PALIO  – SIMBOLI I ARGJIPESHKVIJVE METROPOLITË

Jun 29 • Këndvështrime

Gjatë kremtimit të Meshës Solemne në Bazilikën e Shën Pjetrit, Papa Françesku u dorëzoi 46 kryeipeshkvijve të rinj metropolitë paliot simbolike.

Simboli i palios gjatë historisë deri sot

Ky rit tradicional i liturgjisë papnore nisi që në shekullin IV. Ka shumë mundësi që palio fillimisht u dorëzohej perandorëve, si simbol dinjiteti,  e pastaj u kaloi ipeshkvijve. Më vonë Roma nisi t’ua japë vetëm ipeshkvijve metropolitë, posaçërisht në kohën e Gregorit VII, menjëherë pasi kaloi viti njëmijë, kur ndjehej nevoja të kontrollohej zgjedhja e ipeshkvijve. Që nga kjo periudhë, ipeshkvijtë filluan të vijnë në Romë për ta marrë palion nga Papa. Më vonë palio nisi t’u jepej edhe atyre që nuk ishin metropolitë, si shenjë nderimi. E kohët e fundit, flasim për fundin e viteve ’70, u bë reforma e palios, sipas vendimit të Papës Pali VI. Që atëherë palio nisi t’u dorëzohej vetëm kryeipeshkvijve metropolitë e shumica e tyre e merrnin më 29 qershor, në solemnitetin e Apostujve Pjetër e Pal, pikërisht për të nënvizuar lidhjen shpirtërore e kishtare të kryeipeshkvit që e merr palion, me Selinë Apostolike dhe me Papën.

Modifikimi i Françeskut

Françesku e modifikoi  përsëri ceremoninë e dorëzimit të  palios: në një letër, dërguar të gjitha nunciaturave apostolike, datuar 12 janar 2015, mjeshtri i kremtimeve papnore, imzot Guido Marini, njoftoi vendimin e Papës për të modifikuar mënyrën e dorëzimit të Palios kryeipeshkvijve metropolitë. Rripi apo stola prej leshi të bardhë, që simbolizon delen e humbur, të gjetur e të vendosur mbi shpatullat e Jezusit, Bariut të Mirë, iu dorëzua kryeipeshkvijve metropolitë, por nuk iu vendos nga Ati i Shenjtë, sipas traditës, sot, në solemnitetin e Shenjtorëve Pjetër e Pal. E kështu edhe  do të vijojë.

Palio do të vendoset mbi supet e kryipeshkvijve në dioqezat e tyre të origjinës, nga nuncët apostolikë të vendit

Kuptimi i modifikimit është se vë më shumë në dukje lidhjen e kryeipeshkvijve metropolitë, të sapoemëruar, me Kishën e tyre lokale. Domethënë  u krijohen shumë më tepër mundësi besimtarëve, që të jenë të pranishëm në këtë rit kaq domethënës për ta, e posaçërisht, ipeshkvijve të dioqezave sufragane, të cilët kështu mund të marrin pjesë në çastin e vendosjes së palios. Në këtë kuptim u ruajt e gjithë domethënia e kremtimit të 29 qershorit, që nënvizon lidhjen e bashkimit, edhe të bashkimit hierarkik, ndërmjet Atit të Shenjtë dhe kryeipeshkvijve të rinj; në të njëjtën kohë gjithë kësaj iu shtua, me një gjest domethënës, kjo lidhje me kishën vendase.

Ç’simbolizon palio për ditët tona?

Simbolika e palios ka ardhur duke u pasuruar në rrjedhë shekujsh. Në fillim palio kishte simbolikë thjeshtë kishtare, tregonte delen e humbur, ose më mirë të themi, bariun që e mban delen e humbur mbi supin e majtë. Kjo palio jepet edhe tani nga Benedikti XVI. Është palio që e gjejmë në gjithë ikonografinë, në të gjithë mozaikët e mijëvjeçarit të parë. Më pas, si kaloi mijëvjeçari i parë, palio ndërroi formë; kuptimi i deles së humbur u zbeh deri në harresë e nisi të vihet në formë ypsiloni mbi personin që e mbante, duke fituar kështu një kuptim të ri. Kryqat që e stolisin palion, morën kuptimin e plagëve të Krishtit Zot, kryqat e kuq. Karficat morën kuptimin e tri gozhdave të kryqëzimit të Krishtit. Kështu palio mori kryesisht domethënie kristologjike, u bë simbol i Krishtit, Bariut të mirë. Tani i kemi të dy këto elemente së bashku. Siç dihet Palio endet me lesh qengji dhe vijon të simbolizojë delen e humbur; ka tri karfica si dhe kryqa. Të gjitha këto shenja tregojnë se Bariu i mirë e jep edhe sot jetën për delet e veta, për shpëtimin e tyre.

Palio, simbol i autoritetit të kryeipeshkvit metropolit, në bashkim me Kishën e Romës

Kujtojmë se çdo vit, më 21 janar, në festën e Shën Anjezes, sipas një tradite të lashtë, Papa bekon dy qingja, që i paraqiten në dy shporta të veshura me kadife të verdhë, stolisur me lule të bardha, ngjyrat e Vatikanit. Leshi i tyre përdoret për endjen e paliove të shenjta, të cilat bekohen nga Papa më 29 qershor, për t’u vendosur, më pas, në një arkë të vogël prej argjendi të praruar pranë Varrit të Shën Pjetrit e, që aty, mbi shpatullat e kryeipeshkvijve të rinj metropolitë, gjë që shpreh lidhjen e ngushtë të ipeshkvijve me Selinë e Shën Pjetrit.

Tradita e palios

Shumë e pasur është simbolika e palios – një fashë leshi e bardhë, e gjerë 4-6 centimetra, mbi të cilën spikasin pesë kryqe të qëndisur me mëndafsh të zi, simbol i pesë plagëve të Krishtit në kryq. Ajo vendoset mbi shpatulla duke u mbërthyer në kraharor, në shpinë e në shpatullën e majtë me tri karfica të stolisura me gurë, që njihen me emrin aciculae.
Palio, që simbolizon delen e humbur, të kërkuar, të shpëtuar e të vënë përmbi shpatullat e Bariut të Mirë, është shprehje liturgjike e nderimit dhe e detyrës që papa u ngarkon ipeshkvijve metropolitë.  

Kjo traditë nisi që nga gjysma e shekullit IX. Dorëzimi i palios bëhej në Romë nga kardinali i parë diakon ose jashtë Rome, në selinë metropolitane, nga ipeshkvi i ngarkuar me këtë detyrë, pas meshës solemne e pasi kryeipeshkvi metropolit të ketë bërë betimin për besnikëri.
Metropoliti e vë palion vetëm në meshët pontifikale të kishës së tij ose të krahinës së tij në ditët e përcaktuara nga Pontifikali Romak, në festën e Zojës së Papërlyer e të Shën Jozefit, shtuar nga papa Leoni XIII, në rastet e shugurimeve meshtarake ose ipeshkvnore etj. Ka karakter personal e nuk mund t’i dorëzohet asnjë njeriu tjetër. Në se kryeipeshkvi transferohet në një seli tjetër metropolitane, duhet të kërkojë një palio të re. Vetëm Papa ka të drejtë ta mbajë gjatë meshëve solemne e kudo. Për herë të parë palio nisi të përdorej aty nga gjysma e shekullit V. E shohim këtë në fildishin e famshëm të Trevirit, në një procesion me relike, e edhe më qartë në figurën e Ipeshkvit Masimiani, në mozaikun e Shën Vitales të Ravenës (Itali), realizuar aty nga gjysma e shekullit VI.

(Radio Vatikani)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »