhe shteti konsideroheshin të ndara mirëfilli. Ta shohësh ligjin si “gjithëpërfshirës” dhe në konflikt me religjionin, siç e bën gjykatësja e lartë, është në mënyrë të veçantë joshëse për ata që e përjetojnë religjionin si më pak të rëndësishëm dhe ligjin si diçka më të rëndësishëm se sa do të duhej të ishte. Sundimi i ligjit, duhet ta përparojë drejtësinë për të gjithë qytetarët, dhe për këtë arsye, duhet qenë i njohur si i kufizuar në fushëveprimin e tij.

Mësimet nga historia e religjioze: Gjykatokracia (sundimi i gjyqtarëve) duhet të mësojë të ndajë ligjin dhe shtetin

Historia na tregon se religjionit i është dashur të luftojë me tundimin e dogmatizimit të të gjitha aspekteve të shoqërisë. Atij, i është dashur të mësojë se si të lëvizë nga një model më shumë teokratik i shoqërisë në një model më shumë demokratik. Ky ndryshim, nga teokracia në demokraci, është i dobishëm – prej tij mund të mësojmë shumë.

Ta shohësh ligjin si “gjithëpërfshirës” dhe në konkurrencë të drejtpërdrejtë me detyrimet e religjionit do të thotë ta vendosësh sundimin e gjyqtarëve mbi gjithçka, veçanërisht te ato fusha ku ligji vjen në kontakt me detyrimet religjioze. Ky sundim i gjyqtarëve (gjykatokracia) në kohën tonë është i krahasueshëm me tundimin, tentimin historik të religjionit për teokracinë. Dhe pikërisht, siç i është dashur religjionit të mësojë për të mos dogmatizuar, kështu edhe gjyqtarët nevojitet të mësojnë të mos dogmatizojnë. Duhet mësuar i njëjti leksion mbi kufijtë e domosdoshëm të juridiksioneve (kompetencave) vetjake, në mënyrë që sundimi i gjyqtarëve të mos fillojë të punojë kundër lirive themelore të njeriut, siç ishte rasti në të kaluarën me religjionin.

Ne kemi nevojë për të lëvizur nga gjykatokracia në një konceptim të shëndetshëm të demokracisë, për shkak se demokracia nuk mund të ekzistojë pa një rol të kufizuar të ligjit.

Me fjalë të tjera, mu ashtu siç e mësoi religjioni sesi duhet interpretuar mirëfilli ndarjen e Kishës dhe Shtetit, ashtu edhe gjykatësve iu duhet të mësojnë të interpretojnë mirëfilli ndarjen e ligjit dhe shtetit. Kjo s’do të thotë se shteti duhet të funksionojë pa iu referuar asaj që është e duhur legale (ligjore), por se ligji nuk duhet të shkel mbi ato aspekte të shtetit (dhe të shoqërisë) të cilat janë jashtë sferës së sundimit të ligjit ose, edhe pse në kuadër të sundimit të ligjit, i janë lënë siç duhet legjislaturës dhe proceseve të ndryshme demokratike, në mënyrë që vetë ligji të mos bëhet totalitar.

Tundimi totalitar për ta bërë një botë më të mirë me përdorimin e forcës së pushtetit dhe ligjit është gjithmonë me ne. Ky është një tundim i shtetit, Kishës dhe ligjit. Pa një kuptim të duhur të natyrës njerëzore (që mund të jepet vetëm përmes religjionit, pasi liberalizmi nuk përmban konceptin e të qenit mëkatar të njeriut), çdonjëri prej këtyre institucionevemund të kryejë padrejtësi të rënda.

Ajo që ndërlikon faktin e dominimit aktual të ligjit është historia e vet atij gjatë së cilës role të tilla më të gjera, të tilla “si religjioni”, janë refuzuar shprehimisht. Ky refuzim, mund të shihet përmes praktikës gjyqësore të Gjykatës së Lartë të Kanadasë, në fund të viteve 1980. Do të ishte thjesht e pavërtetë të thuhet se Karta kanadeze e të Drejtave dhe Lirive ka futur një Regjim të Ri që ndryshoi raportin e ligjit dhe shtetit.

Pra, ajo çfarë po ndodh në kohën tonë, në të vërtetë është një ndryshim i rolit që ka ligji. Ky ndryshim i rolit të ligjit, i maskon ndryshimet filozofike, teologjike dhe juridike në lidhje me sundimin e ligjit. Në këto ndryshime, gjuha thelbësore morale dhe teologjike ri-paraqitet me një terminologji që pastaj e maskon natyrën në thelb morale dhe teologjike të ndryshimeve. Çfarë do të mund të ishte më teologjike se pohimet e Cezarit se ai qenka hyjni (perëndi) dhe kërkesa e tij për nderim absolut? Vlen të theksohet se rezistenca e vetme serioze bërë kultit perandorak erdhi nga dy religjionet monoteiste: Judaizmit dhe Krishterimit.

Kjo lëvizje e re ligjore përdor gjuhën e “barazisë” dhe “dinjitetit” (që ndodhet në vetë kushtetutën për të drejtat dhe liritë) për të ndikuar në gjëra që janë përtej rolit të zakonshëm të gjyqësorit. Në këtë vrull të ri- të pandalshëm të një konsensusi të detyruar, problemi i vërtetë është fuqia e gjyqtarëve për t`i imponuar bindjet e tyre morale dhe teologjike personale shoqërisë. Nën maskën e “interpretimit ligjor”, “teologët e rinj”, të cilët besojnë se ligji është gjithëpërfshirës, shpallin rregulla të reja dogmatika të ditës. Ironinë që kjo po ndodh në emër të “barazisë” është e pamundur mos ta vëresh.

Juridiksioni (kompetenca) i ligjit në raport me moralin dhe metafizikën

Deri relativisht vonë, gjatë gjithë historisë së Perëndimit, është nënkuptuar se udhëheqja në çështjet e moralit dhe të metafizikës, i përket religjionit dhe filozofisë, jo ligjit. Për këtë, ka pasur arsye shumë të mira. Për shembull, avokatët nuk janë veçanërisht të arsimuar as në filozofi, as teologji, as në moral. E në shoqëritë bashkëkohore, ligjet janë të detyruara t`i sigurojnë dhe t`u japin hapësirë besimeve të ndryshme religjioze.

Në fillim të epokës së Kartës së të Drejtave dhe Lirive, në një konferencë të Universitetit të Kolumbisë Britanike në vitin 1985, gjykatësi Willard Estey, në Gjykatën e Lartë të Kanadasë, pat thënë: “Nga ne gjyqtarët po prisni t’i përgjigjemi pyetjeve lidhur me Kartën e të Drejtave dhe Lirive, por ne kurrë nuk kemi qenë të arsimuar që këtyre pyetjeve të ishim në gjendje t`iu përgjigjemi.”

Raporti ndërmjet filozofisë dhe teologjisë, ishte ai i shërbëtores (filozofisë) dhe “mbretëreshës së shkencës” (teologjisë). Në shekullin e 19-të, kardinali John Henry Newman vuri rese në ato universitete ku teologjia pushon së qeni lëndë të cilën të gjithë duhet ta studiojnë, disiplinat e tjera do të bëjnë të pamundurën për të mbushur boshllëkun. Tani, teologjia një kohë shumë të gjatë nuk është duke u mësuar në universitete si lëndë e detyrueshme dhe, siç pat parashikuar Newman, disiplina të tjera janë duke u përpjekur “ta zëvendësojnë atë. ” Uzurpimi gjyqësor i demokracisë është vetëm një shenjë paralajmëruese për uzurpimin gjyqësor të çështjeve të tjera morale, filozofike dhe teologjike. Në një kontekst të tillë, “ligji është mbret” (Lex – Rex, një lojë fjalësh, vër. përkth.) merr një kuptim krejt të ri.

George Grant, një filozof kanadez, një herë vuri në dukje se “kur shoqëria vë pushtetin në duart e gjyqtarëve, është më mirë që këta të jenë të arsimuar.” Në fusnotën e kësaj deklarate, ai kishte shtuar: “Gjyqtarët bashkëkohorë sa më shumë po e citojnë traditën filozofike apo religjioze, aq më pak po duken se po e kuptojnë se me çfarë kanë të bëjnë.”

Për sa kohë që gjyqtarët i njohin kufizimet dhe kompetencat e veta, mund të informohen për të marrë mësime nga disiplina të ndryshme me të cilat sundimi i ligjit vjen në kontakt. Por në atë moment kur gjyqtarët e konsiderojnë veten të aftë për të zëvendësuar moralin, filozofinë, apo religjionin, duke i bërë masë vullnetet e veta, atëherë ata e kanë tejkaluar rolin e tyre në një demokraci.

Gjyqtarëve të rinj, të cilët me arrogancë po fillojnë “për të bërë Kanadanë një vend më të mirë” me forcën e ligjit, fjalët e gjykatësit të lartë anglez Cockburn duhet të jenë një kundërhelm: “Një gjyqtar nuk mund ta vendosë vetveten mbi ligjin të cilin ai duhet ta administrojë, ose ta formojë atë që të përshtatet me nevojat e një situate të caktuar.” Duke e vërë veten mbi ligjin është pikërisht ajo që jurisprudenca (gjyqësori) i pas-Kartës e sheh si të pranueshme. Është gënjeshtër që ky tej-kalim mbi ligjin është i autorizuar. Kjo nuk mund të jetë aq larg sa nga e vërteta.

Do të mund të përmendeshin me dhjetëra citate të gjykatësve, këto të gjyqtarit të lartë Cockburn që janë të arsimuar më mirë se gjyqësori aktual dhe që e kanë kuptuar se një vetëpërmbajtje e caktuar gjyqësore, është e domosdoshme për demokracinë, në mënyrë që ligji të mund të jetë i drejtë.

Herë pas here shohim një maturi në disa raste, pas shpalljes së Kartës, por duket se marrja e vendimeve më shumë është politike se sa parimore. Kur gjyqtarët, s’duan të marrin një vendim (për shembull, për çështjen se a është një qenien njerëzore e pa lindur “person” i cili duhet të mbrohet me ligj), atëherë mbështeten në parimin se do të mund ta quanim “vetëpërmbajtje në dukje ligjore.” Ky parim, është vetëm në dukje ligjor, sepse vetëpërmbajtja nuk bazohet mbi njohjen e kufizimeve të domosdoshme në kuadër të ligjit. Le të shikojmë një shembull.

Rasti “Tremblay kundër Daigle” (1989) merrej me çështjen nëse një fetus që mund të qëndronte në jetë do të duhej të mbrohej sipas Kartës së Quebec-ut të të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, e cila deklaronte se “çdokush ka të drejtën për të jetuar”.

Zonjusha Daigle dëshironte të kryente një abort, por i dashuri i saj arriti të fitojë ndalimin gjyqësor me të cilin e ndaloi. Në apel, në Gjykatën e Lartë të Kanadasë, gjyqtarët njëzëri e mbështetën propozimin e mëposhtëm: “Vendimet bazuar mbi zgjedhje të gjerë sociale, politike, morale dhe ekonomike është më përshtatshëm t`i lihen legjislatorit” (pra, ligjeve që tashmë janë miratuar dhe shpallur, në këtë rast ligji miratonte abortin, prandaj gjyqtarët vetëpërmbahen për të bërë gjykime rreth çështjes nëse Karta e të Drejtave të Njeriut kishte të bënte edhe me fëmijën e pa lindur). Ata, hodhën poshtë gjykimin dhe vendimin e gjyqtarëve të gjykatave të ulëta. Por, a do të duhej të gjitha vendimet morale t`i liheshin legjislaturës (ligjeve tashmë të shpallura që i miraton Parlamenti pas debatit publik, vër. e përkth.)? Edhe sikur kjo të ishte e mundur, gjë që nuk është, cilat rregulla do të duhej të zbatoheshin kur gjykatat këqyrin të aplikojnë një teori morale te vendimet e tyre gjyqësore?

Këto janë gjëra shumë themelore. Është disi e habitshme që duhet theksuar se gjykata kishte heqë plotësisht dorë nga çdo përpjekje për t`u përballuar me këtë lloj pyetjesh në lidhje me rolin e saj, sipas Kartës së të Drejtave dhe Lirive. Me pak fjalë, gjykata dëshiron të ketë rolin e Cezarit, për të cilin thotë se i është dhënë nga Karta, por pastaj refuzon të përcaktojë cili është saktësisht fushëveprimi (shtrirja) i këtij roli.

Në lidhje me pyetjen e “martesës së të njëjtës gjini”, gjykata thjesht nuk ka mundur të merret me këtë çështje pa hyrë në “zgjedhje të gjera sociale, politike, morale dhe ekonomike.” Vendimi te rasti Tremblay, tregon se këto zgjedhje është më mirë për t`ia lënë kompetencës së legjislaturës. E pra, në fazën tonë të tanishme utopike, kur Gjykata me aplikimin e pushtetit të tij detyron konsensusin dhe na çon në një marrëveshje që ata besojnë se është më e mira për të gjithë ne, gjyqtarët thjesht e marrin nën kontroll çështjen.

Ky qëndrim është i dukshëm në fjalët e tyre. Sipas Gjykatësit të Lartë të provincës së Ontarios, McMurtry, roli i gjykatës është “për të krijuar një konsensus të ri shoqëror.”  Me fjalët e gjyqtares më të re të Gjykatës së Lartë, Rosalie Abella, ata po e shtyjnë “forcën e papërmbajtshme të ligjit.” Në fakt, ne po shohim mosrespektimin e procesit të demokracisë. Fakti është thjesht se nganjëherë gjërat shkojnë shumë ngadalë, ose fare nuk shkojnë në drejtimin, siç dëshirojnë gjyqtarët.

Si është e mundur që gjyqtarët kanë arritur ta konsiderojnë veten të aftë për t’u marrë me metafizikën e martesës (pa detyrime statutore), por jo me statusin e të pa lindurve (menjë kuadër ligjor barazi të papërcaktuar)? A nuk është kjo vetëm një çështje e politikës së ditës? Nëse është kështu, çfarë ka ndodhur me rolin e Gjykatës për të qenë, siç e thekson këtë Karta në pjesën e parë, “një bastion i sundimit të ligjit në një shoqëri të lirë dhe demokratike”?

Nuk ka asnjë teori të qëndrueshme e cila mund ta shpjegojë pse gjykatat disa çështjeve të rëndësishme (të tilla si mbrojtja e të pa lindurve) nuk mund t`iu përgjigjen, kurse të tjerave(të tilla si martesave të homoseksualëve dhe eutanazisë) munden. Me siguri, diçka kaq thelbësore, siç janë të drejtat dhe liritë, duhet të rregullohen me diçka më shumë se me teka gjyqësore.

Ajo çfarë duhet në Kanada, është një njohje e qartë nga ana e gjyqtarëve, se ligji domosdo duhet të merret me konceptet morale, filozofike dhe religjioze në vendimmarrje. Nëse gjykata është e pasigurt në artikulimin e këtyre premisave, atëherë kjo është një tregues se ajo, ndoshta, në këto fusha, është duke u marrë me tema të cilat thjesht i kapërcejnë kompetencat e saja dhe rolin e ligjit për të vendosur çështjen. Ndoshta, është brenda rolit të gjykatës që të përpiqet të detyrojë legjislaturën për t`u marrë me ato çështje, por loja aktuale e “patates së nxehtë”, është tepër e papërgjegjshme. Ajo çështjet e drejtësisë po ia nënshtron rrymave politike dhe pasivitetit, dhe si pasojë ajo fton, madje inkurajon tej-kalimin e autoritetit gjyqësor.

Gjykatat duhet t`i kushtojnë më shumë vëmendje edhe rolit të religjionit në shoqëri, sidomos në aspektin se ku idetë, të tilla si “dinjiteti i personit njerëzor”, fitojnë themelin dhe mbështetjen e tyre të vazhdueshme. Ekzistojnë kufijtë. Për shembull, si mund të ketë një konceptim kuptimplotë të “dinjitetit njerëzor” (si përkryerje e brendshme) në qoftë se qeniet njerëzore qenkan vetëm gjene që konkurrojnë në universin e pakuptimtë?

Përpjekja aktuale, për të zgjeruar shtrirjen e ligjit në fushën e religjionit, është e rrezikshme për religjionin, ligjin dhe demokracinë. Njohja e sinqertë e gjyqtares së lartë Beverley Mc Lachlin se ligjin e konsideron “gjithëpërfshirës” si të ishte religjion, mund t`ju japë një pasqyrë të qartë se kah është duke lëvizur, në këtë moment e drejta kanadeze, dhe pse një qasje e tillë, shikuar në mënyrë afatgjate, përbën një kërcënim serioz për drejtësinë në një shoqëri demokratike.

(Përktheu: Shtjefen Dodes SJ)

(Burimi në rrjetin mbarëbotëror: http://www.catholiceducation.org/en/culture/catholic-contributions/the-idolatry-of-law-when-law-is-seen-as-like-religion.html

Shpërndaje

Comments are closed.

« »