KANTUALI KISHTAR SHQIPTAR I DON NIKOLLË MINIT

Jun 30 • Recension

Shkruan: Akil KOCI

Muzika sakrale ndër trojet shqiptare dhe jashtë saj, nuk ka ndonjë histori të gjatë e sidomos ajo në Kosovë, ku lirisht mund të themi se as që ka ekzistuar në mënyrë të organizuar, nga se nuk kemi patur ndonjë traditë dhe profesionist muzikor që janë marrë ekskluzivisht në mënyrë profesionale me këtë degë të artit, pos muzikës popullore dhe ka qenë e natyrshme ta kemi një gjendje të tillë.

Në të pestë periudhat e historisë muzikore siç janë: renesanca, baroku, klasika, romantizmi dhe shekulli i njëzet, është kultivuar në masë të madhe muzika sakrale krahas formave të tjera muzikore në botë, kështu bie fjala Giovani Perluigi da Palestrina (1525-1594), është kompozitori më i spikatur dhe mjeshtër i Meshës katolike në periudhën e renesancës.

Por, me që vendi nuk na lejon, nuk do të elaborojmë ketë temë, por të i kthehemi muzikës sakrale shqiptare më Kosovë.

Në numrin 1 të revistës “Drita”, organ, në rubrikën përvjetorët, lexova tekstin kushtuar Monsinjor Nikollë Minit, nga Pjetër Përgjoka, me rastin e 15-vjetorit të vdekjes. Ky autor, i cili na u paraqit me ketë shkrim prej një diskursi të një autobiografi të ndershëm i cili paraqet, argumenton pjesë nga biografia dhe jeta e tij, edhe pse mundësia për një refleksion më të hapur, më të gjerë, ka mundur të jetë më bindëse dhe më e madhe për ketë meshtar, intelektual, prijës fetar, i cili ka qenë një ambasadë në vete, një figurë e madhore dhe koherente e që mbante në veti trinomin e cekur që më pare.

Pavarësisht, që për te është shkruar mjaft mirë, mendoj se i kemi mbetur borxh pa i cekur më gjerësisht sa duhet meritat e tija prej një reformatori, krijuesi dhe autori i të gjitha atyre punimeve që i bëri në kohën kur populli dhe besimtarët kishin nevojë të madhe për një edukim të tillë.

Por, puna e shkëlqyeshme dhe e madhe tij u cekë mjaft mirë me gjithë se në një segment nuk u rrah sa duhet dhe sa e meriton, prandaj edhe do të mundohem që ta plotësoi autorin e shkrimit për Monsinjor Don Nikollë Minin, i cili si dukët nuk ka patur njohuri sa duhet dhe nuk i ka cekë shumë gjëra autori i shkrimit Përgjoka, konkretisht e kam fjalën për muzikën sakrale.

Ai përmend botimin e Kantualit shqiptar në vitin 1974, organizimin dhe aktivitetin e korit të kishës, pjesëtarë i së cilës kam qenë edhe unë si fëmijë dhjetëvjeçar gjatë viteve 1946-47, që udhëhiqeshin nga motrat e nderit m. Angjelina dhe m. Ana.

Mendoj se edhe pse muzika ndoshta nuk zë vendin kryesor në veprimtarinë dhe krijimtarinë e tij, por aty është i pari dhe më i miri, jo vetëm si interpretues, por edhe autor me individualitet të theksuar, në kohën kur ne të tjerët kemi punuar edhe në ketë lëmi nuk i kemi shfaqë shkaku është i njohur.

Pra, fjala është për botimin e Kantualit kishtar shqiptar, që me sa kam dijeni, është i pari i këtij lloji në Kosovë, botuar nga Meshtarët e Ipeshkvisë Shkup-Prizren, dhe shtypur në shtypshkronjën Ramiz Sadiku të Prizrenit, në vitin 1974. Kurse tani kemi edhe ca botime siç janë “I Kendojmë Zotit” nga Imzot Patër Hili, libri i Bernardina Mjedës, dhe të tjerat ,si dhe ca botime interne dhe disa Cd me këngë të incizuara ,për të cilat do të bëjmë fjalë herëve të tjera.

Ordinariati Ipeshkvnor Shkup-Prizren, lejoi që të shtypët me rastin e kremtes së Zojës, Nënës së Këshillit të Mirë, të nënshkruar nga Imzot Nikë Prela, ipeshkëv, ku mes tjerash ai thotë: ,,Me kënaqësi të madhe e mora librezën e këngëve kishtare shqiptare nën titull Kantuali kishtar Shqiptar, të përgatitur për botim që ma dërguet në shiqim dhe miratim. Ky kontribut i përpjekjeve Tuaja i cili nuk është i vogël e deri tani unik, ka për ta plotësuar mungesën e deritashme të një libri kësodore për pjesëmarrjen në jetën liturgjike të popullit tonë. Duke e bekuar ketë punim, besoj dhe shpresoj se do të jetë një nxitje për një gjurmim dhe të mëtejmë, të dobishëm dhe të suksesshëm për ta shpëtuar nga humbja thesarin e shpirtit të popullit tonë të pasur e të shprehur në melosin populloro-fetar. Prandej le të shtypët. Në rastin e kremtës së Zojës, Nënës së Këshillit të mire. Në Ferizaj,më 26 prill 1974 Imz.NikëPrela, ipeshkëv.

Edhe në parathënën e Don Dr. Gaspër Gjinit famullitar i atëhershëm i Shkupit fletë për rendësin dhe vlerën e këtij Kantuali, por ne nuk do të citojmë edhe pse ajo paraqet një prej elementeve parësorë për historikun tonë të muzikës sakrale.

Pra, ky botim u prit në atë kohë me shumë dashuri, sepse me atë dituri që ka patur Monsinjor Nikollë Mini, realizoi një dëshirë të kahmotshme që grigjës së vet të ia dorëzojë dhe pajisi me këngët që u përdoreshin me rastin e Meshava të të gjitha llojeve, por kësaj here si doracak të shkruara me fjalë dhe nota të cilin e quajti Kantuali kishtar shqiptar.

Në se analizojmë përmbajtjen e saj do të shohim se autori i është qasë me këngët e prezantuara nevojave jo vetëm të meshtarëve, por edhe besimtarëve, prandaj edhe e ka nda ketë Kantual në disa pjesë si janë, Mesha korale, Këngë të Meshës, Ardhja, Këshnëllat, Krezhmet, Pashkët, Rrëshajët, Krishti, Sakramendi, Bekimi me Sakramend, Zojës së bekueme, Shejtrit, këngë rasti dhe e fundit Mesha.

Nuk kemi shënime se nga janë marrë këto këngë,por nga shikimi që i bëmë – analizat e përcipta – mund të vërejmë se shumica janë të përkthyera nga gjuhët e huaja dhe nuk kanë autorë, por nuk hasim as në bibliografin e nevojshme në kësi raste, edhe pse në kantualët e shteteve me traditë më të madhe të muzikës kishtare do të jenë prezantuar edhe autorët. Prandaj për të i kërkuar autorët e të gjitha këtyre këngëve na duhet një kërkim më i gjithanshëm.

Të fillojmë radhazi, në pjesën e pare të cilën e ka quajtur Mesha Korale, e kemi meshën e njohur De Angelis,  me pjesë ,,O Zot, Lumturi, Shenjtë dhe o Qingji i Hyut.

Në këngët e Meshës, autor i se cilës është kompozitori Jozef Haydn (1732-1809), kompozitor i njohur Austriak me pjesët Fillimi, në ,,Lumni I, në Lumni II, dhe ,,Besoj”.

Në pjesën e tretë Ardhja, kemi këngët “Eja shpejto”, “Drejt prej qiellit”, “Nana Shejte”, “Nana e Mesisë”, “Qe o Mari”, “Bini lulët”, “O Nazaret” dhe “O Mari nanë”. Prej këtyre tetë këngëve duhet të veçojmë këngën “Qe ,o Mari”, kënge e shkurtër dhe mjaft e bukur.

Në këngët e Këshndellavet kemi 19 këngë,të gjitha të njohura dhe të bukura duke filluar që nga ,,O e bukura natë”, “Gloria”, “Sot te shpella e Betlemit”, të cilat me ëndje i kemi kënduar, pra kështu me radhë radhitën kënga pas këngë të gjitha lehtë lkëndohen ku tregon një sens për nivelin e besimtarëve nga aspekti i diturisë muzikore.

Kemi edhe mjaft këngë të krijuara nga populli të cilat i kanë kënduar jo vetëm fëmijët,por edhe vëllezërit, motrat dhe prindërit tyre.

Shumica e këngëve nuk kanë as ato shënime më elementare që duhet të ketë çdo këngë si janë tempoja, dinamika,përsëritjet dhe elemente të tjera që e përbëjnë atë.

Autorët, pos dy këngë që i cekëm të kompozuara nga Haydn, nuk kemi autor të tjerë, kurse në disa këngë është shënuar Harm D. Nikollë Mini e nëse analizojmë do të shohim se s’ka të bëjë thuaja në asnjë këngë me harmonizim, por me shëmimin, me nota të cilat ka quajtur si harmonizime.

Sa i përket tekstit të këngëve, hasim në fjalë dialektesh të ndryshëm, ai kryesisht Prizrenas

dhe Shkodran, e sidomos dominojnë lokalizmat, kurse theksi arza e teza në melodi në të shumtën e rasteve nuk përputhët me theksin e fjalës.

Vërejmë, se për te i a adaptuar melodisë tekstin ose i janë shtuar ose i janë munguar ca rrokje të fjalëve dhe ato nuk janë të ndara dhe kështu besimtari që i këndon vetë duhet ta bëjë.

Disa këngë kanë strofa e disa nuk kanë, kurse teksti nuk ka ndonjë radhitje të duhur.

Përshkrimi i notave është amator, shikur nga kjo distancë kohore por i qartë, aty këtu gjendët ndonjë vizatim mjaft me shije i bërë, marrë në tërësi një libër këngësh mjaft modest por shumë, shumë i vlefshëm jo vetëm për kohën në të cilën është përdorë, por edhe për historinë tone të re muzikore, e sidomos për gjeneratat e muzikologëve tanë të ardhshëm, për të pa se në çfarë gjendje ka qenë muzika sakrale në atë kohë e asgjë më e mirë nuk është edhe në ditët e sotme, me përjashtime të disa famullive, ku me kore udhëheqin motrat e nderit që kanë dituri edhe nga muzika e në veçanti interesimi i tyre i madh për ketë lëmi. Duhet të përmendi Kishën e Velezhës me motrën Dominik, natyrisht se edhe qendrat si janë, Prizreni, Prishtina, Gjakova dhe disa famulli të tjerat të cilat i udhëheqin dirigjentët profesionistë. Mungon sa më dukët një punë me e organizuar e koreve kishtare, sepse sa here kam patur raste të dëgjoi, shoh se ato aspak nuk kanë përparuar, pos përsëritja e të njëjtit repertuar ndër vite, me radhë i kemi dëgjuar,kurse koret janë në gjendje që pos këngëve të ekzekutojnë dhe të na befasojnë me ndonjë Motet, Pasije, Kantatë, Oratorium ose Meshë.

Pra, kontributi i Monsinjor Nikollë Minit në ketë lëmi është tejet i madh edhe për rreth ca vërejtjeve që i bëmë dashamirëse.

Është një moment jashtëzakonisht interesant, edhe këto pak botime që bëhen nuk kanë recensentë profesional, pos disa, sepse, ai jep vërejtje dhe propozon që botim të jetë më i kompletuar e jo pasi të botohet të bëhen vërejtjet.

Pra, këto fjalë vetvetiu flasin për një çaje të rëndësishme dhe një hap të guximshëm që ka marrë Monsinjor don Nikollë Mini, të botoj punën e tij shumëvjeçare në këtë lëmi, sepse këtu ai është tejet origjinal.

Është interesant të cekim edhe ca fjali nga parathënia shkruar nga Dr. Gaspër Gjini, famullitar i Shkupit, i cili na sjell jo vetëm parathënie, por një shkrim ku do të hasim edhe një historik të vogël për muzikën shqiptare kishtare, që nuk është trajtua sa duhet edhe në ditët tona, kur kemi kuadro, kur kemi mundësi që të i qasëmi me një seriozitet më të madh.

Në parathënie Dr. Gaspër Gjini, famullitar i atëhershëm e kishës katolike të Shkupit, pos të tjerash thotë: “Kaherë është ndie ndër ne nevoja për një përmbledhje këngësh kishtare, të cilat këndohen si në meshë, ashtu edhe në raste të ndryshme liturgjike. Mirëfilli dihet se Kisha që prej fillimit ka përcjell ritet fetare me këngë dhe melodi, të cilat shprehin shpirtin e një epoke apo të një populli. Në këtë lami ne shqiptarët jemi tepër të varfër. Megjithatë, gjatë shekujve, duke falënderuar mbledhësve dhe përpunuesve të panjohur, dhe ndër ne është pasuruar deri diku melosi kishtar, janë përvetësuar meloditë e huaja duke dhëne një modalitet më të afërta melosit dhe shpirtit tonë, prandaj edhe populli i njeh për të vetat. Me dashuri të madhe filloi ketë punë të pamiradijshme port ë nevojshme Mons. Nikollë Mini, famullitar I Prizrenit,I cili gjithherë është treguar si adhurues I muzikës kishtare. Dhe,ja tani përgatiti këtë përmbledhje të bukur,të cilën në Vitin Shenjtë ia dedikon popullit të dashur shqiptar. Në radhën e parë janë përmbledhur këngët që me shekuj këndohen ndër ne disa janë harmonizuar nga Monsinjori, e ka disa edhe origjinale që rrjedhin nga ata, të cilët dojnë dhe nderojnë Kishën. Në botimin e këtij libri na ka drejtuar dashuria ndaj kishës dhe popullit tonë. Shpresojmë se nëpërmjet të këngëve të tija bestarët tonë edhe më tepër kanë për ta njohur dhe dashuruar bukurinë shpirtërore, Perendinë, i cili është gurra e çdo bukurie, o si dikur tha muziktari dhe besimtari i famshëm Joiseg F.Haydn-I ,,Duke menduar në Perendin zemrën ma kaplon një gëzim aq i madh, sa që çdo send në mua fillon të këndojë dhe të këmbojë!”Jemi të vetëdijshëm dhe për të metat që ka ky libër,sikurse çdo vepër njerëzore. Prandaj çdo vërejtje dhe ndihmë ka mpër të qenë një udhëzim më përmirësimin e edicioneve të ardhshme. Qoftë në nderë të Hyut, Nënës sonë qiellore, shenjtërive, si edhe për shelbim të shpirtërave. Shkup, 26 Prill 1974, Dr.Gaspër Gjini fam.,i Shkupit.”

Pra hartuesi i këtij kantuali të parë dhe modest ka qenë i vetë dijshëm që ka të meta dhe zbrastësi të cilat si thotë në fund të fjalës Dr. Gaspër Gjini duhen kapërcyer në punën e mëtejshme, sepse autori muzikën nuk e ka patur zeje, vokacion, por dashuri dhe se me plotë bindje e thotë dhe në mënyrë të sinqertë që do të mënjanohen të metat për të I plotësuar zbrastësitë në botimet e ardhshme.

Prandaj duke e mbyllur këtë artikull, shpresojmë se edhe më tutje ky kantual nuk do të mbetej si instance statike por aktive,jo vetëm duke i përdorur këto këngë gjatë Meshës por edhe duke huazuar nga ky kantual këngët për të krijuar në Kantual të ri më të begatshëm, më profesional dhe më të përdorur siç janë kantualët e popujve që kanë traditë më të madhe në muzikën sakrale se sa ne.

Le të na shërbejë ky Kantual si pretekst për krijimin e veprave të reja, kantualëve të tjerë, kurse ky le të ruhet si kujtesë jo vetëm ndaj autorit Monsinjor Nikollë Minit, por edhe ndaj këngëve të cilat i kanë kënduar, gjyshërit, nënat, prindërit tanë dhe vëllezërit dhe motrat tona shekuj më radhë dhe kështu shtrojmë përvojën e vjetër për të krijuar muzikën e re sakrale shqiptare.

Kori i kishes i drjtuem nga Don Nikoll Mini.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »